Lindja e Moisiut
1 Një burrë prej shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet. 2 Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Kur pa sa i mirë ishte, e fshehu foshnjën për tre muaj. 3 Por, ngaqë nuk e mbante dot më fshehur, mori një shportë xunkthi, e leu me bitum e katran dhe vuri foshnjën në të. Pastaj e vendosi shportën mes kallamishteve buzë lumit Nil. 4 E motra e foshnjës qëndroi pak më larg që të shihte se çfarë do t'i ndodhte.
5 Atëherë bija e faraonit erdhi për t'u larë në lumë kur shërbëtoret e saj po shëtisnin buzë lumit. Pa shportën mes kallamishteve dhe dërgoi shërbëtoren që ta merrte. 6 Kur hapi shportën, pa djalin. Dhe ja, djali po qante. Iu dhimbs e tha: «Qenka foshnjë hebreje!». 7 Atëherë motra e foshnjës i tha bijës së faraonit: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë hebreje që të ta ushqejë foshnjën?». 8 Ajo iu përgjigj: «Shko!» dhe vajza shkoi e thirri të ëmën e foshnjës. 9 Pastaj bija e faraonit i tha: «Merre këtë foshnjë e mënde dhe unë do të të paguaj!». Gruaja e mori foshnjën dhe e mëndi. 10 Kur djali u rrit, ia solli bijës së faraonit. Ajo e birësoi dhe e quajti Moisi, sepse tha: «E nxora nga uji!».
Moisiu largohet nga Egjipti
11 Moisiu u rrit. Një ditë ai shkoi te vëllezërit e vet dhe pa punën e rëndë që bënin. Aty pa një egjiptian që po rrihte një hebre, një nga vëllezërit e tij. 12 Moisiu vështroi andej-këtej dhe, kur pa që s'kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe ia fshehu trupin në rërë. 13 Kur doli të nesërmen, pa dy hebrenj që po ziheshin. Atëherë i tha fajtorit: «Përse e rreh shokun tënd?». 14 Ai i tha: «Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A ke ndër mend të më vrasësh sikurse vrave egjiptianin?». Moisiun e kapi frika e tha: «Me të vërtetë qenka marrë vesh se ç'bëra». 15 Kur e mori vesh se ç'kishte bërë Moisiu, faraoni deshi ta vriste. Moisiu iku prej tij dhe banoi në tokën e Midianit. Aty u ul pranë një pusi.
16 Prifti i Midianit kishte shtatë bija. Ato erdhën, nxorën ujë dhe mbushën koritë që t'u jepnin për të pirë dhenve të atit të tyre. 17 Pastaj erdhën disa barinj dhe i dëbuan vajzat. Por Moisiu u ngrit, u erdhi në ndihmë vajzave e u dha ujë dhenve të tyre. 18 Kur vajzat u kthyen tek i ati, Reueli, ai u tha: «Përse u kthyet kaq shpejt sot?». 19 Ato i thanë: «Një egjiptian na shpëtoi prej barinjve, madje na nxori edhe ujë për dhentë». 20 Ai u tha: «Po ai ku është? Përse e latë mbrapa? Thirreni që të hajë bukë!». 21 Moisiut i pëlqeu të banojë me këtë njeri dhe ai i dha për grua bijën e tij, Seforën. 22 Ajo lindi djalë dhe Moisiu e quajti Gershom, sepse tha: «Jam i ardhur në dhe të huaj!».
23 Pas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit. Izraelitët ende rënkonin nën skllavëri dhe klithën për ndihmë. Klithma e tyre për shpëtim nga skllavëria arriti te Perëndia. 24 Perëndia e dëgjoi rënkimin e tyre dhe u kujtua për besëlidhjen e tij me Abrahamin, me Isakun e me Jakobin. 25 Perëndia i pa izraelitët dhe u kujdes për ta.
1 Atëhere vate një njeri nga shtëpia e Leviut, edhe mori (për grua) një nga të bilat’ e Leviut. 2 Edhe gruaja u mbars, e polli dialë, edhe ajo kur pa se ishte i bukurë, e fshehu atë tre muaj. 3 Edhe passi s’munte më ta fshihte atë, mori një arkë prei shufrash, edhe e leu atë me pisë, edhe vuri brenda dialënë nd’ atë, edhe e vuri buzë lumit ndë baltët. 4 Edhe e motëra përgjonte për së largu, që të shihte se ç’do t’i bënei ati.
5 Edhe e bila e Faraonit sbriti që të lahej ndë lumt, edhe shërbëtoret’ e asai po ecëninë buzë lumit, edhe kur pa arkënë ndë baltët, dërgoi shërbëtoren’ e saj edhe e mori, 6 edhe kur e hapi, pa dialënë, edhe na foshnjeja tek po klante, edhe (asai) iu dhëmp për atë, e tha: Ky (është) nga djemt’ e Evrevet. 7 Atëhere e motëra e ati i tha së bilësë Faraonit: A do të vete e të thërres për ty një grua pëllore nga Evrejtë, që t’i apë sisë dialit? 8 Edhe e bila e Faraonit i tha asai: Ecë. Edhe vashëza vate, e thirri t’ëmën’ e dialit. 9 Edhe e bila e Faraonit i tha asai: Merr këtë dialë, e m’i ep sisë, edhe unë do të ta ap pagënë. 10 Edhe gruaja mori dialinë, e i epte sisë. Edhe si u rrit diali, ja pruri së bilësë Faraonit, edhe u bë i bir’ i asai, edhe ja vuri emërin Moisi, tuke thënë: Se e nxora nga ujëtë.
11 Edhe nd’ato dit, Moisiu passi u bë i math, dolli te të vëllezërit’ e ti, edhe tuke vënë re mundimin’ e atyreve, sheh një njeri Egjyptian, që rrihte një Evre nga të vëllezërit’ e ti. 12 Edhe si vuri re përqark andej e këtej, edhe pa se nuk’ (ishte) njeri, vrau Egjyptianinë, edhe e fshehu ndë rërët. 13 Edhe dolli të dytënë ditë, edhe na dy burra Evrejsh te po rriheshinë, edhe (ay) i tha ati që ja bënte pa udhë: Përse rreh t’afërminë tënt? 14 Edhe ay i tha: Cili të vuri të parë e gjukatës mbi ne? Apo mos do të më vraç, sikundrë vrave Egjyptianinë? Edhe Moisiu u frikësua, e tha: Me të vërtetë këjo punë u mor vesh.
15 Edhe Faraoni kur dëgjoi këtë punë, kërkonte të vriste Moisinë, po Moisiu iku nga syt’ e Faraonit, edhe ndenji ndë dhe të Madhiamësë, edhe ndenji afërë pusit.
16 Edhe prifti i Madhiamësë kishte shtatë bila, të cilat’ erthnë e nxuarrë ujë, edhe mbushnë govatatë, që t’u epinë ujë dhënet t’et. 17 Edhe erdhë baritë, e dëbuan’ ato, edhe Moisiu u ngre, e u ndihu atyreve, edhe u dha ujë dhënet atyre. 18 Edhe kur erthnë te Reuili te i ati tyre, u tha (atyre): Ç’erthtë (kaqë) shpejt sot? 19 Edhe ato thanë: Një njeri Egjyptian na shpëtoi nga duart’ e barivet, edhe na nxori ujë, e u dha dhënet të pininë. 20 Edhe ay u tha të bilavet ti: E ku ësht’ ay? Përse e latë njerinë? Thërritni atë të hajë bukë. 21 Edhe Moisiut i pat ënda të rrinte bashkë me atë njeri, i cili i dha Moisiut (për grua) Zipporahënë të bilën’ e ti. 22 Edhe (ajo) polli dialë, edhe ay ja vuri emërin’ ati Gershom, tuke thënë: Jam i huajë ndë dhe të huajë.
23 Pas shumë kohe, vdiq mbëreti i Egjyptërisë, edhe të bijt’ e Israilit psherëtinë nga punëratë, edhe klithnë, edhe klithma e atyreve hipi te Perëndia nga puna e shërbesësë. 24 Edhe Perëndia u dëgjoi atyre psherëtimënë, edhe Perëndisë i ra ndër mënt dhiata e ti (që pat bërë) me Avraamin’ e me Isaakun’ e me Jakovinë. 25 Edhe Perëndia shturi sytë mbi të bijt’ e Israilit, edhe Perëndia njohu (punën’ e atyre).