Ëndrra e faraonit
1 Pas plot dy vjetësh, faraoni pa një ëndërr: po qëndronte pranë lumit Nil, 2 kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të hijshme e të majme e po kullotnin ndër xunkthe. 3 Pas tyre dolën nga lumi edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të ligshta e të dobëta. Qëndruan pranë lopëve në breg të lumit Nil, 4 e i hëngrën lopët e hijshme e të majme. Atëherë faraoni u zgjua. 5 Pastaj e zuri gjumi e pa përsëri një ëndërr: shtatë kallinj të plotë e të mirë po dilnin nga një kërcell. 6 Pas tyre dolën shtatë kallinj të hollë e të tharë nga era e lindjes, 7 që i përpinë shtatë kallinjtë e plotë. Atëherë faraoni u zgjua. Kishte qenë në ëndërr! 8 Në mëngjes, shpirtin e kishte të trazuar. Dërgoi njerëz e thirri të gjithë magjistarët e dijetarët e Egjiptit. Ua tregoi ëndrrat, por askush nuk mund t'ia shpjegonte.
9 Atëherë i pari i kupëmbajtësve i tha faraonit: «Sot po më kujtohet faji im. 10 Kur faraoni u zemërua me shërbëtorët e tij, na futi në burg, mua dhe të parin e bukëpjekësve, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. 11 Një natë, që të dy pamë nga një ëndërr e secila ëndërr kishte kuptimin e vet. 12 Atje, bashkë me ne, ishte një djalosh hebre, skllav i komandantit të truprojës. Ia treguam atij dhe ai na e shpjegoi secilit ëndrrën. 13 Siç na i shpjegoi ai, ashtu edhe ndodhi. Unë u riktheva në detyrë, ndërsa tjetri u var».
14 Atëherë faraoni dërgoi njerëz e thirri Jozefin. Ata e nxorën me të shpejtë nga burgu. Jozefi u rrua, ndërroi rrobat e doli para faraonit. 15 Faraoni i tha Jozefit: «Kam parë një ëndërr e s'ka kush të ma shpjegojë. Kam dëgjuar se ti mund të shpjegosh çdo ëndërr që dëgjon». 16 Jozefi iu përgjigj: «Jo unë, por Perëndia do t'i japë faraonit një përgjigje të mirë». 17 Faraoni i tha: «Në ëndërr po qëndroja në breg të lumit Nil, 18 kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të majme e të hijshme e po kullotnin ndër xunkthe. 19 Pas tyre dolën edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të këputura, shumë të ligshta e të dobëta. Lopë kaq të këqija nuk kisha parë kurrë në tërë tokën e Egjiptit. 20 Ato i hëngrën shtatë lopët e para që ishin të majme, 21 i përlanë, por nuk merrej vesh që i kishin ngrënë, sepse ishin po aq të ligshta sa në fillim. Atëherë u zgjova. 22 Pastaj pashë në ëndërr shtatë kallinj të plotë e të mirë që po dilnin nga një kërcell. 23 Pas tyre dolën shtatë kallinj të fishkur, të hollë e të tharë nga era e lindjes 24 e i përpinë shtatë kallinjtë e mirë. Ua tregova magjistarëve, por askush nuk mundi të m'i shpjegojë».
25 Atëherë Jozefi i tha faraonit: «Ëndrrat e faraonit janë të njëjta. Faraonit i është treguar se çfarë do të bëjë Perëndia. 26 Shtatë lopët e mira e shtatë kallinjtë e mirë janë shtatë vjet. Ëndrrat janë të njëjta. 27 Shtatë lopët e dobëta e të ligshta që dolën pas tyre dhe shtatë kallinjtë bosh e të tharë nga era e lindjes janë shtatë vjet zi buke. 28 Këtë gjë i them faraonit: atij i është zbuluar se çfarë do të bëjë Perëndia. 29 Ja, tërë Egjipti do të ketë shtatë vite të begatshme. 30 Pas tyre do të vijnë shtatë vite zi buke dhe gjithë begatia do të harrohet në tokën e Egjiptit. Zia e bukës do ta shkatërrojë vendin. 31 Begatia e tokës nuk do të mbahet më mend, se zia që do të vijë më pas do të jetë shumë e madhe. 32 Sa për ëndrrën që t'u përsërit dy herë, do të thotë se vendimi është marrë nga Perëndia dhe se ai ka për të vepruar shumë shpejt. 33 Prandaj, faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar e të ditur që ta vendosë në krye të Egjiptit. 34 Faraoni të caktojë mbikëqyrës në tokën e Egjiptit që, gjatë shtatë viteve të begatshme, të marrë të pestën e prodhimeve. 35 Mbikëqyrësit të mbledhin të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vijnë. Të grumbullojnë grurë në emër të faraonit e ta ruajnë si ushqim për qytetet. 36 Kjo, do të jetë tëmotje për vendin gjatë shtatë viteve të zisë që do të mbulojë tokën e Egjiptit. Kështu, vendi nuk do të marrë fund nga zia e bukës».
Jozefi mbikëqyrës i Egjiptit
37 Kjo gjë i pëlqeu faraonit e gjithë shërbëtorëve të tij. 38 Atëherë faraoni u tha shërbëtorëve: «A mund të gjejmë një njeri të tillë, në të cilin është shpirti i Perëndisë?!». 39 Faraoni i tha Jozefit: «Meqë Perëndia t'i ka bërë të ditura të gjitha këto, nuk ka njeri më të zgjuar e të ditur se ty. 40 Ti do të jesh përgjegjës për shtëpinë time e gjithë populli im do t'i bindet fjalës sate. Unë do të jem më i madh se ti vetëm sa i përket fronit». 41 Faraoni i tha Jozefit: «Ja, të kam vënë në krye të gjithë tokës së Egjiptit». 42 Pastaj hoqi unazën e ia vuri në gisht Jozefit. E veshi me rroba liri e i vuri në qafë një varëse të artë. 43 E vuri në karrocë si të dytë dhe para tij thërrisnin: «Gjunjëzohuni!». Kështu, faraoni e vuri në krye të tokës së Egjiptit. 44 Pastaj i tha: «Unë jam faraoni. Pa lejen tënde askush në tokën e Egjiptit nuk do të luajë as dorë e as këmbë». 45 Faraoni e quajti Jozefin, Cafenat Paneah e i dha për grua Asenatën, bijën e Potiferait, priftit të Onit. Pastaj Jozefi doli nëpër Egjipt.
46 Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur doli para faraonit, mbretit të Egjiptit. Jozefi u largua nga faraoni dhe përshkoi tërë tokën e Egjiptit. 47 Gjatë shtatë viteve të begatshme, toka prodhoi plot. 48 Jozefi i mblodhi gjithë ushqimet gjatë shtatë viteve të begata që gëzoi Egjipti e i grumbulloi nëpër qytete. Në çdo qytet mblodhi ushqimet e fushave përreth. 49 Ai mblodhi shumë grurë, aq shumë sa rëra e detit, saqë ndaloi së mbajturi llogari, se ishte e pamundur.
50 Para se të fillonin vitet e zisë, Jozefit i lindën dy djem prej Asenatës, bijës së Potiferait, priftit të Onit. 51 Të parëlindurin e quajti Manase, sepse tha: «Perëndia më bëri t'i harroj të gjitha mundimet dhe shtëpinë e atit tim». 52 Të dytin e quajti Efraim, sepse tha: «Perëndia më bëri të frytshëm në tokën e mjerimit».
53 Si shkuan shtatë vitet e begatshme në tokën e Egjiptit, 54 filluan shtatë vitet e zisë, ashtu siç kishte thënë Jozefi. Në të gjitha vendet pllakosi zia e bukës, por në tërë tokën e Egjiptit kishte bukë. 55 Kur tërë vendin e Egjiptit e zuri uria, populli i kërkoi bukë faraonit. Atëherë ai u tha: «Shkoni te Jozefi e bëni çfarë t'ju thotë». 56 Kur zia e bukës mbuloi gjithë faqen e dheut, Jozefi hapi të gjithë drithnikët e u shiti grurë egjiptianëve, se zia e bukës ishte e rëndë në tokën e Egjiptit. 57 Njerëz nga të gjitha anët vinin në Egjipt për të blerë grurë nga Jozefi, se zia e bukës ishte e rëndë në të gjithë tokën.
1 Edhe passi shkuanë dy viet kohë, Faraoni pa një ëndërrë, edhe na te po rrinte përanë lumit, 2 edhe na shtatë dema të bukur’ e të majm tek po ngjiteshinë nga lumi, e po kullotinë ndë livatht, 3 edhe na shtatë dema të tierë tek po ngjiteshinë pas atyre nga lumi, të shëmtuar’ e të ligëtë, edhe po rrininë afërë demavet (tierë) mbë buzët të lumit, 4 edhe të shtatë demat’ e shëmtuar’ e të ligëtë hëngrë të shtatë demat’ e bukur’ e të majm. Atëhere u squa Faraoni.
5 Edhe si e zuri gjumi përsëri pa ëndërrë për së dyti, edhe na shtatë kallinj të plotë e të mirë tek po delinë prej një kallami, 6 na edhe shtatë kallinj (të tierë) të hollë e të diegurë nga era e diellit tek po mbininë pas atyre, 7 edhe ata kallinjt’ e hollë përpinë të shtatë kallinjt’ e majm e të plotë. Edhe Faraoni u squa, edhe na (tek ishte) ëndërrë.
8 Edhe ndë mëngjes shpirti i ati ishte trubulluarë, edhe dërgoi e thirri gjithë magjistarët’ e Egjyptërisë, edhe gjithë të diturit’ e asaj. Edhe Faraoni u tregoi atyreve ëndërrat’ e tia, po nukë (kishte) asndonjë t’ia sgjidhte ato Faraonit. 9 Atëhere verëkthenjësi parë i foli Faraonit, e tha: Sot po më kujtonetë faji im, 10 Faraoni ishte zemëruarë kundrë shërbëtorëvet ti, edhe më vuri ndë burgut ndë shtëpi të parit ruanjëset (mbëretit), mua edhe bukëpiekësin’ e parë; 11 edhe mbë një natë pam ëndërrë, un’ edhe ay, pam ëndërrë gjithësecili pas të sgjidhurit ëndërrësë ti, 12 edhe atie bashkë me ne (ishte) një dialosh Evre, shërbëtori të pari ruanjëset (mbëretit), edhe i treguam ati, edhe na sgjidhi ëndërratë tona, gjithësecilit ja sgjidhi pas ëndërrës’ ati, 13 edhe sikundrë na e sgjidhi, ashtu gjau, un’ u vushë mbë punët time, e ay u var.
14 Atëhere Faraoni dërgoi e thirri Josifnë, edhe e nxuarrë atë shpejt nga burgu, edhe (ay) u rrua, e ndërroi rrobet’ e tia, e erdhi te Faraoni. 15 Edhe Faraoni i tha Josifit: Pashë një ëndërrë, edhe nukë (ka) kush të ma sgjithnjë, edhe unë dëgjova që thonë për ty, (se) ti kur dëgjon ëndërra, munt t’i sgjithç. 16 Edhe Josifi u përgjeq e i tha Faraonit: Jo unë (po) Perëndia do t’i apë Faraonit një të sgjidhurë shpëtimi.
17 Edhe Faraoni i tha Josifit: Ndë ëndërrët time, na tek po rrinjam mbë buzë të lumit, 18 edhe na shtatë dema të majm e të bukurë tek po ngjiteshinë nga lumi, e po kullotinë ndë livath, 19 edhe na shtatë dema të tierë tek po ngjiteshinë prapa atyreve, të pafuqishim, e shumë të shëmtuarë, e të ligëtë, që s’kam parë kurrë më të shëmtuarë ndë gjithë dhet të Egjyptërisë, 20 edhe demat’ e hollë e të shëmtuarë hëngrrë të shtatë demat’ e parë të majmitë, 21 edhe si hynë ndë barqet t’atyreve, nukë ndahej se hynë ndë barqet t’atyreve, po të parët’ e atyreve (ishte) të shëmtuarë posi përpara, atëhere u sqova. 22 Pastaj pashë ndë ëndërrët time, edhe na shtatë kallinj tek po dilinë prej një kallami të plotë e të mirë, 23 edhe na shtatë kallinj (të tierë) të thatë (e) të hollë, (e) të diegurë nga era e diellit tek po mbininë pas atyreve, 24 edhe kallinjt’ e hollë përpinë të shtatë kallinjt’ e mirë; u thashë magjistarëvet, po s’(kishte) kush të m’(i) sgjithte.
25 Edhe Josifi i tha Faraonit: Ëndërra e Faraonit (është) një: Perëndia i dëfteu Faraonit sa ka për të bërë. 26 Të shtatë demat’ e mirë janë shtatë viet, edhe të shtatë kallinjt’ e mirë janë shtatë viet, ëndërra (është) një. 27 Edhe të shtatë demat’ e hollë e të shëmtuarë që ngjiteshinë pas atyre, janë shtatë viet, edhe të shtatë kallinjt’ e të paplotë e të diegurë nga era e diellit, do të jenë shtatë viet zie (për bukë). 28 Këjo (është) kafsha që i thashë Faraonit: Perëndia i dëfteu Faraonit sa ka për të bërë. 29 Na tek vinjënë shtatë viet plot me drithëra ndë gjithë dhet të Egjyptërisë, 30 edhe pastaj do të vinjënë shtatë viet zie, edhe gjithë të plotëtë do të harronetë ndë dhe të Egjyptërisë, edhe zia do të prishnjë dhenë, 31 edhe nukë do të njihetë të plotëtë mbi dhet, nga punë e asaj zisë që do të vinjë pas, sepse do të jetë fort e rëndë. 32 Edhe që iu duk dy herë ëndërra Faraonit, (dëften) se kafsha (ësht’) urdhëruarë nga Perëndia, edhe Perëndia do të shpejtonjë t’e bënjë këtë.
33 Tashi pra Faraoni le të gjenjë një njeri të mençim e të urtë, edhe le ta vërë atë mbi dhet të Egjyptërisë, 34 Faraoni le të bënjë e le t’urdhëronjë të parë mbi dhet, edhe le të marrë të pesëtënë nga dheu i Egjyptërisë ndë të shtatë viet e të plotit, 35 edhe le të mbëledhënë gjithë të ngrënat’ e këtyre të shtatë viete të mirë që vinjënë, edhe le të mbëlidhetë gruri ndënë dorët të Faraonit, për të ngrënë qytetetë, edhe le t’e ruanjënë, 36 edhe të ngrënatë të ruhenë për dhenë për ato shtatë viet e zisë, që do të vinjënë pas ndë dhet të Egjyptërisë, që të mos humbasë vëndi nga zia.
37 Edhe fiala i pëlqeu Faraonit, edhe gjithë shërbëtorëvet ati. 38 Edhe Faraoni u tha shërbëtorëvet ti: A munt të gjejmë posi këtë njeri që ka frymën’ e Perëndisë? 39 Edhe Faraoni i tha Josifit: Sepse Perëndia të dëfteu këto të gjitha, nuk’ (është) tiatërë njeri më i mënçim e më i urtë se ti, 40 ti do të jesh mbi shtëpit time, edhe gjithë gjëndëja ime do t’i dëgjonjë fialësë gojësë sate, vetëmë mbë front do të jem më i math se ti. 41 Edhe Faraoni i tha Josifit: Na tek të vura të parë mbë gjithë dhet të Egjyptërisë.
42 Edhe Faraoni nxori unazën’ e ti nga gishti, e ja vuri Josifit ndë dorë, edhe i veshi ati rrobe të kuqe, edhe i vari një qafore t’artë rreth qafës’ ati. 43 Edhe e hipnë atë mbë qerret të ti të dytënë, edhe leçisninë përpara ati: Bini mbë gjunj; edhe e vuri atë përmbi gjithë dhen’ e Egjyptërisë.
44 Edhe Faraoni i tha Josifit: Unë (jam) Faraoni, edhe pa ty asndonjë s’ka për të ngriturë dorën’ e ti a këmbën’ e ti mbë gjithë dhen’ e Egjyptërisë. 45 Edhe Faraoni e kluajti Josifnë Zafnath-paneah [ay që njeh të fshehuratë], edhe i dha ati për grua Asenathënë, të bilën’ e Potiferahut priftit Onit. Edhe Josifi doli ndëpër dhet të Egjyptërisë. 46 Edhe Josifi (ishte) tridhietë vieç, kur i dolli përpara Faraonit mbëretit Egjyptërisë, edhe Josifi dolli prej syvet Faraonit edhe i ra përqark gjithë dheut Egjyptërisë.
47 Edhe ndë të shtatë viet e të plotit dheu dha duarëza gruri, 48 edhe mbëlodhi gjithë drithëratë që u bënë ndë dhet të Egjyptërisë ndë të shtatë viet, edhe vuri drithëratë ndëpër qytetetë, drithërat’ e aravet rrotullë çdo qyteti i vuri nd’atë. 49 Edhe Josifi mbëlodhi grurë porsi rërën’ e detit fort tepërë, kaqë sa s’munt ta matte, sepse s’kish të maturë.
50 Edhe Josifit i lintnë dy djem, përpara se të vininë viet’ e zisë, të cilëtë ja polli Asenatha, e bila e Potiferahut priftit Onit. 51 Edhe Josifi ja vuri emërinë dialit parë Manasseh, sepse (tha): Perëndia më bëri të harronj gjithë të dhëmburat’ e mia, edhe gjithë shtëpin’ e tim et. 52 Edhe të dytit ia vuri emërin’ Efraim, sepse (tha): Perëndia më rriti ndë dhet të shtrëngimit tim.
53 Edhe shkuanë të shtatë viet plot me të mira, që u bënë ndë dhet të Egjyptërisë. 54 Edhe zunë të vininë shtatë viet e zisë, sikundrë pat thënë Josifi, edhe u bë zi ndëpër gjithë vëndet, po ndër gjithë dhen’ e Egjyptërisë kishte bukë. 55 Edhe kur shtrëngoi uria gjithë dhen’ e Egjyptërisë, gjëndëja i klithi Faraonit për bukë. Edhe Faraoni u tha të gjithë Egjyptianëvet: Shkoni te Josifi (edhe) bëni ç’t’u thotë ay. 56 Edhe ishte një zi mbi gjithë faqen e dheut. Edhe Josifi hapi gjithë grunarëtë, edhe u shiste (drithë) gjith’ Egjyptianëvet, edhe zia po rëndonej mbi gjithë dhen’ e Egjyptërisë. 57 Edhe nga gjithë vëndetë vininë ndë Egjyptëri te Josifi për të blerë drithë, sepse zia po rëndonej mbi gjithë dhenë.