Altari i temjanit
1 «Bëj një altar për të djegur temjan. Punoje me dru akacieje. 2 Bëje katror, një kut të gjatë, një kut të gjerë dhe dy kute të lartë. Brirët të jenë një me altarin. 3 Praroji me ar të pastër pjesën e sipërme, anët përqark dhe brirët. Punoji një kornizë të artë përreth 4 dhe poshtë saj bëj nga dy rrathë të artë në të dyja anët. Vendosi në të dy krahët e altarit, që të futen shufrat për ta mbartur. 5 Punoji shufrat me dru akacieje dhe praroji. 6 Vendose altarin para velit që ndan arkën e dëshmisë dhe pajtimoren mbi të. Atje do të të takoj. 7 Aroni të djegë temjan erëkëndshëm mbi të. Këtë ta bëjë çdo mëngjes kur përgatit llambat e shandanit 8 dhe çdo mbrëmje kur i ndez ato. Kështu, do të digjet përherë temjan para Zotit, brez pas brezi. 9 Mos kushtoni çfarëdolloj temjani mbi të, as fli shkrumbimi, as fli drithi e as fli stërpikjeje. 10 Një herë në vit, Aroni do t'i lyejë brirët e altarit me gjak, që altari të shlyhet me gjakun e flisë për mëkatin që bëhet një herë në vit për shlyerjen e mëkatit. Kjo të bëhet brez pas brezi. Altari është tejet i shenjtë për Zotin».
Regjistrimi i popullsisë
11 Zoti i tha Moisiut: 12 «Kur të regjistrosh numrin e izraelitëve, secili t'i paguajë Zotit shpagim për jetën e vet. Kështu nuk do të dënoheni me plagë kur të bëhet numërimi. 13 Ata që regjistrohen do të japin gjysmë sikle argjendi, gjashtë gramë sipas peshës së shenjtërores. Kjo do t'i kushtohet Zotit si dhuratë. 14 Të gjithë të regjistruarit nga njëzet vjeç e lart do t'i kushtojnë Zotit këtë dhuratë. 15 I pasuri të mos japë më shumë e as i varfri më pak se gjysmë sikle. Ato kushtojani si dhuratë Zotit për të shlyer jetën tuaj. 16 Merre shumën e shlyerjes nga izraelitët dhe vëre në shërbim të tendës së takimit. Kjo do t'iu shërbejë si përkujtimore para Zotit dhe si shlyerje për jetën e tyre».
Legeni
17 Zoti i tha Moisiut: 18 «Bëj një legen bronzi me bazë bronzi që të përdoret për të larë. Vendose mes tendës së takimit e altarit dhe mbushe me ujë. 19 Aroni me bijtë e tij ta përdorin për të larë duart e këmbët. 20 Ata të lahen me ujë, që të mos vdesin kur të hyjnë në tendën e takimit ose kur t'i afrohen altarit për të shkrumbuar fli zjarri për Zotin. 21 T'i lajnë duart e këmbët që të mos vdesin. Ky është rregull i përhershëm për Aronin dhe pasardhësit e tij, brez pas brezi».
Vaji dhe temjani
22 Zoti i tha Moisiut: 23 «Nga erëzat më të mira merr: pesëqind sikla mirrë, dyqind e pesëdhjetë sikla kanellë erëkëndshme, dyqind e pesëdhjetë sikla kallam erëkëndshëm, 24 pesëqind sikla kasi, sipas peshës së shenjtërores, dhe katër litra vaj ulliri. 25 Përgatit me to vajin e shenjtë të vajosjes, që të jetë një parfum i përzier me mjeshtëri. Ky do të jetë vaji i shenjtë për vajosje. 26 Me të vajos tendën e takimit, arkën e dëshmisë, 27 tryezën me enët përkatëse, shandanin me pajisjet përkatëse, altarin e temjanit, 28 altarin e flive të shkrumbimit me enët përkatëse dhe legenin bashkë me bazën. 29 Shenjtëroji dhe ato do të jenë tejet të shenjta. Kushdo që i prek do të shenjtërohet. 30 Vajose edhe Aronin me bijtë e tij, shenjtëroji, që të më shërbejnë si priftërinj. 31 Ndërsa izraelitëve thuaju: “Ky është vaji im i shenjtë që përdoret për vajosje brez pas brezi. 32 Prandaj mos e përdorni për të vajosur këdo dhe as mos përgatitni vaj me të njëjtën përmbajtje. Ai është vaj i shenjtë dhe ju, duhet ta mbani si të tillë. 33 Kush përgatit një vaj të tillë apo e përdor për të vajosur dikë që nuk është prift do të zhbihet prej popullit”».
34 Zoti i tha Moisiut: «Merr këto erëra të mira: storaks, guaska aromatike e galban. Merr të njëjtën sasi për secilën dhe përzieje me kem të pastër. 35 Përgatit me to temjanin që të jetë një parfum i përzier me mjeshtëri, i kripur, i pastër dhe i shenjtë. 36 Thërrmoje një pjesë dhe bëje pluhur që ta vendosësh para dëshmisë, në tendën e takimit ku unë do të të takoj. Temjani të jetë tejet i shenjtë për ju. 37 Prandaj, mos përgatitni për vete temjan të tillë, sepse është i shenjtë për Zotin. 38 Kush përgatit një temjan të tillë për t'i mbajtur erë, të zhbihet prej popullit».
1 Edhe do të bënjç therorenë që të tymonjç me thimiamë, të bënjç atë prei druje shittimi, 2 një kut të gjatë, e një kut të gjërë; të jetë me katrë çipe, edhe (të jetë) dy kut e lartë, krahët’ e asai (të jenë) prei një gjëje. 3 Edhe ta mbulonjç përqark me ar të këthiellëtë, kryet’ e asai, e ijet’ e asai përqark, e krahët’ e asai, edhe t’i bënjç asai një kurorë t’artë përqark. 4 Edhe t’i bënjç asai dy rrathë t’artë ndënë kurorët t’asai, t’i bënjç (ato) afërë të dy çipevet asai mbë të dy ijet e asai, edhe të jenë vënde për shulet, që të mbanjënë atë me ata. 5 Edhe të bënjç shuletë prei druje shittimi, edhe t’i mbulonjç përqark me ar. 6 Edhe të vësh atë kundruell kurtinësë, që (është) përpara arkësë deshmimit, kundruell shpërblimtoresë që është mbi deshmiminë, atie ku do të dukem ty. 7 Edhe Aaroni do të tymonjë mbi atë me thimiamë ere të mirë mëngjes për mëngjes; do të tymonjë mbi atë, kur të bënjë gati kandiletë. 8 Edhe Aaroni kur të dhezë kandiletë, të tymonjë mbi atë, thimiamë kurdo përpara Zotit ndë brezat tuai. 9 Mos bini thimiamë të huajë mbi atë, as kurban të diegurë gjithë, as dhuratë (të ngrëni), as mos derthç mbi atë kurban të piri. 10 Edhe Aaroni do të bënjë shpërblim mbi brirët t’asai një herë ndë vit, me gjakun’ e dhuratësë shpërblimit për faj; një herë ndë vit do të bënjë shpërblim mbi atë ndër brezat tuai, këjo (është) fort e shënjtëruarë te Zoti.
11 Edhe Zoti i foli Moisiut, e tha: 12 Kur të marrç kryet’ (e emëravet) të bijet Israilit pas numërit atyre, atëhere çdo njeri t’i apë Zotit shkëmbesë për shpirtin’ e ti, kur të nëmëronjç ata, që të mos vinjë ndonjë plagë mbi ata, kur t’i numëronjç, 13 këtë do t’apënë; gjithëkush të shkonjë ndë të numëruarët, gjymësë shiklle pas shikllësë vëndit mirë (shiklla [është] njëzet gjerahe) gjymësë shiklle (të jetë) dhurata e Zotit; 14 gjithëkush të shkojë ndë të numëruarët, që nga njëzet viet e përpietë ndë moshë, do t’i apë dhuratë Zotit. 15 I pasuri të mos apë më tepërë, edhe i vobegu të mos apë më pak së gjymësë shiklle, kur t’i apënë dhuratë Zotit, që të bënjënë çkëmbesë për shpirtërat tuai. 16 Edhe të marrç argjëndin’ e çkëmbesësë nga të bijt’ e Israilit, edhe ta përndorç për shërbesën’ e tendësë përmbëledhëjesë, edhe do të jetë te të bijt’ e Israilit për të përmëndurë përpara Zotit, që të bënetë çkëmbesë për shpirtërat tuai.
17 Edhe Zoti i foli Moisiut, e tha: 18 Edhe të bënjç një lanjëtore të ramtë, edhe (të bënjç) shtresën’ e asai të ramtë, që të lahenë, edhe ta vësh atë ndërmest tendësë përmbëledhëjesë e theroresë, edhe të vësh ujë nd’atë, 19 edhe Aaroni edhe të bijt’ e ati do të lanjënë duart e tyre e këmbët’ e tyre prei asai; 20 kur të hynjënë ndë tendët të përmbëledhëjesë, të lahenë me ujë, që të mos vdesënë, a kur t’i afrohenë theroresë për të bërë punën’ e lutëjesë, që të diegënë kurbanënë që bënetë ndë zjarr për Zotinë. 21 Atëhere të lanjënë duart’ e tyre e këmbët’ e tyre, që të mos vdesënjë; edhe ky do të jetë një nom i përhershim ndër ata, nd’atë edhe ndë farët t’ati ndër brezat t’atyre.
22 Edhe Zoti i foli Moisiut, e tha: 23 Edhe ti merr për vetëhenë tënde erëra të sgjedhura, pesë qint (shiklla) smirnë të këthiellëtë, edhe qinnamon me erë sa gjymësën’ e asai, dy qint e pesëdhietë (shiklla), edhe kallam me erë dy qint e pesëdhietë (shiklla), 24 edhe pesëqind (shiklla) kassi, pas shikllësë vëndit mirë, edhe një hin val ulliri, 25 edhe do t’e bënjç atë val të shënjtëruarë për të lyerë, të lyerë me erë pas mieshtrisë ati që bën erëra; do të jetë val i shënjtëruarë për të lyerë. 26 Edhe të lyenjç me atë tendën’ e përmbëledhëjesë, edhe arkën’ e deshmimit, 27 edhe truvezën’ edhe gjith’ enët’ e asai, edhe kandilen’ edhe enët’ e asai, edhe theroren’ e thimiamësë, 28 edhe theroren’ e kurbanit diegurë bashkë me enët e asai, edhe lanjëtoren’ edhe shtresën’ e asai. 29 Edhe t’i shënjtëronjsh ato, që të jenë fort të shënjtëruara, gjithëkush t’u piekë atyre, do të jet’ i shënjtëruarë.
30 Edhe të lyenjç Aaronin’ edhe bijt’ e ati, edhe t’i shënjtëronjç ata që të priftëronjën për mua. 31 Edhe t’u flaç të bijet Israilit, e t’u thuash: Ky do të jetë tek unë val i shënjtëruarë për të lyerë ndër brezat tuai, 32 mos derdhetë mbi mish njeriu, as të mos bëni (tiatërë) posi atë, pas të përzierit ati; ky (ësht’) i shënjtëruarë, (edhe) do të jetë i shënjtëruarë ndër ju; 33 kush të ndërtonjë posi atë, a kush ta përziejë atë me tiatërë gjë, do të shuhetë nga gjëndëja e ati.
34 Edhe Zoti i tha Moisiut: Merr për vetëhenë tënde erëra të mira, të pikuar’ erërash, e thua, e hallvanë, erëra të mira bashkë me livan të këthiellëtë, gjithësecila të ketë një (peshë), 35 edhe ta bënjç thimiamë të piekurë pas mieshtërisë ati që bën erëra të mira, të përzierë, të qëruarë, të shënjtëruarë, 36 edhe të shtypish (ca) nga këjo shumë të imëtë, edhe të vësh (ca) nga këjo përpara deshmimit ndë tendët të përmbëledhëjesë, atie tek do të dukem ty, do të jetë fort i shënjtëruarë ndër ju. 37 Edhe pas të përzierit kësaj thimiamë që do të bënjç, ju të mos bëni për vetëhenë tuai, do të jetë i shënjtëruarë te ti për Zotinë, 38 kush të bënjë (tiatërë) posi atë, që t’i marrë erë, do të shuhetë nga gjëndëja e ti.