Kënga e Moisiut
1 Atëherë Moisiu e izraelitët kënduan këtë këngë për nder të Zotit:
«Këndojini Zotit
se madhërisht ngadhënjeu,
plandosi në det
kuaj e karroca.
2 Zoti është forca ime dhe kënga ime.
Ai është shpëtimi im.
Është Perëndia im,
atë do të lavdëroj,
Perëndia i atit tim,
atë do të lartësoj.
3 Zoti është i fortë në luftë,
Zot është emri i tij.
4 Karrocat dhe ushtrinë e faraonit
i vërviti në det.
Të përzgjedhurit e tij,
u mbytën në detin e Kuq.
5 Ujërat i mbuluan,
si gurë u fundosën.
6 E djathta jote, o Zot,
fuqi madhështore.
E djathta jote, o Zot,
e dërrmon armikun.
7 Me madhështinë tënde
i rrëzon kundërshtarët.
Zemërimin e lëshon,
që si byku t'i përpijë.
8 Nga turfullimi yt,
ujërat u bënë pirg,
si mure u ngritën lart
e ngrinë thellë në det.
9 Armiku thoshte:
“Do t'i ndjek,
do t'i zë,
e prenë do ta ndaj.
Do të më ngopet shpirti.
Shpatën do ta nxjerr
e në dorë do t'i shtie”.
10 Ti i fryve erës
e deti i mbuloi.
E ata ranë si plumb,
në ujërat e tërbuara.
11 O Zot, kush është si ti
mes perëndive?
Kush është si ti,
madhështor në shenjtëri,
i tmerrshëm në lavdi,
që bën mrekulli?
12 E shtrive të djathtën
e toka i përpiu.
13 Me mirësi udhëhoqe
popullin që shpëtove.
Me fuqi i prive
drejt shenjtërores tënde.
14 Dëgjuan popujt
e u drodhën.
Ankthi i mbërtheu
banorët e Filistesë.
15 Atëherë u tmerruan
prijësit e Edomit.
Trimat e Moabit
i zunë të dridhurat,
banorët e Kanaanit
u tretën të gjithë nga frika.
16 Tmerri e frika
i pushtoi ata.
Prej fuqisë së krahut tënd
shtangen e ngurosen,
sa të kalojë populli yt, o Zot,
sa të kalojë populli që ti bleve.
17 Popullin do ta marrësh
e do ta mbjellësh
në malin e trashëgimisë tënde,
në banesën tënde,
që ti gatite, o Zot,
Në shenjtëroren që ngrite
me duart e tua, Imzot.
18 Zoti mbretëron
përjetë e përgjithmonë».
19 Kur kuajt, karrocat dhe kalorësit e faraonit hynë në det, Zoti lëshoi mbi ta ujërat e detit. Por izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë. 20 Atëherë Mirjama, profetesha, motra e Aronit, mori dajren në dorë. Pas saj dolën të gjitha gratë e filluan të kërcejnë me dajre. 21 Mirjama i printe këngës:
«Këndojini Zotit,
se madhërisht ngadhënjeu,
plandosi në det
kuaj e karroca».
Në shkretëtirë
22 Pastaj Moisiu i çoi izraelitët nga deti i Kuq në shkretëtirën e Shurit. Ata udhëtuan për tri ditë nëpër shkretëtirë dhe nuk gjetën ujë. 23 Arritën në Marë, por ujin e Marës nuk e pinin dot, se ishte i hidhur. Prandaj edhe quhej Marë. 24 Atëherë populli murmuriti kundër Moisiut dhe tha: «Çfarë të pimë tani?». 25 Moisiu i thirri Zotit dhe ai i dëftoi një lloj druri. Moisiu e hodhi në ujë dhe uji u bë i ëmbël.
Në atë vend, Zoti i dha popullit rregulla e vendime. Po atje e vuri në provë 26 e i tha: «Nëse e dëgjon me kujdes zërin e Zotit, Perëndisë tënd, nëse bën çfarë është e drejtë para tij dhe u vë vesh urdhërimeve të tij e mban tërë rregullat e tij, atëherë nuk do të lëshoj mbi ty asnjë nga gjëmat që i bëra Egjiptit. Unë jam Zoti, shëruesi yt». 27 Pastaj izraelitët arritën në Elim. Atje kishte dymbëdhjetë burime dhe shtatëdhjetë palma. Ata fushuan pranë ujit.
1 Atëhere i këndoi Zotit Moisiu edhe të bijt’ e Israilit këtë kënkë, edhe kënduanë tuke thënë: Le t’i këndonj Zotit, sepse u lavdërua me lavdërim, Hodhi ndë det kalin’ edhe kalorësin’ e ati.
2 Zoti (është) fuqia ime edhe kënka eme, Edhe qëndroi shpëtimi im, Ay (është) Perëndia im, edhe do ta lavdëronj, Perëndia i tim et, edhe do ta lartonj.
3 Zoti (është) luftëtar i fortë, Emëri i ati (është) Zot.
4 Hodhi ndë det qerret’ e Faraonit, edhe ushtërin’ e ati, Edhe të sgjedhuritë kryeluftëtarët’ e ati u mbytnë ndë Det të Kuq.
5 Thellësirat’(e ujit) i mbuluan’ ata, Posi gur u krethnë ndë të thellat.
6 E diathta jote, o Zot, u lavdërua për fuqinë, E diathta jote, o Zot, dërrmoi arëmikunë.
7 Edhe me madhërinë tënde të lartënë shove ata që u ngrenë kundrë teje, Dërgove zemërimnë tënt, edhe i fërkati ata posi kallam.
8 Edhe me frymën’ e zemërimit tënt ujërat’ u grumbulluanë bashkë, Valëtë qëndruanë posi tok, avyssat’ u ngulnë ndë mest të detit.
9 Arëmiku tha: Do t’(i) ndiek, do t’(i) harrinj, Do të ndanj plaçkatë; Shpirti im em do të ngihetë për ata, do të heq kordhënë time, Dora ime i ka për të shuar ata.
10 Fryjte erënë tënde, (edhe) deti mbuloi ata, U krethnë posi plump ndë ujëra të frikëshime.
11 Kush (është) posi ti, o Zot, ndër perëndirat? Kush (është) posi ti, i lavdëruarë ndë shënjtëri, I çudiçim ndë lavdërime, ti që bën çudi (të frikëshime)?
12 Ndejte dorën’ e diathtë, (edhe) dheu i përpiu ata.
13 Me përdëllimnë tënt i hoqe udhënë kësaj gjëndëje (që) shpërbleve, I hoqe udhënë me fuqinë tënde ndë vënt të shënjtërisë sate.
14 Gjëndëjetë do të gjegjenë, (e) do t’i marrë frika, Dhëmbëje i kanë për të pushtuarë vëndësit’ e Palestinësë.
15 Atëhere do të habitenë të parët’ e Edhomit, Frika i ka për të marrë të parët’ e Moavit, Gjithë vëndësit e Hanaanit do të tretenë.
16 Frikë e dridhëje do t’u vinjë atyre, Nga të matht’ e krahut tënt do të nguronenë, gjersa të shkonjë gjëndëja jote, o Zot, Gjersa të shkonjë këjo gjëndëja (që) fitove.
17 Do t’i këllaç ata, e do t’i mbiellç ata ndë malt të trashëgimit tënt, (Ndë) vënt, o Zot, (që) bëre gati për të ndenjuritë tat, (Ndë) shënjtëroret, o Zot, (që) ngrehnë duart’ e tua.
18 Zoti do të mbëretëronjë ndë jetët të jetëvet.
19 Sepse hynë kuajt’ e Faraonit ndë det bashkë me qerret e ati e me kalërin’ e ati, edhe Zoti ktheu ujërat’ e detit mbi ata, edhe të bijt’ e Israilit shkuanë ndëpër të thatë ndë mest të detit.
20 Edhe Mariamë profitëresha, e motra e Aaronit, mori tymbanënë ndë dorë të saj, edhe gjithë gratë duallë prapa asai me tymbana e me valle.
21 Edhe Mariama u përgjegjej atyre: Këndoni Zotit, sepse u lavdua me lavdim, Hodhi ndë det kalin’ edhe kalorësin’ e ati.
22 Atëhere Moisiu ngriti Israilitëtë nga Deti i Kuq, edhe duallnë ndë shkretëtirët të Shurit, edhe ecëninë tri dit ndë shkretëtirët, edhe nukë gjenin’ ujë. 23 Edhe së andejmi erthnë ndë Merahë, po s’munt të pininë nga ujërat e Merahësë, sepse ishinë të hidhura, përandaj u kluajti Merahë. 24 Edhe gjëndëja murmuronte kundrë Moisiut: Ç’të pimë? 25 Edhe (Moisiu) i thërriti Zotit, edhe Zoti i dëftoi ati një dru (të cilënë) kur e hodhi nd’ujërat, ujërat’ u ëmbëlsuanë. Atie u dha atyre porosi e urdhër, edhe i provoi ata,
26 edhe tha: Ndë dëgjofsh me kujdes zën’ e Zotit Perëndisë tënt, edhe ndë bëfsh atë që pëlqen ndë syt t’ati, edhe ndë mbajç porosit’ e ati, edhe ndë ruajç gjith’ urdhërimet’ e ati, nukë do të bie mbi ty asndonjë prei sëmundëjevet që prura mbi Egjyptianët, sepse unë (jam) Zoti që të shëronj ty.
27 Pastaj erthnë ndë Elim, atie ku (ishinë) dymbëdhietë gurra ujërash, edhe shtatëdhietë drunj hurmave, edhe atie ngulnë ushtërinë, afër ujëravet.