Lindja e Isakut
1 Zoti e pa me sy të mirë Sarën ashtu siç i kishte thënë dhe bëri për të siç kishte premtuar. 2 Sara mbeti shtatzënë dhe i lindi Abrahamit një djalë në pleqëri, në po atë kohë që Perëndia i kishte thënë. 3 Birin që i lindi Sara, Abrahami e quajti Isak. 4 Kur u bë tetëditësh e rrethpreu ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. 5 Abrahami ishte njëqind vjeç kur i lindi Isaku, i biri. 6 Atëherë Sara tha: «Perëndia më bëri të qesh. Kush do të dëgjojë, do të qeshë me mua». 7 Ajo tha: «Kush do të mund t'i thoshte Abrahamit: “Sara do të mëndë fëmijë!”? Por, ja ku i linda një djalë në pleqëri».
Hagara dhe Ishmaeli
8 Djali u rrit dhe la gjirin e së ëmës. Kështu Abrahami bëri një gosti të madhe ditën kur Isaku la gjirin. 9 Kur Sara pa se biri që Hagara, egjiptiania, i lindi Abrahamit, po qeshej, 10 i tha Abrahamit: «Dëboje këtë skllave me të birin, pasi i biri i saj nuk do të jetë trashëgimtar bashkë me tim bir, Isakun». 11 Abrahamit i erdhi keq për djalin e tij, Ishmaelin. 12 Por, Perëndia i tha Abrahamit: «Mos të të vijë keq për djalin dhe për skllaven tënde. Dëgjoje Sarën në çdo gjë që thotë, sepse emrin tënd do ta mbajë Isaku. 13 Edhe prej birit të skllaves do të bëj një komb, sepse është fara jote». 14 Atëherë Abrahami u ngrit herët në mëngjes, mori bukë e një kacek me ujë e ia vuri në krahë Hagarës bashkë me djalin dhe i nisi. Ajo u largua e u end në shkretëtirën e Bershebës.
15 Kur mbaroi uji i kacekut e la djalin nën një shkurre, 16 u largua e ndenji larg, sa një e hedhur harku, e tha: «Nuk e shoh dot djalin duke vdekur!». Ajo ndenji përballë tij e qau me dënesë. 17 Perëndia e dëgjoi zërin e djalit dhe engjëlli i Perëndisë e thirri Hagarën nga qielli e i tha: «Çfarë ke Hagarë? Mos ki frikë, se Perëndia e dëgjoi zërin e djalit prej vendit ku është. 18 Ngrihu, merre djalin e mbaje për dore, sepse prej tij do të bëj një komb të madh». 19 Atëherë Perëndia ia hapi sytë e ajo pa një burim. Shkoi, mbushi kacekun e ujit e i dha për të pirë djalit.
20 Perëndia ishte me djalin. Ai u rrit, banoi në shkretëtirë e u bë harkëtar. 21 Ai banoi në shkretëtirën e Paranit dhe e ëma i gjeti një grua egjiptiane.
Besëlidhja e Abrahamit me Abimelekun
22 Në atë kohë, Abimeleku e Pikoli, prijësi i ushtrisë së tij, i thanë Abrahamit: «Perëndia është me ty në çdo gjë që bën. 23 Betohu, pra, në emër të Perëndisë se nuk do të më mashtrosh as mua, as fëmijët e mi e as pasardhësit e mi. Por ashtu siç unë t'u tregova mirëdashës, ashtu edhe ti do të veprosh me mua e me vendin në të cilin banon si i huaj». 24 Abrahami tha: «Betohem!».
25 Pastaj Abrahami iu ankua Abimelekut për një pus që ia kishin marrë shërbëtorët e Abimelekut. 26 Abimeleku i tha: «Nuk e di kush e ka bërë këtë gjë. Ti nuk më ke treguar e unë nuk kisha dëgjuar gjë deri më sot». 27 Atëherë Abrahami mori dhen e qe, ia dha Abimelekut e të dy lidhën besën. 28 Abrahami vuri mënjanë shtatë rrunëza të kopesë. 29 Abimeleku i tha Abrahamit: «Përse i vure mënjanë këto shtatë rrunëza?». 30 Ai i tha: «Këto shtatë rrunëza do t'i marrësh prej meje si dëshmi që e hapa unë këtë pus». 31 Prandaj ai vend u quajt Bershebë pasi atje u betuan të dy. 32 Pasi lidhën besën në Bershebë, Abimeleku e Pikoli, prijësi i ushtrisë së tij, u ngritën e u kthyen në vendin e filistinëve. 33 Abrahami mbolli në Bershebë një pemë bruke e atje thirri emrin e Zotit, Perëndisë së amshuar. 34 Abrahami banoi si i huaj në vendin e filistinëve për një kohë të gjatë.
1 Edhe Zoti erdhi e pa Sarrënë, sikundrë pat thënë, edhe Zoti i bëri Sarrësë sikundrë i pat folë. 2 Edhe Sarra u mbars, e i polli Avraamit dialë, ndë pleqëri t’ati, mb’atë kohë që i pat thënë ati Perëndia.
3 Edhe Avraami ja kluajti emërinë të birit, që i lindi ati, të cilinë ja polli ati Sarra, Isaak. 4 Edhe Avraami rrethpreu të birrë Isaakunë të tetënë ditë, sikundrë pat urdhëruar’ atë Perëndia. 5 Edhe Avraami (ishte) një qint vieç, kur i lindi Isaaku i biri ati.
6 Edhe Sarra tha: Perëndia më bëri të qesh, kush të dëgjonjë, do të qeshnjë bashkë me mua.
7 Edhe tha: Kush do t’i thoshte Avraamit, se do t’u epte sisë djemve Sarra? Sepse polla dialë ndë pleqërit t’ati.
8 Edhe çuni u rrit, edhe u cvorth, edhe Avraami bëri një gosti të madhe atë ditë që u cvorth Isaaku.
9 Edhe Sarra pa të birin’ e Agarës’ Egjyptkësë, që ja pat piellë Avraamit, tuke përqeshur (Isaakunë). 10 Edhe (ajo) i tha Avraamit: Dëbo këtë shërbëtorenë, edhe të birr’ e asaj, sepse s’ka për të trashëguar’ i biri kësaj shërbëtoreje bashkë me tem bir, Isaakunë. 11 Edhe këjo punë u duk fort e ashpërë ndër sy të Avraamit për të birrë. 12 Edhe Perëndia i tha Avraamit: Le të mos të duket’ e ashpërë ndër sy të tu për çuninë, edhe për shërbëtorenë tënde, edhe gjithë sa të thotë ty Sarra, ndëgjo fialët’ e asaj, sepse mbë Isaakunë do të kluhetë fara jote,
13 po edhe të bir’ e shërbëtoresë do t’e bënj komp, sepse është fara jote.
14 Edhe Avraami u ngrit shpejt ndë mëngjes, e mori bukë, edhe një calik me ujë, edhe ja dha Agarësë, e ja vuri mbë krahë, edhe dialënë, edhe e dëboi atë; edhe ajo iku tuke siellë andej e këtej ndë shkretëtirët të Beer-shebasë.
15 Edhe passi u mbarua ujëtë nga caliku, hodhi dialënë ndënë një shkurre, 16 edhe erdhi e ndenji kundruell, lark sa një të shtënë harku, sepse tha: Të mos shoh vdekëjen’ e dialit. Edhe ndenji kundruell, edhe ngriti zën’ e saj, e klau. 17 Edhe Perëndia i dëgjoi zënë dialit, edhe ëngjëlli i Perëndisë i thirri Agarësë nga qielli: Ç’ke, Agarë? Mos u frikëso, sepse Perëndia dëgjoi zën’ e dialit nga vëndi ku është, 18 ngreu, e merr dialënë, edhe mbaje për dore, sepse do t’e bënj atë komp të math. 19 Edhe Perëndia i hapi syt’ asaj, edhe kur pa një pus uji, vate e mbushi calikunë me ujë, edhe ja dha dialit e piu.
20 Edhe Perëndia ishte bashkë me dialënë, edhe u rrit, e ndenji ndë shkretëtirët, edhe u bë një harkuar. 21 Edhe ndenji ndë shkretëtirët të Paranit, edhe e ëma i mori grua nga dheu i Egjyptërisë.
22 Edhe nd’atë kohë Avimelehu, bashkë me Fihollinë kryeushtëtorin’ e fuqis’ ati, i foli Avraamit, tuke thënë: Perëndia (është) bashkë me ty mbë çdo punë që bën, 23 tashi pra bëmë be këtu te Perëndia, se nukë do të më gënjejsh mua, as tem bir, as tem nipër, (po) pas ati përdëllimit që të bëra, do të bënjç mbë mua, edhe mbë dhet që erdhe i huajë edhe ndenje. 24 Edhe Avraami tha: Unë do të bënj be.
25 Edhe Avraami qërtoi Avimelehunë për pusin’ e ujit, që rrëmbyenë shërbëtorët’ e Avimelehut. 26 Edhe Avimelehu tha: Nukë di kush e bëri këtë punë, edhe as ti nukë më dhe zë, edhe as unë nuk dëgjova, veçe se sot. 27 Edhe Avraami mori dhen, e qe, e ja dha Avimelehut, edhe të dy lithnë fialë.
28 Edhe Avraami vuri mbënjanë shtatë shqerra femëra nga tufa. 29 Edhe Avimelehu i tha Avraamit: Ç’janë këto shtatë shqerra femëra, që vure mbënjanë? 30 Edhe ay tha: Se (këto) shtatë shqerra femëra, do t’i març nga dora ime, që të jenë për dëshmi tek unë, se un’ e miha këtë pus. 31 Përandaj e kluajti atë vënt Beersheba, sepse të dy bënë be atie.
32 Edhe lithnë fialë ndë Beersheba. Edhe Avimelehu u ngrit, edhe Fiholli kryeushtëtori i fuqis’ ati, edhe u kthyenë ndë dhet të Filistejvet.
33 Edhe (Avraami) mbolli një pyll ndë Beersheba, edhe thërriti atie emërin’ e Zotit të përjetëshimit Perëndi. 34 Edhe Avraami erdhi i huajë edhe ndenji shumë dit ndë dhe të Filistejvet.