Sëmundja dhe shërimi i Ezekisë
1 Asokohe Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isai, biri i Amosit, shkoi tek ai e i tha: «Kështu thotë Zoti: ndreqi punët e shtëpisë sate, se nuk do të jetosh gjatë. Do të vdesësh». 2 Ezekia u kthye me fytyrë nga muri, iu lut Zotit 3 e tha: «Të lutem, o Zot, kujtohu se kam ecur në praninë tënde me besnikëri e me zemër të çiltër dhe kam bërë çka është mirë në sytë e ty». Dhe qau me ngashërim. 4 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaisë: 5 «Shko e thuaji Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: e dëgjova lutjen tënde e i pashë lotët e tu. Do të të jap edhe pesëmbëdhjetë vite jetë 6 e do të të shpëtoj nga dora e mbretit të Asirisë. Do ta shpëtoj edhe këtë qytet e do ta mbroj”. 7 Dhe kjo është shenja prej Zotit, se Zoti do ta përmbushë këtë fjalë që tha: 8 “Ja, hijen, që ka mbuluar shkallaren e Ahazit, e cila më përpara ishte në diell, do ta kthej pas dhjetë shkallare”». Atëherë dielli u tërhoq nga dhjetë shkallaret ku kishte zbritur.
Himni i Ezekisë
9 Krijim i Ezekisë, mbretit të Judës, kur u sëmur e u shërua prej sëmundjes së tij:
10 «Në gjysmën e ditëve të mia po shkoj, thosha,
dënuar për te portat e skëterrës,
për ato vite që më kanë mbetur.
11 Nuk do ta shoh më Zotin, thosha,
Zotin në tokën e të gjallëve.
Nuk do të shoh më asnjërin
prej banorëve të botës.
12 U shkul banesa ime, u hodh larg prej meje,
ashtu siç shkulet tenda e barinjve.
Ma mbështolli jetën si fije endësi,
nga vegja ma këputi.
Nga agimi deri në mbrëmje
ke për të më dhënë fund.
13 Klitha deri në mëngjes,
si luani po m'i shtyp kockat.
Nga agimi deri në mbrëmje
ke për të më dhënë fund.
14 Krakëllija si lejleku e dallëndyshja,
porsi pëllumbesha gugatja,
sytë m'u këputën duke parë lart.
O Zot, jam ngushtë, bëhu mbrojtja ime!
15 Çfarë të them, që të më përgjigjet?
Është ai që ka vepruar.
Do të jetoj gjithë jetën
me hidhërim në shpirt.
16 O Zot, prej këtyre gjërave jetojnë njerëzit,
prej tyre rron edhe shpirti im.
Prandaj më shëro
e jetën ma përtëri.
17 Ja, në shëndet m'u kthye hidhërimi,
shpirtin prej gropës së shkatërrimit ma shpëtove,
Pas shpine ti i hodhe
të gjitha mëkatet e mia.
18 Se skëterra nuk të lavdëron
e vdekja nuk të përlëvdon,
ata që zbresin në gropë
nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.
19 I gjalli, vetëm i gjalli të lavdëron,
si unë sot.
Ati u mëson bijve të vet
besnikërinë tënde.
20 Zoti deshi e më shpëtoi,
prandaj do t'i këndojmë me harpë,
gjithë ditët e jetës sonë,
në tempullin e Zotit».
21 Isaia tha: «Sillni një kulaç me fiq». Kulaçin ia vunë mbi plagë dhe Ezekia u shërua. 22 Atëherë Ezekia tha: «Cila është shenja se do të shërohem e se do të shkoj në tempullin e Zotit?».
1 Ndër ato dit u sëmua Ezeqia për vdekëje, edhe erdhi te ay profiti Isai, i biri Amosit, edhe i tha ati: Kështu thotë Zoti: Ndreq punët’ e shtëpisë s’ate, sepse po vdes, e nukë do të rrojsh.
2 Atëherë Ezeqia këtheu faqen’ e ti nga muri, edhe iu fal Zotit, 3 e tha: Të lutem, o Zot, kujto tashi, se qysh eca përpara teje ndë të vërtetët, e me zemërë të këthiellëtë, edhe punova të pëlqyerëtë përpara teje. Edhe Ezeqia klau me të klarë të math.
4 Atëherë i erdhi Isaisë fiala e Zotit, e i tha: 5 Shko, e thuaj Ezeqisë: Kështu thotë Zoti Perëndia i Dhavidhit t’yt-et: Dëgjova të faluritë t’at, pashë lot e tu; na tek do të shtonj (edhe) pesë-mbë-dhietë viet ndër dit të tua; 6 edhe do të shpëtonj ty edhe këtë qytet nga dor’ e mbëretit Asyrisë, edhe do të mburonj këtë qytet, 7 edhe këjo shenjë (do të jetë) te ti prej Zotit, se Zoti ka për të bërë këtë punë që foli: 8 Na tek do të këthenj prapa dhietë shkallë hien’ e shkallëvet, të cilatë ja sbriti Ahazit ndë herët të diellit. Edhe dielli u këthye dhietë shkallë, prej së cilash kish sbriturë.
9 Këto jan’ ato që u shkruanë nga Ezeqia, mbëreti i Judhësë, kur u sëmua, edhe u shërua nga sëmundëj’ e ti:
10 Unë thashë: Ndë mes-ditë të ditvet mia, do të vete ndër dyerët të varrit, nukë më mbetnë viet të tierë.
11 Thashë: S’kam për të parë më Zotinë, Zotinë, ndë dhet të gjallëvet, s’kam për të parë më njeri me ata që rrinë ndë botët.
12 Jeta ime iku, e ndërroi vëndinë posi tendë bariu, jeta ime u këput posi (fill) plëhure;
do të më këputnjë nga maj’ e plëhurësë, që nga mëngjesi gjer mbrëmanet do të më mbaronjç.
13 Mendoheshe që ndë mëngjes, posi leon do të më thyenjë gjith’ eshtratë; që nga mëngjesi gjer mbrëmanet do të më mbaronjç.
14 Posi gjeran, posi qelëndyshe, kështu këndonjam, vajtonjam posi turtull,
syt’ e mi u lothnë tuke shikuarë lart. Shtrëngonem, o Zot, lehëso-më.
15 Ç’të them? Ay vetë më tha, edhe e mbaroi: do të shkonj gjithë viet e mi ndë hidhërim të shpirtit t’im.
16 Me gjithë këto, o Zot, rruakanë (njerëzitë) edhe ndër gjithë këto (qënëka) jeta e frymësë s’ime; ti me të vërtetë më shëron, edhe më bën të rronj përsëri.
17 Na ndë vënt të paqtimit (tek erdhi) mbi mua hidhërimi i math, po ti, për dashuri të shpirtit t’im, (e shpëtove) nga gropa e prishëjesë, sepse hodhe prapa krahëvet tu gjithë falët’ e mi.
18 Sepse varri nukë të ka për të lëvduarë, vdekëja nukë të ka për të lëvduarë, edhe ata që sbresënë ndë varrt nukë do të shpërenjënë mbë të vërtetënë tënde.
19 Ay që rron, ay rron, ay do të të lëvduronjë, sikundrë unë këtë ditë; ata do t’u dëftenjë të bijet të vërtetënë tënde.
20 Zoti (erdhi) të më shpëtonjë, përandaj do të këndojmë kënkënë t’ime mbi drurë të ndejturë gjithë dit e jetësë s’onë ndë shtëpi të Zotit.
21 Sepse Isaia kishte thënë: Le të marrënë një vark fiqsh, edhe le ta venë si petë mbi plagët, edhe do të shëronetë. 22 Edhe Ezeqia kishte thënë: Ç’farë shenje (është) se unë kam për të vaturë ndë shtëpi të Zotit?