Dhurata për tendën
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «Thuaju izraelitëve të më kushtojnë dhurata. Pranoni dhuratat e kujtdo që i jep me gjithë zemër. 3 Këto do të pranosh prej tyre: ar, argjend, bronz, 4 lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur, pëlhurë liri dhe lesh dhie, 5 lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, lëkurë të çmuar, dru akacieje, 6 vaj për ndriçim, erëra të mira për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm, 7 gurë oniksi dhe gurë të tjerë për të stolisur efodin dhe parzmoren. 8 Të bëjnë një shenjtërore për nderin tim dhe unë do të banoj mes tyre. 9 Tendën dhe tërë sendet përkatëse bëjini sipas gjedheve që po të tregoj.
Arka e dëshmisë
10 Të bëjnë një arkë me dru akacieje, dy kute e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë. 11 Praroje me ar të pastër si brenda dhe jashtë. Punoji një kornizë të artë përreth. 12 Shkrij katër rrathë të artë dhe vendosi në të katërt këmbët e arkës, dy në njërin krah dhe dy në krahun tjetër. 13 Puno shufra me dru akacieje dhe praroji. 14 Pastaj kaloji shufrat nëpër rrathë, në krahë të arkës, për ta mbartur. 15 Shufrat të jenë gjithmonë brenda në rrathë e mos i lëvizni që andej. 16 Brenda në arkë do të vendosësh dëshminë që do të të jap.
17 Puno një kapak prej ari të pastër. Kjo është pajtimorja. Bëje dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë. 18 Puno dy kerubë të artë. Ata do t'i farkëtosh në të dyja skajet e pajtimores. 19 Njëri të jetë në njërin skaj dhe tjetri në skajin tjetër. Kerubët të jenë një me pajtimoren në të dyja skajet e saj. 20 Krahët t'i kenë të shtrirë lart që të mbulojnë pajtimoren me to. Të jenë përballë njëri-tjetrit dhe me fytyrë nga pajtimorja. 21 Kapakun e pajtimores vendose mbi arkë, ndërsa në arkë vendos dëshminë që do të të jap. 22 Aty mbi pajtimore, mes dy kerubëve që janë mbi arkën e dëshmisë, do të takohem me ty dhe do të të jap tërë urdhërimet për izraelitët.
Tryeza e bukëve të kushtuara
23 Puno një tryezë me dru akacieje, dy kute të gjatë, një kut të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë. 24 Praroje me ar të pastër dhe bëji përreth një kornizë të artë. 25 Vër përreth tryezës një buzë, një pëllëmbë të gjerë dhe përreth buzës bëj një kornizë të artë. 26 Puno katër rrathë të artë dhe vendosi në të katër këndet e tryezës, nga një për çdo këmbë. 27 Ato të jenë pranë buzës së tryezës, që shufrat të kalohen për të mbartur tryezën. 28 Punoji shufrat me dru akacieje dhe praroji. Me to do të mbartësh tryezën. 29 Tasat, kupat, kanat dhe brokat e tryezës që përdoren për fli stërpikjeje bëji prej ari të pastër. 30 Mbi tryezë vendos përherë bukë të kushtuara për mua.
Shandani
31 Puno një shandan me ar të pastër. Baza dhe trungu i shandanit të farkëtohen. Kupat, sythat dhe fletët të jenë një me shandanin. 32 Nga trungu i shandanit të dalin gjashtë degë: tre nga një anë dhe tre nga ana tjetër. 33 Dega e parë të ketë tri kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë, sikurse edhe dega e dytë dhe kështu me radhë të gjashtë degët që dalin nga shandani. 34 Trungu i shandanit të ketë katër kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë. 35 Puno një syth poshtë dy degëve të para që dalin nga trungu, një syth tjetër poshtë dy degëve të dyta dhe kështu me radhë për gjashtë degët që dalin nga shandani. 36 Sythat dhe degët të jenë një me shandanin. I tëri të farkëtohet si një trup i vetëm prej ari të pastër. 37 Bëji shtatë llamba dhe vëri që të ndriçojnë vendin përpara. 38 Mashat dhe kacitë e shandanit të jenë prej ari të pastër. 39 Për të punuar shandanin dhe tërë këto enë të përdoren tridhjetë e pesë kilogramë ar i pastër. 40 Bëj kujdes t'i punosh sipas gjedhes që po të tregohet në mal».
1 Edhe Zoti i foli Moisiut, e tha: 2 U thuaj të bijet Israilit të më bienë dhuratë; do të merrni dhuratënë time nga çdo njeri që t’i dojë zemër’ e ti. 3 Edhe këjo (është) dhurata që do të merrni nga ata: ar, e argjënt, e rame, 4 e të qielluartë, e të porfyrtë, e të kuq, e vishnje, e (lesh) dhish, 5 e lëkura deshësh ngjyer të kuqe, lëkura çakajsh, e dru shittimi, 6 val për dritë, erëra për valin’ e të lyerit, e për thimiamë me erë të mirë, 7 gurë të thonjtë, e gurë për të vënë ndë efod e ndë rrasët të kraharorit. 8 Edhe le të më bënetë një shënjtërore, që të rri ndërmest atyreve. 9 Për gjithë sa të dëftenj ty, (pas) shëmbëllimit tendësë, e (pas) shëmbëllimit gjith’ enëvet asai, kështu do të bëni.
10 Edhe do të ndërtonjënë një arkë prei druje shittimi, dy kut e gjymës të gjatë, e një kut e gjymës të gjërë, e një kut e gjymës të lartë, edhe do ta mbulonjç përqark me ar të këthiellëtë, 11 edhe do ta mbulonjç përqark përbrënda e përjashta, edhe do të bënjç një kurorë t’artë përqark mbi atë. 12 Edhe do të derthç katrë rrathë t’artë për atë, e t’(i) vësh mbë të katrë anët e asai, dy rrathë mbë njërënë brinjë t’asai, e dy rrathë mbë tietrënë brinjë t’asai. 13 Edhe do të bënjç shule prei druje shittimi, edhe do t’i mbulonjç përqark me ar, 14 edhe do të këllaç shuletë ndëpër rrathët të brinjëvet arkësë, që të mbaret’ arka me ata, 15 edhe shuletë do të mbetenë ndë rrathët t’arkësë, nukë do të luanjënë vëndit nga ajo. 16 Edhe do të vësh nd’arkët ato deshmimetë që do t’ap ty.
17 Edhe do të bënjç një shpërblimtore prei ari të këthiellëtë, dy kut e gjymës të gjatë, e një kut e gjymës të gjërë. 18 Edhe do të bënjç dy qeruvimë prei ari; të rrahurë t’i bënjç ata, mbë të dy anët e shpërblimtoresë, 19 edhe bën një qeruv mbë një anë, e një qeruv mbë tietrënë anë, nga shpërblimtoreja do të bënjç qeruvimëtë mbë të dy anët’ e asai, 20 edhe qeruvimëtë do të ndenjënë krahëtë përsipërë, tuke mbuluarë shpërblimtorenë me krahët e tyre, edhe faqet’ e atyreve (do të shohënë) njëri jatrinë, faqet’ e qeruvimvet do të jenë nga shpërblimtoreja. 21 Edhe do të vësh shpërblimtorenë mbi arkët përsipërë, edhe do të vësh nd’arkët ata deshmimetë që do t’ap ty,
22 edhe atie do të njihem te ti; edhe përsipërë shpërblimtoresë, nga mezi të dy qeruvimvet, që (rrinë) mbi arkët të deshmimit, do të flas ty për gjithë sa do t’urdhëronj ty (t’u thuaç) të bijet Israilit.
23 Edhe do të bënjç një truvezë prei druje shittimi, dy kut të gjatë, e një kut të gjërë, e një kut e gjymës të lartë, 24 edhe do ta mbulonjç përqark atë me ar të këthiellëtë, edhe do të bënjç nd’atë një kurorë të artë përqark. 25 Edhe do të bënjç nd’atë një buzë përqark një pëllëmë të gjërë, edhe do të bënjç mbi buzët t’asai një kurorë të artë përqark, 26 edhe do t’i bënjç asai katrë rrathë t’artë, edhe do të vësh rrathëtë mbë të katrë anët, që (janë) mbë të katrë këmbët e asai, 27 edhe rrathëtë të jenë ndënë buzët për vëndet e shulevet, që mbaretë truveza.
28 Edhe do të bënjç shuletë prei druje shittimi, edhe do t’i mbulonjç përqark me ar, që të mbaretë truveza prei atyre. 29 Edhe do të bënjç dhisqet’ e asai, e thimiatoret’ e asai, e spërkatoret’ e asai, e lekanët’ e asai, që të bënenë të spërkaturatë me ato; do të bënjç ato prei ari të këthiellëtë. 30 Edhe do të vësh mbi truvezët bukët’ e paravënësë përpara meje për gjithë jetënë.
31 Edhe do të bënjç një kandile prei ari të këthiellëtë, do të bënjç kandilenë të rrahurë, kurmi i asai, edhe degat’ e asai, lekanet’ e asai, sumbullat’ e asai, edhe lulet’ e asai të jenë një kurm bashkë me atë. 32 Edhe do të dalënë gjashtë dega nga ijet’ e asai, të tri degat’ e kandilesë nga njëra ije, edhe të tri degat’ e kandilesë nga tiatëra ije, 33 mbë njërënë degë (të jenë) tre lekanë të surrëgjatë, një sumbullë e një lule, edhe mbë degët tietërë tre lekanë të surrëgjatë, një sumbullë e një lule, kështu (të bënjç) mbë të gjashtë degat, që dalënë nga kandileja. 34 Edhe ndë kandilet (të jenë) katrë lekanë të surrëgjatë, sumbullat’ e atyreve, edhe lulet’ e atyreve. 35 Edhe (të jetë) një sumbullë ndënë të dy degat e asai, e një sumbullë ndënë të dy degat e asai, e një sumbullë ndënë të dy degat e asai, ndë të gjashtë degat që dalënë nga kandileja. 36 Sumbullat’ e atyreve, e degat’ e atyreve, të jenë një kurm bashkë me atë, e tërë ajo (të jetë) një cop’ e rrahurë prei ari të këthiellëtë. 37 Edhe do të bënjç dritat’ e kandilesë shtatë, edhe do të dhesnjënë dritat’ e kandilesë, që të ndrisënë përpara asai. 38 Edhe gërshërët’ e kandilesë, edhe dhisqet’ e asai (të jenë) prei ari të këthiellëtë. 39 Prej një tallande ari të këthiellëtë do të ndërtonet’ ajo, edhe të gjitha këto enë. 40 Edhe ki mëndëjenë t’i bënjç pas shëmbëllimit atyre që t’u dëftua ty ndë malt.