Arka
1 Becaleli e bëri arkën me dru akacieje. Ajo ishte dy kute e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë. 2 E praroi me ar të pastër si brenda, edhe jashtë dhe i punoi një kornizë të artë përreth. 3 Shkriu katër rrathë të artë për të katër këmbët, dy në njërin krah e dy në krahun tjetër. 4 Pastaj punoi shufra me dru akacieje e i praroi. 5 Shufrat i kaloi nëpër rrathë, në krahë të arkës për ta mbartur. 6 Bëri edhe një kapak me ar të pastër. Kjo është pajtimorja. E bëri dy kute e gjysmë të gjatë dhe një kut e gjysmë të gjerë. 7 Punoi dy kerubë të artë dhe i farkëtoi në të dyja anët e pajtimores. 8 Njëri ishte në njërin skaj e tjetri në skajin tjetër. Kerubët ishin një me pajtimoren, në të dyja skajet e saj. 9 Krahët i kishin të shtrirë lart e me to mbulonin pajtimoren. Ishin përballë njëri-tjetrit dhe me fytyrë nga pajtimorja.
Tryeza
10 Pastaj bëri tryezën me dru akacieje, dy kute të gjatë, një kut të gjerë dhe një kut e gjysmë të lartë. 11 E praroi me ar të pastër dhe i bëri një kornizë të artë përreth. 12 Vuri përreth tryezës një buzë një pëllëmbë të gjerë dhe përreth buzës bëri një kornizë të artë. 13 Pastaj shkriu katër rrathë të artë dhe i vendosi në të katër këndet e tryezës, nga një për çdo këmbë. 14 Ato ishin pranë buzës së tryezës që shufrat të kalonin për të mbartur tryezën. 15 Shufrat i punoi me dru akacieje dhe i praroi që, me to, të mbartet tryeza. 16 Enët e tryezës, tasat, kupat, brokat e kanat që përdoren për fli stërpikjeje i bëri prej ari të pastër.
Shandani
17 Pastaj bëri shandanin me ar të pastër. Bazën dhe trungun e shandanit e farkëtoi. Kupat, sythat dhe fletët ishin një me shandanin. 18 Nga trungu i shandanit dilnin gjashtë degë: tre nga një anë dhe tre nga ana tjetër. 19 Dega e parë kishte tri kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë, sikurse edhe dega e dytë e kështu me radhë të gjashtë degët që dilnin nga shandani. 20 Trungu i shandanit kishte katër kupa në trajtën e lules së bajames, secila me sytha e fletë. 21 Pastaj punoi një syth poshtë dy degëve të para që dilnin nga trungu, një syth tjetër poshtë dy degëve të dyta dhe kështu me radhë për gjashtë degët që dilnin nga shandani. 22 Sythat dhe degët ishin një me shandanin. I tëri u farkëtua si një trup i vetëm prej ari të pastër. 23 Shtatë llambat, mashat dhe kacitë i bëri me ar të pastër. 24 Për të punuar shandanin dhe tërë enët e tij u përdorën tridhjetë e pesë kilogramë ar i pastër.
Altari i temjanit
25 Pastaj bëri altarin për të djegur temjan. E punoi me dru akacieje dhe e bëri katror, një kut të gjatë, një kut të gjerë dhe dy kute të lartë. Brirët ishin një me altarin. 26 Praroi me ar të pastër pjesën e sipërme, anët përqark dhe brirët. Pastaj punoi një kornizë të artë përreth 27 dhe poshtë saj bëri nga dy rrathë të artë në të dyja anët. I vendosi në të dy krahët e altarit që shufrat të shkohen për ta mbartur. 28 Shufrat i punoi me dru akacieje dhe i praroi.
29 Pastaj përgatiti vajin e shenjtë të vajosjes dhe temjanin e pastër erëkëndshëm, një parfum i përzier me mjeshtëri.
1 Edhe Bezaleeli bëri arkënë prei druje shittimi, dy kut e gjymësë të gjatë, e një kut e gjymësë të gjërë, e një kut e gjymësë të lartë, 2 edhe mbuloi përqark me ar të këthiellëtë përbrënda e përjashta, edhe i bëri asai një kurorë të artë përqark.
3 Edhe derdhi për atë katrë rrathë t’artë për të katrë çipet e asai, dy rrathë mbë njërën’ ijën’ e asai, edhe dy rrathë mbë tietrën’ ijën’ e asai. 4 Edhe bëri shule prei druje shittimi, edhe i mbuloi përqark me ar, 5 edhe kalli shuletë ndëpër rrathët, ndër ijet të arkësë, që të mbarin’ arkënë.
6 Edhe bëri shpërblimtorenë prei ari të këthiellëtë, dy kut e gjymësë të gjatë, e një kut e gjymësë të gjërë.
7 Edhe bëri dy qeruvimë prei ari; të rrahur’ i bëri ata, nga të dy çipet’ e shpërblimtoresë, 8 një qeruv mbë një çip, e një qeruv mbë tiatrët çip; mbë shpërblimtorenë bëri qeruvimë mbë të dy çipet e asai, 9 edhe qeruvimëtë ndeninë krahëtë përpietë, e mbuloninë shpërblimtorenë me krahët të tyre, edhe faqet’ e atyreve (i kishinë) njëri mbë tietrinë, faqet’ e qeruvimëvet ishinë mbë shpërblimtorenë.
10 Edhe bëri truvezënë prei druje shittimi, dy kut të gjatë, e një kut të gjërë, e një kut e gjymësë të lartë, 11 edhe e mbuloi përqark me ar të këthiellëtë, edhe i bëri asai një kurorë t’artë rreth e rrotullë. 12 Pastaj i bëri asai buzënë përqark, një pëllëmë të gjërë, edhe bëri një kurorë t’artë mbi buzët’ t’asai rreth e rrotullë. 13 Edhe derdhi për atë katrë rrathë t’artë, edhe vuri rrathëtë mbi të katrë çipet, që (ishinë) mbi të katrë këmbët e asai, 14 rrathët’ ishinë ndënë buzët, vëndet’ e shulevet, për të mbarturë truvezënë. 15 Edhe bëri shuletë prei druje shittimi, edhe i mbuloi përqark me ar, për të mbarturë truvezënë. 16 Edhe bëri enëtë që (ishinë) mbi truvezët, dhisqet’ e asai, e thimiatorët’ e asai, e lekanët’ e asai, e spërkatoretë, që të bënenë të spërkaturatë me ato, prei ari të këthiellëtë.
17 Bëri edhe kandilenë prei ari të këthiellëtë, kandilen’ e bëri të rrahurë; kurmi i asai, e degat’ e asai, lekanët’ e asai, sumbullat’ e asai, e lulet’ e asai, ishinë një kurm bashkë me atë. 18 Edhe gjashtë dega dilinë nga ijet’ e asai, tri dega të kandilesë nga njëra ije t’asai, edhe tri dega të kandilesë nga tietëra ije t’asai, 19 tre lekanë të surrugjatë mbë njërënë degë, një sumbullë, e një lule; edhe tre lekanë të surrugjatë mbë tietrënë degë, një sumbullë, e një lule; kështu (bëri) mbë të gjashtë degat, që dilinë nga kandileja. 20 Edhe ndë kandilet (ishinë) katrë lekanë të surrugjatë, sumbullat’ e atyreve, e lulet’ e atyreve. 21 Edhe një sumbullë ndënë të dy degat nga ajo, e një sumbullë ndënë të dy degatë nga ajo, e një sumbullë ndënë të dy degatë nga ajo, ndë të gjashtë degat që dilinë nga ajo. 22 Sumbullat’ e atyreve, e degat’ e atyreve ishinë një kurm bashkë me atë, ajo e tërë ishte e rrahurë prei ari të këthiellëtë. 23 Edhe bëri të shtatë dritat’ e asai, e gërshërët’ e asai, e vëndet’ e asai, prei ari të këthiellëtë.
24 Prej një tallande ari të këthiellëtë, bëri atë, edhe gjith’ enët’ e asai.
25 Edhe bëri theroren’ e thimiamësë prei druje shittimi, një kut të gjatë, e një kut të gjërë, me katrë çipe, edhe dy kut të lartë; krahët’ e asai ishinë prei një gjëje. 26 Edhe e mbuloi atë me ar të këthiellëtë, kryet’ e asai, e ijet’ e asai rrotullë, edhe krahët’ e asai, edhe i bëri asai kurorë t’artë rreth e rrotullë. 27 Edhe bëri për ato dy rrathë t’artë ndënë kurorët t’asai, afërë të dy çipevet asai, mbi të dy ijet t’asai, që (të jenë) vëndet’ e shulevet, që ta mbanin’ atë prei atyre. 28 Edhe bëri shuletë prei druje shittimi, edhe i mbuloi përqark me ar.
29 Edhe bëri valin’ e shënjtëruarë për të lyerë, edhe thimiamën’ e qëruarë me erë të mirë, pas mieshtërisë ati që bën erëra të mira.