1 «Mos i flijo Zotit, Perëndisë tënd, ka apo dele me ndonjë të metë apo ndonjë të keqe tjetër, sepse është e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd.
2 Nëse gjendet në mesin tënd, në ndonjërin prej qyteteve që po të jep Zoti, Perëndia yt, ndonjë burrë apo grua, që bën çka është e ligë para Zotit, Perëndisë tënd, nëse ai apo ajo e thyen besëlidhjen e Zotit 3 duke i shërbyer perëndive të tjerë e duke adhuruar diellin, hënën apo gjithçka që është në qiell, të cilët unë i ndalova, 4 atëherë, pasi të vihesh në dijeni, hetoje mirë. Nëse del e vërtetë se një poshtërsi e tillë është kryer në Izrael, 5 atëherë sille te portat e qytetit këtë burrë apo grua që ka kryer këtë gjë të ligë e vrite me gurë. 6 Dënimi me vdekje të jepet në bazë të dy ose tre dëshmitarëve. Mos jep dënim me vdekje në bazë të një dëshmitari të vetëm. 7 Dëshmitarët t'i ngrenë duart të parët për të qëlluar me gurë e pastaj t'i ngrejë duart tërë populli. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt.
Çështjet e vështira
8 Nëse e ke të vështirë të gjykosh ndonjë çështje ligjore, që del në qytetin tënd, çështje gjakderdhjeje, të drejte apo çështje dëmi, shko te vendi që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt. 9 Do t'u drejtohesh priftërinjve levitë dhe gjykatësit që është në detyrë gjatë asaj kohe. Do t'i pyesësh për çështjen në fjalë dhe ata do të të japin një vendim. 10 Vepro sipas vendimit që do të të jepet në vendin që do të zgjedhë Zoti. Bëj me kujdes gjithçka që do të të mësojnë ata. 11 Vepro sipas ligjit që të mësojnë ata e sipas vendimit që të thonë ata. Mos iu shmang as djathtas e as majtas fjalës që të tregojnë ata. 12 Ai që, për shkak të mendjemadhësisë, nuk e dëgjon gjykatësin ose priftin që i shërben atje Zotit, Perëndisë tënd, të dënohet me vdekje. Kështu do ta zhdukësh ligësinë prej Izraelit. 13 Tërë populli do të dëgjojë, do të ketë frikë e nuk do sillet më me mendjemadhësi.
Mbreti
14 Kur të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, kur ta pushtosh e të banosh në të e të thuash: “Dua të vë një mbret, siç bëjnë tërë popujt përreth meje”, 15 atëherë cakto mbret atë që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt. Merre mbretin nga mesi i vëllezërve të tu. Mos merr një të huaj që nuk është vëllai yt. 16 Veçse, mbreti nuk duhet të mbledhë shumë kuaj e nuk duhet ta çojë popullin në Egjipt, që të shtojë numrin e kuajve, sepse Zoti të tha që të mos i kthehesh më asaj udhe. 17 Të mos ketë shumë gra, që të mos i shmanget zemra nga udha e Zotit. Të mos ketë me tepri ar e argjend. 18 Kur të marrë fronin e mbretërisë, të shkruajë për vete një kopje të këtij ligji në prani të priftërinjve levitë. 19 Ta ketë me vete e ta lexojë tërë ditët e jetës së tij, që të mësojë ta druajë Zotin, Perëndinë e tij, e të mbajë e zbatojë çdo fjalë të këtij ligji e të këtyre rregullave. 20 Të mos jetë kryelartë përmbi vëllezërit e të mos u shmanget as djathtas e as majtas urdhërimeve, që të mbretërojë gjatë ai dhe bijtë e tij në Izrael».
1 Mos i bëjsh kurban Zotit Perëndisë tënt ka a berr, që të jet’ i fëlliqurë, a të ketë ndonjë të ligë, sepse e ka të ndyrë Zoti Perëndia yt.
2 Ndë u gjëntë ndë mest tënt, a mbë ndonjë vënt nga qytetet’ e tu që t’ep Zoti Perëndia yt, burr a grua që të ketë bërë ndonjë të keqe përpara Zotit Perëndisë tënt, e të ketë prishurë dhiatën’ e atij, 3 edhe të vejë e të lutnjë perëndira të tierë, e t’u falet’ atyre, diellit, a hënësë, a ndonjëje nga ushtëria e qiellit, që s’kam urdhëruarë, 4 edhe t’epetë zë ty, e të dëgjojsh, e të vështrojsh me kujdes, edhe na (tek qënëka) e vërtetë edhe e plotë këjo kafshë, (se) u punua të këtillë të ndyrë ndë Israil, 5 atëherë të biesh jashtë dyeret tua atë burr a atë grua, që punuanë këtë punë të keqe, burrinë a gruanë, edhe t’i vraç me gurë, edhe kanë për të vdekurë, 6 prej golësë dy deshmitarëve, a tre deshmitarëve, të vritet’ ay që është për të vrarë; prej golësë një deshmitari të mos vritetë. 7 Duart’ e deshmitarëvet të jenë të paratë mbi atë, për të vrarë atë, pastaj duart’ e ç’do gjëndëje. Kështu do të nxierrsh të keqenë nga mezi yt.
8 Ndë qëlloftë ndonjë punë shum’ e fështirë për të gjukuarë, ndë mest të gjakravet, e ndë mest të gjyqevet, e ndë mest të plagëvet, për punë që hahenë përbrënda qytetevet tu, atëherë të ngrihesh e të veç ndë vënt që ka sgjedhë Zoti Perëndia yt, 9 edhe të veç te priftëritë Levitë, edhe te gjykatësi që është ndër ato dit, e të pyeç; edhe ata kanë për të dhënë zë ty për të ndarët’ e gjyqit, 10 edhe ke për të bërë pas fialësë që kanë për të thënë ty nga ay vëndi që ka sgjedhurë Zoti; edhe vështro të bëjsh pas gjithë sa kanë për të porositurë ty. 11 Ke për të bërë pas të ndarit nomit që kanë për të dhënë zë ty, edhe pas gjyqit që kanë për të thënë ty; të mos priresh nga fiala që kanë për të dhënë zë ty, mbë të diathtë a mbë të mëngjërë.
12 Edhe ay njeri që të jetë krye-lartë, e të mos i dëgjonjë priftit që rri t’i shërbenjë atie Zotit Perëndisë tënt, a gjykatësit, ay njeri ka për të vdekurë; edhe të nxierrsh të keqenë nga Israili. 13 Edhe gjithë gjëndëja do të dëgjonjë, e do të frikësonetë, edhe nukë do të madhështonenë më.
14 Si të hynjç nd’ atë dhe që t’ ep Zoti Perëndia yt, e të trashëgonjç atë, e të rrish nd’ atë, edhe të thuash: Do të vë mbëret mbi mua, posi gjithë kombatë që janë rreth e rrotullë meje, 15 me të vërtetë ke për të vënë mbëret mbi ty, atë që të sgjethnjë Zoti Perëndia yt. Të vësh mbëret mbi ty nga t’ët-vëllezër; nukë munt të vësh njeri të huajë mbi ty, që nuk’ (e ke) vëlla.
16 Po të mos shumonjë kuaj për vetëhen’ e tij, as të mos bierë përsëri gjëndëjenë nd’ Egjyftëri, për të shtuarë kuaj, sepse Zoti u tha juve: Të mos kthehi më nd’ atë udhë. 17 As të mos shumonjë gratë për vetëhen’ e tij, që të mos gënjehetë zemëra e atij; as të mos shumonjë fort argjëndin’ e arinë për vetëhen’ e tij.
18 Edhe kur të rrijë mbi fron të mbëretërisë tij, të shkruanjë për vetëhen’ e tij kartën’ e këtij nomi, mbë një vivli, (nga nomi) që është përpara priftëret, Levitëvet. 19 Edhe këtë ta ket’ afërë tij, edhe ta këndonjë gjithë dit e jetësë tij, që të xënjë t’i ketë frikë Zotit Perëndisë tij, të ruanjë gjithë fialët’ e këtij nomi, e këto urdhërata, që t’i bënjë ato, 20 që të mos lartonetë zemëra e atij më lart se të vëllezëritë, edhe të mos priretë nga porositë mbë të diathtë a mbë të mëgjërë, që të bënetë ditë-gjatë ndë mbëretërit të tij, ay edhe të bijtë, ndë mest të Israilit.