Ligji për drejtësi
1 Mos përhap lajme të rreme. Mos iu bëj krah të paudhit duke u bërë dëshmitar i tij. 2 Mos ndiq shumicën për të bërë të keqen. Mos jep dëshmi të rreme në gjyq për t'i mbajtur anën shumicës duke shtrembëruar drejtësinë. 3 Mos i mbaj anën në gjyq as të varfrit.
4 Kur gjen kaun ose gomarin e humbur të armikut, ktheja. 5 Kur shikon gomarin e atij që të urren, të rrëzuar nën barrë, mos e braktis, por ndihmoje ta ngrejë.
6 Mos ia shkel të drejtën skamësit në gjyq. 7 Mos u përfshi me padi të rreme dhe mos e vrit të pafajshmin e të drejtin, sepse unë nuk do ta shfajësoj të paudhin. 8 Mos merr mitë, se ajo verbon të urtët dhe përmbys çështjen e të drejtëve.
9 Mos e shtypni të huajin, sepse ju e dini mirë se ç'do të thotë të jesh i huaj, ngaqë vetë ishit të huaj në tokën e Egjiptit.
Ligji për të shtunën
10 Toka të mbillet e të korret për gjashtë vjet. 11 Në vitin e shtatë, toka të pushojë dhe të lihet djerr. Të varfrit mes jush të hanë prej saj dhe çfarë mbetet, ta hanë kafshët e egra. Kështu do të veprosh edhe me vreshtat dhe ullishtat e tua.
12 Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do të pushosh me qëllim që kau e gomari yt të çlodhen, dhe biri i shërbëtores dhe i huaji të marrin veten.
13 Mbani çdo gjë që ju kam thënë. Mos i përmendni emrat e perëndive të tjerë e as mos i zini me gojë.
Festat vjetore
14 Tri herë në vit kremto në nderin tim. 15 Kremto festën e Bukëve të ndorme. Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme, ashtu siç të kam urdhëruar të bësh në kohën e caktuar të muajit Abib, sepse në atë muaj dole nga toka e Egjiptit.
Askush të mos dalë para meje duarbosh.
16 Kremto festën e të Korrave të prodhimeve të para që mbolle në ara. Kremto festën e të Vjelave në fund të vitit, kur mblidhen prodhimet e vona të arave. 17 Çdo mashkull të paraqitet tri herë në vit para Zotit Perëndi.
18 Mos e kushto gjakun e flisë sime bashkë me të mbrujturat. Mos e ruaj dhjamin e flisë të së kremtes sime për të nesërmen. 19 Prodhimet e para të tokës, më të mirat, do t'i sjellësh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd.
Mos e ziej kecin me qumështin e së ëmës.
Toka e premtuar
20 Ja, unë po dërgoj një engjëll para teje që të të ruajë rrugës dhe të të sjellë në vendin që kam përgatitur. 21 Nderoje dhe dëgjoje. Mos e hidhëro, se ai nuk do t'i falë shkeljet që bën, sepse në të është emri im. 22 Nëse ia dëgjon fjalën me kujdes dhe bën gjithçka që të them, do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu.
23 Kur engjëlli im t'ju prijë e t'ju sjellë tek amoritët, hititët, perizitët, kananitët, hivitët dhe jebusitët, unë do t'i shfaros. 24 Mos i adhuroni perënditë e tyre, mos i nderoni dhe as mos bëni siç bëjnë ata, por shkatërrojini perënditë e tyre dhe rrënojini përmendoret e tyre. 25 Shërbeji Zotit, Perëndisë tënd, dhe unë do të bekoj bukën e ujin tënd dhe do ta largoj prej teje sëmundjen. 26 Asnjë grua në vendin tënd nuk do dështojë dhe asnjëra nuk do të jetë beronjë. Do të të jap jetë të gjatë.
27 Do të dërgoj para teje tmerrin tim, që të hutoj çdo popull që do të hasësh dhe do të bëj që tërë armiqtë e tu të të kthejnë shpinën. 28 Do të dërgoj para teje një plagë , që të dëbojë hivitët, kananitët dhe hititët. 29 Nuk do t'i dëboj brenda vitit, që toka të mos mbetet e shkretë dhe të mos shtohen egërsirat kundër teje. 30 Do t'i dëboj pak nga pak derisa ti të shumohesh dhe të marrësh tokën në zotërim.
31 Do t'i vë kufijtë e tu nga deti i Kuq deri te deti i Filistinëve, nga shkretëtira deri te lumi Eufrat. Banorët e vendit do t'i lë në dorën tënde dhe ti do t'i dëbosh. 32 Mos lidh besëlidhje me ta dhe me perënditë e tyre. 33 Mos i lejo të banojnë në tokën tënde, se do të të bëjnë të mëkatosh kundër meje, do t'u shërbesh perëndive të tyre. Kështu do të zihesh në kurth».
1 Mos nxierrç zë të rrem; mos bënesh me një fialë me të paudhinë, që të dalç deshmitar i rrem.
2 Mos veç pas të shumëvet mbë të keqet, as mos flaç kur bënetë gjyq, që të priresh pas të shumëvet për të prishurë (gjyqinë);
3 as mos kesh sy mbë të vobegunë ndë gjyqt t’ati.
4 Ndë përpiekç kan’ e arëmikut tënt a gomarin’ e ati humbur’ udhënë, t’ia kthenjç ati fare.
5 Ndë pafsh gomarin’ e ati që të ka mëri rrëzuarë nga barra e ati, e të ikënjç e të mos i ndihç, po t’i ndihç (e ta ngarkoni) bashkë.
6 Mos i prishç gjyqinë të vobegut tënt ndë gjyqt t’ati.
7 Hiq dorë nga pun’ e paudhë, edhe mos u bën shkak të vritet’ i pafaji e i drejti, sepse unë nukë do të nxier të drejtë të shtrembëtinë.
8 Edhe mos marrç dhurëti, sepse dhurëtitë verbonjën’ (edhe) të mënçiminë, edhe prishënë fialët’ e të drejtëvet.
9 Edhe mos shtrëngonjç (njeri) të huajë, sepse ju njihni shpirtin’ e të huajit, sepse edhe ju qetë të huaj ndë dhe të Egjyptërisë.
10 Gjashtë viet të mbiellç dhenë tënt, edhe t’i mbëlethç drithinë, 11 edhe të shtatinë (vit) ta lësh të prëhetë, e të mbesë pa punuarë, që të hanë të vobegët’ e gjëndëjesë sate, edhe ç’të mbesë le ta hanë shtëzët’ e fushësë. Kështu të bënjç për vështinë tënt, (e) për ullishtënë tënde.
12 Gjashtë dit të bënjç punët’ e tua, edhe të shtatënë ditë të prëhesh, që të prëhetë kau yt, e gomari yt, edhe të marrë frymë i biri shërbëtoresë sate, e i huaji.
13 Edhe t’u mbani vesh gjithë sa u fola juve, mos zëni n’gojë emër perëndirash të tierë, as të dëgjonetë nga goja jote.
14 Tri herë ndë vit të mbash të kremte për mua.
15 Të ruanjç të kremten’ e të pabrumëjevet, shtatë dit të hash bukë pa brumë, sikundrë të urdhërova ty pas kohës’ urdhëruarë të muajit Abibit, sepse nd’atë (muaj) dolle nga Egjyptëria, edhe asndonjë të mos duketë përpara meje me duar thatë,
16 edhe të kremten’ e të korrit, drithëravet para të mundimevet tu, që mbolle nd’arët, edhe të kremten’ e mbëledhëjesë (pemëvet), ndë të mbaruarit të vitit, si të mbëlethç pemët’ e tua nga ara.
17 Tri herë ndë vit të duketë çdo mashkulli yt përpara Zotit Perëndisë.
18 Mos biesh gjakun’ e kurbanit tim me bukë të mbrume, as të mos mbesë të majmit’ e së kremtesë sime gjer ndë mëngjes.
19 Të biesh duart’ e para të drithëravet para të dheut tënt ndë shtëpi të Zotit Perëndisë tënt. Mos piekç keth ndë klumësht të s’ëmësë.
20 Na unë tek po dërgonj ëngjëll përpara teje, që të të ruanjë mb’udhë, edhe të të siellë nd’atë vënt që bëra gati,
21 ki frikë ati, edhe dëgjo zën’ e ati; mos zemëronjç atë, sepse nukë do të ndëlenjë fajet’ e tu, sepse emëri im (është) nd’atë. 22 Po ndë paç kujdes të dëgjonjç zën’ e ati, edhe të bënjç gjithë sa them, atëhere unë do të jem arëmiku i arëmiqet tu, edhe kundrastari i kundrastarëvet tu.
23 Sepse ëngjëlli im do të shkonjë përpara teje, edhe do të futnjë ty te Amoritët, e te Hittitët’, e te Perizzitët’, e te Hanaanitët’, e te Hivitët’, e te Jebusitëtë, edhe unë do t’i shuanj ata. 24 Mos u falesh perëndirave atyre, as mos luç ata, as mos punonjç pas punëvet atyre, po t’i shuanjç ata, e të thyenjç idhujt’ e atyreve.
25 Edhe të lutni Zotinë Perëndinë tuai, edhe ay do të bekonjë bukënë tënde, edhe ujëtë tat, edhe do të largonj (çdo) sëmundëje nga ti, 26 (edhe) nukë do të jetë (kafshë) pa piellë, e shterpë mbi dhet tënt; do të bënj të plotë numërin’ e ditvet tu.
27 Do të dërgonj frikënë time përpara teje, edhe do të shuanj gjithë çdo gjëndëje, që vien ti mbi atë, edhe do të bënj gjith’ arëmiqt’ e tu të të kthenjënë kurrizënë, 28 edhe do të dërgonj përpara teje grerëza, edhe do të dëbonjënë përpara teje Hivitët’ e Hanaanitët’, e Hittitëtë. 29 Nukë do të dëbonj ata përpara teje për një vit, që të mos shkretonetë dheu, e shumonenë bishat’ e fushësë kundrë teje, 30 pak nga pak do të dëbonj ata përpara teje, gjersa të shtoneç e të pushtonjç dhenë.
31 Edhe do të vë sinoretë e tu që nga Deti i Kuq, gjer ndë det të Filistejvet, edhe që nga shkretëtira, gjer ndë lumt, sepse do t’ap ndë duart të tua ata që rrinë nd’atë vënt, edhe do të dëbonjç ata përpara teje. 32 Të mos lithç fialë bashkë me ata, as me perëndirat’ e atyreve; 33 nukë do të rrinë ndë dhet tënt, që të mos të bënjënë të fëlenjç mbë mua, sepse ndë luç perëndirat’ e atyreve, këjo do të jetë një kurth për ty fare.