1 «Kështu, Becaleli, Oholiabi dhe tërë ata të cilëve Zoti u dha urti e dituri për të kryer çdo punë në ndërtimin e shenjtërores, do të bëjnë gjithçka që ka urdhëruar Zoti».
Dhuratat për shenjtëroren
2 Atëherë Moisiu thirri Becalelin, Oholiabin dhe çdo njeri të cilit Zoti i kishte dhënë urti dhe që ishte treguar i gatshëm të punonte. 3 Ata i morën nga Moisiu tërë dhuratat që izraelitët kishin sjellë për të ndërtuar shenjtëroren. Por populli vazhdoi të kushtonte vullnetarisht mëngjes për mëngjes. 4 Prandaj, secili nga mjeshtrat që po ndërtonte shenjtëroren, u kthye nga puna dhe 5 i tha Moisiut: «Populli po sjell më shumë se ç'duhet për punën që Zoti urdhëroi të bëhet». 6 Atëherë Moisiu dha urdhër dhe lajmi u përhap në fushim që asnjë burrë apo grua, të mos dhurojë më për ndërtimin e shenjtërores. Kështu, populli ndaloi së dhuruari, 7 sepse ato që kishin sjellë ishin më se të mjaftueshme për tërë punën.
Ndërtimi i tendës
8 Atëherë tërë punëtorët mjeshtra e bënë tendën me dhjetë pëlhura liri të tjerra hollë. Ajo u punua me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur e u qëndis mjeshtërisht me kerubë. 9 Çdo pëlhurë ishte njëzet e tetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të gjitha pëlhurat kishin të njëjtat përmasa.
10 Pesë nga pëlhurat u qepën me njëra-tjetrën si një copë e vetme, po kështu u bë edhe me pesë të tjerat. 11 Pastaj punuan vjegëza me ngjyrë vjollcë në anën e fundit të njërës copë dhe po kështu u bënë në anën e copës tjetër. 12 Pesëdhjetë vjegëza u bënë në njërën copë dhe pesëdhjetë në anën e copës tjetër. Vjegëzat e të dyja copave përkonin me njëra-tjetrën. 13 Punuan edhe pesëdhjetë grremça të artë, që të mbërthenin me to copat me njëra-tjetrën. Kështu, tenda u bë njëcopëshe.
14 Pastaj bënë një mbulesë me njëmbëdhjetë pëlhura me lesh dhie për ta vënë mbi tendë. 15 Çdo pëlhurë ishte tridhjetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të njëmbëdhjetë pëlhurat kishin të njëjtat përmasa. 16 Pesë nga pëlhurat u qepën si një copë e vetme dhe po kështu u bë me gjashtë të tjerat. 17 Pesëdhjetë vjegëza u bënë në fundin e njërës copë dhe po pesëdhjetë u bënë në fundin e copës tjetër. 18 Punuan edhe pesëdhjetë grremça bronzi për të mbërthyer tendën që ajo të ishte njëcopëshe. 19 E mbuluan tendën me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe dhe mbi të vunë një mbulesë tjetër me lëkurë të çmuar.
20 Pastaj bënë dërrasat e tendës me dru akacieje dhe i ngulën drejt. 21 Çdo dërrasë ishte dhjetë kute e gjatë dhe një kut e gjysmë e gjerë. 22 Dërrasat kishin nga dy kunja që të mbërtheheshin me njëra-tjetrën. Kështu u punuan tërë dërrasat e tendës. 23 Njëzet u vunë në krahun jugor. 24 Dyzet baza argjendi u punuan që të viheshin poshtë këtyre njëzet dërrasave. Dy baza për çdo dërrasë, një bazë për çdo kunj. 25 Edhe në krahun tjetër të tendës, atë të veriut, u vunë njëzet dërrasa 26 dhe dyzet baza argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. 27 Ndërsa në krahun e pasmë, atë të perëndimit, vunë gjashtë dërrasa. 28 Pastaj bënë dy dërrasa për këndet e krahut të pasmë të tendës. 29 Ato ishin të ndara poshtë, por të bashkuara sipër me një rreth. Kështu u bë me dërrasat e të dyja këndeve. 30 Gjithsej ishin tetë dërrasa dhe gjashtëmbëdhjetë baza prej argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë.
31 Pastaj bënë traversa me dru akacieje: pesë traversa për dërrasat e njërit krah të tendës, 32 pesë traversa për dërrasat a krahut tjetër dhe pesë traversa për dërrasat e krahut të pasmë, atë të perëndimit. 33 Traversa e mesit, ajo që është në mes të dërrasave, ishte e gjatë nga cepi në cep. 34 Dërrasat e traversat u praruan dhe u bënë rrathë të artë për të mbajtur traversat.
35 Pastaj bënë një vel prej liri të tjerrë hollë. Veli u punua me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur dhe u qëndis mjeshtërisht me kerubë. 36 Për velin bënë katër shtylla me dru akacieje. Shtyllat u praruan dhe vunë grremça të artë. Pastaj shkrinë katër baza të argjendta për to. 37 Në hyrje të tendës bënë një perde prej liri të tjerrë hollë. Ajo u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur. 38 Për perden bënë pesë shtylla me grremça. Kokat e shtyllave e shtizat i praruan, ndërsa bazat i bënë bronzi.
1 Atëhere bënte Bezaleeli e Aholiabi, e çdo i mënçim ndë zemërët, që i kishte dhënë Zoti dituri e urtësi, që të dij të punonte çdo punë të shërbesësë shënjtëruarë, për gjithë sa urdhëroi Zoti.
2 Edhe Moisiu thërriti Bezaleelinë, e Aholiabinë, e çdo të mënçim ndë zemërët, që i kishte dhënë Zoti dituri ndë zemërët, çdo (njeri) që i rrihte zemëra të vinte ndë punët, që të bënte atë. 3 Edhe muarrë nga Moisiu gjith’ ato dhurata, që kishinë prurë të bijt’ e Israilit për punën’ e shërbesësë shënjtëroresë, që t’e bënin atë. Pastaj i binin’ ati dhurata me dashuri të tyre mëngjes për mëngjes. 4 Edhe erthnë gjith’ ata të diçëmitë, që punoninë gjithë punën’ e shënjtëroresë, gjithësecili nga puna e ti që bëninë, 5 edhe i folnë Moisiut, e (i) thanë: Gjëndëja po bie më tepërë se sa duhetë për shërbesën’ e punësë, që urdhëroi Zoti të bënetë. 6 Edhe Moisiu urdhëroi, edhe leçiti ndë ushtërit, tuke thënë: Asndonjë burr, asndonjë grua mos bënjë më punë për dhuratën’ e shënjtëroresë. Edhe gjëndëja pushoi së pruri, 7 sepse lënda, që kishinë, ishte mjaft për gjithë punënë, që t’e bënin’ atë, edhe tepronte.
8 Edhe çdo i mënçim ndë zemërët nga ata që punoninë punën’ e tendësë, bënë dhietë kurtina prei vishnje të dredhurë, e të qielluartë, e të porfyrtë, e të kuqeje; i bënë ato (me) qeruvimë punuarë mieshtërisht, 9 të gjatët e një kurtine (ishte) njëzet e tetë kut, edhe të gjërët’ (e asai sa) një kurtinë katrë kut; gjithë kurtinat’ ishinë mbë një masë, 10 edhe poqi të pesë kurtinatë njërënë me tietrënë, edhe të pesë kurtinat’ (e tiera) i poqi njërënë me tietrënë. 11 Edhe bëri mbërthesëka të qielluarta mbi çipet të njërësë kurtinë, nga ija e të piekurit; kështu bëri edhe mbi të dy çipet e fundit të kurtinësë (dytë), atie ku u bë të piekurit’ e së dytësë, 12 bëri pesëdhietë mbërthesëka mbë njërënë kurtinë, bëri edhe pesëdhietë mbërthesëka mbi çipet të kurtinësë, atie ku u bë të piekurit’ e së dytësë, që të jenë mbërthesëkatë kundruell njëra tietrësë.
13 Edhe bëri pesëdhietë perona t’arta, edhe poqi kurtinatë njërënë me tietrënë me peronat, edhe u bë njëra tendë. 14 Edhe bëri kurtina prei (lesh) dhish që të jenë (për) mbulesë mbi tendët, bëri ato njëmbëdhietë kurtina, 15 të gjatët’ e njërësë kurtinë (ishte) tridhietë kut, edhe të gjërët’ (e asai sa) një kurtinë katrë kut; të njëmbëdhietë kurtinatë kishinë një masë, 16 edhe poqi të pesë kurtinatë veç, edhe të gjashtë kurtinatë veç. 17 Edhe bëri pesëdhietë mbërthesëka mbë çip të fundit të kurtinësë ndë të piekurit, bëri edhe pesëdhietë mbërthesëka mbi çipt të kurtinësë, ndë të piekuritë të së dytësë. 18 Bëri edhe pesëdhietë perona të ramta, për të piekurë tendënë, që të jetë një. 19 Edhe bëri mbulesë për tendënë prei lëkurash deshësh ngjyerë të kuqe, edhe mbulesë përsipërë prei lëkurash çakajsh.
20 Edhe bëri dërrasatë për tendënë prei druje shittimi, të drejta, 21 të gjatët’ e njërësë dërrasë dhietë kut, edhe të gjërët’ (e asai sa) një dërrasë një kut e gjysëmë; 22 një dërrasë kishte dy dhëmbë kundruell njëra tietrësë, kështu bëri për gjithë dërrasat’ e tendësë. 23 Edhe bëri dërrasatë për tendënë, njëzet dërrasa nga ana e shiut mbë të diathtë. 24 Edhe bëri dyzet shtresa të argjëntta përposh të njëzet dërrasavet, dy shtresa përposh njërësë dërrasë për të dy dhëmbët e asai. 25 Edhe bëri njëzet dërrasa për të dytën’ anën’ e tendësë nga an’ e borësë; 26 edhe të dyzet shtresat’ e argjëntta t’ atyreve, dy shtresa përposh njërësë dërrasë, edhe dy shtresa përposh tietrësë dërrasë. 27 Bëri gjashtë dërrasa edhe për anët’ e tendësë nga të perënduarëtë. 28 Bëri edhe dy dërrasa për çipet e tendësë mbë të dy ijet, 29 edhe u poqnë përposh, edhe u poqnë bashkë përsipër, me njërinë rreth; kështu bëri për ato të dyja, për të dy çipet. 30 Edhe ishinë tetë dërrasa, edhe shtresat’ e atyreve gjashtëmbëdhietë shtresa të argjëntta, nga dy shtresa përposh gjithësecilësë dërrasë. 31 Edhe bëri shuletë prei druje shittimi, pesë për dërrasat e njërësë anë të tendësë, 32 edhe pesë shule për dërrasat e tietrës’ anë të tendësë, edhe pesë shule për dërrasat’ e tendësë, për ato anët nga të perënduarëtë. 33 Edhe bëri shulin’ e mesm që të shkonte ndëpër dërrasat anë mb’anë. 34 Edhe mbuloi përqark dërrasatë me ar, edhe bëri rrathët’ e atyreve t’artë (që të jenë) vëndet’ e shulevet, edhe mbuloi përqark shuletë me ar.
35 Edhe bëri kurtinënë prei të qielluartë, e të porfyrtë, e të kuqeje, e vishnjeje të dredhurë, bëri atë punuarë mieshtërisht (me) qeruvimë. 36 Edhe i bëri asai të katrë shtyllatë prei (druje) shittimi, edhe i mbuloi përqark me ar, grepat’ e atyreve t’artë, edhe derdhi për ato katrë shtresa të argjëntta.
37 Edhe bëri plafinë për derën’ e tendësë prei të qielluartë, e të porfyrtë, e të kuqeje, e veshnjëje të dredhurë, me punë të qendisurë, 38 edhe të pesë shtyllat’ e asai, edhe grepat’ e atyreve; edhe mbuloj përqark krerët’ e atyreve, edhe oviskat’ e atyreve me ar, po të pesë shtresat e atyreve ishinë të ramta.