Dhjetë urdhërimet
1 Perëndia tha këto fjalë: 2 «Unë, Zoti, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë.
3 Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje.
4 Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme.
5 Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë Zoti, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezninë e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. 6 Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e që zbatojnë ligjin tim.
7 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij.
8 Kujtoje ditën e shtunë dhe shenjtëroje. 9 Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, 10 por dita e shtatë është e shtuna e Zotit, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote e as i huaji që rri me ty. 11 Sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka është në to. Ditën e shtatë ai pushoi, prandaj edhe Zoti e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtunë.
12 Ndero atin tënd e nënën tënde, që të kesh jetë të gjatë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt.
13 Mos vrit.
14 Mos bëj tradhti bashkëshortore.
15 Mos vidh.
16 Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërtit tënd.
17 Mos lakmo shtëpinë e tjetrit. Mos lakmo gruan e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë që është e tija».
18 Tërë populli i dëgjoi e i pa gjëmimet, vetëtimat, jehonën e bririt dhe malin në tym, u drodh nga frika dhe qëndroi larg. 19 Atëherë i thanë Moisiut: «Fol ti me ne e ne do të dëgjojmë. Të mos na flasë Perëndia, përndryshe do të vdesim!». 20 Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Perëndia erdhi për t'ju sprovuar, që ta druani gjithnjë e të mos mëkatoni». 21 Populli qëndroi larg, ndërsa Moisiu iu afrua resë së errët, ku ishte Perëndia.
Ligji për altarin
22 Zoti i tha Moisiut: «Kështu do t'u thuash izraelitëve: “Ju vetë e patë si ju fola prej qiellit! 23 Mos bëni Perëndi tjetër përkrah meje, as prej argjendi, as prej ari. 24 Më bëj një altar dheu e në të flijo dele e qe si fli shkrumbimi e paqtimi. Në çdo vend ku do të caktoj të nderohet emri im, do të vij për të të bekuar. 25 Nëse më ndërton altar guri, nuk do të përdorësh gurë të latuar, se po e preke me daltë do ta përdhosësh. 26 Mos bëj shkallë për t'u ngjitur tek altari im, që lakuriqësia jote të mos zbulohet mbi të”».
1 Edhe Perëndia foli gjithë këto fialë, tuke thënë:
2 Unë (jam) Zoti Perëndia yt, që të kam nxierrë nga dheu i Egjyptërisë, nga shtëpia e shërbesësë.
3 Mos kesh të tierë perëndira, veç meje.
4 Mos bënjç për vetëhenë tënde idhull, as të përgjajturë ndonjë gjëje që (është) lart ndë qiell, a që (është) poshtë ndë dhet, a që është ndër ujërat përposh dheut; 5 mos u falesh, as t’i luç, sepse unë Zoti Perëndia yt (jam) Perëndi zilitar, që shpaguanj fajet’ e atërëvet mbi djemt, gjer mbë të tretin’ edhe të katrëtinë (bres) atyreve që më kanë mëri, 6 edhe bënj përdëllim mbë milëra (brezash) atyreve që më duanë, edhe ruanjën’ urdhërimet’ e mi.
7 Mos marrç emërin’ e Zotit Perëndisë tënt mbë të kotë, sepse Zoti nukë do të nxierrë pa faj atë që merr emërin’ e ati mbë të kotë.
8 Kujto ditën’ e savvatësë, që të shënjtëronjç atë. 9 Gjashtë dit puno, edhe bën gjithë punët’ e tua, 10 por e shtata ditë (është) Savvata e Zotit Perëndisë tënt, (nd’atë ditë) mos bënjç asndonjë punë (as) ti, as yt bir, as jot bilë, (as) shërbëtori yt, as shërbëtoreja jote, as bagëtia jote, as i huaji yt, që (është) përbrënda dyervet tua, 11 sepse (ndë) gjashtë dit Zoti bëri qiellin’ edhe dhenë, detinë, edhe gjithë sa (janë) nd’ato, edhe të shtatënë ditë pushoi.
12 Ndero tët-atë e tët ëmë, që të bënesh jetëgjatë mbi dhet, që të ep Zoti Perëndia yt.
13 Mos vraç.
14 Mos kurvëronjsh.
15 Mos viethç.
16 Mos bënjç deshmi të rreme kundrë të afërmit tënt.
17 Mos dëshëronjç shtëpin’ e të afërmit tënt, mos dëshëronjç gruan’ e të afërmit tënt, as shërbëtorin’ e ati, as shërbëtoren’ e ati, as kan’ e ati, as gomarin’ e ati, as çdo gjë që (ësht’) e të afërmi tënt.
18 Edhe gjithë gjëndëja shihte bubullimat’ e vetëtimatë, edhe zën’ e trumbetësë, edhe malinë tuke nxierrë tym; edhe gjëndëja kur pa, u hoqnë, e ndenjnë së largu. 19 Edhe i thanë Moisiut: Ti folë neve, edhe do të dëgjojmë, edhe le të mos na flasë Perëndia, që të mos vdesëmë.
20 Edhe Moisiu i tha gjëndëjesë: Mos frikësohi, sepse Perëndia erdhi t’u provonjë, edhe që të jetë frika e ati përpara jush, që të mos fëleni.
21 Edhe gjëndëja ndenji për së largu, edhe Moisiu u afrua ndë errësirët atie ku (ishte) Perëndia.
22 Edhe Zoti i tha Moisiut: Kështu u thuaj të bijet Israilit: 23 Ju patë se fola nga qielli me ju; mos bëni perëndira të argjënttë me mua, as mos bëni perëndira t’artë për vetëhenë tuai; 24 bëni për mua therore prei dheu, edhe bëni kurbanetë tuai të diegurë gjithë mbi atë, edhe dhuratatë tuaja të paqtimit, dhëntë tuaja, e qetë tuai, mbë gjithë çdo vënt, atie ku të përmënt emërinë tim, do të vinj te ti, e do të bekonj ty; 25 edhe ndë bëfsh therore prei gurësh për mua, të mos (e) ndërtonjç prei guri të gdhëndurë, sepse, ndë shkofsh hekurishtënë tënde sipër’ asai, do të ndynjç atë; 26 edhe mos hipç me shkallë mbi therorenë time, që të mos sbulonetë të sveshuritë tat mbi atë.