Moisiu e Aroni para faraonit
1 Pastaj Moisiu e Aroni shkuan e i thanë faraonit: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Lëre popullin tim të shkojë që të më kremtojë një festë në shkretëtirë”». 2 Por faraoni u tha: «Kush është Zoti që t'ia dëgjoj fjalën dhe ta lë Izraelin të shkojë. As Zotin nuk e njoh, as Izraelin nuk do ta lë të shkojë!». 3 Ata i thanë: «Perëndia i hebrenjve na u dëftua. Na lër të shkojmë për tri ditë në shkretëtirë, që t'i kushtojmë fli Zotit, Perëndisë tonë, e ai të mos na godasë me murtajë e shpatë». 4 Atëherë mbreti i Egjiptit u tha: «Moisi, Aron, përse po e nxisni popullin t'i shmanget punës? Kthehuni në punë!». 5 Faraoni shtoi: «Tani që populli i vendit është shtuar shumë, ju prapë doni që të ndërpresë punën?». 6 Po atë ditë faraoni u dha këtë urdhër mbikëqyrësve dhe kryepunëtorëve të popullit: 7 «Mos i jepni më popullit kashtë sikurse bëhej më parë. Ta mbledhin vetë kashtën, 8 por numri i tullave që do t'u kërkoni të jetë si më parë. Mos ua pakësoni numrin, sepse janë përtacë dhe prandaj thërrasin: “Na lër të shkojmë e t'i kushtojmë fli Perëndisë tonë”. 9 T'u vështirësohet puna që të punojnë e të mos merren me fjalë të kota!».
10 Mbikëqyrësit dhe kryepunëtorët dolën e i thanë popullit: «Kështu thotë faraoni: “Nuk do t'ju jap më kashtë! 11 Kashtën do ta mblidhni vetë kudo që të jetë dhe puna nuk do t'ju ulet aspak”». 12 Populli u shpërnda në gjithë tokën e Egjiptit për të mbledhur byk për kashtë. 13 Mbikëqyrësit i detyronin të bënin përditë po aq punë sa bënin kur kishin kashtë. 14 Kryepunëtorët izraelitë që ishin caktuar nga mbikëqyrësit e faraonit u rrahën. Atyre u thuhej: «Përse nuk keni plotësuar as dje e as sot të njëjtin numër tullash që bënit më parë?».
15 Atëherë kryepunëtorët izraelitë shkuan te faraoni dhe iu ankuan: «Përse po sillesh kështu me shërbëtorët e tu? 16 Shërbëtorëve të tu nuk u është dhënë kashtë dhe prapë na thuhet të bëjmë tulla. Shërbëtorët e tu i rrahin, por fajin e kanë njerëzit e tu». 17 Faraoni u tha: «Jeni përtacë, shumë përtacë, prandaj dhe thoni: “Na lër të shkojmë e t'i kushtojmë fli Zotit”. 18 Tani ikni e punoni se kashtë nuk do t'ju jepet, por do të bëni të njëjtin numër tullash». 19 Kryepunëtorët izraelitë panë se e kishin punën keq kur dëgjuan se nuk do të ulej numri i tullave që bënin përditë. 20 Kur dolën nga faraoni takuan Moisiun e Aronin që po i prisnin. 21 Atëherë kryepunëtorët u thanë: «Zoti ju paftë e gjykoftë, se na fëlliqët para faraonit e shërbëtorëve të tij dhe u dhatë shkas që të na vrasin».
22 Moisiu iu drejtua Zotit e i tha: «Imzot, përse e mundon këtë popull? Për këtë më dërgove? 23 Që kur erdha për t'i folur faraonit në emrin tënd, ai e ka munduar popullin tënd dhe ti nuk e ke shpëtuar!».
1 Pastaj Moisiu edhe Aaroni hynë, e i thanë Faraonit: Kështu thotë Zoti Perëndia i Israilit: Lësho gjëndëjenë time, që të kremtonjënë për mua ndë shkretëtirët. 2 Edhe Faraoni tha: Cili (është) Zoti, që t’i dëgjonj zën’ ati, për të lëshuarë Israilinë? Nukë njoh Zonë, edhe as Israilinë s’kam për të lëshuarë. 3 Edhe ata thanë: Perëndia i Evrevet u poq me ne, lèrna pra të vemi tri dit udhë ndë shkretëtirët, që t’i bëjmë kurban Zotit Perëndisë tënë, se mos vinjë mbi ne me murtajë, a me thikë. 4 Edhe mbëreti i Egjyptërisë u tha atyre: Përse, o Moisi edhe o Aaron, pritni gjëndëjenë nga punëtë? Shkoni ndë punët tuai. 5 Edhe Faraoni tha: Na gjëndëja e vëndit (tek është) tashi tepërë shumë, edhe i bëni ata të pushonjënë nga punët e tyre.
6 Edhe atë ditë Faraoni urdhëroi ata që nxitoninë mbë punë gjëndëjenë, edhe krerët’ e atyreve, tuke thënë: 7 Të mos i epni më kësaj gjëndëje kashtë posi die edhe pardie, që të bënjënë pëqisa. Le të venë ata, edhe le të mbëledhënë kashtë për vetëhen’ e tyre, 8 edhe do t’u veni atyre aqë pëqisa, sa bënjinë përpara, fare të mos ua vogëloni atë, sepse mbetënë pa punë, (edhe) përandaj thërresën’ e thonë: Lërna t’i bëjmë kurban Perëndisë tënë, 9 le të rëndonenë punët’ e (këtyre) njerëzet, që të jenë ndër punë, e të mos u venë vesh fialëvet kota.
10 Duallë pra ata që nxitoninë mbë punë gjëndëjenë, edhe të parët’ e atyreve, edhe i folnë gjëndëjesë, edhe thanë: Kështu tha Faraoni: Nuk’ u ap kashtë juve, 11 ju vetë shkoni e mbëlithni kashtë, ku të muntni të gjeni, po nukë do të vogëlonetë asgjë nga punëtë tuaia. 12 Edhe gjëndëja u shpërnda ndëpër gjithë dhen’ e Egjyptërisë, për të mbëledhurë kallame ndë vënt të kashtësë. 13 Edhe ata që i nxitoninë mbë punë (i) shtrëngoninë tuke thënë: Mbaroni punëtë tuaia që bënit përdita sikundrë edhe kur epej kashta. 14 Edhe u frushkulluanë krerët’ e të bijet Israilit, që ishinë vënë mbi ata nga njerëzit’ e Faraonit që i nxitoninë mbë punë, tuke thënë: Përse nukë mbaruatë die edhe sot, ato pëqisa që jan’ urdhëruarë, posi përpara?
15 Edhe krerët’ e të bijet Israilit klithnë te Faraoni, edhe thanë: Përse u bën kështu shërbëtorëvet tu? 16 Kashtë nuk’ u epetë shërbëtorëvet tu, edhe na thonë: Bëni pëqisa, edhe na tek u frushkulluanë shërbëtorët’ e tu, po faji (ësht’) i gjëndëjesë sate. 17 Edhe ay u përgjeq: Purtoni, purtoni, përandaj thoni: Lërna të vemi, e t’i bëjmë kurban Zotit,
18 shkoni tashi pra, (e) punoni, sepse nukë do t’u epetë kashtë juve, po aqë pëqisa do t’epni.
19 Edhe të parët’ e të bijet Israilit shihninë vetëhen e tyre mbë (shtrëngim) të keq, passi (u) thanë (atyre): Nukë do të pakësonetë gjëkafshë nga pëqisatë që bënitë përditë. 20 Edhe ata si duallë nga Faraoni, u poqnë me Moisinë e me Aaroninë, që kishinë dalë t’i pritinë, 21 edhe u thanë atyre: Zoti u paftë juve, e u gjukoftë, sepse ju bëtë të qelbur’ erënë tonë përpara Faraonit, e përpara shërbëtorëvet ati, kaqë sa të epni kordhë ndë duart t’atyre që të na vrasënë.
22 Edhe Moisiu u kthye te Zoti, e tha: Zot-o, përse e shtrëngove këtë gjëndëje? Përse më dërgove? 23 Sepse passi erdha te Faraoni, e i fola mb’emërit tënt, shtrëngoi këtë gjëndëje, edhe ti aspak nukë shpëtove gjëndëjenë tënde.