1 Fjalët e urta të Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit:
2 për të njohur urtinë e rregullin,
për të nxënë fjalët e mençura,
3 për të pranuar qortimet e mprehta,
drejtësinë, gjykimin e çiltërsinë,
4 për t'u dhënë thjeshtakëve zgjuarsinë,
të rinjve njohjen e shestimin.
5 Le të dëgjojë i urti e t'i shtohet dija,
ndërsa i kuptueshmi le të marrë udhëzime,
6 për të kuptuar fjalët e urta dhe enigmat,
thëniet e të diturve e gjëegjëzat e tyre.
7 Droja e Zotit është fillimi i njohjes,
por të marrët e përçmojnë dijen e rregullin.
I urti ikën nga shoqëria e keqe
8 Dëgjo, biri im, qortimin e atit tënd
e mos lër pas dore udhëzimet e nënës sate,
9 se si kurorë e hijshme mbi kokë do të të rrinë
e porsi varëse rreth qafës tënde.
10 Biri im, nëse mëkatarët të ngucin,
mos u vër vesh.
11 Po të thonë: «Eja me ne!
Të zëmë pritë për gjak,
t'i ngremë kurth të pafajshmit, më kot;
12 t'i përpijmë të gjallë, si skëterra,
njëcopësh, si ata që zbresin në varr,
13 të përlajmë çdo gjë të çmueshme
e t'i mbushim shtëpitë me plaçkë;
14 hidh short me ne
e do të mbajmë një qese për ne të gjithë»,
15 ti, biri im, mos shko udhës së tyre,
të mos shkelë këmba jote në atë shteg,
16 se këmbët e tyre turren drejt së keqes
e nxitojnë për të derdhur gjak.
17 Para syve të shpendëve
më kot hidhet rrjeta,
18 por këta zënë pritë kundër gjakut të vet,
ngrenë kurth kundër vetes.
19 I tillë është fati i zhvatësit:
i merr jetën të zotit të vet.
Thirrja e urtisë
20 Urtia thërret udhëve,
ngre zërin shesheve,
21 njofton në krye të rrugëve të zhurmshme
e në dyert e qyteteve jep kumte:
22 «Deri kur, o thjeshtakë, do ta doni papjekurinë?
Deri kur tallësit do të kënaqen së talluri
e të marrët do të urrejnë njohjen?
23 Kthehuni e vëruni vesh qortimeve të mia!
Ja, po hap zemrën para jush
e po ju bëj të ditura fjalët e mia:
24 ju thirra e ju më përzutë,
ju shtriva dorën e askush s'më vuri re.
25 I shpërfillët tërë këshillat e mia
e nuk i deshët qortimet e mia.
26 Edhe unë do të qeshem me kobet tuaja,
do të tallem kur t'ju zërë frika,
27 kur tmerri të përplaset mbi ju si stuhi
e kobi si thëllim,
kur të jeni në ngushticë e në ankth.
28 Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do të përgjigjem,
do të më kërkojnë me ngulm, por nuk do të më gjejnë.
29 Ngaqë ata e urryen njohjen
e nuk zgjodhën drojën e Zotit,
30 nuk ndoqën as këshillën time
dhe i përçmuan të gjitha qortimet e mia,
31 ata do të hanë frytet e sjelljes së tyre
e do të ngopen me këshillat e veta.
32 Bjerrja e thjeshtakëve do t'i rrënojë
e mendjelehtësia e të marrëve do t'i shkatërrojë,
33 por kush më dëgjon mua do të jetojë i qetë
e do të prehet pa frikë nga e keqja».
1 Fialët’ e urta të Sollomonit, të birit Dhavidhit, mbëretit Israilit,
2 që të njohë (njeriu) urtësi e dituri, që të kupëtonjë fialë urtësie,
3 që të marrë mësim urtësie, e së dreite, e gjyqi, e dreitërie,
4 që t’u ap kupëtim të mituret, e mësim e të shquarë të rinjet.
5 I urti tuke dëgjuarë do të bënetë më i urtë, edhe i kupëtuarshimi do të fitonjë dituri të guverrnuari,
6 që të kupëtonjë fialë t’urtë, e fialë t’errëtë, ligjërata të urtësh, e fialë të fshehëta t’atyreve.
7 Kryet’ e diturisë është frik’ e Zotit, të marrëtë shpërnderonjënë diturinë e mësimnë.
8 Dëgjo, o biri im, mësimn’ e t’yt-et, edhe mos hith tej nomn’ e s’at-ëme.
9 Sepse këto (do të jenë) kurorë gazesh ndë kryet tënt, edhe qafore rreth qafësë s’ate.
10 Biri im, ndë daçinë fajtorëtë të të gënjenjënë, të mos duaç;
11 ndë thënçinë: Eja bashkë me ne, le të bëjmë pritë për gjak, le të mendojmë të keqe papunë kundrë të pafajmit,
12 le t’i përpim’ ata të gjallë, posi hadhi, edhe të tërë posi ata që sbresënë ndë gropët;
13 do të gjëjmë ç’do gjë të paçimuarë, do të mbushëmë shtëpitë t’ona me plaçka;
14 vërë shortënë tënde ndë mest t’ënë, le të jetë një kuletë ndër ne të gjithë;
15 biri im, mos ec’ udhësë bashkë me ata, hiq këmbënë tënde nga udhët’ e atyreve,
16 sepse këmbët’ e atyreve sulenë mbë të keqet, edhe nxitonenë për të derdhurë gjak.
17 Sepse kot ndehetë rrietë përpara sysh ç’do shpesi.
18 Sepse këta bënjënë pritë kundrë gjakut tyre, mendonjënë të keqe për jetën’ e tyre.
19 Të tilla (jan’) udhët e çdo lakëmonjësi: (lakëmimi) ngre jetën’ e atyreve që janë pushtuarë nga ay.
20 Urtësia klëthet jashtë, nxier zën’ e saj ndëpër rrugat,
21 thërret mbi kryet të tregjevet, ndëpër të hyrat të dyeret; flet fialët’ e saj ndëpër qytet, (e thotë):
22 Gjer kurë, o të marrë, do të doni marrësinë, edhe përqeshësitë do të kënaqenë me të përqeshurat’ e tyre, edhe të pamëntë do të mërzitnjënë të kupëtuarëtë?
23 Kthehi ndë të qërtuarët t’im, na unë tek do të derth frymënë t’ime mbi ju, do t’u bënj të kupëtoni fialët’ e mia.
24 Sepse unë thërrisnjam, po ju nukë dëgjonitë; ndenjam dorënë t’ime, po asndonjë nukë mbante vesh,
25 po hidhitë tej gjithë këshillet’ e mia, edhe nuk prititë qërtimet’ e mia;
26 edhe unë do të qesh për prishëjenë tuaj, do të gëzonem, kur t’u vinjë frika.
27 Kur t’u vinjë frika posi shkretim, edhe prishëja juaj të suletë posi erë shakulli, kur të vinjënë mbi ju shtrëngimi e ngushtimi,
28 atëherë do të më thërresënë, po nukë do të përgjegjem; do të më kërkonjënë shpejt, po nukë do të më gjënjënë.
29 Sepse mërzitnë kupëtimnë, edhe nukë sgjothnë frikën’ e Zotit,
30 nukë deshnë këshillet’ e mia, hothnë tej gjithë qërtimet’ e mia,
31 përandaj do të hanë nga pemët’ e udhësë tyre, edhe do të nginjenë nga mendimet’ e këqia të tyre.
32 Sepse marrësia e të marrëvet do të vrasë ata, edhe pakujdesëja e të pamëntëvet do t’i shuanjë ata.
33 Po ay që më dëgjon mua, do të rrijë pa frikë, edhe do të prëhetë, pa pasurë frikë ndonjë të keqeje.