Lavdia e Jerusalemit
1 Për hir të Sionit nuk do të hesht,
për hir të Jerusalemit gojën nuk do ta mbyll,
derisa drejtësia e tij të agojë si drita
e shpëtimi i tij të ndizet si pishtari.
2 Kombet do ta shohin drejtësinë tënde,
të gjithë mbretërit lavdinë tënde.
Do të quhesh me një emër të ri,
që do ta caktojë goja e Zotit.
3 Kurorë e çmuar do të jesh në dorën e Zotit,
kësulë mbretërore në pëllëmbën e Perëndisë tënd.
4 Nuk do të quhesh më «e lëna»,
as toka jote s'do të quhet më «e shkretuara»,
por do të quhesh «kënaqësia ime»
dhe toka jote «e martuara»,
sepse me ty kënaqet Zoti
dhe toka jote e martuar do të jetë.
5 Sikurse i riu martohet me vashën,
ashtu do të martohen bijtë e tu me ty,
sikurse dhëndri i gëzohet nuses,
ashtu Perëndia yt gëzohet me ty.
6 Mbi muret e tua, o Jerusalem,
rojtarë unë kam caktuar,
që, as ditën e as natën,
kurrë nuk do të heshtin.
O ju, që ia kujtoni Zotit premtimet,
aspak mos reshtni
7 e mos e lini të pushojë,
derisa t'i ketë përtërirë themelet e Jerusalemit
e ta ketë bërë atë lavdinë e tokës mbarë.
8 U betua Zoti për të djathtën e tij
dhe për krahun e tij të fuqishëm:
«Drithin tënd armiqve të tu
s'do t'ua jap më kurrë për ushqim
e të huajt, prej verës së mundit tënd,
s'do të pinë më kurrë
9 e ata që e mblodhën do ta hanë
dhe do të lavdërojnë Zotin,
ata që e volën do të pinë
në tremen e shenjtërores sime».

10 Kaloni, kaloni nëpër porta!
Bëjeni gati udhën për popullin!
Shtrojeni, shtrojeni rrugën,
pastrojeni nga gurët,
valëvisni flamurin para popujve!
11 Zoti shpalli deri në skajet e tokës:
«I thoni bijës së Sionit:
ja, po vjen shpëtimtari yt!
Ja, me vete ka shpërblimin!
Përpara i prin shpagimi!
12 “Popull i shenjtë” do t'i quajnë,
“të shpenguarit e Zotit”.
Ndërsa ti do të quhesh “i kërkuari”,
“qyteti i pabraktisur”».
1 Nukë do të pushonj për Sionënë, edhe nukë do të prëhem për Jerusalimënë, gjersa të dalë dreitëria e asaj posi ndriçim, edhe shpëtim i asaj posi llambadhe e dhezurë.
2 Edhe kombatë do të shohënë dreitërinë tënde, edhe gjithë mbëretëritë lavdinë tënde, edhe do të kluhesh me emërë të ri, që do ta kluanjë gola e Zotit.
3 Edhe do të jesh kurorë lavdie ndë dorë të Zotit, edhe kurorë mbëretërie ndë pëllëmbë të Perëndisë tënt.
4 Nukë do të kluhesh më e Lënë, as dheu yt nukë do të kluhetë më i Shkretuarë, po do të kluhesh Pëlqimi im (është) nd’ atë; edhe dheu yt, i Martuari, sepse të pëlqeu Zoti, edhe dheu yt do të jetë martuarë.
5 Sepse (sikundrë) dialoshi martonetë me vashë, (kështu) t’ët-bij do të rrinë bashkë me ty; edhe (sikundrë) dhëndërri gëzonetë për nusenë, (kështu) Perëndia yt do të gëzonetë për ty.
6 Vura ronjës mbi muret të tu, o Jerusalimë, (të cilëtë) kurrë s’kanë për të pushuarë, as ditë as natë; ju sa thërritni Zotinë, mos kini pushim.
7 Edhe mos i epni ati të prëjturë, gjersa të vërë, gjersa të bënjë Jerusalimënë lavdurim mbi dhet.
8 Zoti bëri be mbë të diathtët të ti, edhe mbë krahun’ e fuqisë ti: S’ kam për t’u dhënë më arëmiqet mi grurinë t’ënt për ushqim, edhe të bijt e kombavet huajë nukë do të pinë verënë tënde, që u mundove për atë,
9 po ata që korrënë do t’e hanë atë, edhe do të lavduronjënë Zonë; edhe ata që vielënë do t’e pin’ atë ndër avllit të shënjtërisë s’ime.
10 Shkoni, shkoni ndëpër portat, bëni gati udhën’ e gjëndëjesë, ndreqni, ndreqni udhënë, hithni tej gurëtë, ngreni flamure ndër gjëndëjet.
11 Na Zoti tek leçiti gjer mb’ anët të dheut: Thojni së bilësë Sionësë: Na Shpëtimtari yt tek po vien, na paga e ati tek (është) bashkë me atë, edhe pun’ e ati përpara ati.
12 Edhe do t’i kluanjën’ ata Gjëndëj’ e shënjtëruarë, e Shpërblyer’ e Zotit, edhe ti do të kluhesh e Kërkuarë, jo Qytetëj’ e lënë.