Thirrja e Abramit
1 Zoti i tha Abramit: «Dil nga vendi yt, nga farefisi yt e nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj. 2 Do të të bëj komb të madh e do të të bekoj. Emrin tënd do ta bëj të madh e bekim do të jesh. 3 Do të bekoj këdo që të bekon, por atë që të përçmon do ta mallkoj. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty».
4 Atëherë Abrami bëri siç i tha Zoti. Me të shkoi edhe Loti. Abrami ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u nis nga Harani. 5 Ai mori me vete Sarajën, të shoqen, nipin e tij, Lotin, dhe tërë pasurinë e njerëzit që kishin mbledhur në Haran e u nisën drejt tokës së Kanaanit. Kur arritën në tokën e Kanaanit, 6 Abrami përshkoi vendin deri te lisi i Morehut në Shekem. Në atë kohë, në atë vend banonin kananitët. 7 Zoti iu shfaq Abramit e tha: «Pasardhësve të tu do t'ua jap këtë vend». Atëherë Abrami i ngriti aty një altar Zotit që i ishte shfaqur. 8 Prej andej u shpërngul drejt malit në lindje të Betelit dhe ngriti tendën mes Betelit në perëndim e Ajit në lindje. Edhe aty i ngriti një altar Zotit e thirri emrin e tij. 9 Pastaj Abrami u ngrit e vijoi udhëtimin drejt Negevit.
Abrami në Egjipt
10 Vendin e pllakosi një zi buke aq e rëndë, saqë Abrami shkoi në Egjipt për të banuar në dhe të huaj. 11 Kur po hynte në Egjipt, Abrami i tha Sarajës, gruas së tij: «E di që je grua e bukur 12 dhe kur të të shohin egjiptianët, do të thonë: “Kjo është gruaja e tij”. Kështu mua do të më vrasin, kurse ty do të të lënë gjallë. 13 Thuaj që je ime motër, që të më trajtojnë mirë për shkakun tënd e jeta të më kursehet falë teje».
14 Kur Abrami hyri në Egjipt, egjiptianët panë se gruaja ishte shumë e bukur. 15 Edhe oborrtarët e faraonit e panë dhe ia lavdëruan faraonit. Atëherë, gruan e morën në shtëpinë e faraonit. 16 Për shkak të saj faraoni e trajtoi mirë Abramin, i cili përfitoi dhen, qe e gomarë, shërbëtorë e shërbëtore, gomarica e deve.
17 Por Zoti e dënoi me plagë të rënda faraonin dhe shtëpinë e tij për shkak të Sarajës, gruas së Abramit. 18 Atëherë faraoni e thirri Abramin e i tha: «Ç'është kjo që më bëre? Përse nuk më tregove që është gruaja jote. 19 Përse the se është jot motër e unë e mora për grua? Dhe tani, ja ku e ke gruan tënde. Merre, pra, e shko!». 20 Faraoni u dha urdhër njerëzve të vet dhe ata e larguan Abramin, bashkë me të shoqen, e gjithçka i përkiste.
1 Edhe Zoti i tha Avramit: Dil nga dheu yt, edhe nga fisi yt, edhe nga shtëpia e tyt et, nd’atë dhe që do të dëftenj ty,
2 edhe do të bënj ty komp të math, edhe do të bekonj ty, edhe do të madhëronj emërinë tënt, edhe do të jesh për bekim,
3 edhe do të bekonj ata që bekonjënë ty, edhe do të mallëkonj ata që mallëkonjënë ty, edhe gjithë farat’ e dheut do të bekonjënë mbë ty.
4 Edhe Avrami vate, sikundrë i foli Zoti ati, edhe bashkë me atë vate (edhe) Lloti, edhe Avrami (ishte) shtatëdhiet’ e pesë vieç ndë moshë, kur dolli nga Harrani. 5 Edhe Avrami mori Sarënë gruan’ e ti, edhe Llotnë, të birin’ e të vëllait, edhe gjithë gjën’ e tyre sa kishinë fituarë, edhe njerëzitë që kishinë fituarë ndë Harran, edhe duallë që të vijnë ndë dhe të Hanaanit, edhe erdhë ndë dhe të Hanaanit.
6 Edhe Avrami shkoi ndëpër (atë) dhe, gjer ndë vënt të Syhemit, gjer ndë lis të Morehut, edhe Hanaanitët’ atëhere (rrijnë) ndë (këtë) dhe. 7 Edhe Zoti iu duk Avramit e tha: Farësë sate do t’ia ap këtë dhe. Edhe ay i ndërtoi atie një therore Zotit, që iu duk ati.
8 Edhe andejë u hoth ndë malt (që është) mbë të lindurit të diellit të Vethillësë, edhe ngrehu tendën’ e ti (që kishte) Vethillënë mbë të perënduarët të diellit, edhe Gainë mbë të lindurit të diellit, edhe i ndërtoi atie një therore Zotit, edhe thërriti emërin’ e Zotit. 9 Edhe Avrami u ngre (andejë) tuke bër’ udhë e tuke vaturë nga an’ e mesditësë.
10 Edhe u bë zi buke ndë këtë dhe, edhe Avrami sbriti ndë Egjyptëri për të ngulur’ atie, sepse (ishte) zi e madhe ndë dhet. 11 Edhe (Avrami) kur u afrua të hynte ndë Egjyptëri, i tha Sarësë gruasë ti: Na tek e di se je grua e bukurë, 12 do të gjanjë pra, posa të shohënë ty Egjyptëtë do të thonë: Këjo (është) gruaja e ati, edhe do të më vrasënë, po ty do të ruanjënë të gjallë; 13 thuaj pra (se) je ime motërë, që të bënetë mirë për mua nga puna jote, edhe të më ruhetë jeta për ty. 14 Edhe Avrami kur hyni ndë Egjyptëri, Egjyptëtë panë gruanë se ishte fort e bukurë. 15 Edhe të parët’ e Faraoit panë atë, edhe ja lëvduanë Faraoit, edhe u muar gruaja ndë shtëpi të Faraoit. 16 Edhe Avramnë e muarnë me të mirë për punë t’asaj, edhe (ay) kishte dhen, e qe, e gomarë, e shërbëtorë, e shërbëtore, e gomarë, e kamille. 17 Edhe Zoti lëshoi mbi Faraonë e mbi shtëpin’ e ati plagë të mëdha, nga pun’ e Sarësë gruas’ Avramit. 18 Edhe Faraoi thirri Avramnë e tha: Ç’ (është) këjo që më bëre? Përse nukë më dëfteve se këjo (është) gruaja jote? 19 Përse the: Ime motërë (është) këjo; edhe e mora grua për vetëhenë time, edhe tashi, na gruaja jote, merre edhe shko. 20 Edhe Faraoi urdhëroi njerës për atë, edhe e përsuallnë atë edhe gruan’ e ati, edhe gjithë ç’kishte.