Kaini dhe Abeli
1 Adami fjeti me Evën, gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Kainin, prandaj tha: «Me ndihmën e Zotit fitova një njeri!». 2 Pastaj lindi Abelin, vëllanë e tij. Abeli ishte bari dhensh, ndërsa Kaini punonte tokën. 3 Pas njëfarë kohe Kaini i kushtoi Zotit nga frytet e tokës. 4 Edhe Abeli i kushtoi nga të parëlindurit e kopesë e nga dhjami i tyre. Zoti e pa me pëlqim Abelin dhe kushtimin e tij, 5 ndërsa Kainin dhe kushtimin e tij nuk e pa me pëlqim. Kaini u zemërua fort dhe i iku fytyra. 6 Zoti i tha Kainit: «Përse je zemëruar fort e të ka ikur fytyra? 7 Nëse vepron mirë a nuk do të shihesh me pëlqim? Por, nëse nuk vepron mirë, mëkati të pret te dera, të dëshiron, por ti duhet ta sundosh».
8 Kaini foli me Abelin, të vëllanë; kur u gjendën në fushë Kaini u ngrit kundër Abelit, të vëllait, dhe e vrau. 9 Zoti i tha Kainit: «Ku është Abeli, vëllai yt?». Ai tha: «Nuk e di. Mos jam rojtari i vëllait tim?!». 10 Zoti i tha: «Çfarë bëre?! Dëgjo , po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd.
11 Dhe tani mallkuar qofsh nga toka që hapi gojën për të përpirë gjakun e vëllait tënd, derdhur prej dorës sate. 12 Kur të punosh tokën, ajo nuk do të t'i japë më prodhimet e saj. Ikanak e endacak do të jesh mbi tokë». 13 Kaini i tha Zotit: «Ndëshkimi im është më i madh nga ç'mund të mbaj. 14 Ja, ti sot më dëbove nga faqja e dheut dhe do të jem i fshehur nga prania jote. Ikanak e endacak do të jem mbi tokë e kushdo që më gjen do të më vrasë». 15 Zoti i tha: «Jo, se kush vret Kainin, ndaj atij do të merret hak shtatëfish». Dhe Zoti i vuri një shenjë Kainit, që kushdo që e gjen të mos e vrasë. 16 Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit.
Pasardhësit e Kainit
17 Kaini fjeti me gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Enokun. Pastaj ndërtoi një qytet dhe e quajti Enok, sipas emrit të të birit. 18 Enokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Mehujaeli, Mehujaelit i lindi Metushaeli e Metushaelit i lindi Lameku. 19 Lameku mori dy gra. Njëra quhej Ada, ndërsa tjetra Zila. 20 Ada lindi Jabalin. Ky ishte ati i atyre që banojnë në tenda e kullotin bagëtitë. 21 Vëllai i tij quhej Jubal. Ky ishte ati i atyre që i bien qestes e fyellit. 22 Zila lindi edhe Tubal Kainin. Ky ishte farkëtar i çdo vegle prej bronzi e hekuri. Motra e Tubal Kainit ishte Naama.
23 Lameku u tha grave të veta:
«Adë e Zilë, dëgjoni zërin tim.
O gratë e Lamekut, mbani vesh fjalën time:
për një plagë vrava një burrë,
për një të goditur, një djalosh.
24 Shtatëfish iu mor haku Kainit
e Lamekut shtatëdhjetë e shtatë herë».
25 Adami fjeti përsëri me gruan e tij. Ajo lindi djalë dhe e quajti Set. Prandaj tha: «Perëndia më dha një pasardhës tjetër në vend të Abelit që ma vrau Kaini». 26 Edhe Setit i lindi djalë dhe e quajti Enosh.
Asokohe filloi të thirret emri i Zotit.
1 Edhe Adhami njohu Evënë gruan’ e ti; edhe (ajo) u mbars, edhe polli Kaininë; edhe tha: Fitova një njeri prej Zotit. 2 Edhe ajo përsëri polli të vëllan’ e ati Avelinë; edhe Aveli ishte bari dhensh, edhe Kaini ishte bujk.
3 Edhe pas ca diç Kaini i pruri Zotit dhuratë nga pemët’ e dheut. 4 Edhe Aveli pruri edhe ay nga të lashtat’ e dhenet ti, edhe nga dhiami i atyreve. Edhe Zoti vështroi me sy të mirë Avelinë; edhe dhuratën’ e ati; 5 po Kainin’ edhe dhuratën’ e ati nuk’ e vështroi; edhe Kaini u zemërua fort, edhe iu vreruanë sytë. 6 Edhe Zoti i tha Kainit: Përse u zemërove? Edhe përse t’u vreruanë sytë? 7 Ti ndë bëfsh mirë, mos nukë do të pritesh me të mirë? Edhe ndë mos bëfsh mirë, faji dergjetë ndë derët. Edhe dëshërimi i ati (do të jetë) te ti, edhe ti do të zotëronjç mbi atë.
8 Edhe Kaini foli me Avelinë të vëllanë e ti; edhe kur ishinë ndë fushët, Kaini u ngre përmbi Avelinë të vëllanë, edhe e vrau. 9 Edhe Zoti i tha Kainit: Ku (ësht’) Aveli yt vëlla? Edhe ay tha: Nukë di, sos jam unë ruajtësi i tim vëllai? 10 Edhe (Zoti) tha: Ç’bëre? Zëri i gjakut tyt vëllai këlthet tek unë nga dheu; 11 edhe tashi qofsh i mallëkuarë nga dheu, që hapi gojën’ e ti të presë gjakun’ e tyt vëllai nga dora jote; 12 kur të punonjç dhenë, paskëtaj s’ka për të dhënë ty pemën’ e ti; do të sillesh andej’ e këtejë, e do të ikënjç mbi dhet. 13 Edhe Kaini i tha Zotit: Faji im (është) më i math, se sa munt të faletë; 14 na tek po më ndiek sot nga faqeja e dheut, edhe do të fshihem nga faqeja jote, edhe do të sillem andej’ e këtejë, edhe do të ikënj tejë mbi dhet; edhe kushdo që të më gjenjë, do të më vrasë. 15 Edhe Zoti i tha ati: Përandaj kushdo që të vrasë Kaininë, do të mundonetë shtatë herë. Edhe Zoti i vuri shenjë Kainit, që të mos e vrasë atë kushdo që t’e gjenjë.
16 Edhe Kaini dolli nga faqeja e Zotit, edhe ndenji ndë dhet të Nodhit, mbë të lindurit të diellit ndë Edhemë.
17 Edhe Kaini njohu gruan’ e ti, edhe (ajo) u mbars, edhe polli Enohunë; edhe ndërtoi një qytet, edhe ja vuri emërinë qytetit Enoh, mb’ emërit të birit. 18 Edhe Enohut i lindi Iradhi; edhe Iradhit i lindi Mehujaili; edhe Mehujailit i lindi Methusaili; edhe Methusailit i lindi Llamehu. 19 Edhe Llamehu mori dy gra për vetëhen e ti; njërësë (ja thoshin’) emërin’ Adhahë, edhe tiatrësë (ja thoshin’) emërinë Sillahë. 20 Edhe Adhaha polli Javallinë; edhe ky ishte i ati atyreve që rrininë ndër tenda, edhe (kullotinë) bagëti. 21 Edhe emëri i të vëllait (ishte) Juvall; ky ishte i ati gjith’ atyreve që i bininë qitharës’ e fyellit.
22 Kështu edhe ajo Sillaha polli Thuvall-kainë, ndërtonjësin’ e çdo farë orendie prej rami e prej hekuri; edhe e motëra e Thuvall-kainit (ishte) Naamaha.
23 Edhe Llamehu u tha gravet ti: Adhahë edhe Sillahë, dëgjomëni zënë, o grat’ e Llamehut; mbani vesh fialëvet mia, sepse vrava burrë që ta kem plagë, edhe dialosh që ta kem frushkullë,
24 sepse Kainit do t’i shpaguhet’ (e keqeja) shtatë herë, po Llamehut shtatëdhiet’ e shtatë herë.
25 Edhe Adhami njohu përsëri gruan e ti, edhe (ajo) polli dialë, edhe ajo ja vuri emërinë Sith (tuke thënë), se Perëndia më dha një tietërë farë ndë vënt të Avelit, që vrau Kaini. 26 Po kështu edhe Sithit i lindi dialë, edhe ja vuri emërinë Enos. Atëhere zunë të kluhenë me emërin’ e Zotit.