Shpëtim për Jerusalemin
1 Mjerë ti që shkatërron,
edhe pse s'të kanë shkatërruar,
ti që tradhton,
edhe pse s'të kanë tradhtuar,
se, sapo të kesh shkatërruar,
do të shkatërrohesh,
sapo të kesh tradhtuar,
do të tradhtohesh.
2 Ki mëshirë për ne, o Zot,
se kemi shpresuar te ti.
Bëhu mbrojtja jonë çdo mëngjes,
shpëtimi ynë në kohë mjerimi.
3 Nga ushtima, ikin popujt,
kur ngrihesh ti, shpërndahen kombet.
4 Do të grumbullohet plaçka e luftës si vemjet,
do të vërsulen mbi to si karkalecat.
5 Madhështor është Zoti,
se banon në lartësi,
Sionin e ka mbushur
me të drejtë e drejtësi.
6 Ditët e tua do të jenë të palëkundshme,
urtia e dija, pasuria shpëtimtare,
droja e Zotit thesari yt.
7 Ja, trimat e tu bërtasin nëpër rrugë,
lajmëtarët e paqes qajnë hidhur.
8 Sheshet janë të shkreta,
shtigjeve s'kalon kush,
besëlidhja është shkelur,
qytetet janë përçmuar,
njeriu s'ka më vlerë.
9 Është tharë, është vyshkur toka,
nga turpi është venitur Libani,
Sharoni është bërë shkretëtirë,
Bashani e Karmeli dridhen.
10 E tani po ngrihem, thotë Zoti,
ja, në këmbë po çohem,
tani po madhërohem!
11 Keni ngjizur sanë, kashtë do të lindni,
fryma ime do t'ju përpijë si zjarri!
12 Popujt do të digjen në furrën e gëlqeres,
si ferrat e prera do t'i djegë zjarri.
13 Ju që jeni larg, dëgjoni çka bëra,
ju që jeni afër, njiheni fuqinë time.
14 Mëkatarët në Sion u tmerruan,
të paudhët dridhmat i pushtuan.
«Kush prej nesh mund të banojë», thonë,
«Mes zjarrit përvëlues?
Kush prej nesh mund të banojë
mes flakëve të përjetshme?».
15 Ai që ecën me drejtësi,
ai që flet çka është e drejtë,
që s'kërkon fitim të pandershëm,
që tund duart për të mos marrë mitë,
që mbyll veshët për të mos dëgjuar për vrasje,
që mbyll sytë për të mos parë të keqen,
16 ai do të banojë në vend të lartë,
fortesa mbi shkëmb do të jetë streha e tij,
do të ketë bukë për të ngrënë,
nuk do t'i mungojë uji.

17 Sytë tuaj do të shohin një mbret të lavdishëm,
do të kundrojnë një vend që s'ka fund.
18 Zemra jote do të përsiatë me tmerr:
«Ku është ai që mban shënim?
Ku është ai që peshat mat?
Ku është ai që kullat numëron?».
19 Popullin mizor s'do ta shohësh më,
atë popull me një të folme që s'merrej vesh,
që belbëzonte gjuhë të pakuptueshme.
20 Kundro Sionin, qytetin e të kremteve tona!
Sytë e tu do të shohin Jerusalemin,
vendbanimin e qetë, tendën e patundur.
Hunjtë e saj s'do t'i shkulin dot kurrë,
litarët e saj nuk do t'i këputin.
21 Atje Zoti do të jetë madhështor për ne,
në atë tokë ku rrjedhin lumenj me degë të gjera.
Anije me rrema atje s'do të kalojnë,
anije të mëdha s'do të lundrojnë.
22 Se Zoti është gjykatësi ynë,
Zoti është ligjdhënësi ynë,
Zoti është mbreti ynë,
ai do të na shpëtojë.
23 Litarët e tu janë liruar,
direkun tënd s'e mbajnë dot,
dhe velin nuk ta ndehin.
Atëherë plaçka e shumtë do të ndahet,
do të marrin deri edhe të çalët.
24 Asnjë nga banorët s'do të thotë: «Jam sëmurë».
Popullit që banon atje, do t'i falet paudhësia.
1 Mjeri ti që prish, e nuk’ u prishe, edhe që shtrëngon, e nuk’ u shtrëngove; kur të pushojsh së prishuri, do të prishesh, kur të mbarojsh së shtrënguari, do të shtrëngonesh.
2 Ndële-na, o Zot, po të presëmë; ij krahu i atyreve mëngjes për mëngjes, edhe shpëtimi ynë ndë kohë të shtrëngatësë.
3 Gjëndëjet’ iknë nga zëri i turbullimit, kombat’ u shpërndanë nga të lartuarëtë t’at.
4 Edhe plaçkatë tuaja do të mbëlidhenë, (sikundrë) mbëlidhenë karkalecatë; do të këcenjënë mbi atë, posi karkaleci që këcen aty këtu.
5 Zoti u lartua, sepse rri ndër të larta, mbushi Sionënë me gjyq e me dreitëri.
6 Edhe urtësia e dituria do të jenë forcata e kohëravet tua, (edhe) fuqia e shpëtimi (do të jetë) frika e Zotit, ay (është) thesari i ati.
7 Na trimat’ e atyreve tek do të klëthasënë së jashtësmi, (edhe) të laimët’ e paqtimit do të klanjënë hidhurë.
8 Udhët’ u shkretuanë, udhëtarëtë pushuanë; prishnë besënë, hodhi tej qytetetë, nukë kujton (njeri).
9 Dheu mba zi, fyshketë: Livani ka turp, po nduketë, Sharoni është posi shkretëtirë, edhe Bashana e Karmilli u shkuntnë.
10 Tashi do të ngrihem, thotë Zoti, tashi do të lartonem, tashi do të madhëronem.
11 Do të mbarsi push, e do të pillni kashtë; fryma juaj do t’u diegë juve (posi) zjarr,
12 Edhe gjëndëjetë do të jenë (posi) të diegura këlqereje, (posi) gjëmba të prerë do të digjenë ndë zjarr.
13 Ju të largëtë, pa dëgjoni se ç’bëra, edhe ju të afërmitë, njihni fuqinë t’ime.
14 Faltorëtë ndë Sionë do të tristonjënë, tristim do t’i zërë hipokritëtë, kaqë (sa do të thonë): Kush do të rri ndër ne bashkë me zjarrinë që diek? Kush do të rri ndër ne bashkë me të diegurat’ e përjetëshime?
15 Kush ecën me dreitëri, kush flet me të dreitë, kush heth tej fitimin’ e shtrëngatavet, kush shkunt duart’ e tia nga të marrëtë mitë, kush zë veshët’ e ti që të mos dëgjonjë për gjak, edhe kush mbyll syt’ e ti që mos shohë të keqenë,
16 ky do të rri mbë të lartat; vëndet’ e të mburuarit ati (do të jenë) shkëmbet’ e fortë, bukë do t’i epet’ ati, ujët’ e ati (do të jetë) me të vërtetë:
17 syt’ e tu do të shohënë mbëretinë ndë bukurit t’ati, do të shohënë dhen’ e largë.
18 Zëmëra jote do të shkonjë ndër mënt tristimnë (që shkoi, e do të thërrasë): Ku është shkronjësi? Ku (është) kërkonjësi? Ku (ësht’) ay që numëron pirgjetë?
19 Nukë do të shohç gjëndëje t’egrë, gjëndëje me zë të thellë, kaqë sa të mos shquajsh, gluhë që belburon, (kaqë) sa të mos kupëtojsh.
20 Shtierë sytë ndë Sionë, ndë qytet të kremtevet t’ona; syt’ e tu do të shohënë Jerusalimënë vënt të prëjturi, tendë që s’është për të shkrehurë, hunjt’ e asaj nukë do të luanjënë vëndit për gjithë jetënë, edhe nukë do të këputet’ asndonjë nga litarët’ e asaj.
21 Po atie Zoti i lavdisë (do të jetë) ndër ne vënt lumrash të gjërë e rrymash; atie nukë do të hynjë lundrë me lopatë, as nukë do të shkonjë andej lundrë e madhe.
22 Sepse Zoti (është) gjukatësi ynë, Zoti (është) nom-dhënësi ynë, Zoti (është) mbëreti ynë, ay do të na shpëtonjë.
23 Litarët’ e tu u liruanë, nukë munt të forconjënë shtyllën’ e tyre, nukë munt të ndenjënë plëhuratë, atëhere do të ndahetë të rrëmbuerë plaçkash të mëdha, të çalëtë do të rrëmbenjënë plaçkatë,
24 edhe vëndësi nukë do të thotë: U loth; gjëndëja që rri nd’ atë do të marrë ndëlesë panomie.