1 Mjerë ata që nxjerrin rregulla paudhësie
e shkruajnë ligje që përligjin shfryrëzimin,
2 për t'u shkelur të drejtën skamnorëve,
për t'u mohuar drejtësinë mjeranëve të popullit tim,
për t'i bërë vejushat prenë e tyre,
për t'i plaçkitur jetimët.
3 Ç'do të bëni ditën e ndëshkimit,
kur të vijë mjerimi prej së largu?
Te kush do të vraponi për ndihmë,
thesaret tuaja ku do t'i lini?
4 Sepse do të gjunjëzoheni mes të burgosurve
e do të bini ndër të vrarët.
E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit
e krahu i tij mbeti i shtrirë.
Profeci kundër Asirisë
5 Mjerë Asiria, thupra e zemërimit tim!
Në duart e saj është shkopi i furisë sime.
6 Kundër një kombi të pafe po e dërgoj,
kundër një populli, që më zemëron, e urdhëroj,
që ta plaçkitë e ta bëjë pre,
që ta shkelë me këmbë si baltën e rrugës.
7 Por ai nuk e mendon kështu,
në zemër sheston tjetër gjë,
ka vendosur të shfarosë,
të shuajë kombe jo të pakta.
8 E thotë: «A nuk janë prijësit e mi si mbretërit?
9 A s'është Kalnehu si Karkemishi?
A s'është Hamati si Arpadi?
Si Damasku a s'është Samaria?
10 Dora ime pushtoi mbretëritë idhujtare,
ndonëse idhujt e tyre ishin më të shumtë
se në Jerusalem e në Samari.
11 A nuk do t'ia bëj Jerusalemit e idhujve të tij
siç ia bëra Samarisë e idhujve të saj?».

12 E kur Zoti ta ketë përfunduar veprën e tij në malin e Sionit e në Jerusalem, do ta ndëshkojë krenarinë e zemrës së mbretit të Asirisë e vështrimin kryeneç të syve të tij, 13 se tha:
«Veprova me fuqinë e krahut tim,
me urtinë e mençurinë time.
Kufijtë mes popujve i zhduka,
thesaret e tyre i plaçkita,
si trim i plandosa ata që ulen ndër frone.
14 Dora ime i gjeti thesaret e popujve,
si të ishin në një fole zogjsh,
dhe siç mblidhen vezët e braktisura,
ashtu e mblodha botën mbarë.
Askush s'i hapi dot krahët për të fluturuar,
askush s'e hapi sqepin për të cicëruar».
15 A mburret sëpata para atij që me të pret?
A krenohet sharra para atij që e përdor?
A thua shufra e drejton atë që e mban në dorë,
apo shkopi e ngre lart atë që s'është prej druri?
16 Prandaj, Zoti, Zoti i ushtrive,
mes më të fortëve të tij plagë do të dërgojë,
atje ku kishte lavdi do të ndizet flaka,
do të djegë si zjarri përvëlues.
17 Drita e Izraelit do të jetë si zjarri,
i shenjti i Izraelit porsi flaka,
do të djegë e do të përpijë brenda ditës
shkurret e ferrat e tij.
18 Lavdisë së pyllit e të kopshtit të tij
do t'ia përpijë mishin e shpirtin,
si i sëmuri që lëngon për vdekje,
ashtu do të mbetet.
19 Do të mbesin aq pemë nga pylli i tij,
sa t'i numërojë edhe një fëmijë.

20 Atë ditë do të ndodhë që teprica e Izraelit dhe të mbijetuarit e shtëpisë së Jakobit nuk do të mbështeten më tek ai që i godiste, por do të mbështeten me besnikëri te Zoti, i shenjti i Izraelit. 21 Teprica, teprica e Jakobit, do të kthehet te Perëndia i fuqishëm. 22 E megjithatë, o Izrael, edhe nëse populli yt do të ishte si rëra e detit, vetëm teprica do të kthehej atje. Është vendosur shfarosja, që të shkojë në vend drejtësia. 23 Urdhrin e shfarosjes e dha Zoti, Zoti i ushtrive, dhe po e zbaton në mbarë vendin.
24 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: «Mos ki frikë prej Asirisë, o populli im, që banon në Sion. Njëmend do të të godasë me thupër e shkopin do të ngrejë mbi ty, ashtu si Egjipti, 25 por edhe pak e do të marrë fund, se zemërimi im do të ndizet flakë për t'i shkatërruar». 26 Mbi të Zoti i ushtrive do të ngrejë një fshikull, ashtu siç bëri kundër Midianit te shkëmbi i Orebit. Do ta lartësojë shkopin e tij mbi det, ashtu siç bëri në Egjipt.
27 E do të ndodhë atë ditë,
që barra e tij do të hiqet prej shpatullës sate,
zgjedha e tij prej qafës sate,
prej të majmurit do të thyhet zgjedha e tij.
28 Ia behu në Ajat,
nëpër Migron kaloi,
në Mikmas plaçkat shkarkoi.
29 Ja, tek përshkuan shtegun,
në Gebë po kalojnë natën,
Ramahu po dridhet,
Gibeahu i Saulit merr arratinë.
30 Gërthit sa të kesh zë, o bija e Galimit!
Dëgjo mirë, o Lajshah, përgjigju , o Anatot!
31 Madmenahu ka marrë arratinë,
banorët e Gebimit kanë ikur.
32 Po atë ditë do të qëndrojë në Nob
e do të tundë grushtin kundër malit të bijës së Sionit,
kundër kodrës së Jerusalemit.
33 Ja, Zoti, Zoti i ushtrive
me dhunë do t'i presë degët,
më të lartat do të priten,
majat do të shkurtohen.
34 Pyllin e dendur do ta presë me sëpatë,
Libani do të bjerë me gjithë madhështinë e tij.
1 Mjer ata që bënjënë gjyqe të paudhë, edhe ata shkronjësitë që shkruanjënë shtrëngim,
2 që të këthenjënë prapë të vobeknë nga gjyqi, edhe të rrëmbenjënë të dreitën’ e të vobegjet gjëndëjesë s’ime, që të bënenë të vatë për plaçkat’ e atyre edhe të sveshënë të varfëritë!
3 Edhe ç’do të bëni ndë ditët të vështruarit, edhe ndë prishëjet (që) do të vinjë prej së largu? Te cili do të shkoni për ndihmë? Edhe ku do të lini lavdinë tuaj,
4 përveç se do të kurrusenë ndër lidhëjet, edhe do të bienë ndënë të vrarët? Mbi gjithë këto zemërata e ati nuk’ u kthye, po dor’ e ati (është) ndejtur’ edhe më.
5 Mjer Asyriani, stapi i zemëratësë s’ime, ndonëse zemërata ime është frushkullë ndë dorët t’ati!
6 Do ta dërgonj atë mbë një komp hipokrit, edhe do t’i ap ati urdhër kuntrë gjëndëjesë zemëratësë s’ime, që të plaçkitnjë plaçka, edhe të bënjë rrëmullë, edhe t’i shkelë ata posi baltën’ e udhëvet.
7 Po ay nukë kupëton kështu, edhe zëmër’ e ati nuk mendonetë kështu, po (ay mendon) ndë zëmërët të ti të përmbysë e të prishnjë jo pak komba.
8 Përandaj thotë: “A nukë janë mbëretër gjithë të parët e mi?
9 A nuk’ (është) Kallna posi Karqemisha? A nuk’ (është) Hamatha posi Arpada? A nuk’ (është) Samaria posi Dhamaska?
10 Sikundrë dora ime gjeti mbëretërit’ e idhullavet, të cilavet idhullat’ e latuara (ishinë më të forta) se ato të Jerusalimësë e të Samarisë,
11 a s’kam për t’ja bërë kështu edhe Jerusalimësë idhullavet asaj, sikundrë ja bëra Samarisë edhe idhullavet asaj?”
12 Përandaj Zoti do të mbaronjë gjithë punën’ e ti ndë mal të Sionësë e ndë Jerusalimë, (thotë) do të mundonj pemën’ e zemërësë lartë të mbëretit Asyrisë, edhe madhështin’ e syve lartë.
13 Sepse thotë: “Me fuqin’ e dorësë s’ime bëra (këtë), edhe me diturinë t’ime, sepse jam i mençim; edhe ngrita vëndit sinoret’ e gjëndëjevet, edhe rrëmbeva thesarët’ e atyreve, edhe unja poshtë, posi i fortë, ata që rrininë (lart).
14 Edhe dora ime gjeti gjën’ e gjëndëjevet, posi fole, edhe sikundrë mbëleth ndonjë ve të lëna, (kështu) mbëlodha unë gjithë dhenë; edhe asndonjë nukë luajti krah, a hapi golë, a pështëllijti.”
15 A do të mburrej sëpata kundrë ati që e pret me atë? A do të mbahej mbë të math sharra kundrë ati që e luan atë? Posikur të ngrihej shkopi kundrë atyreve që e ngrenë atë, posikur të ngrinte vetëhen’ e ti stapi, (sikur të) mos (jetë) dru.
16 Përandaj Zoti, Zoti i ushtërivet, do të dërgonjë thatësirë te të majmit’ e ati, edhe ndënë lavdit t’ati do të dhizetë të nxëhëtë, posi të nxëhëtë zjarri.
17 Edhe drita e Israilit do të bënetë zjarr, edhe Shënjti i ati flakë, edhe do të diegë e do të hajë gjëmbat’ e ati e drizat’ e ati për një ditë;
18 edhe do të prishnjë lavdin’ e pyllit ati, edhe të fushës’ ati plot me pemë, që nga shpirti gjer ndë misht; edhe do të jenë posi ay që mba flamburënë kur i shuhetë zemëra.
19 Edhe ç’zë mbetetë nga drunjt’ e pyllit ati do të jenë të pakë, kaqë sa munt t’i shkruanjë një çun.
20 Edhe atë ditë, të mbeturit’ e Israilit, edhe ata që kanë shpëtuarë nga shtëpia e Jakovit, nukë do të mpshtetenë më mb’ atë që u ra atyre, po do të mpshtetenë mbë Zotinë, Shënjtin’ e Israilit, me të vërtetë.
21 Edhe ç’ka mbeturë do të këthenetë, të mbeturit’ e Jakovit, tek i forti Perëndi.
22 Sepse edhe ndë është gjëndëja jote, Israili, posi rëra e detit, të mbeturë nga ata do të këthenetë; të vdierrëtë që urdhërua do të vërshonjë me dreitëri.
23 Sepse Zoti Perëndia i ushtërivet do të bënjë të prishurë të urdhëruarë me të vërtetë, ndë mest të gjithë dheut.
24 Përandaj, kështu thotë Zoti Perëndia i ushtërivet: O gjëndëja ime, që rri ndë Sionë, mos u frikëso nga Asyriani; do të bierë me shkop, edhe do të ngrerë stapin’ e ti mbi ty pas mëndyrësë Egjyftërisë,
25 sepse edhe pak, edhe zemërata do të pushonjë; edhe zemërimi im (do të jetë) për prishëjen e atyreve.
26 Edhe Zoti i ushtërivet do të ngrerë mbi atë frushkullë, pas plagësë Madhiamësë, ndë shkëmp të Orebit; edhe (sikundrë u ngrit) shkopi i ati mbi det, kështu do t’e ngrerë atë pas mëndyrës’ Egjyftërisë.
27 Edhe atë ditë, barr’ e ati do të hiqetë nga supi yt, edhe sgjedha e ati nga qafa jote, edhe sgjedha do të thyhetë nga pun’ e të lyerit.
28 Ay ka ardhurë ndë Ajath, ka shkuarë ndë Migron, ndë Mikmash do të lërë plaçkat’ (e tia);
29 shkuanë mb-at’-anë, ranë ndë Gjeba: Ramaha u tremp, Gjibeaha e Saullit iku.
30 Ngre zënë tënt, o bil’ e Gallimësë, bër-e atë të dëgjonetë ndë Llaish, o e vobegë Anathothe.
31 Madmenaha luajti vëndit, vëndësit’ e Gjebimësë iknë së bashku.
32 Edhe atë ditë do të mbesë ndë Nob, edhe do të tuntnjë dorën’ e ti (kundrë) malit së bilësë Sionësë, kundrë kodrësë Jerusalimësë.
33 Na Zoti, Zoti i ushtërivet, tek do të presë degatë me kërrismë të frikëshime; edhe të lartëtë do të thyhenë, edhe të ngrituritë do të përunjenë.
34 Edhe do të presë me hekur të dëndurat’ e pyllit, edhe Livani do të bierë prej të fortit.