Kulla e Babelit
1 E gjithë toka fliste një gjuhë e të njëjtat fjalë. 2 Kur udhëtuan nga lindja , njerëzit gjetën një fushë në tokën e Shinarit dhe banuan atje. 3 E i thanë njëri-tjetrit: «Ejani, le të bëjmë tulla e t'i pjekim në zjarr». Kështu, ata përdorën tulla në vend të gurit e zift në vend të baltës. 4 E thanë: «Ejani, të ndërtojmë për vete një qytet e një kullë, maja e të cilës të prekë qiellin, që të bëjmë emër e të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut».
5 Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njeriut po ndërtonin. 6 E Zoti tha: «Ja, ata janë një popull e flasin të gjithë një gjuhë dhe ky është vetëm fillimi i veprave të tyre. Tani, asgjë nga çfarë kanë ndër mend të bëjnë nuk do të jetë e pamundur për ta. 7 Ejani të zbresim e mu atje t'ua përziejmë gjuhën, që të mos e kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit».
8 Atëherë Zoti i shpërndau prej andej mbi faqen e tërë dheut dhe ata reshtën së ndërtuari qytetin. 9 Prandaj edhe quhet Babel, se atje Zoti përzjeu gjuhën e gjithë tokës dhe prej andej Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut.
Pasardhësit e Semit
10 Këta janë pasardhësit e Semit: Semi ishte njëqind vjeç kur i lindi Arpahshadi, dy vjet pas përmbytjes. 11 Semi jetoi pesëqind vjet pasi i lindi Arpahshadi dhe pati bij e bija të tjera. 12 Arpahshadi ishte tridhjetë e pesë vjeç kur i lindi Shelahu. 13 Arpahshadi jetoi katërqind e tre vjet pasi i lindi Shelahu dhe pati bij e bija të tjera. 14 Shelahu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Eberi. 15 Shelahu jetoi katërqind e tre vjet pasi i lindi Eberi dhe pati bij e bija të tjera. 16 Eberi ishte tridhjetë e katër vjeç kur i lindi Pelegu. 17 Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet pasi i lindi Pelegu dhe pati bij e bija të tjera. 18 Pelegu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Reui. 19 Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet pasi i lindi Reui dhe pati bij e bija të tjera. 20 Reui ishte tridhjetë e dy vjeç kur i lindi Serugu. 21 Reui jetoi dyqind e shtatë vjet pasi i lindi Serugu dhe pati bij e bija të tjera. 22 Serugu ishte tridhjetë vjeç kur i lindi Nahori. 23 Serugu jetoi dyqind vjet pasi i lindi Nahori dhe pati bij e bija të tjera. 24 Nahori ishte njëzet e nëntë vjeç kur i lindi Terahu. 25 Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet pasi i lindi Terahu dhe pati bij e bija të tjera. 26 Terahu ishte shtatëdhjetë vjeç kur i lindën Abrami, Nahori e Harani.
Pasardhësit e Terahut
27 Këta janë pasardhësit e Terahut: Terahut i lindën Abrami, Nahori e Harani. Haranit i lindi Loti. 28 Harani vdiq në tokën e vendlindjes, në Ur të kaldenjve, para Terahut, të atit. 29 Abrami e Nahori morën gra. Gruaja e Abramit quhej Sarajë, ndërsa gruaja e Nahorit quhej Milka, e bija e Haranit që është ati i Milkës e Iskës. 30 Saraja ishte beronjë e nuk kishte fëmijë.
31 Terahu mori me vete të birin, Abramin, të nipin, Lotin, që ishte biri i Haranit, e Sarajën, të renë, gruan e të birit, dhe dolën nga Uri i kaldenjve për të shkuar drejt tokës së Kanaanit. Arritën në Haran e banuan atje. 32 Terahu jetoi dyqind e pesë vjet e vdiq në Haran.
1 Edhe gjithë dheu kishte një gluhë e një zë. 2 Edhe kur u nisnë nga të lindurit’ e diellit, gjetnë një fushë ndë dhe të Senaarit, edhe ndenjnë atie. 3 Edhe i tha shoqi shoqit: Eni, le të bëjmë pëqisa, edhe le t’i diegëmë ndë ziarr; edhe ata kishinë pëqisa ndë vënt të gurëvet, edhe kishinë pisë ndë vënt të baltësë. 4 Edhe thanë: Eni, le të ndërtoimë për vetëhenë tonë një qytet, e një pirk, që (t’ja harrinjë) maja gjer ndë qiell; edhe le të fitojmë për vetëhenë tonë emër, se mos përndahemi mbi faqet të gjithë dheut. 5 Edhe Zoti sbriti që të shihte qytetnë edhe pirgunë, që ndërtuanë të bijt’ e njerëzet. 6 Edhe Zoti tha: Na gjëndëja tek është një, edhe të gjithë kanë një gluhë, edhe zunë të bënjënë këtë, edhe tashi nukë do t’i ndalet’ atyre gjithë ç’kanë ndër mënt për të bërë; 7 eni, le të sbresëmë, edhe le të përziejmë atie gluhën’ e atyreve, që të mos i kupëtonjë fialënë njëri tiatrit. 8 Edhe Zoti i përndau ata andejë mbi faqet të gjithë dheut, edhe (ata) lanë të ndërtuarët’ e qytetit. 9 Përandaj u kluajti emëri asaj Vavel [të përzierë], sepse Zoti atie përzieu gluhën’ e gjithë dheut, edhe Zoti përndau ata andejë mbi faqet të gjithë dheut. 10 Këjo (është) gjeneallogjia e Simit. 11 Simi (ishte) një qint vieç, kur i lindi Arfaksadhi dy viet pas përmbytëjesë, edhe Simi rroi, passi i lindi Arfaksadhi, pesë qint viet, edhe i lintnë bij e bija. 12 Edhe Arfaksadhi rroi tridhiet’ e pesë viet, edhe i lindi Sallau, 13 edhe Arfaksadhi rroi, passi i lindi Sallau, katrë qint e tre viet, edhe i lintnë bij e bija. 14 Edhe Sallau rroi tridhietë viet, edhe i lindi Everi, 15 edhe Sallau rroi, passi i lindi Everi, katrë qint e tre viet, edhe i lintnë bij e bija. 16 Edhe Everi rroi tridhiet’ e katrë viet, edhe i lindi Falegu, 17 edhe Everi rroi, passi i leu Falegu, katrë qint e tridhietë viet, edhe i lintnë bij e bija. 18 Edhe Falegu rroi tridhietë viet, edhe i lindi Ragavi, 19 edhe Falegu rroi, passi i lindi Ragavi, dy qint e nëntë viet, edhe i lintnë bij e bija. 20 Edhe Ragavi rroi tridhiet’ e dy viet, edhe i lindi Seruhu, 21 edhe Ragavi rroi, passi i lindi Seruhu, dy qint e shtatë viet, edhe i lintnë bij e bija. 22 Edhe Seruhu rroi tridhietë viet, edhe i lindi Nahori, 23 edhe Seruhu rroi, passi i lindi Nahori, dy qint viet, edhe i lintnë bij e bija. 24 Edhe Nahori rroi njëzet e nëntë viet, edhe i lindi Tharai, 25 edhe Nahori rroi, passi i lindi Tharai, një qint e nëntëmbëdhietë viet, edhe i lintnë bij e bija. 26 Edhe Tharai rroi shtatëdhietë viet, edhe i lindi Avrami, e Nahori, e Arrani. 27 Edhe këjo (është) gjeneallogjia e Tharait: Tharait i lindi Avrami, (e) Nahori, e Arrani, edhe Arranit i lindi Lloti. 28 Edhe Arrani vdiq përpara sysh Tharait t’et, ndë vënt të lindurit ti, ndë Urë të Haldhevet. 29 Edhe Avrami e Nahori muarrë gra për vetëhen’ e tyre, gruaja e Avramit (e kishte) emërinë Sarë, edhe gruaja e Nahorit (e kishte) emërinë Mellha, e bila e Arranit, të i atit Mellhasë, edhe të i atit Jeshasë. 30 Edhe Sara ishte shterpë, nukë (bënte) fëmijë. 31 Edhe Tharai mori Avramnë, të birrë, edhe Llotnë, të birin’ e Arranit, të nipnë, edhe Sarënë, të renë, gruan’ e Avramit të birit, edhe duallë bashkë nga Ura e Halldhevet, që të venë ndë dhe të Hanaanit, edhe erthnë gjer ndë Harran, edhe ndenjnë atie. 32 Edhe u bënë dit e Tharait dy qint e pesë viet, edhe Tharai vdiq ndë Harran.