Juda dhe Tamara
1 Në atë kohë Juda u largua nga vëllezërit e banoi pranë Hirahut, një burrë nga Adulamia. 2 Aty, Juda pa bijën e një kananiti që quhej Shua. E mori e fjeti me të. 3 Ajo mbeti shtatzënë e lindi një djalë që ai e quajti Er. 4 Ajo mbeti përsëri shtatzënë e lindi një djalë që e quajti Onan. 5 Ajo lindi edhe një djalë tjetër që e quajti Shelah. Kur ndodhi kjo, Juda ishte në Kezib. 6 Juda i gjeti një grua Erit, të parëlindurit. Ajo quhej Tamarë. 7 Por Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i lig para Zotit dhe Zoti e vrau. 8 Atëherë Juda i tha Onanit: «Fli me gruan e tët vëllai e martohu me të, si kunat që je, që ta mbash gjallë farën e vëllait tënd». 9 Por Onani e dinte që fëmijët nuk do të njiheshin si të tijtë, prandaj sa herë që flinte me gruan e të vëllait e derdhte farën përtokë, që të mos e mbante gjallë farën e të vëllait. 10 Kjo gjë ishte e ligë para Zotit, prandaj Zoti e vrau edhe Onanin. 11 Atëherë Juda i tha Tamarës, të resë: «Rri si vejushë në shtëpinë e atit tënd derisa të rritet im bir, Shelahu». Sepse kishte frikë se edhe ky do t'i vdiste si të tjerët. Kështu, Tamara shkoi e jetoi në shtëpinë e të atit.
12 Pas një kohe të gjatë, vdiq gruaja e Judës, bija e Shuaut. Kur mbaruan ditët e zisë, Juda bashkë me mikun e tij, Hirahun nga Adulamia, shkuan në Timnah te qethësit e dhenve. 13 Tamarën e lajmëruan që vjehrri i saj po shkonte në Timnah për të qethur dhentë. 14 Ajo hoqi rrobat e vejërisë, u mbulua me një vel, u mbështoll e tëra dhe u ul në hyrje të Enaimit që ishte rrugës për në Timnah. E bëri këtë, sepse kishte parë që Shelahu ishte rritur, por nuk ia kishin dhënë për burrë. 15 Juda e pa dhe e kujtoi për lavire, se ajo e kishte fytyrën të mbuluar. 16 Ai iu afrua buzë rrugës e i tha: «Eja të flemë bashkë!», sepse nuk e dinte se ishte e reja e tij. Ajo i tha: «Çfarë do të më japësh që të flesh me mua?». 17 Ai iu përgjigj: «Do të të çoj një kec nga kopeja». Ajo tha: «Vetëm nëse më jep një peng derisa të ma dërgosh». 18 Ai i tha: «Çfarë pengu do që të të jap?». Ajo i tha: «Vulën, varësen dhe shkopin që ke në dorë». Ai ia dha. Fjeti me të e ajo mbeti shtatzënë. 19 Pastaj Tamara u ngrit e u largua. Hoqi velin e veshi rrobat e vejërisë.
20 Juda ia çoi kecin përmes mikut nga Adulamia që t'i merrte pengun, por ai nuk e gjeti. 21 I pyeti vendasit: «Ku është lavirja e kultit që rrinte në Enaim, pranë rrugës?». Ata i thanë: «Këtu nuk ka pasur lavire kulti». 22 Pastaj u kthye te Juda e i tha: «Nuk e gjeta dhe vendasit më thanë se aty nuk ka pasur lavire kulti». 23 Atëherë Juda tha: «Le ta mbajë pengun, përndryshe do të bëhemi gazi i botës. Ja, unë ia çova kecin, por ti nuk e gjete».
24 Pas tre muajsh e lajmëruan Judën e i thanë: «Tamara, e reja jote, është bërë lavire e ka mbetur shtatzënë». Atëherë Juda tha: «Nxirreni jashtë e digjeni!». 25 Kur po e nxirrnin jashtë, ajo dërgoi njerëz te i vjehrri për t'i thënë: «Burri, të cilit i përkasin këto, më la me barrë. Shiko mirë! E kujt është kjo vulë, kjo varëse e ky shkop?». 26 Juda i njohu e tha: «Tamara është më e drejtë se unë, sepse nuk i dhashë Shelahun, tim bir». Ai nuk fjeti më me të.
27 Kur erdhi koha për të lindur, ajo lindi binjakë. 28 Gjatë lindjes njëri nga binjakët nxori dorën. Mamia ia kapi dorën dhe i lidhi një fije të kuqe e tha: «Ky doli i pari». 29 Por sapo ky e tërhoqi brenda dorën, doli i vëllai. Atëherë ajo tha: «Si çave përpara ti!». Prandaj u quajt Perec. 30 Pastaj doli i vëllai, në dorën e të cilit ishte fija e kuqe. Ky u quajt Zerah.
1 Edhe nd’atë kohë Judha sbriti nga të vëllezërit’ e ti, edhe u kthye te një njeri Adullamit që kluhej Hirah. 2 Edhe Judha pa atie të bilën’ e një Hanaaniti, që kluhej Shuah, edhe e mori, e hyri te ajo. 3 Edhe ajo u mbars, e polli dialë, edhe ja kluajti emërin’ ati Er. 4 Edhe u mbars përsëri, e polli dialë, edhe ja kluajti emërin’ ati Onan. 5 Edhe polli përsëri një tiatërë dialë, edhe ja kluajti emërin’ ati Shellah, edhe (Judha) ishte ndë Hezib, kur i lindi ky. 6 Edhe Judha mori grua për Erinë dialin’ e ti të parinë, e cila kluhej Tamarë. 7 Edhe Eri i pari dial’ i Judhësë, qe i lik përpara Zotit, edhe Zoti e vrau atë. 8 Edhe Judha i tha Onanit: Hyrë te gruaja e tyt vëlla, edhe martohu me atë, edhe ngjall farë mbë tët vëlla. 9 Po Onani e dinte, se fara nukë do t’ishte e ti, përandaj kur hynte te gruaja e të vëllat, e derthte përdhe, që të mos i epte farë të vëllat. 10 Edhe këjo (punë) që bënte u duk e ligë përpara Zotit, andaj vrau edhe këtë. 11 Edhe Judha i tha Tamarësë së resë ti: Rri ndë shtëpi tyt et e ve, gjersa të rritetë Shellahu im bir, sepse thoshte: Mos vdesë edhe ky posi të vëllezërit’ e ati. Vate pra Tamara, edhe ndenji ndë shtëpi të t’et. 12 Edhe pas shumë diç vdiq e bila e Shuahut, e shoqeja e Judhësë, edhe passi u ngushullua Judha, u ngjit ndë Timnathë te ata që qethinë dhëntë, ay edhe miku i ati Hirah Adullamiti. 13 Edhe i dhanë zë Tamarësë, e i thanë: Na yt vieherrë tek po ngjitetë ndë Timnathë për të qethurë dhënt’ e ti. 14 Edhe ajo sveshi rrobet’ e saja të përzishëmetë, edhe u mbulua me napë, edhe u pshtuall, edhe ndenji tek shkon udha e Timnathësë, sepse pa se u rrit Shellahu, edhe ajo nuk’ iu dha ati për grua. 15 Edhe Judha kur pa atë, kujtoi se ishte kurvë, sepse kishte mbuluarë faqen’ e saj. 16 Edhe (tuke shkuar’) udhësë, u kthye tek ajo, e (i) tha: Të lutem, lërmë të hynj te ti; sepse nuk’ e dinte se ajo ishte e reja. Edhe ajo tha: Ç’do të më apç që të hynjsh tek unë? 17 Edhe ay tha: Unë do të të dërgonj një keth dhish nga tufa. Edhe ajo tha: A (më) ep penk, gjersa ta dërgonjç? 18 Edhe ay tha: Ç’penk (do) të t’ap? Edhe ajo tha: Unazënë tënde, e qaforenë tënde, e stapnë tënt që ke ndë dorët tënde. Edhe (ay ja) dha asaj, edhe hyri tek ajo, edhe ajo u mbars nga ay. 19 Pastaj ajo u ngre, e vate, edhe si u sbulua, veshi rrobet’ e saja të përzishëmetë. 20 Edhe Judha dërgoi kedhin’ e dhivet me dorë të mikut vet Adullamitit, që të merrte prap pengunë nga dora e gruasë, po nuk’ e gjeti atë. 21 Edhe (ay) pyeti njerëzit’ e vëndit asaj e tha: Ku (është) kurva, e cila (rrinte) mbë të shkuarët t’udhësë? Edhe ata thanë: S’ka qënë ndonjë kurvë këtu. 22 Edhe ay u kthye te Judha, e tha: Nuk’ e gjeta atë, por edhe njerëzit’ e vëndit thanë: S’ka qënë ndonjë kurvë këtu. 23 Edhe Judha tha: Le t’(i) ketë (ato), që të mos përqeshemi, na unë tek i dërgova këtë keth, po ti nuk’ e gjete. 24 Edhe pas tre muajsh i dhanë zë Judhësë, tuke thënë: Tamara jot re kurvëroi, edhe na tek është me barrë nga kurvëria. Edhe Judha tha: Bireni atë jashtë, edhe le të digjetë (ndë zjarr). 25 Edhe (ajo) kur po bihej jashtë, i dërgoi të vieherrit, e i tha: Nga ay njeriu që janë këto (plaçëka) u mbarsa; pastaj tha: Të lutem, njihe, e kujt (ësht’) unaza, e qaforeja, e ky stap. 26 Edhe Judha (i) njohu, edhe tha: (Këjo qënëka) më e dreitë se unë, sepse nuk’ ia dhashë atë Shellahut tim bir. Edhe nuk’ e njohu atë tietërë herë më. 27 Edhe nd’atë kohë kur do të pillte, na dy binjakë ndë barkut t’asaj. 28 Edhe kur po pillte, (njëri) nxori dorënë jashtë, edhe mamica mori e i lidhi dorënë me një fill të kuq, edhe tha: Ky dolli më përpara. 29 Edhe si hoqi prapa dorën’ e ti, na te dolli i vëllai, edhe ajo tha: Ç’prishëje bëre (kështu)? Mbi ty (qoftë) prishëja. Përandaj u kluajti emëri i ati Fares. 30 Edhe pastaj doli i vëllai ati, që kishte fillin’ e kuq mbë dorët të ti, edhe emëri i ati u kluajti Zarah.