Gjykimi i Zotit
1 Kështu thotë Zoti:
qielli është froni im,
toka shtroja e këmbëve të mia.
Çfarë shtëpie do të më ndërtoni?
Cili është vendi ku do të gjej prehje?
2 Të gjitha këto i bëri dora ime,
kështu u krijuan të gjitha, kumton Zoti.
Vështrimin tim do ta hedh mbi të përulurin,
mbi atë që e ka shpirtin të dërrmuar,
mbi atë që dridhet prej fjalës sime.

3 Dikush kushton një dem
e mandej vret një njeri,
kushton një qengj
e mandej i thyen qafën qenit,
kushton një fli drithi
e mandej edhe gjakun e derrit,
kushton temjan
e mandej bekon idhullin.
Këta zgjedhin të ecin udhës së vet,
kënaqen me fëlliqësitë e tyre.
4 Por edhe unë do të zgjedh poshtërimin e tyre,
do të dërgoj mbi ta tmerrin,
sepse thirra, por nuk m'u përgjigjën,
fola, por nuk më dëgjuan,
Bënë çka është e keqe në sytë e mi,
zgjodhën çka nuk më pëlqen.
5 Dëgjojeni fjalën e Zotit,
ju që dridheni prej fjalës së tij!
Të afërmit tuaj, që ju urrejnë,
që ju përjashtojnë për shkak të emrit tim, thonë:
«Le ta dëftejë Zoti lavdinë e tij,
që ta shohim edhe ne gëzimin tuaj».
E pra, ata do të turpërohen!
6 Një rrapëllimë po del nga qyteti,
një zë dëgjohet prej tempullit!
Është zëri i Zotit
që po hakmerret ndaj armiqve të tij.
7 Para se të provonte dhimbjet, lindi,
para se t'i vinin dhimbjet, lindi djalë.
8 Kush e ka dëgjuar një gjë të tillë?
Kush ka parë gjëra të tilla?
A mund të lindë një vend në një ditë?
A mund të lindë një komb në një çast?
E pra, Sionin e zunë dhimbjet e lindjes
dhe bijtë e saj ajo i lindi.
9 «Unë, që jam shkaku i lindjes së jetës,
nuk do ta bëja të lindte?», thotë Zoti.
«Unë, që kujdesem për çdo lindje,
do ta pengoja të lindte?», thotë Perëndia.
Gëzim dhe bekim
10 Gëzohuni për Jerusalemin,
ngazëlleni për të, të gjithë ju që e doni!
Dëfreni bashkë me të, dëfreni,
të gjithë ju që vajtuat për të,
11 që prej gjirit të tij ngushëllues
të thithni qumësht e të ngiheni,
që prej thithave të begatisë së tij
të thithni e të kënaqeni!
12 Se kështu thotë Zoti:
ja, paqen do ta bëj të rrjedhë në të porsi lumi,
pasurinë e kombeve porsi përroi që vërshon.
Do t'ju mbajnë në gji kur të pini qumësht,
do t'ju mbështetin mbi gjunjë kur t'ju përkëdhelin.
13 Porsi nëna që ngushëllon të birin,
ashtu do t'ju ngushëlloj edhe unë.
Po, në Jerusalem ngushëllim do të gjeni!
14 Do të shihni e do t'ju gëzojë zemra,
si bari i njomë do t'ju përtërihen kockat.
Dora e Zotit do të shfaqet mbi shërbëtorët e tij
e mbi armiqtë e tij, zemërimi.
15 Se, ja, Zoti po vjen me zjarr,
qerret e tij janë porsi stuhia,
zemërimin e tij për ta shfryrë me furi,
qortimin e tij, me flakë zjarri.
16 Me flakë do të gjykojë Zoti,
me shpatë çdo qenie të gjallë.
Të shumtë do të jenë ata
që do të zhbihen prej Zotit.
17 Ata që shenjtërohen e pastrohen
për të shkuar mandej nëpër kopshtet e idhujve,
ata që hanë mishin e derrit,
gjëra të neveritshme e minj,
do të marrin fund që të gjithë,
kumton Zoti.
Fundi
18 Unë i njoh mirë veprat dhe synimet e tyre. Prandaj po vjen koha për t'i bashkuar të gjitha kombet e gjuhët. Ata do të vijnë e do të shohin lavdinë time. 19 Mes tyre do të vendos një shenjë dhe disa nga të mbijetuarit do t'i dërgoj te kombet, në Tarshish, në Pul, në Lud, te mjeshtrat e harkut, në Tubal, në Javan, në ishujt e largët, që për mua s'kanë dëgjuar dhe që lavdinë time s'e kanë parë. Ata do t'ua shpallin kombeve lavdinë time. 20 Ata do t'i kthejnë të gjithë vëllezërit tuaj, prej të gjitha kombeve ku janë, e do t'ia kushtojnë Zotit, me kuaj, me karroca, me qerre, me mushka e me deve njëgungëshe, në malin e tij të shenjtë, në Jerusalem, thotë Zoti. Po ashtu edhe bijtë e Izraelit do ta sjellin flinë e tyre në shtëpinë e Zotit në një enë të pastër. 21 Prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë, thotë Zoti.

22 Sikurse qielli i ri dhe toka e re,
që unë po krijoj,
do të qëndrojnë përherë para meje,
kumton Zoti,
ashtu do të mbetet edhe fara juaj,
edhe emri juaj.
23 Nga hëna e re në hënë të re,
nga e shtuna në të shtunë,
çdo qenie do të vijë
e para meje do të përkulet,
kumton Zoti.
24 E kur të dalin, kufoma do të shohin,
kufomat e atyre që u ngritën kundër meje.
Krimbi që i bren nuk do të ngordhë kurrë
e zjarri që i djeg nuk do të shuhet.
Të neveritshëm do të jenë ata
për çdo qenie të gjallë!
1 Kështu thotë Zoti: Qielli (është) froni im, edhe dheu ndënëkëmbëja e këmbëvet mia; cila është shtëpia që do të ndërtonitë për mua? Edhe cili është vëndi i të prëjturit t’im?
2 Sepse dora ime i bëri këto të gjitha, edhe u bënë këto të gjitha, thotë Zoti, cilinë pra do të vështronj? Të vobegunë, të thyerinë ndë shpirt, edhe atë që trembetë nga fiala ime.
3 Po ay që ther ka, (është posi) ay që vret njeri, ay që bën kurban qënq, (posi) ay që pret qafë qëni; kush bie dhuratë brumërash, (posi ay që bie) gjak derri, kush tymon me thimiamë, (posi) ay që bekon idhullë. Po, ata sgjothnë udhët’ e tyre, edhe shpirti i atyreve pëlqen të ndyrat’ e atyreve.
4 Edhe unë pra do të sgjeth ato që janë për prishëjen’ e atyreve, edhe do të bie mbi ata ato që kanë frikë, sepse thërrisnjam, edhe asndonjë nukë përgjegjej, flisnjam, edhe asndonjë nukë dëgjonte, po bëninë të keqenë përpara meje, edhe sgjidhin’ atë që nukë më pëlqente.
5 Pa dëgjoni fialën’ e Zotit, ju që trembi nga fiala e ati: Vëllezëritë tuaj, që u mërzitnjënë juve, e u sbonjënë juve për punë të emëritë t’im, thanë: Le të lëvdonetë Zoti, po ay do të duketë për gëziminë tuaj, e ata do të turpëronenë.
6 Zë klithme po vien nga qyteti, zë nga tempulli, zëri i Zotit që po nxier zemërimnë mbi arëmiqt të ti.
7 Pa dhëmburë barku polli, pa ardhur’ asaj të dhëmburatë, u lirua edhe polli mashkull.
8 Kush ka dëgjuarë të tillë punë? Kush ka parë të tilla? A do të pillte dheu për një ditë? A do të lintte komp sakaqëherash? Po Sionësë posa i erthnë të dhëmbura barku, polli djemt’ e saj.
9 Unë që bie ndë piellëjet a nukë do të kishnjam bërë të pillte? thotë Zoti. Unë që bënj të piellënë, a do të mbyllnjam (shtratnë)? thotë Perëndia yt.
10 Gëzohi bashkë me Jerusalimënë, edhe ngazullohi bashkë me atë ju që doni atë; gëzohi me gëzim bashkë me atë ju të gjithë që mbani zi për atë,
11 që të pini sisë, e të ngosi nga gjinjt’ e ngushullimevet asaj, që të pini sisë e të kënaqi ndë shumicët të lavdis’ asaj.
12 Sepse kështu thotë Zoti: Na tek do të këthenj paqsimnë te ajo posi lum, edhe lavdin’ e kombavet posi purrua që vërshon; atëherë do të pini sisë, do të mbahi mbi brinjt, edhe do të përgëzohi mbi gjunjt (t’asaj).
13 Posi dialë që ngushullon e ëma, kështu do t’u ngushullonj unë juve, edhe do të ngushullohi ndë Jerusalimë.
14 Edhe do të shihni, edhe zemëra juaj do të gëzonetë, edhe eshtëratë tuaja do të lulëzonjënë posi bari, edhe dor’ e Zotit do të njihetë ndër shërbëtorët’ t’ati, edhe zemërata ndër arëmiqt t’ ati.
15 Sepse na Zoti tek do të vinjë me zjarr, edhe qerret’ e ati (do të jenë) posi erë shtiellëje, që të bierë zemëratën’ e ti me vrundullë, edhe qërtimin’ e ti me flakë zjarri.
16 Sepse me zjarrin’ e Zotit, e me thikën’ e ati do të gjukonetë ç’do trup, edhe të vrarët’ e Zotit do të jenë shumë.
17 Ata që shënjtëronen’ e qëronenë ndër qipështrat, (njëri) pas tiatrit, çfaqurazi, tuke ngrënë mish derri, edhe të ndyrat, edhe minë, këta do të tretenë bashkë, thotë Zoti.
18 Sepse unë (di) punët’ e atyreve, edhe mendimet’ e atyreve, edhe po vinj të mbëleth gjithë kombatë edhe gluhatë, edhe do të vinjënë, e do të shohënë lavdinë t’ime. 19 Edhe do të vë një shenjë ndë mest t’atyreve, edhe ata që kanë shpëtuarë nga ata do t’i dërgonj ndër kombat, (ndë) Tarshishë, (ndë) Pullë, e (ndë) Lludë, të cilëtë heqënë hark, (ndë) Tuball, e (ndë) Javan, (ndër) dheujëzat të larga, që s’kanë dëgjuarë zënë t’im, as s’kanë parë lavdinë t’ime, edhe do të leçitnjënë lavdinë t’ime ndë mest të kombavet. 20 Edhe do të bienë gjithë vëllezëritë tuaj prej gjithë kombavet për dhuratë te Zoti, mbi kuaj, e mbi qerre, e mbi shtretra, e mbi mushka, edhe mbi shtëzë të shpejta, ndë malt t’im të shënjtëruarinë, ndë Jerusalimë, thotë Zoti, posi djemt’ e Israilit që bienë dhuratënë prej brumërash nd’ enë të qëruarë mbë shtëpit të Zotit. 21 Po do të marr nga ata edhe priftërë e Levitë, thotë Zoti.
22 Sepse posi qiejet’ e ri edhe dheu i ri që do të bënj, do të mbetenë përpara meje, thotë Zoti, kështu do të mbetetë fara juaj edhe emëri juaj.
23 Edhe që nga hën’ e re mbë tiatrënë, edhe që nga savvata gjer mbë tiatrënë, ç’do kurm do të vinjë që të faletë përpara meje, thotë Zoti.
24 Edhe do të dalënë, e do të shohënë kërmat’ e njerëzet, që shkelnë porositë kundrë meje, sepse krymbi i atyreve nukë do të ngorthnjë, edhe zjarri i atyreve nukë do të shuhetë, edhe do të jenë të ndohëtë mbë ç’do kurm.