Altari i flive të shkrumbimit
1 Pastaj bëri altarin e flive të shkrumbimit me dru akacieje. Altari ishte katror, pesë kute i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë. 2 Në të katër këndet e altarit punoi nga një bri. Ata ishin një me altarin dhe të veshur me bronz. 3 Tërë enët e altarit, rrethjet, terplotet, legenët, pirunët e kacitë i bëri prej bronzi. 4 Bëri dhe një skarë prej bronzi dhe e vendosi poshtë, nën buzën e altarit, që të ishte në mes. 5 Derdhi katër rrathë bronzi, një në çdo kënd të skarës për të shkuar shufrat. 6 Shufrat i bëri me dru akacieje dhe i veshi me bronz. 7 Për ta mbartur shkoi shufrat nëpër radhë në krahë të altarit. Altarin e bëri me dërrasa dhe e la të zbrazët brenda.
Legeni
8 Pastaj bëri legenin dhe bazën e bronzit me pasqyrat e shërbëtoreve që shërbenin në të hyrë të tendës së takimit.
Oborri
9 Pastaj bëri oborrin. Krahu jugor i oborrit u rrethua me njëqind kute pëlhurë liri të tjerrë hollë 10 dhe me njëzet shtylla e baza bronzi. Grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. 11 Edhe krahu verior u bë njëqind kute i gjatë dhe u rrethua me njëzet shtylla e baza bronzi, ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. 12 Krahu i perëndimit u rrethua me pesëdhjetë kute pëlhurë dhe me dhjetë shtylla e baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. 13 Edhe krahu lindor u bë pesëdhjetë kute i gjatë. 14 Ky krah kishte pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në njërën anë të hyrjes 15 dhe pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në anën tjetër të hyrjes. 16 Tërë pëlhurat që rrethonin oborrin ishin prej liri të tjerrë hollë. 17 Bazat e shtyllave ishin prej bronzi, ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. Kokat e shtyllave ishin të lyera me argjend dhe tërë shtyllat e oborrit u mbërthyen me shtiza të argjendta. 18 Perdja e hyrjes së oborrit u bë njëzet kute e gjatë. Ajo u punua prej liri të tjerrë hollë dhe u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 19 Kishte katër shtylla dhe baza bronzi. Grremçat ishin prej argjendi dhe kokat e shtyllave bashkë me shtizat ishin të lyera me argjend. 20 Tërë kunjat e tendës dhe të oborrit përreth ishin prej bronzi.
Lista e materialeve
21 Ky është regjistri i tendës së dëshmisë që u bë nga levitët me urdhër të Moisiut. Ai u bë nën kujdesin e Itamarit, birit të priftit Aron.
22 Becaleli, biri i Uriut, prej fisit të Judës, bëri gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut. 23 Atë e ndihmoi Oholiabi, biri i Ahisamakut, prej fisit të Danit. Ai ishte mjeshtër i gdhendjes dhe i qëndisjes së pëlhurës së lirit të hollë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur.
24 Një mijë kilogramë ar, sipas peshës së shenjtërores, u kushtua si fli lartësimi dhe u përdor për tërë punët e shenjtërores. 25 Tre mijë e katërqind e tridhjetë kilogramë argjend, sipas peshës së shenjtërores, u mblodhën nga regjistrimi i bashkësisë. 26 Pagesa për kokë ishte gjysmë sikle, sipas peshës së shenjtërores, për këdo që ishte njëzet vjeç e lart. Gjithsej ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë veta. 27 Tre mijë e katërqind kilogramë argjend u përdorën për të derdhur njëqind bazat e shenjtërores dhe të velit, tridhjetë e katër kilogramë për çdo bazë. 28 Tridhjetë kilogramë argjend u përdorën për të bërë grremçat e shtyllave, për të lyer kokat e shtyllave dhe shtizat.
29 Dy mijë e katërqind e njëzet e pesë kilogramë bronz u kushtuan si fli lartësimi. 30 Me to u bënë bazat e hyrjes së tendës së takimit, altari i bronzit, skara që ishte në të, tërë enët e altarit, 31 bazat e oborrit përreth, bazat e hyrjes së oborrit, tërë kunjat e tendës dhe tërë kunjat e oborrit përreth.
1 Edhe bëri theroren’ e kurbanit diegurë prei druje shittimi, pesë kut të gjatë, e pesë kut të gjerë, me katrë çipe, edhe tre kut të lartë, 2 Edhe bëri krahët’ e asai mbi të katrë çipet e asai; krahët’ e asai ishinë prei një gjëje, edhe e mbuloi përqark me rame. 3 Edhe bëri gjith’ enët’ e theroresë, kusitë, e terplotetë, e lekanëtë, e grepat’ e mishit, e kacitë, bëri gjith’ enët’ e asai të ramta. 4 Edhe bëri për therorenë një trirë të ramtë punuarë gërshet, ndënë rrethin’ e asai përposh, gjer ndë mest t’asai. 5 Edhe derdhi katrë rrathë për të katrë anët e trirësë ramtë, (që të jenë) vëndet’ e shulevet. 6 Edhe bëri shuletë prei druje shittimi, edhe i mbuloi përqark me rame. 7 Edhe kalli shuletë ndëpër rrathët mbë ijet të theroresë, që të mbarin’ atë prei atyre; bëri atë të dërrastë posi gropë.
8 Edhe bëri lanjëtarin’ e ramtë, edhe shtresën’ e ati të ramtë, prei pasqyrash (të ramta) nga të mbëledhurat (e gravet), që mbëlidheshinë përanë derësë tendësë pëmbëledhëjesë.
9 Edhe bëri oborrinë nga brinja mb’anë të mesditësë; kurtinat’ e oborrit (ishinë) prei vishnjeje të dredhurë, një qint kut. 10 Shtyllat’ e atyreve (ishinë) njëzet, edhe shtresat’ e atyreve të ramta njëzet; grepat’ e shtyllavet edhe brezat’ e atyreve (ishinë) të argjënttë. 11 Edhe nga brinja e anësë borësë (kurtinat’ ishinë) një qint kut, shtyllat’ e atyreve njëzet, edhe shtresat’ e ramta t’atyre njëzet; grepat’ e shtyllavet e brezat’ e atyreve (ishinë) të argjënttë. 12 Edhe nga brinja mb’anë të perënduarit (ishinë) kurtina pesëdhietë kutësh, shtyllat e atyreve dhietë, e shtresat’ e atyreve dhietë, grepat’ e shtyllavet e brezat’ e atyreve (ishinë) të argjënttë. 13 Edhe nga brinja mb’anë të lindurit nga lint dielli, pesëdhietë kutësh. 14 Kurtinat’ e njërës’ anë (të derës’ ishinë) pesëmbëdhietë kutësh, shtyllat’ e atyreve tri, e shtresat’ e atyreve tri. 15 Edhe mb’anët tietrë të derës’ oborrit mbat’anë e mbë kët’ anë, (ishinë) kurtina pesëmbëdhietë kutësh, shtyllat’ e atyreve tri, e shtresat’ e atyreve tri. 16 Gjithë kurtinat’ e oborrit rreth e rrotullë (ishinë) prei vishnje të dredhurë. 17 Edhe shtresatë për shtyllat (ishinë) të ramta, grepat’ e shtyllavet, e brezat’ e atyreve (ishinë) të argjënttë, krerët’ e shtyllavet (ishinë) mbuluarë përqark me argjënt, edhe gjithë shtyllat’ e oborrit ishinë ngjeshurë me argjënt. 18 Edhe kurtina për derën’ e oborrit (ishte) punuarë me të qendisurë, prei të qielluartë, e të porfyrtë, e të kuqeje, e vishnjeje të dredhurë, edhe (ishte) njëzet kut e gjatë, edhe pesë kut e lartë për së gjëri, sikundrë mbë kurtinat të oborrit. 19 Edhe shtyllat’ e atyreve (ishinë) katrë, edhe shtresat’ e ramta t’atyreve (ishinë) katrë, grepat’ e atyreve (ishinë) të argjënttë, edhe krerët’ e shtyllavet ishinë mbuluarë (me argjënt), edhe brezat’ e atyreve (ishinë) të argjënttë. 20 Edhe gjithë hunjt’ e tendësë e të oborrit rreth e rrotullë, (ishinë) të ramtë.
21 Këta (është) të numëruarët’ e (plaçkavet) tendësë, tendësë deshmimit, sikundrë u numëruanë, pas urdhërit Moisiut, (për) shërbesën’ e Levitëvet, me dorë të Ithamarit, të birit priftit Aaronit.
22 Edhe Bezaleeli i biri Urit, të birit Hurit, nga fara e Judhesë, bëri gjithë sa urdhëroi Zoti Moisinë. 23 Edhe (ishte) bashkë me atë Aholiabi, i biri Ahisamakut, nga fara Danit, gërvishtar, edhe mieshtrë që i pillte mëndëja, edhe qendisës ndë të qielluartë, e ndë të porfyrtë, e ndë të kuqe, e ndë vishnje.
24 Gjith’ ari që u prish për punënë ndë gjithë punët të shënjtëroresë, ari i dhurëtisë, ishte njëzet e nëntë tallande, edhe shtatë qint e tridhietë sheklla, pas shekllësë shënjtëroresë. 25 Edhe argjëndi i atyreve që u numëruanë nga përmbëledhëja (ishte) një qint tallande, edhe një milë e shtatë qint e shtatëdhiet’ e pesë sheklla, pas shekllësë shënjtëroresë. 26 Nga një bekah për krye, (domethënë) gjymësë sheklle, pas shekllësë shënjtëroresë, për gjithësecilinë që shkonte mbë të numëruarë, nga njëzet viet e përpietë, për gjashtë qint e tri milë e pesë qint e pesëdhietë (shpirt). 27 Edhe nga argjëndi i të një qint tallandevet u derthnë shtresat’ e shënjtëroresë, e shtresat’ e kurtinësë, një qint shtresa nga një qint tallande, një tallant për një shtresë. 28 Edhe nga një milë e shtatë qind e shtatëdhiet’ e pesë (shekllatë) bëri grepatë për shtyllat, edhe mbuloi përqark krerët’ e shtyllavet, edhe i ngjeshi ato.
29 Edhe rameja e dhurëtisë (ishte) shtatëdhietë tallande, e dy milë e katrë qint sheklla. 30 Edhe nga këjo bëri shtresatë ndë derët të tendësë pëmbëledhëjesë, edhe theroren’ e ramtë, edhe trirën’ e ramtë për atë, edhe gjith’ enët’ e theroresë, 31 edhe shtresat’ e oborrit rreth e rrotullë, edhe shtresat’ e derës’ oborrit, edhe gjithë hunjt’ e oborrit rreth e rrotullë.