Mosbindja e Adamit dhe e Evës
1 Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që Zoti Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?». 2 Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë, 3 por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”». 4 Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo, 5 sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen».
6 Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7 Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve.
8 Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi mes pemëve të kopshtit.
9 Zoti Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?». 10 Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha». 11 Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?». 12 Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra». 13 Zoti Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra».
14 Zoti Perëndi i tha gjarprit:
«Për këtë që bëre,
mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra.
Mbi bark do të zvarritesh
e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde.
15 Armiqësi do të shtie mes teje e gruas,
mes farës tënde e farës së saj
që do të ta shtypë kokën,
ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën».
16 Gruas i tha:
«Shumë dhimbje barre do të të jap
e me mundim do t'i lindësh fëmijët.
Burrin tënd do ta dëshirosh,
por ai do të sundojë mbi ty».
17 Adamit i tha:
«Meqë dëgjove gruan
e hëngre nga pema
që të urdhërova
të mos hash,
mallkuar qoftë toka për shkakun tënd!
Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate.
18 Gjemba e ferra do të prodhojë për ty
e bimët e fushës do të hash.
19 Me djersën e ballit
do ta nxjerrësh bukën e gojës
derisa të kthehesh në dhe,
se prej tij u nxore,
pluhur je
e në pluhur do të kthehesh».
20 Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve. 21 Zoti Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata.
22 Pastaj Zoti Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë përjetë». 23 Prandaj Zoti Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor. 24 E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubët dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës.
1 Edhe gjarpëri ishte më i urtë se gjithë shtëzët e fushësë që bëri Zoti Perëndia; edhe (gjarpëri) i tha gruasë: A me të vërtetë tha Perëndia: Mos hani nga çdo dru i kopështit? 2 Edhe gruaja i tha gjarpërit: Nga pemët’ e drunjvet kopështit munt të hamë, 3 po nga pema e drurit, që (është) ndë mest të kopështit, Perëndia tha: Mos hani nga ay, as mos i piqni ati, që të mos vdisni. 4 Edhe gjarpëri i tha gruasë: Me të vërtetë nukë do të vdisni; 5 po Perëndia e di, se atë ditë që të hani nga ay, do t’u hapenë juve sytë, edhe do t’ini posi perëndira, tuke njohurë të mirën’ e të keqenë.
6 Edhe gruaja pa, se druri (ishte) i mirë mbë të ngrënë, edhe ishte i pëlqyerë ndë syt, edhe një drur’ i dëshëruarshim që ep mënt; edhe ajo mori prej pemës’ ati, edhe hëngri; edhe i dha edhe burrit saj bashkë me vetëhen’ e saj, edhe ay hëngri. 7 Edhe u hapnë sytë të dyve atyre, edhe e njohnë se ishinë lakuriq; edhe ata qepnë fletë fiku, edhe ngjeshnë vetëhen’ e tyre.
8 Edhe dëgjuanë zën’ e Zotit Perëndisë, tek po ecënte ndë kopësht mbë zëmërë herë; edhe u fshehnë Adhami edhe gruaja e ati prej faqesë Zotit Perëndisë, ndërmest të drunjvet kopështit.
9 Edhe Zoti Perëndia thirri Adhamnë, edhe i tha ati: Ku je? 10 Edhe ay tha: Dëgjova zënë tënt ndë kopësht, edhe u frikësuashë, sepse jam lakuriq; edhe u fshehçë. 11 Edhe (Perëndia) tha: Kush të dëfteu se je lakuriq? Mos hëngre nga druri, që të pata urdhëruarë të mos hash prej ati? 12 Edhe Adhami tha: Gruaja që më dhe (të jetë) bashkë me mua, ajo më dha nga druri, edhe hëngra. 13 Edhe Zoti Perëndia i tha gruasë: Ç’është këjo që bëre? Edhe gruaja tha: Gjarpëri më gënjeu, edhe hëngra.
14 Edhe Zoti Perëndia i tha gjarpërit: Sepse bëre këtë, qofsh mallëkuarë ndërmest të gjithë bagëtivet, e gjithë shtëzëvet fushësë; do të ecënjëç (tuke hequrë) barkazi, edhe do të hash dhé gjithë dit e jetësë sate;
15 edhe do të vë arëmiqësi ndërmest teje edhe gruasë, edhe ndërmest farësë sate edhe farës’ asaj; ajo do të të thyenjë kryetë, edhe ti do t’i çponjç thembrënë.
16 Edhe gruas’ i tha: Do të shumonj tepërë hidhërimet’ e tua edhe (të dhëmburat’) e të piellurit tënt; me hidhërime do të piellç djem; edhe dëshërimi yt (do të jetë) te burri yt; edhe ay do t’urdhëronjë ty.
17 Edhe Adhamit i tha: Sepse i dëgjove fialësë gruasë sate, edhe hëngre nga druri, që të pata urdhëruarë, tuke thënë: Mos hash prej ati; Qoftë mallëkuarë dheu për punët tënde; do të hash prej ati me hidhërim gjithë dit e jetësë sate;
18 edhe do të binjë për ty gjëmba e driza, edhe do të hash barin’ e fushësë;
19 do të hash bukënë me diersën’ e faqesë sate, gjersa të kthenesh ndë dhet, prej të cilit u more, sepse dhe je, edhe ndë dhet do të kthenesh.
20 Edhe Adhami ja vuri emërinë gruasë ti Evë [jetë]; sepse ajo ishte e ëm’ e gjithë të gjallëvet.
21 Edhe Zoti Perëndia i bëri Adhamit edhe gruas’ ati rroba të lëkurëta, edhe i veshi ata. 22 Edhe Zoti Perëndia tha: Na Adhami tek u bë posi një prej nesh, për të njohurë të mirën’ e të keqenë; edhe tashi vallë se mos ndenjë dorën’ e ti, e të marrë nga drur’ i jetësë e të hajë, e të rronjë për gjithë jetënë…
23 Andaj Zoti Perëndia nxori atë jashtë kopështit Edhemësë, për të punuarë dhenë, që prej ati u muar. 24 Edhe dëboi Adhamnë; edhe ndë kopësht të Edhemësë nga të lindurit e diellit vuri Qeruvimëtë, edhe kordhën’ e flakëtë, që sillej rrotullë, që të ruanin’ udhën’ e drurit jetësë.