Moisiu dhe shkurrja që nuk digjej
1 Moisiu po kulloste dhentë e të vjehrrit, Jetrit, priftit të Midianit, dhe i çoi dhentë përtej shkretëtirës. Ai mbërriti në Horeb, në malin e Perëndisë. 2 Engjëlli i Zotit iu shfaq në flakën e zjarrit, në mes të shkurres. Moisiu vështroi dhe, ja, shkurrja kishte marrë flakë, por nuk po digjej. 3 Atëherë Moisiu tha: «Po kthehem që të shoh këtë pamje të çuditshme. Përse nuk digjet shkurrja?!». 4 Kur pa se Moisiu u kthye për të parë, Zoti e thirri nga mesi i shkurres e i tha: «Moisi, Moisi!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam!». 5 Zoti tha: «Mos u afro këtu! Zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë». 6 Dhe shtoi: «Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit». Atëherë Moisiu mbuloi fytyrën, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë.
7 Pastaj Zoti i tha: «E kam parë mirë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe i kam dëgjuar klithmat e tyre për shkak të mbikëqyrësve. Ua njoh vuajtjet, 8 prandaj dhe kam zbritur për t'i çliruar nga dora e Egjiptit dhe për t'i nxjerrë nga ky vend në një vend të mirë e të hapur, në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ky është vendi i kananitëve, i hititëve, i amoritëve, i perizitëve, i hivitëve dhe i jebusitëve. 9 Kështu, klithma e izraelitëve mbërriti tek unë, madje edhe unë e kam parë sesi shtypen nga egjiptianët. 10 Tani, eja të të dërgoj te faraoni që të nxjerrësh Izraelin, popullin tim, nga Egjipti». 11 Moisiu i tha: «Kush jam unë që të shkoj te faraoni e të nxjerr izraelitët nga Egjipti?!». 12 Por Perëndia i tha: «Unë jam me ty. Ja shenja se jam unë ai që të ka dërguar: kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, do t'i shërbeni Perëndisë në këtë mal».
13 Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: «Nëse shkoj te izraelitët e u them: “Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju” e ata më thonë: “Si e ka emrin?”, çfarë t'u them?». 14 Perëndia i tha Moisiut: «Unë jam ai që unë jam!». Dhe shtoi: «Kështu thuaju izraelitëve: “Unë Jam më ka dërguar te ju”». 15 Perëndia i tha përsëri Moisiut: «Kështu thuaju izraelitëve: “Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, Perëndia i Jakobit më ka dërguar te ju”. Ky është emri im përjetë dhe kështu do të kujtohem brez pas brezi.
16 Shko, mblidh pleqtë e Izraelit e thuaju: “Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut e i Jakobit m'u shfaq. Ai më tha: e kam parë mirë çfarë po ju ndodh në Egjipt 17 dhe vendosa t'ju nxjerr nga mjerimi i Egjiptit e do t'ju çoj në tokën e kananitëve, e hititëve, e amoritëve, e perizitëve, e hivitëve, e jebusitëve, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë”. 18 Ata do ta dëgjojnë fjalën tënde dhe ti bashkë me pleqtë e Izraelit do të shkoni te mbreti i Egjiptit e do t'i thoni: “Zoti, Perëndia i hebrenjve, na u dëftua. Tani, na lër të shkojmë e të bëjmë tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t'i kushtojmë fli Zotit, Perëndisë tonë”. 19 Por unë e di se mbreti i Egjiptit nuk do t'ju lejojë të shkoni nëse nuk detyrohet nga një dorë e fuqishme. 20 Prandaj do ta shtrij dorën e do ta godas Egjiptin me gjithë mrekullitë që do të bëj atje. Atëherë faraoni do t'ju lërë të shkoni. 21 Do t'i bëj egjiptianët t'ju shohin me sy të mirë që kur të shkoni, të mos shkoni duarbosh. 22 Çdo grua do t'i kërkojë fqinjës, dhe asaj që banon në një shtëpi me të, rroba e sende argjendi e ari. Do t'ua ngarkoni bijve e bijave tuaja e kështu do të plaçkitni Egjiptin».
1 Edhe Moisiu kulloste dhënt’ e Jethroit, të vëjehërrit, priftit Madhiamësë, edhe pruri dhëntë prapa shkretëtirësë, edhe erdhi ndë malt të Perëndisë, ndë Horiv. 2 Edhe iu duk ati ëngjëlli i Zotit ndë flakë zjarri, nga mesi i ferrësë, edhe na tek ishte ndezë ferra, edhe ferra nukë digjej.
3 Edhe Moisiu tha: Le të kthenem, e le të vështronj këtë çudi të madhe, përse nukë digjetë ferra. 4 Edhe Zoti kur pa (Moisinë), se u kthye tè vështronjë, Perëndia i thërriti ati nga mezi i ferrësë, e tha: Moisi, Moisi. Edhe ay tha: Na (ku jam) unë. 5 Edhe tha: Mos u afro këtu, sgjith shojetë tua nga këmbët e tua, sepse ky vënt që rri mbi atë, është vënt i mirë. 6 Edhe (i) tha (ati): Unë (jam) Perëndia i tyt et, Perëndia i Avraamit, (e) Perëndia i Isaakut, e Perëndia i Jakovit. Edhe Moisiu fshehu faqen’ e ti, sepse kishte frikë të shtinte sytë mbë Perëndinë.
7 Edhe Zoti tha: Pashë, pashë të vuajturit’ e gjëndëjesë sime ndë Egjyptëri, edhe dëgjova klithmën’ e atyreve për punë t’atyreve që i nxitonjënë ndë punë, sepse e njoha të dhëmburit’ e atyreve, 8 edhe sbrita që të shpëtonj ata nga dora e Egjyptianëvet, edhe t’i ngre ata nga ay dhe, (e t’i shpie) mbë një dhe të mirë e të gjërë, mbë një dhe që rrieth klumësht e mialtë, ndë vënt të Hanaanit, e të Hittitëvet, e të Amoritëve, e të Perizzitëvet, e të Hivitëvet, e të Jebusitëvet, 9 edhe tashi na klithma e të bijet Israilitëvet tek erdhi tek unë, pastaj pashë edhe shtrëngimnë me të cilin’ i shtrëngonjën Egjyptianëtë, 10 eja tashi pra, edhe do të dërgonj ty te Faraoni, edhe do të nxierrç gjëndëjenë time, të bijt’ e Israilit nga Egjyptëria.
11 Edhe Moisiu iu përgjeq Perëndisë: Cili (jam) unë, që të vete te Faraoni, e të nxier të bijt’ e Israilit nga Egjyptëria? 12 Edhe (Perëndia) tha: Me të vërtetë unë do të jem bashkë me ty, edhe këjo (do të jetë) shenja për ty, se unë të dërgova ty; passi të nxierrç gjëndëjenë nga Egjyptëria, do të lutni Perëndinë mbë këtë mal.
13 Edhe Moisiu i tha Perëndisë: Na unë (kur) të vete te të bijt’ e Israilit, edhe t’u them atyre: Perëndia i atëravet tuai më ka dërguarë te ju, edhe ata ndë pyeçinë: Ç’emër (ka) ay? Ç’t’u them atyreve? 14 Edhe Perëndia i tha Moisiut: Unë jam Ay që është, edhe tha: Kështu do t’u thuaç të bijet Israilit: Ay që është më dërgoi te ju. 15 Pastaj Perëndia i tha Moisiut: Kështu do t’u thuaç të bijet Israilit: Zoti Perëndia i atëravet tuai, Perëndia i Avraamit, (e) Perëndia i Isaakut, e Perëndia i Jakovit, më dërgoi te ju, ky (do të jetë) emëri im për gjithë jetënë, edhe këta është të përmënduritë tim breza pas brezash,
16 shko, e mbëlith pleqësin’ e Israilit, edhe thuaju atyre: Zoti Perëndia i atëravet tuai, Perëndia i Avraamit, (e) Perëndia i Isaakut, e Perëndia i Jakovit, m’u duk, e më tha: U vështrova juve me të vërtetë, edhe gjithë sa u bënjënë juve ndë Egjyptëri, 17 edhe thashë: Do t’u ngre juve nga të vuajturit’ e Egjyptianëvet, (e do t’u shpie juve) ndë dhe të Hanaanitëve, e të Hittitëve, e të Amoritëvet, e të Perizzitëve, e të Hivitëvet, e të Jebusitëvet, ndë një dhe që rrieth klumësht e mialtë, 18 edhe do t’i dëgjonj zërit tënt, edhe do të veç ti edhe pleqësia e Israilit te mbëreti i Egjyptërisë, edhe do t’i thuaç ati: Zoti Perëndia i Evrevet u poq me ne, tashi pra, lerëna të vemi tri dit udhë ndë shkretëtirët, që t’i bëjmë kurban Zotit Perëndisë tënë;
19 edhe un’ e di se mbëreti i Egjyptërisë nukë do t’u lërë juve të vij, përveç me dorë të fortë, 20 edhe si të ndenj dorënë time do t’i bie Egjyptërisë me gjithë çudit’ e mia që do të bënj ndë mest t’asai, edhe pastaj do t’u lëshonjë juve,
21 edhe do t’i ap hirë kësaj gjëndëje përpara Egjyptianëvet, edhe kur të ikni, nukë do të shkoni me duar thatë, 22 po (çdo) grua ka për të lypurë nga fëqinja e saj, edhe nga ajo që rri bashkë me atë, enë të argjëntta, e enë t’arta, e rrobe, edhe do t’i viri mbi bijt tuai, e mbi bilat tuaia, edhe do të ripni Egjyptianëtë.