Jakobi bekon të bijtë
1 Jakobi i thirri të bijtë e u tha: «Ejani t'ju tregoj se çfarë do t'ju ndodhë në ditët që po vijnë:
2 Mblidhuni e dëgjoni, o bijtë e Jakobit,
dëgjojeni Izraelin, atin tuaj!
3 O Ruben, i parëlinduri im,
ti, fuqia e fryti i parë i burrërisë sime,
i epërm në krenari e fuqi,
4 i rrëmbyer si uji, mos paç epërsi,
se u shtrive në shtrojën e atit tënd dhe e fëlliqe.
Mbi shtratin tim ai u shtri.
5 Simeoni e Levi vëllezër janë
e për dhunë shpatat i kanë!
6 Në kuvendin e tyre mos marrtë pjesë shpirti im
e në mbledhjet e tyre mos qoftë nderi im.
Se nga zemërimi vranë njerëz
e dema gjymtuan si deshën.
7 Mallkuar qoftë zemërimi i tyre i tërbuar
e mëria e tyre mizore.
Te Jakobi do t'i ndaj
e nëpër Izrael do t'i shpërndaj.
8 O Judë! Ty, do të lavdërojnë vëllezërit e tu.
Mbi zverkun e armiqve të tu
do të jetë dora jote.
Para teje do të përkulen bijtë e atit tënd!
9 Pjellë luani është Juda.
Prej presë u ktheve biri im.
Ai ulet e shtrihet si një luan
e kush guxon ta zgjojë?
10 Skeptri nuk do t'i hiqet Judës,
as shkopi i prijësit këmbëve të tij.
Do t'i sjellin tagrin,
popujt do ta dëgjojnë.
11 Gomarin e lidh në pjergull,
kërriçin te hardhia më e mirë.
Me verë e lan rrobën e tij,
me lëngun e rrushit petkun.
12 Të kuq si vera sytë e tij,
të bardhë si qumështi dhëmbët.
13 Zabuloni pranë detit do të banojë
e për lundrat liman do të jetë.
Kufirin në Sidon do ta ketë.
14 Isahari është gomar i fortë,
shtrirë mes dy gardhesh .
15 Pa se vendpushimi ishte i mirë
e toka e këndshme
e uli kurrizin nën barrë,
shërbëtor i nënshtruar u bë!
16 Dani, popullin e vet do të gjykojë,
si çdo fis tjetër i Izraelit.
17 Qoftë si gjarpri rrugës
e nepërka udhës,
që thembrën e kalit kafshon
e kalorësin në shpinë e rrëzon.
18 Shpëtimin tënd pres, o Zot!
19 Gadin do ta sulmojnë kusarët,
por në kthim do t'i sulmojë ai.
20 Asheri do të ketë bukë të shijshme
e për mbretër ushqime të përzgjedhura.
21 Neftaliu është drenushë e lirë
që pjell drerë të bukur.
22 Jozefi është si pemë frutore ,
si pemë frutore pranë burimit,
me degë tej murit .
23 Hidhur e qëlluan,
harkëtarët e sulmuan.
24 Por i fortë mbeti harku i tij
e krahët iu forcuan
nga dora e të fuqishmit të Jakobit,
nga bariu e shkëmbi i Izraelit,
25 nga Perëndia i atit tënd
që të ndihmon,
nga i gjithëpushtetshmi
që të bekon
me bekime nga qielli lart
e me bekime nga humnera poshtë,
me bekime nga gjiri e nga barku.
26 Bekimet e atit tënd ua tejkalojnë
bekimeve të maleve të amshuara
e begatisë së kodrave të përjetshme.
Ato qofshin mbi kryet e Jozefit,
mbi ballin e të zgjedhurit ndër vëllezër!
27 Benjamini është ujk grabitqar,
prenë e ha në mëngjes
e në mbrëmje plaçkën ndan!».
28 Të gjithë këta janë dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Kështu u tha ati i tyre kur i bekoi me radhë, secilin sipas bekimit të vet.
Vdekja e Jakobit
29 Pastaj Jakobi i urdhëroi e u tha: «Së shpejti do të vdes. Më varrosni me etërit e mi, në shpellën që është në arën e Efron Hititit, 30 në shpellën që ndodhet në arën e Makpelës, përballë Mamreut, në tokën e Kanaanit, në fushën që Abrahami bleu si pronë varri nga Efron Hititi. 31 Atje janë varrosur Abrahami e Sara, gruaja e tij. Atje është varrosur Isaku e Rebeka, gruaja e tij. Atje kam varrosur Lean. 32 Fusha e shpella iu blenë bijve të Hetit». 33 Pasi urdhëroi të bijtë, Jakobi i mblodhi këmbët mbi shtrat e dha shpirt. Ai u varros me popullin e tij.
1 Edhe Jakovi thirri të bijt’ e ti, e tha: Mbëlidhi, që t’u dëftenj juve, ç’ka për të ngjarë ndër ju, ndë dit të pastajme:
2 Mbëlidhi e dëgjoni, o të bijt’ e Jakovit, Edhe mbani vesh Israilit atësë tuaj.
3 Ruvin, i paralinduri im, ti (je) fuqia ime, edhe të nisurit’ e fuqivet mia, I çquarë nga nderi, i çquarë nga fuqia,
4 Valove posi ujë; nukë do të kesh parësinë, Sepse hipe ndë shtrat të tyt et, Atëhere (e) ndyre, hipe mbi shtrat tim.
5 Simeoni edhe Leviu vëllezëritë, Kordhët’ e atyre (janë) orendit’ e së shtrëmbëtësë,
6 Ndë këshillet t’atyre mos hynjç, o shpirti im, Ndë përmbëledhëjet t’atyre mos bashkonesh, o nderi im, Sepse ndë zemërit të tyre vranë njerës, Edhe ndë dhunët të tyre prenë deje demi,
7 Qoftë mallëkuarë zemërimi i atyreve, sepse (ishte) i vrazhëtë, Edhe mëria e atyreve, sepse (ishte) e ashpërë, Do t’i përndanj ata te Jakovi, Edhe do t’i shpërkoq ata te Israili.
8 Judhë, vëllezërit’ e tu do të të lavduronjënë, Dora jote (do të jetë) mbi cverk të arëmiqet tu, Të bijt’ e tyt et do të unjënë kryetë ty,
9 Judha (është) këlysh leoni, Biri im, hipe nga gjahu, Re e fjete posi leon, edhe posi këlysh leoni, Kush do ta shkonjë atë?
10 Nukë do të hiqetë shkopi prej Judhësë, As nomdhënësi nga mezi i këmbëvet ati, Gjersa të vinjë Shillohu, Edhe tek ay (do të jetë) shpëresa e gjëndëjevet.
11 Lith pulishtin’ e ti ndë vëreshtë të ti, E ndë bimë të sgjedhurë, këlyshin’ e gomaresë ti, Do të lanjë rroben’ e ti me verë, Edhe petkun’ e ti me gjak rrushi,
12 Syt’ e ati (do të jenë) të kuq nga vera, Edhe dhëmbët’ e ati të bardhë nga klumështi.
13 Zabulluni do të rrijë buzë detit, Edhe do të jetë ndë liman lundrash, Edhe sinori ati (do të shtrihetë) gjer ndë Sidhonë.
14 Issahari (është) gomar i fortë, Që dergjetë ndë mest të vilavet,
15 Edhe kur pa se të prëjturit’ (ishte) të mirë, Edhe vëndi i pëlqyerë, Unji supnë e ti ndënë barrë, Edhe u bë shërbëtuar ndënë pagesë.
16 Dani do të gjykonjë gjëndëjen’ e ti, Posi njëra nga farat’ e Israilit.
17 Dani do të jetë gjarpër mbi udhët, Aspidhë mbi rrugët, Tuke kafshuarë thembërën e kalit, Kaqë sa kalorësi ati do të bierë praptezi.
18 Shpëtimnë tënt prita, o Zot.
19 Gadinë do ta riepënë kursarë, Po (edhe) ay më ndë funt do të jetë kursar.
20 Buka e Asherit (do të jetë) e majme, Edhe ay do të apë të prëjtura mbëretërishte.
21 Naftali (është) posi drë i lëshuarë, Që ep fialë të pëlqyera.
22 Josifi, degë plot me pemë, Degë plot me pemë afërë gurrësë, Bisqet’ i shtrihenë mbi murt.
23 Harkëtorët’ e hidhëruan atë, Edhe shëgjetuanë, edhe i patnë arëmiqësi,
24 Po harku i ati mbeti i fortë, Edhe krahat’ e duaret ati u forcuanë Me anë të duaret të fortit (Perëndisë) Jakovit, Së andejmi bariu, shkëmbi i Israilit,
25 Me anë të Perëndisë tyt et, i cili të ndih, Edhe me anë të Fuqimadhit, i cili të bekon, Me bekim të qiellit së larti, Me bekime të avysësë së poshtëri, Me bekime të sisavet e të shtratit,
26 Bekimet’ e tyt et duallë më të forta se bekimet’ e përindet mi, Gjer mbë majat të larta të malevet përjetëshm, Do të jenë mbi kryet të Josifit, Edhe mbi kryet të sgjedhurit ndërmest të vëllezëret ti.
27 Veniamini do të jetë ujk rrëmbenjës, Ndë mëngjes do të hajë gjah, Edhe mbrëmanet do të ndanjë plaçka.
28 Këta të gjithë (janë) të dymbëdhietë farat’ e Israilit, edhe këjo (ësht’) ajo që u foli atyre i ati, edhe i bekoi ata, gjithësecilinë pas bekimit ati i bekoi ata.
29 Edhe i porositi ata, e u tha: Unë po vihem te gjëndëja ime, kallmëni ndë varr bashkë me atërit e mi, ndë shpellët, nd’arët të Efron Hettitit, 30 ndë shpellët që (është) nd’arët të Mahpellahut, kundruell Mamresë ndë dhe të Hanaanit, që bleu Avraami bashkë me arënë nga Efron Hettiti për vënt varri, 31 atie kallnë ndë varr Avraamnë edhe Sarrënë të shoqenë, atie kallnë ndë varr Isaakunë edhe Revekënë të shoqenë, atie kalla ndë varr edhe unë Leahënë,
32 të blerët’ e arësë edhe të shpellësë që është nd’atë (u bë) nga të bijt’ e Hethit. 33 Edhe Jakovi passi mbaroi së porosituri të bijt’ e ti, hoqi këmbët’ e tia mbi shtrat, edhe dha frymënë, edhe u vu ndë gjëndejet të ti.