Rrobat e priftërinjve
1 «Thirr prej izraelitëve Aronin, vëllanë tënd, bashkë me Nadabin, Abihuin, Eleazarin dhe Itamarin, bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. 2 Puno rroba të shenjta për Aronin, vëllanë tënd, që të jenë të hijshme e plot madhështi. 3 Fol me tërë mjeshtrat, të cilët i kam mbushur me shpirtin e urtisë, që të bëjnë rrobat e Aronit kur të shenjtërohet si prift për mua. 4 Këto janë rrobat që do të bëjnë: një parzmore, një efod, një petk, një tunikë të thurur, një kësulë dhe një brez. Të bëjnë rroba të shenjta për Aronin, vëllanë tënd, dhe për bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. 5 Mjeshtrat të përdorin ar, pëlhurë liri dhe fije me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur.
Efodi
6 Efodin bëje me ar dhe me pëlhurë liri të tjerrë hollë, të qëndisur mjeshtërisht me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 7 Të ketë dy supore të lidhura në të dyja anët. 8 Rripi mbi efod të punohet nga e njëjta copë dhe ashtu si efodi, të punohet me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 9 Merr dy gurë oniksi dhe gdhend në ta emrat e bijve të Izraelit. 10 Gdhendi sipas moshës, gjashtë emra në njërin gur dhe gjashtë në gurin tjetër. 11 Gdhendi mjeshtërisht emrat e bijve të Izraelit në të dy gurët dhe përshkoji me filigran të artë. 12 Vendosi të dy gurët mbi suporet e efodit që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit. Kështu Aroni do t'i mbartë emrat e bijve të Izraelit mbi të dyja suporet si përkujtimore para Zotit. 13 Puno filigran të artë 14 dhe dy varëse me ar të pastër. Varëset të jenë të thurura me njëra-tjetrën dhe të mbërthehen me filigranët e artë.
Parzmorja
15 Qëndise parzmoren e gjykimit me mjeshtëri siç qëndise edhe efodin. Punoje me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 16 Të jetë e palosur më dysh dhe katrore, një pëllëmbë e gjatë e një pëllëmbë e gjerë. 17 Në të vër katër radhë me gurë të çmuar. Në radhën e parë vër rubin, topaz dhe smerald. 18 Në radhën e dytë vër granat, safir dhe diamant. 19 Në radhën e tretë vër hiacint, kalcedon dhe ametist. 20 Në radhën e katërt vër topaz, oniks dhe diaspër. Gurët e çmuar të mbërthehen në filigran të artë. 21 Gjithsej dymbëdhjetë gurë të çmuar sipas bijve të Izraelit. Emri i çdo fisi të gdhendet mbi çdo gur. 22 Parzmores bëji varëse të gërshetuara prej ari të pastër. 23 Bëj dy rrathë të artë dhe vendosi në të dyja anët e parzmores. 24 Në to mbërthe të dyja varëset e arta. 25 Dy anët e tjera të varëseve mbërtheji te dy filigranët dhe lidhi me suporet e efodit me krah përpara. 26 Bëj dy rrathë të artë dhe vendosi në të dyja cepat e parzmores, në anën e brendshme të saj, përballë efodit. 27 Bëj edhe dy rrathë të tjerë të artë dhe vendosi përpara efodit, në fund të suporeve, pranë vendit ku ato puqen, sipër rripit të efodit. 28 Lidhi rrathët e parzmores me ato të efodit me një shirit ngjyrë vjollcë, që parzmorja të jetë sipër rripit dhe të mos lëvizë prej efodit. 29 Kështu, kur të hyjë në shenjtërore, Aroni do të mbartë në zemër emrat e bijve të Izraelit të gdhendur në parzmoren e gjykimit si një përkujtimore të përhershme para Zotit. 30 Brenda parzmores së gjykimit vendos Urimët e Tumimët, që Aroni t'i ketë në zemër kur të dalë para Zotit. Kështu, ai do të mbartë përherë në zemër mjetet për t'u shpallur vendime bijve të Izraelit në prani të Zotit.
Petku
31 Petkun poshtë efodit punoje të tërin me pëlhurë ngjyrë vjollcë. 32 Në mes hapi një grykë për të futur kokën. Qepi një buzë përreth porsi jakë, që të mos griset. 33 Puno shegë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur dhe vari rreth e qark fundit të petkut. Vër këmbanëza të arta ndërmjet. 34 Vari me radhë, një këmbanëz të artë, një shegë, rreth e qark fundit të petkut. 35 Aroni ta veshë gjatë shërbesës, që kur të hyjë në shenjtërore, para Zotit, dhe të dalë prej saj, këmbanëzat të kumbojnë dhe ai të mos vdesë.
36 Puno një pllakëz me ar të pastër dhe në të gdhend: “I shenjti i Zotit”. 37 Lidhe para kësulës me një shirit ngjyrë vjollcë. 38 Do të jetë mbi ballin e Aronit, që ai të mbartë fajin e izraelitëve kur të kushtojnë dhuratat e shenjta. Do ta ketë përherë në ballë, që ato të pranohen para Zotit.
Tunika dhe rroba të tjera
39 Tunikën e kësulën punoje prej liri, ndërsa brezin qëndise. 40 Bëj tunika, breza dhe kësulëza për bijtë e Aronit që të jenë të hijshme e plot madhështi. 41 Vishja rrobat Aronit, vëllait tënd, dhe bijve të tij. Vajosi, shuguroji dhe shenjtëroji që të më shërbejnë si priftërinj.
42 Bëju mbathje të linjta që të mbulojnë lakuriqësinë që nga mesi deri te kofshët. 43 Kur të shkojnë në tendën e takimit ose kur t'i afrohen altarit për të shërbyer në shenjtërore, Aroni e bijtë e tij t'i veshin që të mos bien në faj e të vdesin. Ky të jetë një rregull i përhershëm për Aronin dhe pasardhësit e tij».
1 Edhe ti merr me vetëhe Aaroninë tët’ vëlla, edhe të bijt’ e ati bashkë me atë, nga mezi të bijet Israilit, që të priftëronjënë për mua: Aaroninë, Nadabin’ edhe Abihunë, Eleazarin’ edhe Ithamarinë, të bijt’ e Aaronit.
2 Edhe t’i bënj Aaronit tyt vëlla një palë rroba të shënjtëruara, për lavdi e për nder. 3 Edhe ti folu gjithë të mençuret ndë zemërë, të cilëtë un’ i kam mbushurë me frymë diturie, të bënjënë stolin e Aaronit, që ta shënjtëronjë atë, për të priftëruarë për mua. 4 Edhe këjo (është) stolia që do të bënjënë: një rrasë kraharori, edhe një efod, edhe një rrobë, edhe një petk të qendisurë, një mitrë, edhe një bres, edhe do të bënjënë stoli të shënjtëruara për Aaroninë tët vëlla, edhe për të bijt’ e ati, që të priftëronjënë për mua. 5 Edhe ata do të marrën’ arinë, e të qielluartënë, e të porfyrtënë, e të kuqenë, e vishnjënë.
6 Edhe do të bënjën’ efodinë prei ari, (e) prei të qielluartë, e prei të porfyrtë, (e) prei të kuqeje, e prei vishnje të dredhurë, me punë mieshtërisht, 7 edhe do të ketë të dy copat’ e supevet piekurë mbë të dy anët’ e ti, kështu që të piqenë. 8 Edhe brezi i efodit i qendisuri, që (është) mbi atë, të jetë prei një gjëje, ndë punët t’ati, prei ari, (e) prei të qielluartë, e prei të porfyrtë, e prei të kuqeje, e prei vishnje të dredhurë. 9 Edhe do të marrç dy gurë të thonjtë, edhe do të gëdhenç mbi ata emërat’ e të bijet Israilit, 10 të gjashtë emërat e atyreve mbi njërinë gur, edhe të gjasht’ emërat’ e tierë mbi gurinë tiatrë, pas të lindurit atyre, 11 me punë gur-gëdhendësi, pas të gëdhendurit unazësë, do të gërvishç të dy gurëtë me emërat’ e të bijet Israilit, do t’i vësh ata ndë shtëpiza t’arta. 12 Edhe do të vësh të dy gurëtë mbi copat të supevet efodit, gurë për të përmëndurë të bijt’ e Israilit, edhe Aaroni ka për të mbartur’ emërat’ e atyreve përpara Zotit, mbi të dy supet e ti për të përmëndurë. 13 Edhe do të bënjç shtëpiza t’arta, 14 edhe dy vargje prei ari të këthiellëtë nga (të dy) anët, do të bënjç me punë të gërshetuarë, edhe do të piekç vargjet’ e gërshetuarë me shtëpizat.
15 Edhe do të bënjç rrasën’ e kraharorit gjyqit me punë mieshtërisht, do t’e bënjç pas punës’ efodit, prei ari, (e) prei të qielluarte, e prei të porfyrte, e prei të kuqeje, e prei vishnje të dredhurë, do t’e bënjç atë, 16 do të jetë katrë-cipësë dymëzaj, një pëllëmbë të gjatë, e një pëllëmbë të gjërë. 17 Edhe do të vësh nd’atë gurë, katrë sërë gurësh, sëra (e parë të ketë) sardi, topazë, e smaragdhë, (kështu do të jetë) sëra e parë, 18 edhe sëra e dytë, gur-thëngjilli, sapfirë, e dhiamant, 19 edhe sëra e tretë, ligyrë, agatë, e amethystë, 20 edhe sëra e katrëtë, bërryll, e thua, e jaspidhë, të jenë ngulë ndë shtëpiza t’arta të tyre, 21 edhe gurëtë do të kenë emërat’ e të bijet Israilit, dymbëdhietë, pas emëravet atyre, (pas) të gërvishturit unazësë, gjithësecili me emërin’ e ti do të jenë pas të dymbëdhietë faravet. 22 Edhe do të bënjç vargje mbi rrasën’ e kraharorit ndëpër çipat, punuarë gërshet prei ari të këthiellëtë. 23 Edhe do të bënjç dy rrathë t’artë mbi rrasën’ e kraharorit, edhe do të shkonjç të dy rrathëtë ndëpër çipat të rrasësë kraharorit.
24 Edhe do të shkonjç të dy (vargjet) e artë të gërshetuarë ndëpër të dy rrathët, (që janë) ndë çipat të rrasësë kraharorit, 25 edhe të dy çipat’ (e tierë) të dy (vargjevet) gërshetuarë do t’(i) piekç me të dy shtëpizat, edhe do t’i vësh ndë copat’ të supevet efodit përpara ati. 26 Edhe do të bënjç dy rrathë t’artë, edhe do t’i vësh mbi të dy çipat’ e rrasësë kraharorit ndë buzët të asai, që (është) përbrënda nga ana e efodit, 27 edhe do të bënjç dy rrathë t’artë, edhe do t’i vësh mbë të dy ijet të efodit përposh, nga ana që është përpara ati, kundruell së piekurës’ ati, përsipërë brezit qendisurë të efodit. 28 Edhe do të lidhnjënë rrasën’ e kraharorit me rrathët’ e asai ndë rrathët të efodit, me oviskë të qielluartë që të jetë përsipërë brezit qendisurë të efodit, që të mos jetë ndarë rrasa e kraharorit nga efodi. 29 Edhe Aaroni ka për të mbartur’ emërat’ e të bijet Israilit ndë rrasët të kraharorit gjyqit mbi zemërët të ti, kur të hynjë ndë vënt të mirë, për të përmëndurë përpara Zotit përherë. 30 Edhe do të vësh ndë rrasët të kraharorit Urim e Thummim, edhe do të jenë mbi zemërët të Aaronit, kur të hynjë përpara Zotit, edhe Aaroni ka për të mbarturë gjyqin’ e të bijet Israilit mbi zemërët të ti përpara Zotit përherë.
31 Edhe do të bënjç sharkën’ e efodit gjithë të qielluartë. 32 Edhe do të ketë grykë ndë kryet t’asai, për mes asai, do të ketë oviskë të endurë përqark grykësë sai, sikundrë është gryka e thurakësë, (që të) mos çirretë. 33 Edhe do të bënjç mbi pëqinjt t’asai shegë të qielluarta e të porfyrta, e të kuqe, mbi pëqinjt t’asai rrotullë, edhe këmborëza t’arta ndërmest t’atyreve përqark, 34 këmborëzë t’artë edhe shegë, këmborëzë t’artë edhe shegë, mbi pëqinjt të sharkësë përqark. 35 Edhe do të jetë mbi Aaroninë për të bërë punën’ e lutëjesë, edhe zëri i ati do të dëgjonetë, kur të hynjë ndë vënt të mirë përpara Zotit, edhe kur të dalë, që të mos vdesë.
36 Edhe do të bënjç një petullë prei ari të këthiellëtë, edhe do të gërvishç nd’atë, (posi) të gërvishtur’ unaze, S h ë n j t ë r i m p ë r Z o t i n ë. 37 Edhe do t’e vësh atë mbi oviskë të qielluartë, që të jetë mbi mitrënë, do të jetë mb’anë të parë të mitrësë. 38 Edhe do të jetë ndë ballt të Aaronit, që të heqë Aaroni panomin’ e të shënjtëruaravet (kafsha), që do të shënjtëronjënë të bijt’ e Israilit ndë gjithë dhuratat e shënjtëruara të tyre, edhe do të jetë përherë ndë ballt t’ati, që (të jenë) të pëlqyera përpara Zotit.
39 Edhe do të enç një rrobë prei vishnje, edhe do të bënjç një mitrë prei vishnje, edhe do të bënjç një bres me punë të qendisurë.
40 Edhe do të bënjç rroba për të bijt’ e Aaronit, edhe do të bënjç breza për ata, edhe do të bënjç mitra të vogëla për ata, për lavdi e për nder. 41 Edhe do të veshç me ato Aaroninë tët vëlla, edhe të bijt’ e ati, bashkë me atë, do të lyenjç ata, edhe do t’u mbushç duart’ atyreve, edhe t’i shënjtëronjç ata, që të priftëronjënë për mua. 42 Edhe do t’u bënjç atyre brekë të lintë, që të mbulonjënë të sveshurit’ e mishit, të harrinjënë që nga mezi gjer ndë kofshët, 43 edhe do të jenë mbi Aaroninë, e mbi të bijt’ e ati, kur të hynjënë ndë tendët të deshmimit, a kur t’i afronenë theroresë për të bërë punët’ e lutëjesë ndë vënt të mirë, që të mos bienë (mbi vetëhe) panomi, e të vdesënë, (ky do të jetë) nom i përherëshim te ay, edhe ndë farët t’ati pas ati.