Bekime për Izraelin
1 E tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im,
dhe ti, o Izrael, i zgjedhuri im.
2 Kështu thotë Zoti, që të krijoi,
që të dha trajtë që në ngjizje, ndihmëtari yt:
mos ki frikë, o shërbëtori im Jakob,
o Jeshurun, i zgjedhuri im.
3 Se do të dikoj ujëra mbi tokë të etur,
përrenj në tokë të thatë,
shpirtin tim do të dikoj mbi farën tënde,
bekimin tim mbi pasardhësit e tu.
4 Do të rriten ata mes barit,
si shelgjet pranë rrjedhave të ujit.
5 Njëri do të thotë: «I Zotit jam unë»,
tjetri do të mbajë emrin e Jakobit.
Një tjetër do të shkruajë me dorën e vet: «I Zotit jam»
dhe emrin e Izraelit do të mbajë.
6 Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit,
shpenguesi i tij, Zoti i ushtrive:
unë jam i pari dhe unë jam i fundit,
Perëndi tjetër veç meje s'ka!
7 Kush është si unë? Le ta thotë fort!
Le ta shpallë e të ma parashtrojë!
Siç i parathashë gjëra të së ardhmes një populli të lashtë,
le t'u parathotë edhe ai gjëra që do të ndodhin.
8 Mos u trembni, mos kini frikë!
A nuk jua shpalla e s'jua thashë që më parë?
Ju jeni dëshmitarët e mi!
A ka Perëndi tjetër veç meje?
Tjetër Shkëmb nuk ka
e unë nuk njoh askënd.
Marria e idhujtarisë
9 Punuesit e idhujve janë të gjithë një hiç,
veprat e tyre të çmuara s'vlejnë asgjë,
dëshmitarët e tyre as shohin, as marrin vesh,
e kështu do të turpërohen.
10 Kush punoi ndonjë hyjni
apo shkriu ndonjë idhull,
pa kërkuar përfitim?
11 Ja, të gjithë ndjekësit e tyre do të mbeten të turpëruar,
se punuesit e tyre s'janë veçse njerëz,
le të mblidhen të gjithë bashkë e të dalin para,
do të dridhen të gjithë e do të turpërohen.
12 Farkëtari e punon hekurin me darë në zjarr,
trajtën ia jep me çekiçë,
e rreh me krahun e tij të fuqishëm.
E merr mandej uria dhe e lënë fuqitë,
ujë nuk pi dhe lodhet e këputet.
13 Gdhendësi e shtrin fijen për të matur drurin,
dhe i vë shenjat me laps,
e punon drurin me daltë,
me rrethor ia shënon anët.
I jep mandej trajtë njeriu,
një pamje të bukur njeriu,
për ta vënë në një tempull.
14 Pret për vete disa cedra,
merr qiparis e dru lisi,
shkon e zgjedh dru në pyll,
mbjell cedër dhe shiu e rrit.
15 Ato i janë dhënë njeriut për t'i djegur,
merr njeriu ndonjë prej tyre e ngrohet,
ndez zjarrin e pjek bukën.
Por bën edhe ndonjë hyjni e përkulet para saj,
bën ndonjë idhull e bie përmbys para tij.
16 Me gjysmën e druve ndez zjarrin,
me gjysmën tjetër pjek mishin e ha,
e pjek mirë mishin e kënaqet.
Ngrohet mirë e thotë: «Sa mirë po ngrohem!
Po kënaqem me zjarrin».
17 Me ç'i ngel bën edhe ndonjë hyjni,
që ta ketë si idhull.
Përkulet para tij dhe e adhuron,
i lutet e i thotë:
«Shpëtomë, se ti je perëndia im».
18 As dinë e as kuptojnë,
sytë u janë verbuar, që të mos shohin
e zemra e tyre të mos kuptojë.
19 Askush nuk i thërret mendjes,
as dinë e as kuptojnë, që të thonë:
«Gjysmën e drurit e dogja në zjarr.
Poqa bukën mbi prush,
poqa mishin dhe e hëngra,
e me gjysmën tjetër bëra këtë fëlliqësi.
Para punës së drurit do të përkulem vallë?».
20 Ushqehet me hi,
e shmang nga udha zemra e tij e mashtruar,
nuk di të çlirohet e të thotë:
«A nuk është vallë gjë e rreme
kjo që mbaj në të djathtën time?».
Çlirimi i Zotit
21 Kujtoji këto, o Jakob,
edhe ti, o Izrael, se je shërbëtori im!
Unë të dhashë trajtë, shërbëtori im je ti,
nuk do të të harroj, o Izrael.
22 I fshiva shkeljet e tua si retë e zeza,
mëkatet e tua porsi mjegullën,
kthehu tek unë, sepse unë të shpengova.

23 Ngazëlloni, o qiej, se veproi Zoti,
gëzohuni, o thellësi të tokës,
merrjani këngës së lavdërimit, o male,
edhe ju, o pyje e çdo pemë e tyre,
se Zoti e shpengoi Jakobin
e në Izrael shfaqi lavdinë.
24 Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt,
ai që të dha trajtë që në bark të nënës:
unë jam Zoti, ai që krijoi gjithçka,
që i vetëm i ndehu qiejt,
e tokën rrafsh e shtriu!
Kush, pra, qe me mua?
25 Unë i bëj të kota parashikimet e shortarëve,
magjistarët i bëj të marrë,
njerëzit e urtë i bëj të sprapsen,
dijen e tyre e kthej në marrëzi.
26 Unë e përforcoj fjalën e shërbëtorit tim,
shestimet e të dërguarve të mi i përmbush,
Unë i them Jerusalemit se do të ketë banorë,
qyteteve të Judës se do të rindërtohen
e rrënojat e saj do të ringrihen.
27 Unë i them humnerës së detit: «Thahu,
lumenjtë e tu kam për t'i shterur».
28 Unë them për Kirin: «Ai është bariu im,
gjithçka që unë dua do ta çojë ai në vend».
Unë i them Jerusalemit: «Ndërtohu!»,
i them tempullit: «Ngriji sërish themelet!».
1 Po tashi pa dëgjo, o shërbëtori im Jakov, edhe o Israil, që të sgjodha.
2 Kështu thotë Zoti që të bëri, edhe të gatoj nga barku, edhe do të të ndihnjë: Mos ki frikë, o shërbëtori im Jakov, edhe ti o Jeshurun, që të sgjodha.
3 Sepse do të derth ujë mbi atë që ka et, edhe lumra mbi (dhen’) e thatë; do të derth frymënë t’ime mbi farënë tënde, edhe bekimnë t’im mbi niprit’ e tu,
4 edhe do të mbinjënë posi ndë mest të barit, posi shelgje përanë rrëkevet ujëravet.
5 Njëri do të thotë: Unë jam i Zotit, edhe tietri do të kluhetë me emërin’ e Jakovit; edhe tietri do të shkruhetë përposhtë me dorën’ e ti mbë Zonë, edhe do të kluhetë me emërin’ e Israilit.
6 Kështu thotë Zoti Mbëreti i Israilit, edhe Shpërblimtari i ati, Zoti i ushtërivet: Unë jam i pari, edhe unë (jam) i pastajmi, edhe përveç meje s’ka (tietrë) Perëndi.
7 Edhe cili, posi unë, do të thërresë, e do t’apë zë, e do të vërë mbë radhë për mua, passi vura gjëndejen’ e vërtetë? Edhe le t’u tregonjën’ ato që shkuanë edhe ato që do të vinjënë.
8 Mos kini frikë, as mos u trembi, që atëherë nukë të bëra të dëgjojsh, edhe të dhashë zë (për këtë)? Po më fort ju (jeni) deshmitarët’ e mi, përveç meje a ka Perëndi? Me të vërtetë s’ka shkëmp, nukë di (asndonjë).
9 Sa ndërtonjën’ idhulla, të gjithë janë të kotë, edhe (idhullat’) e atyreve shumë të dashuratë s’bënjënë dobi, edhe ata (janë) deshmitarët’ e atyreve se nukë shohënë, as nukë kupëtonjënë, që të turpëronenë. 10 Cili gatoi Perëndi, a derdhi idhullë, që nukë bën dobi fare? 11 Na të gjithë shokët’ e ati tek do të turpëronenë, edhe ata mieshtritë, janë prej njerëzish; le të mbëlidhenë të gjithë bashkë, le të qëndronjënë përpara, do të kenë frikë, do të kenë turp (të gjithë) bashkë.
12 Ramtori këput hekur, edhe e punon ndër thëngjit, edhe e formon me çokatë, edhe e ndërton atë me fuqin’ e krahëvet ti, po edhe i vien uri, edhe fuqia e ati këputetë, nukë pi ujë, edhe i pritetë fuqia. 13 Druvari nden kanuninë, e shënon atë me pë, e sbut atë me sdrugje, edhe e shënon me pigë-dredhësinë, edhe e bën atë pas shëmbëllesësë njeriut, edhe pas bukurisë njeriut, që të rrijë ndë shtëpi. 14 Pret për vetëhe dullenja, edhe merr qiparisin’ e lisinë, që sgjeth për vetëhen’ e ti ndë mest të drunjvet pyllit; mbëlton borinkënë, edhe shiu e rrit. 15 Edhe do të jetë te njeriu për të diegurë, edhe nga ajo merr e ngrohetë, edhe e diek, e piek bukë, edhe e bën (atë) perëndi, e i faletë; e bën atë idhullë, edhe bie mbë gjunj përpara ati. 16 Gjymësën’ e ati e diek ndë zjarr, me gjymësënë tietërë ha mishinë, piek të piekuritë, edhe nginjetë, edhe ngrohetë, e thotë: Oh! Seç’ u ngrohç, seç’ pashë zjarrinë. 17 Edhe atë që mbetetë e bën perëndi, të gëdhendurin’ e ti; bie mbë gjynj përpara ati, edhe i faletë, edhe i lutet’ e i thotë: Shpëto-më, sepse je perëndia im.
18 Nukë kupëtonjënë, as nukë mendonjënë, sepse mbylli syt’ e atyreve që të mos shohënë, edhe zemërat’ e atyreve që të mos kupëtonjënë. 19 Edhe asndonjë nuk’ e vë ndër mënt, as (s’ka) mënt, as s’kupëton, që të thotë: “Gjymësën’ e dogja ndë zjarr, (pastaj) poqa edhe bukë mbi thëngjijt t’ati, poqa mish, e hëngra, pastaj do të bënj të ndyrë atë që ka mbeturë nga ay; do t’i falem kërcurit drurit.”
20 Kullot hi; zemër’ e gënjyerë e kuboj atë, që të mos muntnjë të shpëtonjë shpirtn’ e ti, as të thotë: (Ky që kam) mb’ anë të diathtë, a nuk’ (është) gënjeshtrë?
21 Kujto këto, o Jakov edhe Israil, sepse je shërbëtori im, unë të gatova, je shërbëtori im, o Israil, nukë do të harronesh prej meje.
22 Shova panomit’ e tua, posi mjegullë të dëndure, edhe falet’ e tu posi re; këthenu tek unë, sepse unë të shpërbleva.
23 Këndoni, o qieje, sepse Zoti e bëri (këtë); brohorini, o të poshtrat’ e dheut; nxirni zë gëzimi, o male, edhe ju gjithë drunjtë (që gjëndi) ndër ato, sepse Zoti shpërbleu Jakovinë edhe u lëvdurua ndë Israilit.
24 Kështu thotë Zoti, ay që të shpërbleu, edhe të gatoj nga barku: Unë (jam) Zoti, që bëra të gjitha, i vetëmi që ndejta qiejetë, që forcova dhenë prej vetëhesë s’ime,
25 që nxier të kota shenjet’ e atyreve që flasënë gënjeshtra, edhe nxier mënç shortëtarëtë; unë që përmbys të dituritë, edhe marrëzonj diturin’ e atyreve;
26 unë që forconj fialën’ e shërbëtorit t’im, edhe u mbaronj andënë zë-dhënëset mi; unë që i them Jerusalimësë: Do të rrinë njerës te ti, edhe qytetevet Judhësë: Do të ndërtohi përsëri, edhe do të drejtonj gërmadhat’ e ati.
27 Unë që i them pafundëjes’ (ujit): Bënu vënt i thatë, edhe do të thaj lumrat’ e tu;
28 unë që i them Qyrit: (Ky është) bariu im, edhe do të mbushë gjithë dashurimet’ e mi; edhe unë që i them Jerusalimësë: Do të ndërtonesh përsëri, edhe tempullit: Do të vihenë themelit’ e tua.