Besëlidhja
1 Pastaj Zoti i tha Moisiut: «Ngjituni lart te Zoti, ti, Aroni, Nadabi, Abihui dhe shtatëdhjetë pleq të Izraelit dhe adhuroni nga larg. 2 Vetëm Moisiu t'i afrohet Zotit, por ata të mos afrohen. Populli të mos ngjitet lart me ta».
3 Moisiu shkoi e i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë vendimet. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: «Do t'i zbatojmë të gjitha fjalët që tha Zoti». 4 Atëherë Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në të gdhirë, Moisiu ndërtoi një altar rrëzë malit dhe dymbëdhjetë përmendore, një për çdo fis të Izraelit. 5 Pastaj dërgoi të rinjtë e Izraelit që të flijonin dema për Zotin si fli shkrumbimi e paqtimi. 6 Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e derdhi në enë, ndërsa me gjysmën tjetër spërkati altarin. 7 Atëherë mori librin e Besëlidhjes dhe e lexoi para popullit. Ata thanë: «Do të bëjmë e do të mbajmë gjithçka që tha Zoti». 8 Moisiu mori gjakun, spërkati popullin dhe pastaj u tha: «Ja, ky është gjaku i besëlidhjes që Zoti lidhi me ju sipas gjithë këtyre fjalëve».
Moisiu në mal
9 Atëherë Moisiu bashkë me Aronin, Nadabin, Abihuin dhe shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit u ngjitën në mal. 10 Ata panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte shtruar diçka si safir, një e kaltër e kthjellët si qielli vetë. 11 Por Perëndia nuk ngriti dorë kundër krerëve të Izraelit. Ata e panë Perëndinë dhe hëngrën e pinë.
12 Zoti i tha Moisiut: «Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro aty. Do të të jap rrasat e gurit, ligjin dhe urdhërimet që shkrova për t'ua mësuar atyre». 13 Moisiu u ngjit në malin e Perëndisë bashkë me Jozuehun, ndihmësin e tij. 14 Ndërsa pleqve u tha: «Na pritni këtu derisa të kthehemi. Ja ku e keni Aronin dhe Hurin. Kush ka ndonjë mosmarrëveshje, t'u drejtohet atyre».
15 Kështu Moisiu u ngjit në mal dhe reja mbuloi malin. 16 Lavdia e Zotit u preh mbi malin e Sinait dhe reja mbuloi malin për gjashtë ditë. Në ditën e shtatë Zoti e thirri Moisiun prej resë. 17 Lavdia e Zotit iu dukej izraelitëve si një zjarr përvëlues në majë të malit. 18 Moisiu u fut në mes të resë dhe u ngjit në mal. Ai qëndroi në mal për dyzet ditë e net.
1 Pastaj i tha Moisiut: Hipë te Zoti ti edhe Aaroni, Nadabi edhe Abihu, edhe shtatëdhietë vetë nga pleqt’ e Israilit, edhe faluni për së largu, 2 edhe Moisiu vetëmë do t’i afronetë Zotit, po ata nukë do t’afronenë, as gjëndëja mos ngjitetë bashkë me atë.
3 Edhe Moisiu erdhi, e i tregoi gjëndëjesë gjithë fialët’ e Zotit, e gjithë drejtërimetë, edhe gjithë gjëndëja u përgjeq me një zë, e tha: Do të bëjmë gjith’ ato fialë që foli Zoti.
4 Edhe Moisiu shkroi gjithë fialët’ e Zotit, edhe u ngre shpejt me natë, e ndërtoi një therore ndënë malt, edhe (nguli) dymbëdhietë shtylla pas të dymbëdhietë faravet Israilit. 5 Edhe dërgoi dialoshat’ e të bijet Israilit, edhe i prunë Zotit kurbane të diegurë gjithë, edhe bënë kurbane paqtimi, mëshqera. 6 Edhe Moisiu mori gjymësën’ e gjakut, edhe e vuri ndë lekanë, edhe me gjymësën’ e gjakut spërkati therorenë.
7 Pastaj mori vivlin’ e dhiatësë, edhe e këndoj ndër veshët të gjëndëjesë, edhe ata thanë: Do të bëjm’ e do të dëgjojmë gjithë sa foli Zoti.
8 Edhe Moisiu mori gjakunë, e spërkati gjëndëjenë, edhe tha: Na gjaku i dhiatësë, që bëri Zoti bashkë me ju pas gjithë këtyre fialëve.
9 Atëhere hipi Moisiu e Aaroni, Nadabi e Abihu, edhe shtatëdhietë vetë nga pleqt’ e Israilit, 10 edhe panë Perëndin’ e Israilit, edhe ndënë këmbët t’ati (ishte) posi truall i shtruarë me gur sapfiri, edhe (ishte) i këthiellëtë posi qëndresa e qiellit, 11 edhe nukë vuri dorën’ e ti mbi të sgjedhurit e të bijet Israilit, edhe panë Perëndinë, e hëngrë e pinë.
12 Edhe Zoti i tha Moisiut: Hipë ndë malt tek unë, edhe i atie, edhe do t’ap ty rrasat’ e gurta, edhe nominë, edhe ato porositë që shkrova, që t’ua mësonjç atyre.
13 Edhe Moisiu u ngrit bashkë me Joshuanë shërbëtorin’ e ti, edhe Moisiu hipi ndë malt të Perëndisë. 14 Edhe u tha pleqvet: Pritnani këtu, gjersa të kthenemi te ju, edhe na Aaroni edhe Huri (tek janë) bashkë me ju; ndë pastë njeri ndonjë punë, le të vinjë tek ata.
15 Moisiu pra hipi ndë malt, edhe reja mbuloi malinë.
16 Edhe lavdia e Zotit ndenji mbi malt të Sinait, edhe reja e mbuloi gjashtë dit, edhe të shtatënë ditë (Zoti) i foli Moisiut ndë mest të resë.
17 Edhe të parët’ e lavdisë Zotit (ishte) ndër syt të bijet Israilit, posi zjarr që diek mbi majët të malit. 18 Edhe Moisiu hyri ndë mest të resë, edhe hipi mbi malt, edhe Moisiu ndenji ndë malt dyzet dit e dyzet net.