Qytetet e strehimit
1 «Kur Zoti, Perëndia yt, të shfarosë popujt, tokën e të cilëve po ta jep, e kur t'i pushtosh dhe të banosh në qytetet e shtëpitë e tyre, 2 cakto tri qytete në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, për ta pushtuar. 3 Ndaje në tri krahina tokën, që do të të japë për trashëgimi Zoti, Perëndia yt, dhe ndërto rrugë, që vrasësit të mund të ikin atje.
4 Sipas këtij ligji, vrasësi mund të ikë atje për të shpëtuar, vetëm nëse e vret të afërtin padashur e pa pasur më parë ndonjë armiqësi me të. 5 Nëse ndodh, pra, që ai shkon në pyll me dikë, për të prerë dru, e, ndërsa priste dru, koka e sëpatës del nga bishti, i bie tjetrit dhe ai vdes, atëherë vrasësi të ikë në njërin prej këtyre qyteteve, që të shpëtojë. 6 Por, nëse rruga është e gjatë, gjakmarrësi do ta ndjekë me gjaknxehtësi, do ta zërë e do t'ia marrë jetën edhe pse vrasësi nuk e meritonte të dënohej me vdekje, ngaqë nuk pati ndonjë armiqësi mes tyre. 7 Prandaj dhe po të urdhëroj të caktosh tri qytete.
8 Nëse Zoti, Perëndia yt, t'i zgjeron kufijtë, siç iu betua etërve të tu, e të jep tërë tokën që u premtoi atyre, 9 ngaqë i mbajte të gjitha këto urdhërime që unë po të urdhëroj sot, për ta dashur Zotin, Perëndinë tënd, dhe për ta ndjekur udhën e tij tërë jetën, atëherë shto edhe tri qytete të tjera. 10 Kështu, nuk do të derdhet gjak i pafajshëm në tokën që po të jep për trashëgimi Zoti, Perëndia yt, dhe ti nuk do të jesh fajtor për gjakun e derdhur.
11 Por, nëse dikush e urren të afërtin, i vë pritë, e sulmon, e qëllon dhe ai vdes, nëse vrasësi ikën në njërin prej këtyre qyteteve, 12 atëherë pleqtë e qytetit të tij do të dërgojnë njerëz për ta marrë që andej, do t'ia dorëzojnë gjakmarrësit dhe ai do të vdesë. 13 Mos të të vij keq për të. Hiqe derdhjen e gjakut të pafajshëm në Izrael e do të të shkojë mbarë.
Kufijtë
14 Mos i ndrysho kufijtë e pronës së të afërtit, që u vendosën nga të parët për pjesën që do të trashëgosh në vendin që do të të japë për ta pushtuar Zoti, Perëndia yt.
Dëshmitarët
15 Të mos dalë vetëm një dëshmitar për ndonjë faj ose shkelje që është kryer. Do të jetë e vlefshme vetëm dëshmia e dy ose tre dëshmitarëve. 16 Nëse del ndonjë dëshmitar i rremë, për të paditur dikë si keqbërës, 17 atëherë të dyja palët të paraqiten para Zotit, priftërinjve e gjykatësve, që shërbejnë në atë kohë. 18 Gjykatësit ta shqyrtojnë mirë çështjen. Nëse dëshmitari është i rremë dhe e ka paditur të afërtin padrejtësisht, 19 atëherë gjykatësit të veprojnë me dëshmitarin ashtu siç ai donte të veprohej me të paditurin. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. 20 Të tjerët do ta dëgjojnë, do të kenë frikë e nuk do të përsërisin më të njëjtën ligësi në mesin tënd. 21 Mos të të vijë keq për të: jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë».
1 Zoti Perëndia yt si të shuanjë ata kombatë, që t’ep Zoti Perëndia yt dhen’ e atyreve, edhe të trashëgojsh ata, e të rrish ndër qytetet t’atyreve, e ndër shtëpit t’atyreve,
2 të ndajsh tre qytete për vetëhenë tënde ndë mest të dheut tënt, që t’ep Zoti Perëndia yt ta trashëgojsh.
3 Të bëjsh gati udhënë për vetëhenë tënde, edhe të ndajsh trishë sinoret’ e dheut tënt, që t’ep Zoti Perëndia yt ta trashëgojsh, për të ikur’ atie ç’do gjakëtuar.
4 Edhe ky është zakoni për gjakëtorinë, që ikën atie për të rruarë: Kush t’i bierë t’afërmit tij padashurë, të cilinë nuk’ e mërzitte përpara,
5 posi ay që vete bashkë me të afërmin’ e tij ndë pyll për të prerë dru, edhe, kur të siellë dorënë t’i bierë me sopatënë për të prerë drurinë, të dalë hekuri nga druja, e të koditnjë t’afërmin’ e tij, edhe ay të vdesë, ky të ikënjë mbë ndonjërinë nga ata qytete, edhe të rronjë; 6 mbase ndiek ndonjëherë gjakëtorinë shpagë-marrësi i gjakut, kur është dhezë zëmëra e atij, edhe e harrin, (ndë qëntë udha e largë) edhe e vret atë, ndonëse nuk është për të vrarë, sepse nuk’ e merzitte atë më përpara. 7 Përandaj unë po të urdhëronj, e po të them: Të ndajsh tre qytete për vetëhenë tënde.
8 Edhe Zoti Perëndia yt ndë sgjëroftë sinoret’ e tu, sikundrë u u përbetua atëret tu, edhe të t’epë gjith’ atë dhe, që u zotua t’ua apë atëret tu,
9 ndë ruajç gjithë këto porosi, që të bëjsh ato që po të urdhëronj unë sot, të duash Zotinë Perëndinë tënt, edhe të ecënjç përherë ndër udhët t’atij, atëherë të shtojsh për vetëhenë tënde edhe tre qytete ndër ata të tre,
10 që të mos derdhetë gjak i pafal ndë mest të dheut tënt, që t’ep Zoti Perëndia yt për trashëgim, edhe të mbesë gjaku mbi ty.
11 Po ndë i pastë ndonjë mëri të afërmit tij, edhe të përgjonjë atë, e të suletë mbi atë, e t’i bierë atij, e të vdesë, edhe të ikënjë mbë ndonjërinë nga këta qytete, 12 atëherë të dërgonjënë pleqt’ e qytetit atij, e ta marrënë së atejmi, edhe ta apënë ndë dorë të shpagë-marrësit gjakut, që të vritetë. 13 Syri yt mos e kursenjë atë, po të shuajsh nga Israili gjak të pafal, që të jesh ditë-bardhë.
14 Mos luajsh vëndit kufinjt’ e t’afërmit tënt, që kanë vënë atërit’ e tu mbë trashëgimt tënt, që do të trashëgojsh nd’ atë dhe që t’ep Zoti Perëndia yt për të trashëguar’ atë.
15 Një deshmitar (vetëmë) të mos dalë kundrë ndonjë njeriu, për ç’do panomi, a për ç’do fal, ç’fal të ketë fëlyerë; me golë dy deshmitarëve, a me golë tre deshmitarëve të vërtetonetë (ç’do) fialë.
16 Ndë daltë ndonjë deshmitar i rrem kundrë ndonjë njeriu, për të deshmuarë kundrë atij paudhë, 17 atëherë të dy ata njerëzitë që kanë të ndarë shoq me shoq, të qëndronjënë përpara Zotit, përpara priftëret e gjukatëset që janë ndër ato dit,
18 edhe gjukatësitë të shikonjënë shtrënguarë, edhe na, (ndë ësht’) i rrem deshmitari, edhe deshmoi me të rrem kundrë të vëllait tij,
19 atëherë t’i bëni atij, sikundrë mendoi t’i bënte të vëllait tij, edhe të nxierrsh të keqenë nga mezi yt. 20 Edhe të tierëtë do të dëgjonjënë e do të frikësonenë, edhe nukë do të bënjënë paskëtaj të tillë të keqe ndë mest tënt. 21 Edhe syri yt të mos kursenetë: (t’epetë) jetë ndë vënt të jetësë, sy ndë vënt të syrit, dhëmp ndë vënt të dhëmbit, dorë ndë vënt të dorësë, këmbë ndë vënt të këmbësë.