Dhunimi i Dinës
1 Dina, bija që Lea i lindi Jakobit, doli për të parë bijat e vendit. 2 Kur e pa Shekemi, prijësi i vendit, biri i Hamor Hivitit, e rrëmbeu, fjeti me të dhe e poshtëroi. 3 Por Dina, bija e Jakobit, i hyri në zemër dhe ai e deshi e i foli ëmbël . 4 Kështu, Shekemi i tha Hamorit, të atit: «Ma merr këtë vajzë për grua!».
5 Ndërkohë, Jakobi kishte dëgjuar për çnderimin e bijës së tij, Dinës. Ai heshti derisa u kthyen të bijtë që ishin me bagëtitë në fushë. 6 Atëherë Hamori, ati i Shekemit, shkoi te Jakobi për t'i folur. 7 Ndërkaq bijtë e Jakobit, kur dëgjuan se ç'kishte ngjarë, erdhën nga fusha. Ata ishin të hidhëruar e shumë të zemëruar, sepse Shekemi kishte bërë diçka të turpshme në Izrael. Ai kishte fjetur me bijën e Jakobit. Kjo gjë nuk bëhej.
8 Por Hamori foli me ta e tha: «Shekemit, tim biri, i ka hyrë në zemër vajza juaj. Jepjani, pra, për grua. 9 Bëni krushqi me ne. Na jepni bijat tuaja e merrni tonat. 10 Nëse banoni me ne, vendi do të jetë i hapur për ju. Do të banoni e lëvizni lirisht e do të mund të blini prona». 11 Pastaj Shekemi i tha atit të Dinës e vëllezërve të saj: «Gjetsha hir në sytë tuaj! Do të jap çdo gjë që do të më kërkoni. 12 Më kërkoni për pajë e dhuratë sa të doni e unë do t'jua jap, veç të më jepni vajzën për grua».
13 Atëherë bijtë e Jakobit iu përgjigjën me dredhi Shekemit e Hamorit, atit të tij, sepse ai kishte çnderuar Dinën, motrën e tyre. 14 Kështu, ata u thanë: «Nuk mund ta bëjmë këtë gjë. Nuk mund t'ia japim motrën tonë dikujt që është i parrethprerë, sepse kjo do të ishte e turpshme për ne. 15 Por do të pranojmë vetëm me një kusht: nëse bëheni si ne e çdo mashkull i juaj rrethpritet. 16 Atëherë do t'ju japim bijat tona e ne do të marrim tuajat. Do të banojmë me ju e do të bëhemi një popull i vetëm. 17 Por nëse nuk pranoni të rrethpriteni do të marrim me vete bijën tonë e do të largohemi».
18 Hamorit e birit të tij, Shekemit, u pëlqeu kjo përgjigje. 19 Djaloshi nuk vonoi ta bënte këtë gjë, se e kishte për zemër bijën e Jakobit. Ai ishte më i rëndësishmi në të gjithë familjen e atit të tij. 20 Pastaj Hamori e biri i tij, Shekemi, arritën te porta e qytetit e iu drejtuan njerëzve të qytetit: 21 «Këta njerëz janë miqësorë me ne. Le të banojnë në këtë vend e të lëvizin lirisht, se ka mjaft vend edhe për ta. Bijat e tyre do t'i marrim për gra e do t'u japim bijat tona. 22 Por vetëm me një kusht këta njerëz do të pranojnë të banojnë me ne për t'u bërë një popull i vetëm: tërë meshkujt tanë duhet të rrethpriten ashtu siç rrethpriten edhe ata. 23 A nuk do të bëhen tonat kafshët, pasuritë e bagëtitë e tyre? Mjafton që të pranojmë dhe ata do të banojnë me ne». 24 Tërë ata që dilnin nga porta e qytetit e dëgjuan Hamorin e Shekemin, birin e tij. Kështu tërë meshkujt e qytetit u rrethprenë.
Simeoni e Levi
25 Pas tri ditësh, kur meshkujt e qytetit ende vuanin dhimbjet e rrethprerjes, dy djemtë e Jakobit, Simeoni e Levi, vëllezërit e Dinës, u ngritën secili me shpatë në dorë, hynë në qytet pa u vënë re dhe vranë tërë meshkujt. 26 Ata vranë me shpatë edhe Hamorin me Shekemin, birin e tij. Pastaj morën Dinën nga shtëpia e Shekemit e u larguan. 27 Bijtë e Jakobit u lëshuan mbi të vrarët dhe plaçkitën qytetin që kishte çnderuar motrën e tyre. 28 Ata morën dhentë, qetë, gomarët e gjithçka gjetën në qytet e në fushë. 29 Plaçkitën tërë pasurinë dhe morën rob tërë të vegjlit e gratë bashkë me gjithçka që kishin në shtëpi. 30 Atëherë Jakobi i tha Simeonit e Levit: «Më keni nxjerrë telashe, se më fëlliqët me banorët e vendit, me kananitët e perizitët. Unë kam pak njerëz. Nëse ata bashkohen kundër meje e më sulmojnë, atëherë unë e shtëpia ime do të marrim fund». 31 Por ata thanë: «Pse, si lavire do të trajtohet motra jonë?».
1 Edhe dolli Dinaha e bila e Leahësë, që ja pat piellë Jakovit, që të shihte bilat’ e vëndit. 2 Edhe kur pa atë Shehemi, i biri Hamor Hivitit, zotërisë ati vëndi, mori atë, edhe fjeti bashkë me atë, edhe e turpëroi. 3 Edhe shpirti ati u ngjit pas Dinahësë së bilësë Jakovit, edhe e deshi vashënë edhe foli pas zemrësë vashësë. 4 Edhe Shehemi i tha Hamorit t’et, tuke thënë: Merrmë këtë vashëzë për grua.
5 Edhe Jakovi e dëgjoi se turpëroi Dinahënë të bilënë, edhe të bijt’ e ati ishinë fushësë bashkë me bagëtit, edhe Jakovi nukë foli gjersa erdhë (ata).
6 Edhe Hamori, i ati Shehemit, erdhi te Jakovi për të folë me atë. 7 Erdhë nga fusha edhe të bijt’ e Jakovit, kur dëgjuanë (këtë punë), edhe burrat’ u hidhëruan’ e u zemëruanë fort, se bëri punë të ndyra tek Israili, sepse fjeti bashkë me të bilën’ e Jakovit, që nuk duhej të bënej ajo punë.
8 Edhe Hamori u foli atyre, tuke thënë: Shpirti i Shehemit tim bir u ngjit pas bilësë suaj, epnia atë për grua, u lutem, 9 edhe bëni krushqi bashkë me ne, na epni bilatë tuaja, edhe merrni bilatë tona për vetëhenë tuaj, 10 edhe rrini bashkë me ne, na dheu (tek ësht’ i gjërë) përpara jush, rrini e tregjëtoni mb’atë, edhe blini dhera aty. 11 Edhe Shehemi i tha tatës’ asaj edhe të vëllezëret asaj: Le të gjenj hirë përpara jush, edhe ç’të më thoni, do të ap, 12 kërkoni nga unë sa prikë të doni, edhe sa dhurata, edhe do t’i ap, sikundrë të më thoni, veçe epmëni vashëzënë për grua.
13 Edhe të bijt’ e Jakovit iu përgjeqnë Shehemit, edhe Hamorit, tatës’ ati, me të gënjyerë, edhe folnë (sepse ay kish turpëruarë Dinahënë të motërën’ e atyre), 14 edhe u thanë atyre: Nukë munt të bëjmë këtë punë, t’i apëmë motërënë tonë njeriu të parrethprerë, sepse këjo (është) turp për ne, 15 vetëmë kështu munt të lidhëmë fjalë bashkë me ju: Ndë u bëfshi (edhe) ju posi neve, të rrethpritni gjithë meshkujtë ndërmest juve, 16 atëhere do t’u apëmë juve bilatë tona, edhe do të marrëmë bilatë tuaja për gra, edhe do të rrimë me ju, edhe do të bënemi një gjëndëje, 17 po ndë mos na dëgjofshi të rrethpriteni, atëhere do të marrëmë bilënë tonë, edhe do të shkojmë.
18 Edhe u pëlqyenë fialët’ e atyreve Hamorit, edhe Shehemit të birit Hamorit, 19 edhe nuk’ mënoi diali të bënte këtë punë, sepse e donte fort të bilën’ e Jakovit, edhe (ishte) më i lëvduari i gjithë shtëpisë t’et.
20 Edhe erdhi Hamori edhe Shehemi i biri ati ndë portët të qytetit tyre, edhe u folnë burravet qytetit tyre, (e) u thanë: 21 Këta njerës (janë) të paqtuarshim bashkë me ne, le të rrinë pra ndë dhet, edhe le të tregjetonjënë nd’atë, sepse dheu na (tek është) mjaft i gjërë për ata, le të marrëmë bilat’ e atyre për gra, edhe le t’u apëmë atyre bilatë tona, 22 vetëmë kështu do të ndreqemi me këta njerës, që të rrinë bashkë me ne, edhe të bënemi një gjëndëje; ndë u rrethprefshinë gjithë meshkujtë ndërmest neve, sikundrë rrethpriten’ ata, 23 tufat’ e atyreve, e pasëja e atyreve, e gjithë bagëtit’ e atyreve, a nukë (do të jenë) tonatë? Vetëmë le të ndreqemi me ata, edhe do të rrinë bashkë me ne.
24 Edhe i dëgjuanë Hamorit edhe Shehemit të birit ati gjith’ ata që dilinë nga dera e qytetit ati, edhe u rrethprenë gjithë meshkujtë, gjith’ata që dilinë ndëpër derët të qytetit ati.
25 Edhe të tretënë ditë, kur kishinë të dhëmbura, dy nga të bijt’ e Jakovit, Simeoni edhe Lleviu, të vëllezërit’ e Dinahësë, gjithë-se-cili muarrë kordhën’ e tyre, edhe hynë ndë qytet pa frikë, edhe vranë gjithë meshkujtë. 26 Edhe Hamorin’ edhe Sheheminë të birin’ e ati, i shkuanë ndë kordhë, edhe muarrë Dinahënë nga shtëpia e Shehemit, edhe duallë jashtë.
27 Edhe të bijt’ e Jakovit erdhë mbi të vrarët, edhe ropnë qytetinë, sepse kishinë turpëruarë të motërën’ e atyre, 28 muarrë dhënt’ e atyreve, e qet’ e atyreve, e gomarët’ e atyreve, e ç’(ishte) ndë qytet, e ç’(ishte) ndë fushët, 29 edhe gjithë pasëjet’ e atyreve, edhe gjithë djemt’ e atyreve, e grat’ e atyreve i muarrë rop, edhe rrëmbyenë ç’(gjëndej) ndëpër shtëpit.
30 Edhe Jakovi i tha Simeonit edhe Leviut: Më vutë ndë trubullim, e më bëtë arëmik ndërmest të njerëzet këti dheu, ndërmest Hanaanitëvet e Perizitëvet, edhe unë kam pak njerës, edhe ata do të mbëlidhenë kundrë meje, edhe do të më bienë, edhe do të humbas unë edhe shtëpia ime. 31 Edhe ata thanë: Gjante pra të na përndorinë motrënë posi kurvë?