Dhjetë urdhërimet
1 Moisiu e thirri gjithë Izraelin e u tha: «Dëgjo, o Izrael, rregullat e vendimet që unë po ju shpall sot. Mësojini e zbatojini ato me kujdes. 2 Zoti, Perëndia ynë, lidhi një besëlidhje me ne në Horeb. 3 Këtë besëlidhje Zoti nuk e lidhi me etërit tanë, por me ne, me ne që jemi këtu, me të gjithë ne që jemi gjallë. 4 Në mal, Zoti ju foli ballë për ballë nga mesi i zjarrit. 5 Asokohe unë qëndroja mes jush dhe Zotit për t'ju shpallur fjalën e tij, sepse ju kishit frikë nga zjarri e nuk u ngjitët në mal. Ai tha:
6 “Unë Zoti, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë.
7 Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje.
8 Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme. 9 Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë Zoti, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezin e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. 10 Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e zbatojnë ligjin tim.
11 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij.
12 Mbaje ditën e shtunë e shenjtëroje, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt. 13 Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, 14 por dita e shtatë është e shtuna e Zotit, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as demi yt, as gomari yt, asnjë nga kafshët e tua dhe as i huaji që rri me ty, që edhe shërbëtori e shërbëtorja jote të pushojnë si ti. 15 Mos harro se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me dorë të fuqishme e me krah të fortë, prandaj dhe të urdhëroi ta mbash ditën e shtunë.
16 Ndero atin tënd e nënën tënde, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt, që të kesh jetë të gjatë e të të shkojë mbarë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt.
17 Mos vrit.
18 Mos bëj tradhti bashkëshortore.
19 Mos vidh.
20 Mos bëj dëshmi të kotë kundër të afërtit tënd.
21 Mos lakmo gruan e tjetrit. Mos lakmo shtëpinë e tij, as arën e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë të tij”.
Roli i Moisiut
22 Këto fjalë, Zoti ia tha me zë të lartë tërë bashkësisë suaj në mal, nga mesi i zjarrit, resë e territ. Gjë tjetër nuk shtoi. I shkroi në dy rrasa guri e m'i dha mua. 23 Kur ju e dëgjuat zërin nga mesi i territ dhe patë malin që digjej, m'u afruat ju, tërë krerët e fiseve dhe pleqtë, 24 e më thatë: “Ja, Zoti, Perëndia ynë, na dëftoi lavdinë e madhështinë e tij dhe ne ia dëgjuam zërin nga mesi i zjarrit. Sot pamë sesi Perëndia folka me njeriun e ky mbetka gjallë! 25 Por, pse të vdesim nga ky zjarr i madh që do të na përpijë? Nëse e dëgjojmë sërish zërin e Zotit, Perëndisë tonë, do të vdesim, 26 se kush tjetër e dëgjoi Perëndinë e gjallë të flasë nga mesi i zjarrit, siç e dëgjuam ne, e mbeti gjallë? 27 Shko ti e dëgjo gjithçka që thotë Zoti, Perëndia ynë. Pastaj na trego gjithçka që tha Zoti, Perëndia ynë, e ne do të të dëgjojmë”.
28 Zoti i dëgjoi fjalët që më thatë e më tha: “I dëgjova fjalët që të tha ky popull. E kanë mirë gjithçka thanë. 29 Ah, sikur të kishin përherë një mendje të tillë, që të më druanin e të mbanin urdhërimet e mia. Kështu do t'u shkonte mbarë atyre e bijve të tyre përgjithmonë. 30 Shko e thuaju: kthehuni në tendat tuaja, 31 ndërsa ti qëndro këtu me mua. Do të t'i them të gjitha urdhërimet, rregullat e vendimet, që t'ua mësosh t'i zbatojnë në tokën që po u jap për pronë”. 32 Prandaj kini kujdes e veproni siç ju urdhëroi Zoti, Perëndia juaj. Mos u shmangni as djathtas, as majtas. 33 Ecni udhës që ju urdhëroi Zoti, Perëndia juaj, që të jetoni, t'ju shkojë mbarë e të jeni me jetë të gjatë në tokën që do të pushtoni».
1 Edhe Moisiu thërriti gjith’ Israilinë, edhe u tha atyre: Pa dëgjo, o Israil, urdhërimet’ e gjyqetë që po u flas unë juve sot ndër veshë, që t’i xini, edhe të kini kujdes t’i bëni.
2 Zoti Perëndia ynë bëri dhiatë me ne ndë Horeb. 3 Këtë dhiatë nuk’ e bëri Zoti me atërit t’anë, po me ne, me ne të gjithë që (jemi) të gjallë këtu sot. 4 Zoti foli me ne sy ndër sy ndë malt nga mezi i zjarrit, 5 (edhe unë rrinjam nd’ atë kohë ndë mest të Zotit e juve, që t’u dëftonjam fialën’ e Zotit, sepse ishitë frikësuarë nga pun’ e zjarrit, edhe nuk’ u ngjitët ndë malt,) edhe tha:
6 Unë (jam) Zoti Perëndia yt, që të kam nxierrë nga dheu i Misirit, nga shtëpia e shërbesësë.
7 Mos kesh të tierë perëndira, veç meje.
8 Mos bëjsh për vetëhenë tënde idhullë, (as) të shëmbëllyerë ndonjë gjëje (që është) lart ndë qiell, a (që është) poshtë ndë dhet, a (që është) ndër ujërat përposhtë dheut;
9 mos u falesh, as t’u lutesh, sepse unë Zoti Perëndia yt jam Perëndi zëlitar, që u paguanj djemet falet’ e atërëvet, gjer mbë të tretin’ edhe të katrëtinë bres 10 atyreve që më mërzitnjënë; edhe u bënj përdëllim milërave brezash, atyreve që më duanë, edhe ruanjënë porosit’ e mia.
11 Mos marrsh emërin’ e Zotit Perëndisë tënt mbë të kotë, sepse Zoti nukë do të nxierrë pa fal atë që merr emërin’ e atij mbë të kotë.
12 Ruaj ditën’ e savvatësë, për të shënjtëruar’ atë, sikundrë të urdhëroi Zoti Perëndia yt; 13 gjashtë dit puno, edhe bën gjithë punët’ e tua, 14 po e shtata ditë (është) savvat’ e Zotit Perëndisë tënt; (nd’ atë ditë) mos bëjsh asndonjë punë, as ti, as yt-bir, as jot-bilë, as shërbëtori yt, as shërbëtoreja jote, as kau yt, as gomari yt, as ndonjë nga bagëtia jote, as i huaji yt, që është përbrënda dyeret tua, që të prëhetë shërbëtori yt edhe shërbëtoreja jote, posi ti. 15 Edhe kujto, se ke qënë shërbëtuar ndë dhet të Misirit, edhe Zoti Perëndia yt të nxori andej me dorë të fortë e me krah të ndejturë, përandaj Zoti Perëndia yt të urdhëroi të ruajsh ditën’ e savvatësë.
16 Ndero t’ët-atë e t’ët-ëmë, sikundrë t’urdhëroi Zoti Perëndia yt, që të bënesh jetë-gjatë e ditë-bardhë mbi dhet, që të ep Zoti Perëndia yt.
17 Mos vraç.
18 As mos kurvërojsh.
19 As mos viethç.
20 As mos bëjsh deshmi të rreme kundrë të afërmit tënt.
21 As mos dëshërojsh gruan’ e të afërmit tënt, as mos dëshërojsh shtëpin’ e të afërmit tënt, as arën’ e atij, as shërbëtorin’ e atij, as shërbëtoren’ e atij, as kan’ e atij, as gomarin’ e atij, as gjithë ç’ (ësht’) e të afërmit tënt.
22 Këto fialë i foli Zoti gjithë përmbëledhëjesë s’uaj ndë malt, nga mezi i zjarrit, e i resë, e errësirësë dëndurë, me zë të math; edhe (tietërë gjë) nukë shtoi, edhe i shkroi ato mbi dy rrasa të gurta, edhe m’i dha mua.
23 Edhe si dëgjuatë zënë nga mezi i errësirësë, (edhe mali digjej prej zjarrit,) atëherë erthtë tek unë, gjithë të parët’ e faravet tuaja, edhe pleqtë tuaj, 24 edhe thoshitë: Na Zoti Perëndia ynë tek na dëftoi lavdin’ e tij, edhe madhërin’ e tij, edhe dëgjuam zën’ e atij nga mezi i zjarrit, këtë ditë pam se Zoti folëka bashkë me njerinë, edhe (njeriu) rruaka; 25 tashi pra përse të vdesëmë? Sepse do të na diegë ky zjarr i math, ndë dëgjofshim neve edhe më zën’ e Zotit Perëndisë t’ënë, do të vdesëmë. 26 Sepse cili (është) nga gjithë të përmorçimitë, që dëgjoi zën’ e Perëndisë gjallë tuke folë nga mezi i zjarrit, posi neve, edhe rroi? 27 Afronu ti, edhe gjegju gjithë sa tha Zoti Perëndia ynë, edhe ti thuaj-na sa të të thotë Zoti Perëndia ynë, edhe neve do të gjegjemi, edhe do t’i bëjmë.
28 Edhe Zoti dëgjoi zën’ e fialëvet tuaja, kur fliste me mua, edhe Zoti më tha: Dëgjova zën’ e fialëvet kësaj gjëndëje, që të folnë ty; thanë mirë gjithë sa folnë. 29 Makar të kishin’ ata të tillë zëmërë, që të më kishinë frikë, e të ruaninë përherë gjith’ urdhërimet’ e mi, që t’ishinë ditë-bardhë gjithë jetënë, ata edhe djemt’ e atyreve. 30 Shko e thuaj-u atyre: Kthehi ndër tëndat tuaja. 31 Po ti qëndro aty bashkë me mua, edhe do të të them gjithë porositë, e urdhërimetë, e gjyqetë, që do t’u mësonjç atyre, për të bërë nd’ atë dhe që u ap atyre për trashëgim.
32 Do të mbani vesh pra e do të bëni, sikundrë u urdhëroi juve Zoti Perëndia juaj: nukë do të priri mbë të diathtë, a mbë të mëngjërë. 33 Do t’ecëni ndër gjith’ ato udhët që u urdhëroi juve Zoti Perëndia juaj, që të rroni, e të jeni ditë-bardhë e ditë-gjatë nd’ atë dhe që do të trashëgoni.