Për gratë dhe dashurinë
1 Biri im, vërja mendjen urtisë sime
vëri vesh arsyetimit tim,
2 që të ruash gjykimin
e buzët e tua t'i përmbahen njohjes.
3 Buzët e së huajës pikojnë mjaltë,
më e butë se vaji është gojë e saj,
4 porse në fund e hidhur si pelini,
e mprehtë si shpata me dy tehe është.
5 Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes,
hapat e saj çojnë drejt e në skëterrë,
6 shpërfillshëm për udhën e jetës
enden pa ditur në ç'shteg.
7 Ndaj dëgjomëni, o bij,
e mos ikni nga fjalët e gojës sime:
8 larg saj mbaje udhën tënde
e mos iu avit pragut të shtëpisë së saj,
9 që të mos ua dorëzosh të tjerëve nderin tënd
e ndonjë të pashpirti vitet e tua;
10 të mos i shërbejë forca jote të huajit,
e mundi yt shtëpisë së ardhacakut;
11 që të mos vajtosh mbi fatin tënd,
e, ndërsa merr fund mishi e trupi yt,
12 të thuash: «Si e urreva rregullin,
si e përbuzi zemra ime qortimin?
13 Si s'e dëgjova zërin e udhërrëfyesit tim?
Si s'u vura vesh mësuesve të mi?
14 Për pak u gjeta në të keqen e madhe
përpara bashkësisë e kuvendit».
15 Pi ujë prej sternës sate,
atë që gurron nga pusi yt,
16 që të mos rrjedhin përjashta burimet e tua
e rrëketë e ujit nëpër sheshe,
17 por të jenë për ty, vetëm për ty
e jo për të huajt bashkë me ty.
18 Qoftë bekuar gurra jote!
Gëzohu me gruan e rinisë sate:
19 drenushë e dashur, sorkadhe e hijshme.
Ndër gjinjtë e saj gjetsh kënaqësi
e dashuri' e saj të dehtë përherë.
20 Përse, o biri im, joshesh nga e panjohura
e bie në krahët e së huajës?
21 Udhët e njeriut janë para syve të Zotit,
ai i shqyrton të gjitha shtigjet e tij.
22 Të prapin e zë prapësia e vet,
e zë laku i mëkateve të veta.
23 Ai do të vdesë nga mosbindja e vet,
do të humbasë nga marrëzia e vet.
1 Biri im, mba-ji vesh diturisë s’ime, kthe-ji veshin’ urtësisë s’ime,
2 që të shikonjç urtësi, edhe buzët’ e tua të ruanjënë kupëtim.
3 Sepse buzët’ e (gruasë) huajë pikonjënë (posi) hojë mialte, edhe qiellëza e asaj (ësht’) më e butë se vali,
4 po fundi i asaj (është) më i hidhurë se apsinthi, i hollë posi thikë me dy presëje.
5 Këmbët’ e asaj sdërrmonjënë ndë vdekëjet, çapat’ e asaj shkasënë ndë pisët.
6 Që të mos njohç udhën’ e jetësë, të ecurat’ e asaj janë të paqëndruara, (edhe) jo të shquara.
7 Dëgjomëni tashi pra, o djem, edhe mos dilni nga fialët’ e golësë s’ime.
8 Largo udhënë tënde nga ajo, edhe mos u afro ndë derët të shtëpis’ asaj,
9 që të mos apsh nderinë tënt të tierëve, edhe viet e tu të papërdëllyershimet;
10 që të mos nginjenë të huajëtë me pasëjenë tënde, edhe mundimet’ e tu të hynjënë ndë shtëpi të huajë,
11 edhe ti të psherëtinjç më ndë funt, kur të tretetë mishi yt, edhe kurmi yt,
12 edhe të thuash: Qysh mërzita diturinë, edhe zëmëra ime hodhi tej qërtimetë,
13 edhe nuk’ u dëgjovva zënë atyreve që më mësoninë, as nuk’ u ktheva veshnë atyreve që më arrëseninë!
14 Për pakëzë desh rashë ndë ç’do të keqe, ndë mest të mpshtiellëjes’ e të mbëledhëjesë.
15 Pi ujë prej sterrnësë s’ate, edhe prej ujit që buron nga pusi yt;
16 le të derdhenë jashtë gurrat’ e tua, edhe rrëket’ e ujëravet ndëpër rrugat,
17 ato le të jenë thjesht të tuatë, e jo të huajëvet bashkë me ty;
18 gurra jote le të jet’ e bekuarë, edhe gëzohu bashkë me gruan’ e të rit tënt.
19 Le (të jetë te ti) posi drere e dashurë, edhe (posi) kaprolle gazëtore; gjinjt’ e asaj le të të ujitnjënë mbë ç’do kohë; gëzoju kurdo ndë dashurit t’asaj.
20 Përse, o biri im, të k’anda të huajënë, edhe do të pushtonjç gjin’ e së huajësë?
21 Sepse udhët’ e njeriut (janë) përpara syvet Zotit, edhe ay peshon gjithë çapat’ e ati.
22 Vetëm’ ato panomit’ e ati do të zënë të pabesinë, edhe do të shtrëngonetë me litarët’ e falit ti.
23 Ky do të vdesë i pamësuarë, edhe nga shumica e marrësis’ ati do të silletë andej e këtej.