Altari
1 «Puno një altar me dru akacieje. Altari të jetë katror, pesë kute i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë. 2 Në të katër këndet e altarit puno nga një bri. Ata të jenë një me altarin dhe të veshur me bronz. 3 Rrethjet për të mbledhur hirin, terplotet, legenët, pirunët, kacitë dhe tërë enët e altarit bëji prej bronzi. 4 Bëj një skarë prej bronzi. Bëj mbi të katër rrathë bronzi, një për çdo kënd. 5 Vendose poshtë, nën buzën e altarit, që të jetë në mes. 6 Bëj për altarin shufra me dru akacieje dhe vishi me bronz. 7 Për ta mbartur shkoi shufrat nëpër rrathë në të dyja anët e altarit. 8 Altarin bëje me dërrasa e lëre të zbrazët brenda. Bëje ashtu siç t'u tregua në mal.
Oborri i tendës
9 Bëj një oborr për tendën. Krahu jugor i oborrit të rrethohet me njëqind kute pëlhurë liri të tjerrë hollë. 10 Ai krah të ketë njëzet shtylla dhe baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat t'i ketë të argjendta. 11 Po kaq i gjatë të jetë edhe krahu verior. Edhe ai të rrethohet me njëqind kute pëlhurë dhe me njëzet shtylla e baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat t'i ketë të argjendta. 12 Krahu perëndimor i oborrit të rrethohet me pesëdhjetë kute pëlhurë dhe me dhjetë shtylla e baza. 13 Edhe krahu lindor të jetë pesëdhjetë kute i gjatë. 14 Ky krah të ketë pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në njërën anë të hyrjes 15 dhe pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në anën tjetër të hyrjes. 16 Në hyrje të oborrit të bëhet një perde njëzet kute e gjatë. Ajo të punohet prej liri të tjerrë hollë dhe të qëndiset me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Për të, të bëhen katër shtylla e baza. 17 Tërë shtyllat përreth oborrit të mbërthehen me shtiza të argjendta. Grremçat t'i kenë prej argjendi, ndërsa bazat prej bronzi. 18 Oborri të jetë njëqind kute i gjatë, pesëdhjetë kute i gjerë dhe pesë kute i lartë. Të rrethohet prej liri të tjerrë hollë dhe të ketë shtylla prej bronzi. 19 Tërë sendet e tjera të tendës, tërë kunjat e tendës dhe të oborrit të jenë prej bronzi.
Vaji për shandanin
20 Urdhëroji izraelitët të të sjellin vaj të pastër ulliri të shtrydhur, që llamba e shandanit të jetë e ndezur përherë. 21 Aroni e bijtë e tij do ta mbajnë ndezur para Zotit nga mbrëmja në mëngjes në tendën e takimit, para velit që ndan dëshminë. Ky do të jetë një rregull i përhershëm për tërë breznitë e Izraelit».
1 Edhe do të bënjç një therore prei druje shittimi, pesë kut të gjatë, e pesë kut të gjërë; theroreja të jetë me katrë anë, edhe tre kut e lartë, 2 edhe do të bënjç brirët e asai mbi të katrë anët’ e asai, brirët e asai të jenë prei një gjëje, edhe do ta mbulonjç atë përqark me rame. 3 Edhe do të bënjç vatrat’ e asai që mbanë hinë, edhe terplotet’ e asai, edhe lekanët’ e asai, edhe ato që rrokënë mishrat’ e asai, edhe ato që rrokënë zjarrin’ e asai; gjith’ enët e asai do t’i bënjç të ramta. 4 Edhe do të bënjç për atë një trirë të ramtë punuarë si rrietë, edhe mbi rrietët do të bënjç katrë rrathë të ramtë mbi të katrë anët e asai. 5 Edhe do t’e vësh atë përposh ndënë rrethin’ e theroresë, që të jetë rrieta gjer ndë mest të theroresë. 6 Edhe do të bënjç shule për therorenë, shule prei druje shittimi, edhe do t’i mbulonjç përqark me rame, 7 edhe shuletë do të vihenë përbrënda rrathëvet, edhe shuletë do të jenë mbi të dy brinjët e theroresë, për të mbajtur’ atë. 8 Do ta bënjç atë gropë prei dërrasash, sikundrë t’u dëftye ndë malt, kështu do ta bënjç.
9 Edhe do të bënjç oborrin’ e tendësë; prei anësë shiut nga mesdita (të jenë) kurtina të dredhura prei vishnje për oborrinë, një qint kut të gjatë për njërënë brinjë. 10 Edhe të njëzet shtyllat’ e asai, edhe të njëzet shtresat’ e këtyre (të jenë) të ramta; grepat’ e shtyllavet edhe brezat’ e atyreve (të jenë) të argjënttë. 11 Kështu edhe prei brinjësë nga an’ e borësë për së gjati (të jenë) kurtina, një qint (kut) të gjata, edhe të njëzet shtyllat’ e atyreve, edhe të njëzet shtresat’ e ramta t’atyreve, edhe grepat’ e shtyllave edhe brezat’ e atyreve (të jenë) të argjënttë. 12 Edhe për së gjati të oborrit prei brinjësë nga të perënduarëtë (të jenë) pesëdhietë kut kurtina, të dhietë shtyllat’ e atyreve, edhe të dhietë shtresat’ e atyreve. 13 Edhe oborri (të jetë) pesëdhietë kut i gjërë prei brinjësë të lindurit nga an’ e të lindurit. 14 Edhe kurtinat’ e (njërës’) anë (të derësë të jenë) pesëmbëdhietë kut, të tri shtyllat’ e atyreve, edhe të tri shtresat’ e atyreve. 15 Edhe mb’anët tietërë (të jenë) kurtina pesëmbëdhietë (kut), të tri shtyllat’ e atyreve, edhe të tri shtresat e atyreve. 16 Edhe për derën’ e oborrit (të jetë) njëzet kut kurtinë, të qielluartë, e të porfyrtë, e të kuqe, e vishnje të dredhurë, (me) punë të qendisurë, të katrë shtyllat’ e atyreve, edhe të katrë shtresat’ e këtyreve. 17 Edhe gjithë shtyllatë përqark oborrit (të jenë) ngjeshurë me argjënt, grepat’ e atyreve (të jenë) të argjënttë, edhe shtresat’ e atyreve të ramta. 18 Oborri (të jetë) një qint kut i gjatë, edhe pesëdhietë (kut) i gjerë mbë të dy anët, edhe pesë kut i lartë, prei vishnje të dredhurë, edhe shtresat’ e atyreve të ramta. 19 Gjith’ enët’ e tendësë për çdo shërbesë, edhe gjithë hunjt’ e asai, edhe gjithë hunjt’ e oborrit (të jenë) të ramtë.
20 Edhe ti urdhëro të bijt’ e Israilit të bienë ty val të këthiellëtë prei ullinjsh të shtypurë për dritënë, që të digjetë përherë kandili. 21 Ndë tendët të deshmimit përjashta kurtinësë, që (është) përpara deshmimit, Aaroni edhe të bijt’ e ati do t’e vënë me masë përpara Zotit që mbrëmanet gjer ndë mëngjest, (ky do të jetë) një nom i përherëshim për të bijt’ e Israilit pas brezash atyre.