1 «Mba vesh, o qiell, se do të flas,
dëgjoji, o tokë, fjalët e gojës sime.
2 U derdhtë mësimi im si shiu,
pikoftë kumti im si vesa,
si pikëlimi mbi bar,
si rrebeshi mbi livadh.
3 Emrin e Zotit do ta shpall.
Madhërojeni Perëndinë tonë!.

4 Shkëmb ai, të përsosura veprat e tij,
të drejta të gjitha udhët e tij.
Perëndi besnik, në të nuk ka padrejtësi.
I drejtë e i vërtetë është ai.
5 Kjo brezni e shthurur dhe e mbrapshtë mëkatoi kundër tij
e për faj të vet bij të tij nuk janë.
6 A kështu ia shpërblen Zotit,
o popull i marrë e i pamend?
A s'është ati yt, që të krijoi,
ai që të bëri e të themeloi?
7 Kujto kohët e moçme,
shqyrto vitet e breznive të hershme,
pyet tët atë e ai do të të tregojë,
pyet pleqtë e ata do të të rrëfejnë.
8 Kur i Tejlarti u dha kombeve trashëgimi,
kur njerëzimin ai e ndau,
kufijtë e popujve i caktoi,
sipas numrit të bijve të Izraelit.
9 Pjesë e Zotit është populli i tij,
Jakobi, trashëgimia e tij.

10 E gjeti në një vend të shkretë,
në një djerrinë ku humbëtira jehon.
E përqafoi e për të u kujdes,
e ruajti si beben e syrit.
11 Porsi shqiponja që folenë vrojton,
e mbi zogjtë e saj flatron.
Zoti krahët i shtriu, e kapi,
e mbi vete e mbarti.
12 I vetëm Zoti e udhëhoqi,
asnjë perëndi i huaj nuk ishte me të.
13 E vuri të kalërojë mbi bjeshkët e dheut
e prodhime fushe ai hëngri.
E mëkoji me mjaltë prej shkëmbi,
me vaj prej shkrepit të strallit,
14 me gjalpë gjedhi e qumësht dhensh,
me dhjamë qengjash e deshësh,
me qe Bashani e cjep,
bashkë me drithë të përzgjedhur.
Gjak rrushi, ti porsi verë pive.
15 Por Jeshuruni u majm e hodhi vickla,
u majm, u dend e u trash,
harroi Perëndinë që e krijoi,
përçmoi shkëmbin që e shpëtoi.
16 E bënë xheloz, me hyjni të huaja,
me poshtërsi e ngucën.
17 U kushtuan fli djajve e jo Perëndisë,
perëndive që s'i njihnin,
perëndive të sapoardhur,
që as etërit tuaj nuk i kishin frikë.
18 Shkëmbin që të lindi e harrove,
e le mënjanë Perëndinë që të dha jetë.

19 Zoti e pa dhe i përbuzi,
se e ngucën bijtë e bijat e veta.
20 “Do ta fsheh fytyrën”, tha,
“Do të shoh ç'fund do të kenë,
se janë brezni e mbrapshtë,
fëmijë të pabesë.
21 Me perëndi të paqena më bënë xheloz,
me kotësi më ngucën.
Ndaj dhe unë, xhelozë do t'i bëj,
me një popull të paqenë,
e me një komb të pamend do t'i nguc.
22 Se flakë m'u ndez zemërimi,
flakë që djeg skëterrën thellë,
që përzhit tokë e fryt,
që me themel malet i shkrumbon.
23 Me ligësi do t'i kaploj,
shigjetat mbi ta do t'i shteroj.
24 Do të veniten nga uria,
do të sharrojnë nga murtaja
e nga i hidhuri shfarim.
Do të çoj bisha për t'i shqyer me dhëmbë,
bashkë me helmin e zvarritësit të pluhurit.
25 Do t'i grijë përjashta shpata
e brenda lemeria,
të riun, edhe vashën,
foshnjën bashkë me burrin plak.
26 Copë-copë, thashë t'i bëja,
fshirë nga kujtesa e njerëzve,
27 por druaj se armiqtë do të mburreshin,
do të gënjeheshin kundërshtarët e do të thoshin:
‘Dora jonë, ajo ngadhënjeu,
të gjitha këto nuk i bëri Zoti’”.

28 Popuj ku arsyeja ka marrë fund,
ku gjykimi s'ka më vend.
29 Në ishin të urtë, do ta kuptonin,
do ta merrnin vesh fundin që i pret.
30 Si mundet njëri të ndjekë një mijë
e dy të zmbrapsin mijëra,
po mos qe Shkëmbi që i shiti,
Zoti që i dorëzoi?
31 Se shkëmbi i tyre s'është si i yni,
kështu mendojnë edhe armiqtë tanë.
32 Hardhia e tyre, hardhi Sodome,
prej vreshtave të Gomorrës.
Rrushi i tyre, rrush helmi,
vilet të hidhura i kanë.
33 Vera e tyre, vrer gjarpërinjsh,
helm i tmerrshëm shlligash.

34 A nuk i kam ruajtur këto pranë vetes,
a nuk i kam kyçur në visaret e mia?
35 Derisa të vijë dita e hakmarrjes dhe e shpagimit,
derisa këmba t'u rrëshqasë,
se afër është dita e shkatërrimit,
fati i tyre shpejt nxiton.

36 Zoti do të bëjë drejtësi për popullin e tij,
do të ketë dhembshuri për shërbëtorët e tij,
kur të shohë se e lanë fuqitë
e se s'ka më rob e të lirë.
37 Veçse ai do të thotë:
“Ku janë perënditë e tyre,
shkëmbi ku kërkonin strehë,
38 ata që hëngrën dhjamin e flijuar
dhe pinë verën e blatuar?
Të ngrihen, pra, e t'ju shpëtojnë,
ata t'ju strehojnë”.

39 Shikoni, pra, se unë
e vetëm unë jam Perëndi,
e krah meje s'ka tjetër.
Unë vras e kthej në jetë,
unë gjymtoj e shëroj.
Prej meje s'ka kush të të shpëtojë.
40 Dorën ngre drejt qiellit e betohem:
“Pasha jetën time të amshuar,
41 do ta mpreh shpatën që vezullon,
do ta rrokë dora ime gjykimin,
do t'u hakmerrem armiqve,
e hasmit do t'ia shpërblej.
42 Me gjak do t'i deh shigjetat e mia,
me mish shpatën do ta ngop,
me gjakun e të vrarëve e të robërve,
me kokat e prijësve armiq”.

43 Ngazëlloni, o kombe, me popullin e tij,
se e shpagoi gjakun e shërbëtorëve të tij,
kundërshtarëve ua shpërbleu,
e shleu tokën e popullit të tij».
44 Atëherë Moisiu shkoi bashkë me Hosenë, birin e Nunit dhe këndoi të gjithë këtë këngë, që populli ta dëgjonte. 45 Kur e mbaroi këngën para gjithë Izraelit, 46 Moisiu u tha: «Thadrojini në zemër të gjitha këto fjalë që unë po i dëshmoj sot kundër jush. Urdhërojini fëmijët, që t'i mbajnë e zbatojnë të gjitha fjalët e këtij ligji, 47 sepse nuk janë të kota. Falë kësaj fjale do të jetoni e do të rroni gjatë në tokën që do të trashëgoni përtej Jordanit».
Vdekja e Moisiut
48 Po atë ditë Zoti i tha Moisiut: 49 «Ngjitu në malin Abarim, në malin Nebo që është në tokën e Moabit, përballë Jerikosë e shikoje tokën e Kanaanit që po u jap izraelitëve për ta pushtuar. 50 Do të vdesësh në malin ku do të ngjitesh. Atje do të bashkohesh me të parët e tu, siç vdiq Aroni në malin Hor e u bashkua me të parët e vet. 51 Ju u treguat të pabesë ndaj meje, në mes të izraelitëve, tek ujërat e Meribë Kadeshit, në shkretëtirën e Cinit, se nuk më shenjtëruat në mes të izraelitëve. 52 Do ta shohësh tokën nga larg, por nuk do të hysh në të, në vendin që unë po u jap izraelitëve».
1 Mba vesh, o qiell, se do të flas; edhe le të dëgjonjë dheu fjalët’ e golësë s’ime.
2 Mësimi im do të pikonjë posi shiu, fjala ime do të sbresë posi vesa, Posi pika e shiut mbi barin’ e ngjomë, edhe posi shiu mbi bart,
3 Sepse do të lëvdonj emërin’ e Zotit: epini madhërinë Perëndisë t’ënë.
4 (Ay është) Shkëmbi, punët’ e atij janë të kulluara, sepse gjith’ udhët’ e atij (janë) gjyq; Perëndi besëtar, edhe s’ka paudhëri tek ay; ay ësht’ i vërtetë e i dëreitë.
5 Këta u prishnjë, (njolla) e atyre nuk’ (është njoll’) e të bijet atij, është bres dredharak e i shtrëmburë.
6 A me të tilla shpaguani Zonë, o gjëndëje e marrë edhe pa mënt? A nuk’ ësht’ ay yt-atë, që të shpërbleu? Ay që të gatoi, e të dha fytyrënë?
7 Kujto dit e lashta, kujto viet e të shumë brezavet. Pyet t’ët-atë, edhe ay do të t’apë zë; (pyet) pleqt’ e tu, edhe ata do të të thonë:
8 Kur ndau kombat’ i Larti, kur përndau të bijt’ e Adhamit, Nguli sinoret’ e gjëndëjevet pas numërit të bijet Israilit.
9 Sepse piesa e Zotit (është) gjëndëja e atij, Jakovi ësht’ an’ e trashëgimit atij.
10 Gjeti atë ndë dhe të shkretë, edhe ndë shkretëtirë frike e psherëtimi. I hoqi udhën’ atij rreth e rrotullë, e stërviti atë, e ruajti atë posi dritën’ e syrit tij.
11 Posi shqipeja që mbulon folen’ e saj, përmbëleth zoqt’ e saj, Tuke ndejturë krahat’ e saj, i merr e i ngre mbi krahat të saj,
12 (Kështu) Zoti vetë i hoqi udhën’ atij, edhe s’ish bashkë me atë perëndi i huajë.
13 I hipi ata mbë më të mirat anët’ e dheut, edhe hëngrë drithin’ e aravet. Edhe u dha atyre të pininë mjaltë nga shkëmbi, edhe val nga guri i ashpërë,
14 Gjalpë lopësh, e klumësht dhënsh, me dhiamë shqerash, e deshësh të ushqyerë nga Bashana, e cjepësh, Bashkë me ballin’ e grurit sgjedhë, edhe pive verë, gjak rrushi.
15 Edhe Jeshuruni u mëjti, edhe hodhi me shqelm; u mëjte, e sgjërove, e zure dhiamë; Atëherë harroi Perëndinë që e gatoi, edhe hodhi tej Shkëmbin’ e shpëtimit tij.
16 E dhesnë ndë zëli me (perëndira) të huajë, e dhesnë ndë zëmërim me (punëra) të ndyra.
17 U bënë kurban djajet, jo Perëndisë, perëndirave që nuk’ i dininë, (perëndirave) të rij futurë rishtazi, të cilëtë nuk’ i lutin’ atëritë tuaj.
18 Hoqe dorë nga Shkëmbi që të polli, edhe harrove Perëndinë që të gatoi.
19 Edhe Zoti pa, edhe ktheu faqenë mbë-nj’-anë (nga ata), sepse e zëmëruanë të bijt’ e atij, e të bilat’ e atij.
20 Edhe tha: Do të kthenj faqenë t’ime mbë-nj’-anë nga ata, do të shoh ç’(do të jetë) fundi i atyre, Sepse ata janë bres i shtrëmburë, bij që nukë (kanë) besë.
21 Ata më dhesnë ndë zëli me (ç’nuk’ është Perëndi), më zëmëruanë me idhullat’ e atyre; Edhe unë do t’i dhes ata ndë zëli me ç’(nukë janë) gjëndëje, do t’i dhes ata me një komp të marrë,
22 Sepse u dhes zjarr ndë zëmërim t’im, edhe do të digjetë gjer mb’ anë të poshtra të hadhit, Edhe do të diegë dhenë bashkë me drithin’ e atij, edhe do të dhezë flakë themelit’ e malevet.
23 Do të grumbullonj mbi ata të këqia, do të derth gjithë shëgjetat’ e mia mbi ata.
24 Do të tretenë nga uria, e do të hahenë me sëmundëje flake, e me prishëje të hidhurë. Edhe do të dërgonj mbi ata dhëmbë bishash, e vërer shtërpinjsh mbi dhet.
25 Jashtazi thikë, e përbrëndazi drithtim do të prishnjë edhe dialoshinë edhe vashëzënë, foshnjenë që pi sisë, edhe plakunë me qime të bardha.
26 Thashë: Do t’i përndanjam ata, do të shuanjam emërin’ e atyreve nga mezi i njerëzet.
27 Ndë mos kishnjam frikë zëmërimin’ e arëmikut, mbase mos mbahenë mbë të math arëmiqt’ e atyre, E thonë: Nuk’ i bëri Zoti këto të gjitha, po dora jonë e larta.
28 Sepse është komb’ i marrë, edhe ata s’kanë mënt.
29 Makar t’ishinë t’urtë, të kupëtoninë këtë, të mëndoninë të pastajmen’ e tyre!
30 Një (njeri) qysh munt të ndiqte një milë veta, edhe dy (veta) të thyeninë dhietë milë veta, Ndë qoftë se nuk’ i shiste Shkëmbi i atyreve, edhe nuk’ i epte ndë dorë ata Zoti?
31 Sepse shkëmbi i atyreve nuk’ (është) si Shkëmbi ynë, edhe ata arëmiqtë t’anë le të gjukonjënë.
32 Sepse nga vëreshti i Sodhomëvet (është) vëreshti i atyreve, edhe nga arat’ e Gomorësë. Rrushi i atyre është rrush t’amblëthi, edhe bistakët’ e atyreve janë të hidhurë;
33 Vera e atyreve (është) helëm drangonjsh, edhe vërer aspidhe i pashëruarshim.
34 A nuk’ është mbuluarë këjo tek unë, mbyllurë ndër thesarët e mi?
35 Ndë dorët t’ime (është) të marrët’ e pagësë, edhe të dhënët’ e pagësë, këmb’ e atyreve do të shkasë ndë kohët. Sepse dita e prishëjes’ atyre (ësht’) afërë, edhe ato që do të bënenë shpejtonjënë të vinjënë mbi ata.
36 Sepse Zoti do të gjukonjë gjëndëjen’ e tij, edhe do të pendonetë për shërbëtorët’ e tij, Kur të shohë se humbi fuqia e atyre, edhe nukë mbeti gjë ruajturë, as lënë.
37 Edhe do të thotë: Ku janë perëndirat’ e atyreve, shkëmbi që kishinë shpëresën’ e atyre mb’ atë?
38 Të cilëtë haninë dhiamët’ e kurbanevet atyre, edhe pininë verën’ e kurban-derdhëjevet atyre? Le të ngrihenë, e le t’u ndihënë juve, le t’u bënenë mbulesë juve.
39 A e patë tashi se unë, unë jam, edhe nuk’ është Perëndi përveç meje. Unë vras, edhe ap jetë, unë plagos, edhe shëronj, Edhe s’ka kush ta shpëtonjë nga dora ime.
40 Sepse unë ngre dorënë t’ime ndë qiell, e them: Rronj unë ndë jetët të jetëvet.
41 Ndë prehsha thikënë t’ime që vetëtin, edhe ndë vufsha dorënë t’ime ndë gjyq, Do të marr shpagim nga arëmiqt’ e mi, edhe do t’ua shpaguanj atyre që më mërzitnjënë.
42 Do të dej shëgjetat’ e mia me gjak, edhe thika ime do të hajë mishra, Nga gjaku i të vraret e të skllavosuret, nga kryet’ e të parëvet arëmiqet.
43 Gëzohi, o komba, bashkë me gjëndëjen’ e atij, sepse do të marrë shpagim për gjakun’ e shërbëtorëvet tij. Edhe do t’u apë shpagim kundrështarëvet tij, edhe do të qëronjë dhen’ e tij, (edhe) gjëndëjen’ e tij.
44 Edhe Moisiu erdhi, e foli gjithë fjalët’ e kësaj kënke për të dëgjuarë gjëndëja, ay, edhe Jisui i biri i Naviut.
45 Edhe Moisiu mbaroi së foluri gjithë këto fjalë ç’do Israili. 46 Edhe u tha atyre: Vëri zëmëratë tuaja ndër gjith’ ato fjalë që po u deshmoj juve unë sot, për të cilatë të porositni djemtë tuaj të kenë kujdes të bënjënë gjithë fjalët’ e këtij nomi. 47 Sepse këjo nuk’ është fjal’ e kotë ndër ju, sepse këjo është jeta juaj, edhe prej kësaj fjale do të kini dit të gjata mb’ atë dhe që po kapërceni Jordhaninë për të trashëguar’ atë.
48 Edhe Zoti i foli Moisiut po atë ditë, e i tha:
49 Hip ndë këtë mal të Abarimit, ndë malt të Neboit, që është ndë dhet të Moabit, kundrej Jerihosë, edhe vështro dhen’ e Kanaanësë, që u ap të bijet Israilit për të pushtuarë, 50 edhe vdis nd’ atë mal, që hipën, edhe përmbëlidhu ndë gjëndëjet tënde, posi yt-vëlla Aaroni që vdiq ndë malt të Horit, edhe u përmbëloth ndë gjëndëjet të tij, 51 sepse fëlyetë kundrë meje ndë mest të bijet Israilit ndër ujërat të Meribah-Kadeshit, ndë shkretëtirët të Zivit, sepse nukë më shënjtëruatë ndë mest të bijet Israilit, 52 përandaj do të shohç dhenë përkundrej, po nukë do të hynjç atie, nd’ atë dhe që u ap të bijet Israilit.