Besëlidhja e Perëndisë
1 Perëndia e bekoi Noeun dhe bijtë e tij e u tha: «Shtohuni, shumohuni e mbushni tokën. 2 Frikë e tmerr do të jeni për të gjitha kafshët e tokës, për gjithë shpendët e qiellit, për gjithçka që lëviz mbi dhe, e për gjithë peshqit e detit, se janë lënë në dorën tuaj. 3 Do të keni për ushqim çdo gjë të gjallë që lëviz. Po ju jap gjithçka, ashtu siç ju dhashë çdo bimë të gjelbër. 4 Por nuk do të hani mish të gjallë, domethënë me gjak. 5 Edhe për gjakun e jetëve tuaja do të kërkoj shpagim. Do ta kërkoj jetën e njeriut prej çdo kafshe, prej njeriut e prej vëllait të tij.
6 Ai që derdh gjak njeriu,
prej njeriut do t'i derdhet gjaku,
se në shëmbëlltyrën e vet
e bëri Perëndia njeriun.
7 Ju, pra, shtohuni e shumohuni, mbushni tokën e shumohuni mbi të».
8 Atëherë Perëndia i tha Noeut e bijve të tij: 9 «Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju e me pasardhësit tuaj pas jush, 10 me çdo qenie të gjallë që është me ju, me shpendët, bagëtitë e çdo kafshë të egër që është me ju, me ato që dolën nga arka e me çdo kafshë të tokës. 11 Po e lidh besëlidhjen time me ju që të mos vdesë më asnjë qenie e gjallë nga ujërat e përmbytjes e të mos ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën». 12 Perëndia tha: «Për gjithë breznitë e ardhshme, kjo është shenja e besëlidhjes që unë po bëj mes meje e jush dhe me çdo qenie të gjallë që është me ju. 13 Kam vënë mbi re harkun tim dhe ai do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje e tokës. 14 Kur ta mbuloj tokën me re e harku të shfaqet mbi to, 15 do të kujtoj besëlidhjen time mes meje e jush dhe me çdo lloj qenie të gjallë, kështu ujërat nuk do ta përmbytin më e nuk do të shkatërrojnë tërë qeniet e gjalla. 16 Kur harku të jetë mbi re, do ta shoh e do të kujtoj besëlidhjen e përjetshme mes Perëndisë e çdo lloj qenieje të gjallë mbi tokë». 17 Perëndia i tha Noeut: «Kjo është shenja e besëlidhjes që kam vendosur mes meje e çdo qenieje të gjallë mbi tokë».
Bijtë e Noeut
18 Bijtë e Noeut që dolën nga arka ishin Semi, Kami e Jafeti. Kami ishte ati i Kanaanit. 19 Këta të tre ishin bijtë e Noeut dhe prej tyre u popullua e gjithë toka.
20 Noeu filloi të kultivojë tokën e mbolli një vresht. 21 Ai piu verë, u deh e u zhvesh në mes të tendës. 22 Kami, ati i Kanaanit, pa lakuriqësinë e të atit dhe u tregoi dy vëllezërve që ishin jashtë. 23 Atëherë Semi e Jafeti morën një rrobë, e vunë mbi krahë dhe duke ecur mbrapsht mbuluan lakuriqësinë e të atit. Ishin me fytyrë mbrapa e kështu nuk e panë lakuriqësinë e të atit. 24 Kur i doli pija, Noeu mori vesh se çfarë i kishte bërë djali i vogël 25 e tha:
«Mallkuar qoftë Kanaani!
Shërbëtor i shërbëtorëve do të jetë për vëllezërit e vet!».
26 Po ashtu tha:
«Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit.
Kanaani qoftë shërbëtori i tij!
27 Perëndia i zgjeroftë kufijtë e Jafetit e ky banoftë në tendën e Semit.
Kanaani qoftë shërbëtori i tij!».
28 Pas përmbytjes Noeu jetoi treqind e pesëdhjetë vjet. 29 Kështu, Noeu jetoi nëntëqind e pesëdhjetë vjet dhe vdiq.
1 Edhe Perëndia bekoi Noenë, edhe të bijt’ e ati, edhe u tha atyre: Shtohi e shumohi, e mbushni dhenë, 2 edhe frika juaj, edhe të dridhuritë tuaj do të jetë mbi gjithë shtëzët e dheut, edhe mbi gjithë shpest e qiellit, edhe mbi çdo që hiqetë barkazi mbi dhet, edhe mbi gjithë pishqet’ e detit; u dhanë ndë duart të tuaja; 3 çdo gjë që lëvis, e rron, do të jetë për ushqimnë tuaj, të gjitha ua kam dhënë juve posi barin’ e njomë, 4 po mos hani mish (të gjallë) me jetën’ e ati, (me) gjakun e ati, 5 edhe me të vërtetë do të kërkonj gjakunë tuaj, të jetësë tuaj, do të kërkonj atë nga dora e çdo shtëze, edhe nga dora e njeriut, do të kërkonj jetën’ e njeriut nga dora e çdo njeriu vëllait ati;
6 kush të derdhë gjak njeriu, nga njeriu do t’i derdhetë gjaku ati, sepse bëri njerinë pas shëmbëllimit Perëndisë;
7 edhe ju shtohi e shumohi, mbushi plot mbi dhet, edhe shumohi mbi atë.
8 Edhe Perëndia i foli Noesë, edhe të bijet ati bashkë me atë, e i tha:
9 Edhe unë na tek vë dhiatënë time mbë ju, edhe mbë farët tuaj pas jush, 10 edhe mbë çdo gjë të gjallë që (është) bashkë me ju, prej shpesve (edhe) prej bagëtive, edhe prej gjithë shtëzëvet dheut (të cilatë janë) me ju, prej gjithëkujt që doli nga arka, gjer mbë çdo shtëzë të dheut; 11 edhe do të vë dhiatënë time mbë ju, edhe nukë do të vdiretë çdo mish nga ujërat’ e përmbytëjesë, as nukë do të bënetë më përmbytëje që të prishnjë dhenë.
12 Edhe Perëndia tha: Këjo (është) shenja e dhiatësë, që do të bënj unë ndërmes meje edhe juve, edhe gjithë çdo fryme të gjallë që (është) me ju bres pas brezi për gjithë jetënë,
13 po vë ylberinë tim ndë ret, edhe do të jetë për shenjë dhiate ndërmes meje edhe dheut,
14 edhe kur të vrëronj (qiellinë) me re mbi dhet, do të duket ylberi ndë ret,
15 edhe do të kujtonj dhiatënë time, që bëra ndërmes meje edhe juve, edhe gjithë çdo gjëje të gjallë prej çdo mishi, edhe ujëratë nukë do të jenë më për përmbytëje, që të prishnjënë çdo mish;
16 edhe ylberi do të jetë ndë ret, edhe do të shoh atë, që të kujtonj të përherëshëmenë dhiatë që (është) ndërmes Perëndie edhe çdo gjëje me frymë prej çdo mishi, që (është) mbi dhet.
17 Edhe Perëndia i tha Noesë: Këjo është shenja e dhiatësë, që vura ndërmes meje edhe çdo mishi, që (është) mbi dhet.
18 Edhe të bijt’ e Noesë që duallë nga arka ishinë Simi, e Hami, e Jafethi. Edhe Hami ishte i ati Hanaanit.
19 Këta të tre (janë) të bijt’ e Noesë, edhe prej këtyre u përndanë mbë gjithë dhenë.
20 Edhe Noeja zuri (të bënetë) bujk, edhe vuri veshtë, 21 edhe piu nga vera e u dejt, edhe u svesh ndë tendët të ti. 22 Edhe Hami, i ati Hanaanit, pa të sveshurit’ e tet, edhe u dëfteu të dy të vëllezëret përjashta.
23 Edhe Simi edhe Jafethi muarrë rrobënë, edhe e vunë përmbi të dy supat e tyre, edhe tuke ecurë bythaprapazi, i mbuluanë të sveshuritë t’et, edhe syt’ (i kishinë) prapa, edhe nukë panë të sveshurit’ e t’et. 24 Edhe Noeja si u esëllua nga vera, mori vesh se ç’i bëri ati i biri më i vogëli.
25 Edhe tha: Qoftë mallëkuarë Hanaani, do të jetë shërbëtori i shërbëtorëvet te të vëllezërit’ e ti.
26 Edhe tha: Qoftë bekuarë Zoti Perëndia i Simit, edhe Hanaani do të jetë shërbëtori i ati,
27 Perëndia do të sgjeronjë Jafethinë, edhe do t’e vërë të rrijë ndër tendat të Simit, edhe Hanaani do të jetë shërbëtori i ati.
28 Edhe Noeja rroi tre qint e pesëdhietë viet pas përmbytëjesë.
29 Edhe gjithë dit’ e Noesë u bënë nëntë qint e pesëdhietë viet, edhe vdiq.