Isaku bekon Jakobin
1 Kur Isaku u plak dhe e lanë sytë aq sa nuk shihte më, thirri Esaun, birin e tij të madh, e i tha: «Biri im!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam». 2 Isaku tha: «Ja, u plaka e nuk e di kur do të vdes. 3 Merr armët, kukurën e harkun e dil për gjah në fushë. 4 Pastaj më përgatit një gjellë ashtu siç e dua unë e ma sill ta ha që të të bekoj para se të vdes».
5 Por Rebeka e dëgjoi Isakun teksa fliste me të birin, Esaun. Kështu, kur Esau shkoi në fushë për gjah, 6 ajo i tha të birit, Jakobit: «E dëgjova tët atë që foli me Esaun, vëllanë tënd, e i tha: 7 “Më sill pak gjah e më përgatit një gjellë që ta ha e të të bekoj në prani të Zotit para se të vdes”. 8 Tani, pra, biri im dëgjo çka po të urdhëroj. 9 Shko në kope e më merr dy keca të mirë që ta përgatis gjellën për tët atë ashtu siç e do ai. 10 Pastaj çoi atit tënd të hajë, që ai të të bekojë para se të vdesë». 11 Jakobi i tha Rebekës, së ëmës: «Esau, im vëlla, është leshtor, ndërsa unë nuk jam i tillë. 12 Ndoshta im atë më prek e dal mashtrues para tij e kështu, në vend të bekimit, do t'i sjell vetes mallkim». 13 E ëma iu përgjigj: «Mallkimi yt rëntë mbi mua, biri im, ti vetëm më dëgjo e shko e merr kecat». 14 Atëherë ai shkoi, i mori e ia solli të ëmës. Ajo e përgatiti gjellën ashtu siç e donte i ati. 15 Pastaj Rebeka mori rrobat më të mira të Esaut, birit të saj të madh, që i kishte në shtëpi, e ia veshi Jakobit, birit të saj të vogël. 16 Duart dhe pjesën e lëmuar të qafës ia mbuloi me lëkurën e kecave. 17 Pastaj ia dha në dorë Jakobit, të birit, gjellën e bukën që kishte përgatitur.
18 Ky shkoi tek i ati e i tha: «O ati im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam. Kush je ti, biri im?». 19 Jakobi i tha të atit: «Jam unë, Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më the. Ngrihu, pra, e ha nga gjahu im, që të më bekosh». 20 Isaku i tha të birit: «Sa shpejt e kape biri im?!». Ai iu përgjigj: «Zoti, Perëndia yt, ma nxori përpara». 21 Isaku i tha Jakobit: «Afrohu biri im, që të të prek e ta di nëse je biri im Esau, apo jo». 22 Jakobi iu afrua Isakut, të atit. Ai e preku e tha: «Zëri është i Jakobit, ndërsa duart janë të Esaut». 23 Ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore si duart e Esaut, të vëllait. Atëherë ai e bekoi. 24 Isaku i tha: «A je ti biri im Esau?». Ai u përgjigj: «Po». 25 Atëherë ai tha: «Ma afro gjellën që të ha nga gjahu i birit tim e të të bekoj». Jakobi i dha për të ngrënë e i solli verë për të pirë. 26 Pastaj Isaku, i ati, i tha: «Afrohu e më puth, biri im». 27 Ai u afrua dhe e puthi. Isaku u mori erë rrobave të tij dhe e bekoi e tha:
«Ja, era e tim biri,
si era e fushës që Zoti bekoi.
28 Perëndia të dhëntë
vesën e qiellit e pjellorinë e tokës,
begati drithi e vere.
29 Popuj të shërbefshin
e kombe u përkulshin para teje.
Bëhu zot i vëllezërve të tu
e para teje u përkulshin bijtë e nënës sate.
Mallkuar qoftë kushdo që të mallkon
e kushdo që të bekon qoftë i bekuar».
Zemërimi i Esaut
30 Sapo Isaku mbaroi bekimin e pa u larguar mirë Jakobi nga i ati, u kthye nga gjahu Esau, i vëllai. 31 Edhe ky përgatiti gjellën, ia solli të atit e i tha: «Ngrihu, o ati im, e ha nga gjahu i birit tënd, që të më bekosh». 32 I ati i tha: «Kush je ti?». Ai iu përgjigj: «Jam yt bir, i parëlinduri yt, Esau». 33 Atëherë Isaku u trondit tmerrësisht shumë e tha: «Kush ishte ai që zuri gjah e ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti, e bekova e ai do të mbetet i bekuar». 34 Kur Esau dëgjoi fjalët e të atit, klithi me të madhe e, plot hidhërim, i tha: «Më beko edhe mua, o ati im!». 35 Por ai i tha: «Yt vëlla erdhi me dredhi dhe mori bekimin tënd». 36 Esau tha: «Jo më kot quhet Jakob. Është hera e dytë që më mashtron. Ma mori të drejtën e parëlindjes e, ja, tani më mori edhe bekimin». E shtoi: «A të ka mbetur ndonjë bekim për mua?». 37 Isaku iu përgjigj: «Ja, e kam bërë zot mbi ty. Ia dhashë tërë vëllezërit si shërbëtorë dhe drithin e verën ia dhurova. Ç'të bëj për ty, o biri im?». 38 Esau i tha të atit: «Vetëm një bekim paske, o ati im? Më beko edhe mua, o ati im!». Dhe qau me të madhe.
39 Atëherë Isaku, i ati, i tha:
«Ja, larg begatisë së tokës do të banosh
e larg vesës së qiellit të lartë.
40 Prej shpatës do të jetosh
e tët vëllai do t'i shërbesh.
Por, kur të ngrihesh,
zgjedhën e tij do ta heqësh qafe».
Jakobi largohet
41 Esau e urrente Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati e thoshte me vete: «Ditët e zisë për atin tim po afrohen, atëherë do ta vras Jakobin, tim vëlla». 42 Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj të madh, ajo dërgoi njerëz dhe thirri Jakobin, birin e saj të vogël, e i tha: «Esau, yt vëlla, po ngushëllon veten duke menduar të të vrasë. 43 Tani, biri im, më dëgjo: ngrihu e ik te Labani, im vëlla, në Haran. 44 Rri me të për pak kohë derisa vëllait tënd t'i bjerë zemërimi, 45 t'i kalojë mëria e të harrojë çfarë i bëre. Pastaj unë do të dërgoj njerëz e do të të marr prej andej. Pse t'ju humbas që të dy në të njëjtën ditë?».
46 Pastaj Rebeka i tha Isakut: «M'u neverit jeta prej këtyre bijave të Hetit. Nëse Jakobi merr grua nga bijat e Hetit, siç janë bijat e këtij vendi, nuk kam ç'e dua jetën!».
1 Edhe Isaaku pasi u plak, e iu errnë sytë, kaqë sa nukë shihte, thirri Isafnë të birin’ e ti, më të madhinë, e i tha ati: Biri im. Edhe ay i tha ati: Na ku (jam unë). 2 Edhe ay tha: Na unë tashi tek u plaka, nuk’ e di ditën’ e vdekëjesë sime, 3 të lutem pra, merr armët’ e tua, kuletënë tënde, e harkunë tënt, edhe dil fushësë, e më gjuaj ndonjë gjah, 4 edhe bëmë gjellë, sikundrë dua, edhe bierëmë të ha, që të bekonjë shpirti im ty para se të vdes.
5 Edhe Reveka dëgjoi kur po i fliste Isaaku Isafit të birt. Edhe Isafi vate ndë fushët të gjuante gjah, (edhe) t’e binte. 6 Edhe Reveka i foli Jakovit të birt, e (i) tha: Na unë tek dëgjova tët atë tuke i folurë Isafit tyt vëllai, e tuke i thënë: 7 Bierëmë gjah e bëmë gjellë, që të ha, edhe të bekonj ty përpara Zotit përpara se të vdes. 8 Tashi pra biri im, dëgjomë zënë për sa që të porosit, 9 shko tashi ndë tufët, edhe merrmë andej dy kedha dhish të mirë, që t’i bënj gjellë për tët atë, sikundrë do, 10 edhe t’(ia) biesh tyt et të hajë, që të të bekonjë përpara se të vdesë.
11 Edhe Jakovi i tha Revekësë s’ëmësë ti: Na Isafi im vëlla (tek është) një burr qimeashpërë, e unë (jam) një burr pa qime, 12 mbase im atë më zë me dorë, edhe do t’i dukem ati posi gënjeshtar, edhe do të siell mallëkim mbi vetëhe, e jo bekim. 13 Edhe e ëma i tha ati: Mallëkimi yt (qoftë) mbi mua, biri im,
14 veçe dëgjo zënë tim, edhe shko, e bierëmë (ato). 15 Edhe (ay) vate, e mori, edhe (ja) pruri s’ëmësë, edhe e ëma bëri gjellë sikundrë donte i ati. 16 Edhe Reveka mori më të miratë rrobet’ e Isafit më të madhit birit saj, që i kishte ndë shtëpi, edhe veshi Jakovinë, birr e saj më të vogëlinë, 17 edhe me lëkurat e kedhavet mbuloi duart’ e ati edhe të sveshurat’ e sverkut ati, edhe i dha ndë dorë Jakovit birit saj gjellëtë, edhe bukënë që bëri gati.
18 Edhe (ay) erdhi te i ati, e tha: Ati im. Edhe ay tha: Na unë (ku jam), cili je ti, biri im? 19 Edhe Jakovi i tha t’et: Unë (jam) Isafi i pari diali yt, bëra sikundrë më the, ngreu pra, rri e ha nga gjahu im, që të më bekonjë shpirti yt. 20 Edhe Isaaku i tha të birt: Si kështu, biri im, që (e) gjete kaqë shpejt? Edhe ay tha: Sepse Zoti Perëndia yt ma pruri përpara.
21 Edhe Isaaku i tha Jakovit: Afrohu, biri im, të të zë me dorë, ndë (je) ti im bir Isafi, apo jo. 22 Edhe Jakovi iu afrua t’et Isaakut, edhe ay e zuri me dorë atë, e tha: Zëri është zëri i Jakovit, por duartë (janë) duart’ e Isafit. 23 Edhe nuk’ e njohu atë, sepse duart’ e ati ishinë leshëtore posi duart’ e Isafit të vëllat, edhe e bekoi atë,
24 edhe tha: A ti (je) ay im bir Isafi? Edhe ay tha: Unë.
25 Edhe (ay) tha: Bierëma afërë, se do të ha nga gjahu i tim bir, që të të bekonjë shpirti im. Edhe ja pruri afërë, edhe hëngri, i pruri edhe verë, edhe piu. 26 Edhe Isaaku i ati i tha ati: Afrohu tashi, e puthmë, biri im.
27 Edhe ay u afrua, edhe e puthi, edhe (ay) u mori erë rrobevet ati, edhe bekoi atë, e tha: Na era e tim bir (është) posi erë fushe, që e ka bekuarë Zoti,
28 Perëndia pra të dhashtë nga vesa e qiellit, edhe nga të majmit’ e dheut, edhe plot grur’ e verë.
29 Të shërbefshinë gjëndëje, e t’u falçinë kombe. Qofsh zoti i tët vëllezëre, edhe bijt’ e sat ëme t’u falçinë. Qoftë mallëkuar ay që të mallëkonjë ty, edhe qoftë bekuar’ ay, që të bekonjë ty!
30 Edhe posa pushoi Isaaku tuke bekuarë Jakovinë, Jakovi posa kishte dalë jashtë sysh t’et Isaakut, edhe e harriu Isafi i vëllai nga gjahu. 31 Bëri edhe ay gjellëtë, edhe ja pruri t’et, edhe i tha t’et: Le të ngrihet’ im atë, e le të hajë nga gjahu i të birt, që të më bekonjë shpirti yt. 32 Edhe Isaaku i ati i tha: Cili je (ti)? Edhe ay tha: Jam yt bir, i pari diali yt Isafi. 33 Edhe Isaaku u habit me të habiturë fort të math, edhe tha: Cili (qe) pra ay, që gjuajti gjah, edhe më pruri, e hëngra nga të gjitha përpara se të vinjç, edhe e bekova atë? Edhe do të jet’ i bekuarë.
34 Isafi kur dëgjoi fialët’ e t’et, klithi me zë të math e fort të hidhurë, edhe i tha t’et: Bekomë edhe mua, o ati im. 35 Edhe ay tha: Erdhi yt vëlla me kobim, edhe mori bekimnë tënt. 36 Edhe (Isafi) tha: Me udhë u kluajti emëri ati Jakov, sepse tashi këjo ësht’ e dyta herë që më vuri këmbënë për të penguarë, më mori paralindëjetë, edhe na tashi tek më mori bekimnë. Edhe tha: A nukë qe ruajturë bekim për mua? 37 Edhe Isaaku u përgjeq, e i tha Isafit: Na tek e bëra atë tët zot, edhe gjithë të vëllezëritë ja bëra shërbëtorë, edhe e forcova atë me grur’ e me verë, ç’të bënj ty pra, biri im? 38 Edhe Isafi i tha t’et: Sos vetëmë këtë bekim ke, o ata im? Bekomë edhe mua, o ata im. Edhe Isafi ngriti zën’ e ti e klau. 39 Edhe Isaaku i ati u përgjeq, e i tha ati: Na të ndenjuritë tat tek do të jetë ndë të majmit të dheut, edhe ndë vesët të qiellit së larti.
40 Do të rronjç me kordhënë tënde, edhe do t’i shërbenjç tyt vëlla, po kur të bëneç më i fortë se ay, do të thyenjç sgjedhën’ e ati nga sverku yt.
41 Edhe Isafi i kish mëri Jakovit, për bekimnë që bekoi atë i ati, edhe Isafi tha ndë zemërët të ti: Dit’ e zisë tim et po afronenë, atëhere kam për të vrarë Jakovinë tem vëlla. 42 Edhe i dhanë zë Revekësë për fialët e Isafit të birt saj më të madhit, edhe ajo dërgoi e thirri Jakovinë birr’ e saj më të vogëlinë, edhe i tha ati: Na Isafi yt vëlla tek ngushullon vetëhen’ e ti kundrë teje, se do të vrasë ty. 43 Tashi pra biri im, dëgjomë zënë, edhe ngreu, e ik te Llavani im vëlla ndë Haran, 44 edhe rri bashkë me atë ca dit, gjersa t’i shkonjë zemërimi t’yt vëlla, 45 gjersa të pushonjë zemërimi t’yt vëlla kundrë teje, edhe të harronjë sa që i bëre ati, atëhere do të dërgonj, e do të të bie së andejmi, përse t’u shter juve të dy mbë një ditë?
46 Edhe Reveka i tha Isaakut: M’u rëndua jeta nga të bilat’ e Hethit. Jakovi ndë marrtë grua nga të bilat’ e Hethit, sikur (janë) këto të bilat’ e këti dheu, ç’më vëlen të rruarëtë?