Kushtimi i të parëlindurve
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «M'i kushto tërë të parëlindurit! Fryti i parë i çdo barku në Izrael, si i njerëzve, ashtu dhe i kafshëve, do të më përkasë mua!».
3 Atëherë Moisiu i tha popullit: «Kujtojeni këtë ditë në të cilën dolët nga Egjipti, nga vendi i skllavërisë, sepse Zoti ju shpëtoi që andej me dorën e tij të fuqishme. Mos hani bukë të mbrujtur, 4 sepse sot, në muajin e Abibit, po dilni nga Egjipti. 5 Mbaje këtë rit në këtë muaj edhe kur Zoti të të çojë në tokën e kananitëve, hititëve, amoritëve, hivitëve dhe jebusitëve, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, të cilën u zotua t'ua japë etërve të tu. 6 Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme dhe ditën e shtatë do të kremtosh për nder të Zotit. 7 Për shtatë ditë të hahet bukë e ndorme. Të mos gjendet bukë e mbrujtur e tharm askund në vendin tënd. 8 Atë ditë do t'i thuash birit tënd: “Kjo bëhet për çfarë Zoti bëri për mua kur dola nga Egjipti”. 9 Mbaje këtë si shenjë në dorë e në ballë që ligji i Zotit të jetë gjithmonë në buzët e tua, sepse Zoti të nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme. 10 Mbaje këtë rregull në kohën e caktuar, vit pas viti.
11 Kur Zoti të të çojë në tokën e Kanaanit e të ta japë atë, ashtu siç t'u betua ty dhe etërve të tu, 12 kushtoji Zotit çdo fryt të parë të barkut. Çdo pjellë e parë e kafshëve që është mashkull do t'i përkasë Zotit. 13 Pjellën e parë të gomarit shpaguaje me dele. Nëse nuk e shpaguan, thyeja qafën. Do të shpaguash edhe tërë të parëlindurit meshkuj të bijve të tu.
14 Në të ardhmen, kur yt bir të pyesë për këtë rregull, thuaji: “Zoti na nxori nga Egjipti, nga vendi i skllavërisë, me dorë të fuqishme. 15 Kur faraoni këmbënguli që të mos iknim, Zoti vrau tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, si të kafshëve, edhe të njerëzve. Prandaj dhe unë ia flijoj Zotit çdo fryt të parë të barkut që është mashkull, por të parëlindurit e bijve të mi i shpaguaj”. 16 Mbaje këtë si shenjë në dorë e si shirita në ballë, sepse Zoti na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme».
Dalja nga Egjipti
17 Faraoni e la popullin të ikë, por Perëndia nuk u priu nëpër tokën e filistinëve, edhe pse ishte më afër, sepse tha se po të përballej me luftë, populli do të pendohej e do të kthehej në Egjipt. 18 Kështu, Perëndia e solli popullin nëpër shkretëtirë drejt detit të Kuq dhe izraelitët marshuan prej Egjiptit në formacion lufte. 19 Moisiu mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse ky u kishte kërkuar bijve të Izraelit të betohen kur u kishte thënë: «Perëndia me të vërtetë do të kujtohet për ju. Kur të ndodhë kjo, m'i merrni me vete eshtrat». 20 Pasi u larguan nga Sukoti, izraelitët fushuan në Etam, buzë shkretëtirës. 21 Gjatë ditës, Zoti u printe përpara me një shtyllë reje për t'u treguar udhën, ndërsa gjatë natës u printe me një shtyllë zjarri për t'u dhënë dritë, që izraelitët të udhëtonin ditë e natë. 22 Shtylla e resë dhe ajo e zjarrit ishin gjithmonë përpara popullit, ditë e natë.
1 Edhe Zoti i foli Moisiut, tuke thënë: 2 Shënjtëro për mua çdo dialë të parë, që hap çdo shtrat (barku) ndërmest të bijet Israilit, që nga njeriu, gjer mbë bagëtit, ky (ësht’) imi.
3 Edhe Moisiu i tha gjëndëjes: Kijeni ndër mënt këtë ditë, që dualltë nga Egjyptëria, nga shtëpia e shërbesësë, sepse Zoti u nxori juve së andejmi me dorë të fortë, asndonjë të mos hajë të mbrume. 4 Sot delni ndë muajt të Abibit.
5 Zoti pra kur të bierë ty ndë dhe të Hanaanitëvet, e të Hittitëve, e të Amoritëve, e të Hivitëvet, e të Jebusitëve, për të cilinë u bëri be atëravet tu, se do ta apë ty, dhé që rrieth klumësht e mialtë, atëhere do të bënjç këtë lutëje mbë këtë muaj.
6 Shtatë dit ke për të ngrënë të pabrume, edhe të shtatënë ditë (do të jet’) e kremte për Zotinë.
7 Do të hanë të pabrume shtatë dit, edhe nukë do të duketë përanë teje e mbrume, as është për të dukurë përanë teje brumë mbë gjithë sinoret e tu,
8 edhe atë ditë do t’i apç zë tyt bir, e t’i thuash: (Këjo bënetë) për atë, (që) bëri Zoti tek unë, kur dolla nga Egjyptëria.
9 Edhe (këjo) do të jet’ edhe për ty për shenjë mbi dorënë tënde, edhe për kujtim ndërmest syvet tu, që të jetë nomi i Zotit ndë gojët tënde, sepse Zoti të nxori nga Egjyptëria me dorë të fortë.
10 Do të ruanjç këtë nom ndë kohë t’ati, për vit.
11 Edhe Zoti kur të siellë ty ndë dhet të Hanaanitëvet, sikundrë u përbetua mbë ty, edhe mbi atërit tu, edhe të ta apë ty, 12 atëhere do të ndanjç veç çdo kafshë që hap shtratin’ (e barkut), edhe çdo të piellë të parë të shtëzëvet (tua) sa ke, meshkujtë (do të jenë) të Zotit. 13 Edhe çdo polisht të parë gomareje do t’e shpërblenjç me qënq, edhe ndë mos (e) shpërblefsh, atëhere do t’i preç qafën’ ati, edhe çdo dialë të parë njeriu ndërmest të bijvet tu do t’e shpërblenjç.
14 Edhe ndë kohë që vien kur të pyesë ty yt bir, e të thotë: Ç’(është) këjo? T’i thuaç ati: Zoti na nxori nga Egjyptëria, nga shtëpia e shërbesësë, me dorë të fortë, 15 edhe Faraoni kur qëndronte që të mos na lij të delim, Zoti vrau çdo dialë të parë ndë Egjyptëri, që nga diali i parë i njeriut, gjer mbë të piellë të parë bagëtie, përandaj i bënj kurban Zotit çdo mashkull që hap shtratin’ (e barkut), edhe shpërblenj çdo dialë të parë nga bijt e mi. 16 Edhe (këjo) do të jetë për shenjë mbi dorënë tënde, edhe për ballicë ndë mest të syvet tu, sepse Zoti na nxori nga Egjyptëria me dorë të fortë.
17 Edhe Faraoni kur la gjëndëjenë të shkonte, Perëndia nuk’ u hoqi udhën’ atyre ndëpër dhet të Filistinëvet, ndonëse ishte më e shkurtërë, sepse Perëndia tha: Se mos pendonetë gjëndëja, e kthenetë ndë Egjyptëri, kur të shohë luftë. 18 Po Perëndia e pru rrotullë gjëndëjenë ndëpër udhët të shkretëtirësë nga Deti i Kuq, edhe të bijt’ e Israilit hipnë nga Egjyptëria mbë sërë.
19 Edhe Moisiu mori me vetëhe eshtërat’ e Josifit, sepse i kishte përbetuarë me be të bijt’ e Israilit, tuke thënë: Perëndia me të vërtetë do t’u vështronjë juve, edhe të merrni me vetëhe eshtërat’ e mia së këtejmi.
20 Edhe si u ngritnë prei Sukhothi, ngulnë ushtërinë ndë Etham, nga buzat’ e shkretëtirësë. 21 Edhe Zoti printe përpara atyreve ditënë, ndë shtyllë reje, që t’u hiqte udhënë; edhe natënë, ndë shtyllë zjarri, që t’u ndritte atyre, që të merrin’ udhë dit’ e natë. 22 Edhe nukë mërgonej nga syt’ e gjëndëjesë shtylla e resë ditënë, as shtylla e zjarrit natënë.