Rrobat e priftërinjve
1 Rrobat për të shërbyer në shenjtërore u endën me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Rrobat e shenjta të Aronit u bënë siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. 2 Efodi u bë me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 3 Pllakat e arit i farkëtuan hollë dhe i prenë në shirita që t'i thurnin me mjeshtëri me pëlhurën e lirit dhe me fijet ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 4 Pastaj bënë dy suporet dhe i lidhën në të dyja anët e efodit. 5 Rripi mbi efod u punua nga e njëjta copë dhe me të njëjtat materiale si efodi. Ai u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur, ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
6 Pastaj punuan gurët e oniksit. I përshkuan me filigran të artë dhe i gdhendën me emrat e bijve të Izraelit. 7 I vendosën mbi suporet e efodit, siç Zoti e urdhëroi Moisiun, që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit.
8 Pastaj qëndisi parzmoren me mjeshtëri siç qëndisi dhe efodin. Ajo u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 9 Parzmoren e palosën më dysh dhe e bënë katrore, një pëllëmbë të gjatë e një pëllëmbë të gjerë. 10 Në të vunë katër radhë me gurë të çmuar. Në radhën e parë vunë rubin, topaz dhe smerald. 11 Në radhën e dytë vunë granat, safir dhe diamant. 12 Në radhën e tretë vunë hiacint, kalcedon dhe ametist. 13 Në radhën e katërt vunë topaz, oniks dhe diaspër. Gurët e çmuar u përshkuan me filigran të artë. 14 Gjithsej ishin dymbëdhjetë gurë të çmuar sipas bijve të Izraelit. Emri i çdo fisi u gdhend mbi çdo gurë. 15 Parzmores i bënë varëse të gërshetuara prej ari të pastër. 16 Pastaj bënë dy filigranë e dy rrathë të artë. Rrathët i vunë në të dyja anët e parzmores 17 dhe në to mbërthyen të dyja varëset e arta. 18 Dy anët e tjera të varëseve i mbërthyen te dy filigranët dhe i lidhën me suporet e efodit me krah përpara. 19 Bënë dy rrathë të artë dhe i vendosën në të dyja cepat e parzmores, në anën e brendshme të saj, përballë efodit. 20 Bënë edhe dy rrathë të tjerë të artë dhe i vendosën përpara efodit, në fund të suporeve, pranë vendit ku ato puqen, sipër rripit të efodit. 21 Pastaj i lidhën rrathët e parzmores me ato të efodit me një shirit ngjyrë vjollcë që parzmorja të ishte sipër rripit dhe të mos lëvizte prej efodit. Ato u bënë siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
22 Petku poshtë efodit u end i tëri me pëlhurë ngjyrë vjollcë. 23 Në mes të saj u hap një grykë porsi jakë. Ajo u qep përreth me një buzë që të mos grisej. 24 Në fund të petkut punuan shegë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur e të dredhur. 25 Pastaj bënë këmbanëza me ar të pastër dhe i varën rreth e qark fundit të petkut, ndërmjet shegëve. 26 Ato u varën me radhë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun, një këmbanëz e një shegë rreth e qark fundit të petkut që përdorej për shërbesë.
27 Pastaj punuan për Aronin e bijtë e tij tunikat prej liri, 28 kësulën dhe kësulëzat prej liri, mbathjet e linjta të tjerrë hollë 29 dhe brezin prej liri të tjerrë hollë që u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Ato u bënë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
30 Pastaj bënë pllakëzën e kurorës së shenjtë me ar të pastër dhe në të gdhendën: «I shenjti i Zotit». 31 E lidhën mbi kësulë me një shirit ngjyrë vjollcë ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun.
Përfundimi i tendës
32 Kështu, u përfunduan tërë punët e tendës, tendës së takimit. Izraelitët bënë gjithçka ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. 33 Atëherë ia paraqitën tendën Moisiut: tendën me tërë pajisjet përkatëse, grremçat, dërrasat, traversat, shtyllat, bazat; 34 mbulesën me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, mbulesën me lëkurë të çmuar e velin që ndan; 35 arkën e dëshmisë bashkë me shufrat e pajtimoren; 36 tryezën bashkë me tërë enët përkatëse e bukën e paraqitjes; 37 shandanin prej ari të pastër bashkë me llambat e renditura, enët përkatëse e vajin për ndriçim; 38 altarin prej ari bashkë me vajin për vajosje e temjanin erëkëndshëm; perden e hyrjes së tendës; 39 altarin prej bronzi bashkë me skarën prej bronzi, shufrat e enët përkatëse; legenin bashkë me bazën; 40 pëlhurat e oborrit bashkë me shtyllat, bazat, perden e hyrjes, litarët, kunjat e tërë pajisjet për ndërtimin e tendës, tendës së takimit; 41 dhe rrobat e endura që përdoren për të shërbyer në shenjtërore, rrobat e shenjta të priftit Aron e rrobat e bijve të tij që shërbejnë si priftërinj.
42 Izraelitët i bënë tërë punimet ashtu siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. 43 Moisiu i kontrolloi tërë punimet dhe, ja, pa që ishin bërë ashtu siç kishte urdhëruar Zoti dhe Moisiu i bekoi.
1 Edhe nga e qielluarta, e e porfyrta, e e kuqeja, bënë rrobat’ e punësë lutëjesë, për të bërë punën’ e lutëjesë ndë vënt të mirë, edhe bënë rrobat’ e shënjtëruara për Aaroninë, sikundrë Zoti urdhëroi Moisinë.
2 Edhe bëri efodinë prei ari, e të qielluarte, e të porfyrte, e të kuqeje, e vishnje të dredhurë. 3 Edhe rrahnë arinë (edhe e bënë) peta të holla, edhe (e) prenë fije fije, që t’e punoninë për të qielluartënë, e për të porfyrtënë, e për të kuqenë, e për vishnjenë me punë mieshtërie. 4 Bënë copat’ e supevet të piekura për atë, piekurë mbë të dy çipet e ati. 5 Edhe brezi i qendisurë i efodit mbi atë ishte prei aso gjëje, pas punës’ ati, prei ari, (e) prei të qielluarte, e të porfyrte, e të kuqeje, e vishnjeje të dredhurë, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti. 6 Edhe punuanë gurët’ e thonjtë ngulurë ndë shtëpiza t’arta, gërvishturë, sikundrë gërvishten’ unazatë, me emërat’ e të bijet Israilit. 7 Edhe i vunë mbi copat të supevet efodit, gurë që të përmëndenë të bijt’ e Israilit, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti.
8 Edhe bëri rrasën’ e krahërorit (me) punë mieshtërie, pas punës’ efodit, prei ari, (e) prei të qielluarte, e të porfyrte, e të kuqeje, e vishnjeje të dredhurë. 9 Ishte me katrë çipe, dy piesësh bënë rrasën’ e krahërorit një pëllëmbë të gjatë, e një pëllëmbë të gjerë, dy piesësh. 10 Edhe ngulnë nd’atë katrë sërë gurësh, sërën’ e sardhit, (e) topazit, e smaragdhësë; këjo (ishte) sër’ e parë. 11 Edhe e dyta sërë, thëngjillës, (e) sapfirë, e dhiamant. 12 Edhe e treta sërë, ligjyrë, (e) agatë, e amethystë. 13 Edhe e katrëta sërë, veryllë, (e) thonjës, e jaspidhë; (këta ishinë) ngulurë ndë shtëpiza t’arta ndë të mbyllurat të tyre. 14 Edhe gurët’ ishinë pas emërash të bijet Israilit, dymbëdhietë, pas emërash atyre, (pas) të gërvishturit unazësë, gjithësecili me emërin’ e ti, pas të dymbëdhietë faravet. 15 Edhe mbi rrasët të krahërorit bënë vargje ndëpër çipet, punuarë me gërshet prei ari të këthiellëtë.
16 Edhe bëri dy shtëpiza t’arta, e dy rrathë t’artë, edhe i shkuanë ndëpër të dy rrathët mbë të dy çipet të rrasësë krahërorit.
17 Edhe shkuanë të dy vargjet’ e artë të gërshetuarëtë, ndëpër të dy rrathët që (ishinë) mbë çipet të rrasësë krahërorit. 18 Edhe poqnë të dy çipet’ e vargjevet gërshetuarë me të dy shtëpizat, edhe i vunë mbi copat të supevet efodit, mbë faqet parë. 19 Edhe bënë dy rrathë t’artë, e (i) vunë mbi të dy çipat të rrasësë krahërorit, ndë buzët t’ati, që (ishte) përbrënda nga ana e efodit. 20 Edhe bënë dy rrathë t’artë e i vunë ndë të dy ijet t’efodit përposh, mbë faqet të parë, kundruell së piekurës’ ati, përmbi brest të qendisurë të efodit. 21 Edhe lithnë rrasën’ e krahërorit me rrathët’ e ati ndëpër rrathët të efodit me oviskë të qielluartë, që të jetë përmbi brezin’ e qendisurë të efodit, edhe të mos jetë ndarë rrasa e krahërorit nga efodi, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti.
22 Edhe bëri sharkën’ e efodit, të endurë, të gjithë prei të qielluarte. 23 Edhe (kishte) grykë ndë mest të sharkësë, posi grykë thurakeje, (me) oviskë përqark grykësë, (që të) mos çirei. 24 Edhe mbi pëqinjt të sharkësë bënë shegë, prei të qielluarte, (e) të porfyrte, e të kuqeje, (e vishnje) të dredhurë. 25 Edhe bënë këmborëza prei ari të këthiellëtë, edhe vunë këmborëzatë ndërmest të shegëvet mbi pëqin’ e sharkësë, rreth e rrotullë ndërmest të shegëvet, 26 një këmborëzë e një shegë, një këmborëzë e një shegë, rreth e rrotullë mbi pëqinjt të sharkësë punësë lutëjesë, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti.
27 Edhe bënë rrobatë prei vishnje, të endura për Aaronin’ edhe për të bijt’ e ati, 28 edhe mitrënë prei vishnjeje, edhe mitrat’ e vogëla stolisurë prei vishnjeje, edhe brekët’ e linta prei vishnjeje të dredhurë, 29 edhe brezinë prei vishnjeje të dredhurë, e të qielluarte, e të porfyrte, e të kuqeje, punuarë gërshet, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti.
30 Edhe bënë petullën’ e kurorësë shënjtëruarë prei ari të këthiellëtë, edhe gërvishtnë mbi atë shkronja (posi) të gërvishtur’ unaze, Shënjtërimmbë Zonë . 31 Edhe lithnë nd’atë një oviskë të qielluartë, që t’(e) mbëlidhinë së sipërmi mbi mitrënë, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti.
32 Kështu u mbarua gjithë puna e tendësë përmbëledhëjesë, edhe të bijt’ e Israilit bënë gjithë sa urdhëroi Moisinë Zoti, kështu bënë.
33 Edhe prunë tendënë te Moisiu, tendën’ edhe gjith’ enët’ e asai, peronat’ e asai, dërrasat’ e asai, shulet’ e asai, e shtyllat’ e asai, e shtresat’ e asai,
34 edhe mbulesënë që (ishte) prei lëkurash deshësh ngjyerë të kuqe, edhe mbulesën’ e sipërme që (ishte) prei lëkurash çakajsh, 35 edhe kurtinënë për të mbuluar’ arkën’ e deshmimit, e shulet’ e asai, e shpërblimtorenë,
36 truvezënë, gjith’ enët’ e asai, e bukët’ e paravënësë, 37 kandilen’ e këthiellëtë, dritat’ e asai, dritatë pas sërës’ atyre, e gjith’ enët’ e asai, e valin’ e dritësë, 38 e thimiatarin’ e artë, e valinë për të lyerë, e thimiamënë me erë të mirë, e plafinë për derën’ e tendësë, 39 theroren’ e ramtë, e trirën’ e asai të ramtënë, shulet’ e asai, e gjith’ enët’ e asai, lanjëtorin’ edhe shtresën’ e ati, 40 kurtinat’ e oborrit, (e) shtyllat’ e ati, e shtresat’ e ati, e kurtinënë për derën’ e oborrit, litarët’ e asai, e hunjt’ e asai, edhe gjith’ enët e shërbesësë tendësë, për tendën e përmbëledhëjesë, 41 rrobat’ e punësë lutëjesë, që të bënjënë punën’ e lutëjesë ndë vënt të mirë, (edhe) rrobat’ e shënjtëruara për priftin’ Aaronë, edhe rrobat’ e të bijet ati, që të priftëroninë. 42 Gjithë sa urdhëroi Moisinë Zoti, kështu bënë të bijt’ e Israilit, gjithë punënë. 43 Edhe Moisiu pa gjithë punënë, edhe na tek kishinë bërë atë sikundrë urdhëroi Zoti, kështu bënë, edhe Moisiu i bekoi ata.