Paqja në fund të kohërave
1 Fjala, që Isaia, biri i Amosit, pa në vegim për Judën dhe Jerusalemin.
2 Do të ndodhë në ditët e ardhshme,
që mali i shtëpisë së Zotit
do të hedhë rrënjë mbi majat e maleve,
përmbi kodra do të lartësohet
e kombet mbarë do të vërshojnë drejt tij.
3 Shumë popuj do të vijnë e do të thonë:
«Ejani të ngjitemi në malin e Zotit,
në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit,
që udhët e tij të na i mësojë,
që shtigjeve të tij të ecim».
Se prej Sionit do të dalë ligji,
prej Jerusalemit fjala e Zotit.
4 Ai do ta bëjë gjyqin ndërmjet kombeve,
ai do të shpallë vendim për shumë popuj.
Do t'i farkëtojnë shpatat e do t'i bëjnë plugje,
heshtat në drapërinj do t'i kthejnë.
Kombi kundër kombit s'do ta ngrejë shpatën,
për luftë më nuk do të ushtrohet kush.
5 Ejani, o ju të shtëpisë së Jakobit,
le të ecim në dritën e Zotit!
Idhujtaria ndëshkohet
6 Ti e ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit,
se, ja, plot me doke lindore janë mbushur,
plot me shortarë, njëlloj si filistinët,
krah për krah me bijtë e të huajve janë lidhur.
7 Toka u është mbushur me argjend e ar,
thesaret e tyre nuk kanë të sosur,
vendin e kanë plot me kuaj,
qerret e tyre nuk kanë të numëruar.
8 Plot e kanë tokën edhe me idhuj,
adhurojnë veprën e duarve të veta,
çfarë kanë punuar me gishtat e tyre.
9 Prandaj njeriu është përulur,
çdonjëri është poshtëruar,
por ti mos i fal!
10 Hyr në shkëmb, fshihu në pluhur,
para tmerrit të Zotit,
para shkëlqimit të madhërisë së tij.
11 Vështrimi krenar i njeriut do të përulet,
kryelartësia e njerëzve do të poshtërohet,
atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti.
12 Se Zoti i ushtrive e ka caktuar një ditë,
kundër çdo krenari e kryelarti,
kundër kujtdo që mbahet me të madh, për ta poshtëruar,
13 kundër gjithë cedrave të Libanit,
të lartë e madhështorë,
kundër gjithë lisave të Bashanit,
14 kundër gjithë maleve të larta,
kundër gjithë kodrave të ngritura,
15 kundër çdo kulle të lartë,
kundër çdo muri të fortifikuar,
16 kundër gjithë anijeve të Tarshishit,
kundër gjithë lundrave të shtrenjta.
17 Krenaria e njeriut do të përulet,
kryelartësia e njerëzve do të poshtërohet,
atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti
18 e idhujt do të zhduken krejt.
19 Do të struken nëpër shpellat e shkëmbinjve
e nëpër guvat e tokës,
para tmerrit të Zotit,
para shkëlqimit të madhështisë së tij,
kur të ngrihet për të trandur tokën.
20 Atë ditë do t'ua hedhin
minjve e lakuriqëve të natës
idhujt prej argjendi e prej ari
që i kishin bërë vetë për t'i adhuruar.
21 Do të struken nëpër të çarat e shkëmbinjve
e nëpër zgavrat e shkrepave,
para tmerrit të Zotit,
para shkëlqimit të madhërisë të tij,
kur të ngrihet për të trandur tokën.
22 Mjaft shpresuat te njeriu,
në flegrat e tij ka veç frymë.
Ç'vlerë mund të ketë ai?
1 Fiala që iu fol Isaisë të birit Amosit mbë të faniturë, për Judhënë e për Jerusalimënë.
2 Ndër dit të pastajme mali i shtëpisë Zotit do të qëndronjë ndë majët të malevet, edhe do të lartonetë sipër malevet, edhe gjithë kombatë do të rriedhënë nd’ atë;
3 edhe shumë gjëndëje do të venë, edhe do të thonë: Eni, edhe le të ngjitemi ndë malt të Zotit, ndë shtëpit të Perëndisë Jakovit. Edhe do të na mësonjë udhët’ e tia, edhe do të ecëjmë rrugavet ati. Sepse nomi do të dalë nga Siona, edhe fial’ e Zotit nga Jerusalima.
4 Edhe do të gjukonjë ndë mest të kombavet, edhe do të qërtonjë shumë gjëndëje. Edhe do të rrahënë thikat’ e tyre për majën’ e plorit, edhe shtijëzat’ e tyre për drapërat. Nukë do të ngrerë thikë komp kundrë kombi, as nukë do të xënë më luftë.
5 O shtëpi e Jakovit, eni, edhe le t’ecëjmë ndë dritët të Zotit.
6 Me të vërtetë ti hoqe dorë nga gjëndëja jote, nga shtëpia e Jakovit, sepse u mbushnë nga an’ e të Lindurit, edhe u bënë shortëtarë, posi Filistejtë, edhe u poqnë bashkë me djemt’ e kombavet huajë.
7 Edhe dheu i atyreve u mbush me argjënt e me ar, edhe s’kanë të mbaruarë thesarët’ e atyreve; dheu i atyreve u mbush me kuaj, edhe s’kanë të mbaruarë qerret’ e atyreve.
8 Edhe dheu i atyreve u mbush me idhulla. Lutnë ndërtesën’ e duaret tyre, atë që bënë gishtrat’ e atyreve:
9 Edhe njeriu i poshtrë u kurrus, edhe njeriu i math u përunj, edhe nukë do t’i ndëlenjç ata.
10 Hyrë ndë shkëmp të gurit, edhe u fshih ndë dhet, nga frik’ e Zotit, edhe nga lavdia e madhëris’ ati.
11 Syt’ e njeriut që janë të lartë do t’unjenë, edhe madhështia e njerëzet do të kurrusetë, po vetëmë Zoti do të lartonet’ atë ditë.
12 Sepse dit’ e Zotit ushtërivet (do të vinjë) mbi ç’do krye-lartë e madhështuar, edhe mbi gjithë-se-cilinë që ngre vetëhenë. Edhe do të përunjetë.
13 Edhe mbi gjithë dullenjat’ e Livanit, të lartat’ e të gjatatë, edhe mbi gjithë lisat’ e Bashanësë,
14 edhe mbi gjithë malet’ e lartë, edhe mbi gjithë kodrat’ e larta,
15 edhe mbi ç’do pirk të lartë, edhe mbi ç’do mur të thururë,
16 edhe mbi të gjitha lundrat’ e Tharshishësë, edhe mbi gjithë të parat’ e pëlqyera.
17 Edhe shtati i njeriut do të kurrusetë, edhe madhështia e njerëzet do të përunjetë, po vetëmë Zoti do të lartonet’ atë ditë.
18 Edhe idhullatë do të rrëzonenë të tëra.
19 Edhe ata do të hynjënë ndëpër shpellat e shqembevet, e ndëpër vërat e dheut, nga frika e Zotit, edhe nga lavdia e madhëris’ ati, kur të ngrihetë të lëkuntnjë dhenë.
20 Atë ditë, njeriu do t’u hedhë urithvet e lakuriqëset idhullat’ e tia t’argjënttatë, e idhullat’ e tia t’artatë, që bëri për vetëhen’ e ti t’u faletë,
21 Që të hynjënë ndër të çarat’ e shkëmbevet, e ndër shpellat’ e gurëvet, nga frika e Zotit, edhe nga lavdia e madhëris’ ati kur të ngrihetë të tuntnjë dhenë.
22 Hiqni dorë nga njeriu, që ka frymë ndër fejet të hundësë: Sepse për ç’punë vlen ay?