Përkrahësi i Izraelit
1 Le të heshtin para meje ishujt,
le ta përtërijnë fuqinë popujt,
le të afrohen e të flasin,
le të shkojmë bashkë për të bërë gjyq.
2 Kush e ngriti, pra, atë prej lindjes,
kush e thirri të ngrihet për të bërë drejtësi?
Para tij i dorëzon kombet,
para tij i rrëzon mbretërit.
Shpata e tij i kthen në pluhur,
harku i tij, në kashtë të hapërdarë.
3 I ndjek pas e i kalon pa pësuar gjë,
nëpër shtigje, ku këmba e tij s'ka shkelur kurrë.
4 Kush e bëri? Kush e kreu këtë?
Kush i shpall breznitë që në fillim?
Unë, Zoti, jam i pari.
Unë do të jem edhe me të fundit.
5 Shohin ujdhesat e dridhen,
skajet e tokës tmerrohen;
po afrohen, po mbërrijnë!
6 Secili ndihmon të afërtin,
vëllait të vet i thotë: «Bëhu i fortë!».
7 Mjeshtri i jep zemër argjendarit,
bakërpunuesi, farkëtarit me kudhër.
«Mirë është», i thotë për ngjitjen,
dhe me gozhdë e forcon,
që të mos tundet vendit.

8 Po ti, o Izrael, shërbëtori im,
ti, o Jakob, i zgjedhuri im,
fara e Abrahamit, mikut tim,
9 ty, që nga skajet e tokës të mora,
të thirra prej viseve të largëta e të thashë:
«Ti je shërbëtori im, ty të zgjodha
e poshtë nuk të kam hedhur».
10 Mos u tremb, se unë jam me ty,
mos u tmerro, se unë jam Perëndia yt.
Unë të jap forcë, unë të ndihmoj,
me të djathtën e drejtësisë sime të përkrah.
11 Ja, do të turpërohen e do të skuqen
gjithë sa janë të zemëruar me ty,
do të kthehen në hiç, do të zhbihen
ata që luftojnë kundër teje.
12 Do t'i kërkosh, por nuk do t'i gjesh
ata që të kundërshtojnë,
do të jenë si të mos ishin, do të asgjësohen,
ata që të sulmojnë.
13 Se unë jam Zoti, Perëndia yt,
unë të marr për dore e të them:
«Mos ki frikë, unë jam ndihma jote.
14 Mos u tremb, o krimb i Jakobit, o burra të Izraelit,
se unë jam ndihma juaj»,
kumton Zoti, shpëtimtari yt,
i shenjti i Izraelit.
15 Ja tek po të bëj shirëse të mprehtë,
të re e me dhëmbëza të mprehta.
Do t'i shish malet e do t'i copëtosh,
kodrat do t'i kthesh në byk.
16 Do t'i hedhësh lart e do t'i marrë era,
stuhia do t'i shpërndajë.
E ti do të gëzosh në Zotin,
me të shenjtin e Izraelit do të lavdërohesh.
17 Skamnorët e nevojtarët kërkojnë ujë, por ujë nuk ka,
nga etja gjuha e tyre thahet.
Unë, Zoti, do t'u gjendem,
unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t'i braktis.
18 Lumenj do të shpërthej prej kodrave të zhveshura,
burime ujërash në mes të luginave,
shkretëtirën do ta bëj pellg ujërash,
tokën e thatë gurrë përrenjsh.
19 Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin,
akacien, mërsinën e ullirin,
në shkretëtirë qiparisin do ta vë,
bashkë me vidhin e me bredhin.
20 Kështu, do të shohin e do ta dinë,
do ta kuptojnë e do ta marrin vesh tok,
se këtë e bëri dora e Zotit,
këtë e krijoi i shenjti i Izraelit.
21 «Paraqiteni çështjen tuaj», thotë Zoti,
«Parashtrojini arsyetimet tuaja», thotë mbreti i Jakobit.
22 Të afrohen e të na tregojnë ç'do të ndodhë,
të na tregojnë gjërat që kaluan,
që t'i shqyrtojmë në zemër e të dimë përfundimin,
ose të na shpallin gjërat që do të vijnë.
23 Na tregoni ç'do të ndodhë në të ardhmen,
që ta pranojmë se jeni perëndi.
Bëni diçka të mirë apo diçka të keqe,
që të mahnitemi e të shohim njëri-tjetrin me habi.
24 Ja, ju s'jeni askush,
vepra juaj s'vlen aspak,
i neveritshëm kush ju zgjedh.

25 E kam ngritur dikë prej veriut e ai po vjen,
prej atje ku lind dielli emrin tim ai thërret,
do t'i shkelë prijësit porsi baltën,
si poçari që shtyp argjilën.
26 Kush e shpalli këtë që në krye, që ta dinim,
apo prej kohëve të moçme, që të thoshim: «E drejtë».
Jo, askush nuk e tha e askush nuk e shpalli.
Jo, askush nuk i dëgjoi fjalët e tua.
27 I pari isha që i thashë Sionit: «Ja, ja tek janë!».
Lajmëtarin unë ia dërgova Jerusalemit.
28 Pashë, por nuk ishte askush,
mes tyre s'kishte asnjë që të jepte këshillë
apo që ta pyesja e të më përgjigjej.
29 Ja, të gjithë këta janë veç kotësi,
veprat e tyre krejt pa vlerë,
idhujt e tyre erë e zbrazët.
1 Pushoni përpara meje, o dheujëza, edhe gjëndëjetë le të përtërinjënë fuqinë, le t’afronenë, (edhe) atëherë le të flasënë, le t’afronemi bashkë mbë gjyq.
2 Kush ngjalli të drejtinë nga an’ e të lindurit, e thirri ndër këmbët të ti, e i dha ndë dorë kombatë, edhe e vuri zot mbi mbëretërit? I dha (ata) posi pluhur ndë kordhët të ti, edhe mbi harkt t’ati posi kashtë që shtyhetë (nga era)?
3 Cboi ata, edhe shkoi me siguri ndëpër atë udhë që s’kishte shkelurë me këmbët’ e tia.
4 Kush punoi e bëri (që të) të klanjë brezatë që ndë kryet të herësë? Unë Zoti, i pari, edhe me të pastajmitë, unë vetë.
5 Dheujëzat panë, edhe u frikësuanë; anët’ e dheut tristuanë, u afruan’ e erthnë.
6 Gjithë-se-cili i ndihnë t’afërmit ti, edhe i tha të vëllat: Merr fuqi.
7 Edhe mieshtri i drusë i epte fuqi argjëndarit, (edhe) ay që t-hollon me çokunë që rreh mbi kudhrënë, tuke thënë: Mirë është për të ngjituritë, edhe e mbërthen atë me perona, që të mos tundetë.
8 Po ti, o Israil, shërbëtori im, o Jakov, i sgjedhuri im, far’ e Avraamit të dashurit t’im,
9 që të mora nga anët’ e dheut, edhe të thirra nga fundi i ati, edhe të thashë: Ti je shërbëtori im, unë të sgjodha, edhe nukë do të të heth tej,
10 mos ki frikë, sepse unë (jam) bashkë me ty; mos tristo, sepse unë (jam) Perëndia yt, të forcova, po më fort të ndiha, po më fort të mburova me anët së diathtësë dreitërisë s’ime.
11 Na gjith’ ata që janë zemëruarë me ty do të turpëronen’ e do t’u nxihetë faqeja, do të jenë posi mosgjë; edhe kundrëgjyqësit’ e tu do të vdirenë.
12 Do të kërkonjç ata, edhe nukë do t’i gjenjsh ata që dalënë kundrë teje; ata që luftonjënë kundrë teje do të bënenë kurrëgjë, edhe posi mosgjë.
13 Sepse unë Zoti Perëndia yt (jam) ay që të mbanj krahun’ e diathtë, e të them: Mos ki frikë, unë do të të ndih.
14 Mos ki frikë, o krymp Jakov, o të morçëmit’ e Israilit: Unë do të të ndih, thotë Zoti, edhe shpërblimtari yt (është) Shënjti i Israilit.
15 Na unë tek do të të bënj një drushtë të shiri të prehetë e të re me dhëmbë, do të shinjç maletë, e do t’i hollonjç, e do të bënjç kodratë posi kashtë të imëtë.
16 Do t’i hethç ato, edhe era do t’i ngrerë ato, edhe er’ e mpshiellëjesë do t’i përndanjë ato, po ti do të gëzonesh mbë Zonë, (edhe) do të lëvdonesh mbë Shënjtin’ e Israilit.
17 Të vobeqt’ e të nevolëshimitë kur kërkonjën’ ujë, e s’ka, gluh’ e atyreve thahetë nga etia, unë Zoti do të dëgjonj ata, Perëndia i Israilit nukë do të heqë dorë nga ata.
18 Do të hap lumra ndër vënde të lartë, edhe gurra ndë mest të grykavet; do të bënj shkretëtirënë lëqenj ujërash, edhe dhen’ e thatë gurra ujërash.
19 Ndë shkretëtirët do të mbiell dullenjënë, drurin’ e shittahësë, edhe myrtënë, edhe ullinë; ndë dhe të pandenjurë do të vë bredhë, borinkënë, edhe bushinë bashkë,
20 që të shohënë, e të njohënë, e të mendonenë, edhe ta kupëtonjënë bashkë, se dor’ e Zotit e bëri këtë, edhe Shënjti i Israilit e krioi atë.
21 Vështroni gjyqinë tuaj, thotë Zoti, nxirni punëtë tuaja të fortatë, thotë Mbëreti i Jakovit.
22 Le t’afronenë, e le të na dëftenjënë se ç’do të gjanjë; le t’apënë zë për të paratë, ç’ishinë, që t’i mendojmë, e të njohëmë fundin’ e atyreve, a le të na apënë zë për ato që do të vinjënë.
23 Epni zë për ato që do të gjanjënë pasandaj, që ta dimë se jeni perëndira, edhe bëni mirë, a bëni keq, që të çuditemi, e të shohëmë bashkë.
24 Na ju tek jeni (më pak) se asgjë, edhe puna juaj (më e vogëlë) se asgjë, (kush) sgjeth juve, (është) ndyrësi.
25 Ngrita (një) nga an’ e borësë, edhe do të vinjë; nga të lindurit’ e diellit do të thërresë emërinë t’im, edhe do të shkelë krerëtë posi baltë, edhe posi tiegullari që shkel baltënë.
26 Kush dha zë (për këto) që ndë kryet të herësë, që të dimë? Edhe përpara kohësë, që të themi: (Ay ësht’) i drejti? Po s’ka kush të apë zë, s’ka kush të leçitnjë, po s’ka kush të dëgjonjë fialëtë tuaja.
27 Un’ i pari (do t’i them) Sionësë: Na, na (tek janë) këto, edhe do t’i ap Jerusalimësë atë që ep zën’ e mirë.
28 Sepse vura re, edhe nukë kishte njeri, po ndë mest t’ atyreve, po nukë kishte këshillëtar që munt të përgjigjej fialë, kur i pyeta ata.
29 Na të gjithë tek janë kotësirë: punët’ e atyre s’janë gjë, idhullat’ e atyreve të dredhuratë jan’ erë e kotësirë.