Perëndia dërgon Moisiun
1 Moisiu iu përgjigj Perëndisë e i tha: «Po sikur të mos më besojnë, të mos ma dëgjojnë fjalën e të më thonë: “Nuk të është shfaqur Zoti”?». 2 Atëherë Zoti i tha: «Çfarë ke në dorë?». Ai u përgjigj: «Një shkop». 3 Ai i tha: «Hidhe në tokë!» dhe Moisiu e hodhi në tokë. Shkopi u kthye në gjarpër dhe Moisiu u step para tij. 4 Por Zoti i tha Moisiut: «Zgjate dorën dhe kape prej bishti!». Ai zgjati dorën dhe e kapi. Atëherë gjarpri iu kthye në shkop. 5 Perëndia i tha: «Kështu do të besojnë se t'u shfaq Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit».
6 Zoti i tha përsëri: «Fute dorën në kraharor!». Moisiu futi dorën në kraharor dhe, kur e nxori, lëkura e dorës iu sëmur e iu bë e bardhë si bora. 7 Perëndia i tha: «Fute prapë dorën në kraharor!». Ai e futi dhe, kur e nxori, dora iu kthye si më parë, si gjithë pjesa tjetër e trupit. 8 Pastaj Perëndia i tha: «Nëse nuk të besojnë dhe nuk e pranojnë shenjën e parë, do t'i besojnë të dytës. 9 Dhe nëse nuk u besojnë as këtyre dy shenjave e nuk ta dëgjojnë fjalën, merr ujë nga lumi Nil dhe derdhe në tokë. Atëherë uji që do të marrësh nga Nili do të kthehet në gjak mbi tokë».
10 Por Moisiu i tha Zotit: «Të lutem, Imzot, unë kurrë nuk kam qenë njeri i gojës, as dje, as më përpara dhe as tani që i fole shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë e në të folur». 11 Zoti i tha: «Kush ia dha gojën njeriut? Kush e bën memec apo të shurdhër? Kush e bën të shohë apo të verbër? A nuk jam unë, Zoti? 12 Tani, pra, shko! Unë do të jem me ty kur të flasësh dhe do të të mësoj çfarë të thuash». 13 Por Moisiu i tha: «Të lutem, Imzot, dërgo dikë tjetër». 14 Atëherë Zoti u zemërua me Moisiun e i tha: «A nuk është Aron Leviti vëllai yt? Ai flet mirë. Ja, po del të të takojë dhe do të gëzohet kur të të shohë. 15 Fol me të dhe tregoji çfarë të thotë. Unë do të jem me ju të dy kur të flisni e do t'ju mësoj çfarë të bëni. 16 Lëre Aronin t'i flasë popullit në vendin tënd. Ai do të jetë goja jote dhe ti do të jesh perëndi për të. 17 Merre edhe këtë shkop në dorë. Me të do t'i bësh shenjat».
Moisiu kthehet në Egjipt
18 Atëherë Moisiu shkoi, u kthye te vjehrri i tij, Jetri, e i tha: «Lërmë të kthehem te vëllezërit e mi në Egjipt, që të shoh në janë ende gjallë». Jetri i tha Moisiut: «Shko në paqe!». 19 Zoti i tha Moisiut në Midian: «Kthehu në Egjipt, sepse të gjithë njerëzit që donin të të vrisnin kanë vdekur». 20 Moisiu mori me vete gruan dhe bijtë e tij, i ngarkoi mbi gomarë e u nis për në tokën e Egjiptit. Ai mori në dorë edhe shkopin e Perëndisë. 21 Zoti i tha Moisiut: «Kur të kthehesh në Egjipt bëji para faraonit të gjitha mrekullitë që të lashë në dorë t'i bësh. Por unë do t'ia ngurtësoj zemrën dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë. 22 Pastaj do t'i thuash faraonit: “Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im i parëlindur. 23 Prandaj po të them: lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë. Nëse nuk e lë të shkojë, unë do të vras birin tënd të parëlindur”».
24 Rrugës, në një vend ku kaluan natën, Zoti i doli përpara dhe deshi ta vriste. 25 Atëherë Sefora mori një gur të mprehtë, ia preu lafshën të birit dhe duke i prekur gjymtyrën , tha: «Të kam dhëndër gjaku!». 26 Perëndia u tërhoq prej tij e ajo tha: «Dhëndër gjaku nga rrethprerja».
27 Zoti i tha Aronit: «Shko të takosh Moisiun në shkretëtirë». Ai shkoi, i doli Moisiut përpara në malin e Perëndisë dhe e puthi. 28 Moisiu i tregoi Aronit të gjitha fjalët që Zoti i kishte porositur të thoshte dhe të gjitha shenjat që i kishte urdhëruar të bënte. 29 Pastaj Moisiu e Aroni shkuan e mblodhën gjithë pleqtë e Izraelit. 30 Aroni u tha tërë fjalët që Zoti i kishte thënë Moisiut dhe i bëri shenjat para popullit. 31 Populli u besoi dhe, kur dëgjuan se Zoti e kishte kujtuar Izraelin dhe e kishte parë mjerimin e tyre, u përkulën dhe e adhuruan.
1 Edhe Moisiu u përgjeq, e tha: Po na tek nukë do të më besonjënë, as nukë do të më dëgjonjënë zënë, sepse do të thonë: Nukë t’u duk ty Zoti. 2 Edhe Zoti i tha ati: Ç’ (është) këjo që ke ndë dorët tënde? Edhe ay tha: Stap. 3 Edhe tha: Hidhe përdhe. Edhe ay e hodhi përdhe, edhe u bë gjarpër, edhe Moisiu iku nga syt e ati. 4 Edhe Zoti i tha Moisiut: Ndej dorënë tënde, edhe zëre për bishti (edhe ay ndejti dorën’ e ti, edhe e zuri, edhe u bë stap ndë dorët të ati), 5 që të besonjënë se t’u duk Zoti Perëndia i atëravet atyre, Perëndia i Avraamit, (e) Perëndia i Isaakut, e Perëndia i Jakovit.
6 Pastaj Zoti i tha ati: Vëre dorënë tënde ndë gjit tënt. Edhe vuri dorën’ e ti ndë gjit të ti, edhe kur e nxori, na dora e ati (tek u bë) e sgjebosurë posi bora. 7 Edhe tha: Vëre përsëri dorënë tënde ndë gjit tënt. Edhe vuri dorën’ e ti ndë gjit të ti, edhe kur e nxori nga gjiri ti, na tek u bë prap posi mishi i ati. 8 Edhe (Zoti tha): Ndë mos të besofshinë, as ndë mos dëgjofshinë zën’ e shenjësë parë, do t’i besonjënë zërit shenjësë dytë; 9 edhe ndë mos u besofshin’ edhe këtyre të dy shenjeve, as ndë mos dëgjofshinë zënë tënt, do të marrç nga ujët’ e lumit, edhe do t’e derdhç mbi tokët, edhe ujëtë që të marrsh nga lumi, do të bënetë gjak mbi tokët.
10 Edhe Moisiu i tha Zotit: Të lutem, Zot-o, unë nukë munt të flas bukurë, as die, as pardie, as atëhere kur i fole shërbëtorit tënt, po jam gojëmbajturë e gluhëmbajturë. 11 Edhe Zoti i tha ati: Kush i ka dhënë gojë njeriut, a kush e ka bërë të pagojinë, a të shurdhurinë, a atë që sheh, a të verbërinë? A nukë (jam) unë Zoti? 12 Shko tashi pra, edhe unë do të jem bashkë me gojënë tënde, edhe do të mësonj, ç’do të flaç. 13 Edhe ay tha: Të lutem, Zot-o, dërgo cilinë ke për të dërguarë. 14 Edhe Zotit iu ndes zemërimi kundrë Moisiut, edhe tha: A nuk’ (është) Aaron Leviti yt vëlla? E di se ay munt të flasë mirë, edhe na tek po të del përpara, edhe kur të shohë ty, do të gëzonetë ndë zemërët të ti, 15 ti pra do t’i flaç ati, edhe do t’i veç fialëtë ndë gojët t’ati, edhe unë do të jem bashkë me gojënë tënde, edhe bashkë me gojën’ e ati, edhe do t’u mësonj juve ç’duhetë të bëni, 16 edhe ay do t’i flasë gjëndëjesë ndë vënt tënt, edhe ay do të jetë për ty ndë vënt goje, edhe ti do të jesh për atë ndë vënt Perëndie, 17 edhe merr ndë dorë këtë stap, me të cilinë do të bënjç shenjetë.
18 Edhe Moisiu shkoi, e u kthye te Jothori i vëjehërri ti, edhe i tha ati: Të lutem, le të vete, e le të kthenem te tem vëllezër, që janë ndë Egjyptëri, edhe le të shoh ndë janë gjall më. Edhe Jothori i tha Moisiut: Shko ndë paqtim.
19 Edhe Zoti i tha Moisiut ndë Madhiam: Shko, (e) u kthe ndë Egjyptëri, sepse vdiqnë gjith’ ata njerëzitë që kërkoninë jetënë tënde. 20 Atëhere Moisiu mori me vetëhe gruan’ e ti, e djemt’ e ti, edhe i hipi ata mbi gomarë, e u kthye ndë dhe të Egjyptërisë; Moisiu mori edhe stapin’ e Perëndisë ndë dorë të ti. 21 Edhe Zoti i tha Moisiut: Kur të veç e të ktheneç ndë Egjyptëri, shiko të bënjç përpara Faraonit gjith’ato çuditë që të dhashë ndë dorë, po unë do t’i ashpëronj zemërën’ ati, edhe nukë do të lëshonjë gjëndëjenë, 22 edhe do t’i thuaç Faraonit: Kështu thotë Zoti: Israili ësht’ im bir, i paralinduri im, 23 edhe po të them ty: Lësho tem bir, që të më lusnjë, edhe ndë mos daç ta lëshonjç atë, na unë tek do të vras tët bir, të paralindurinë tënt.
24 Edhe (Moisiu) kur ishte mb’udhë, aty ku kishte rënë, u poq me atë Zoti, edhe kërkonte ta vriste. 25 Edhe Zepfora mori një gur të prehëtë, e i rrethpreu lafshënë të birt, edhe ja hodhi ndër këmbë ati, e tha: Me të vërtetë dhëndërr gjakrash je për mua. 26 Edhe iku prei ati, edhe ajo tha: Dhëndërr gjakrash (je) për punë të rrethpresëjesë.
27 Edhe Zoti i tha Aaronit: Shko e deli përpara Moisiut ndë shkretëtirët. Edhe (ay) vate, e u poq me atë ndë mal të Perëndisë, edhe e puthi atë.
28 Edhe Moisiu i tregoi Aaronit për gjith’ato fialët’ e Zotit, që e pat porositurë, edhe për gjith’ato shenjetë që urdhëroi atë. 29 Vanë pra Moisiu edhe Aaroni, edhe mbëlothnë gjithë pleqësin’ e të bijet Israilit, 30 edhe Aaroni foli gjith’ato fialë, që i foli Moisiut Zoti, edhe bëri shenjetë përpara gjëndëjesë. 31 Edhe gjëndëja besoj, edhe kur dëgjoi se Zoti vështroi të bijt’ e Israilit, edhe vuri re të vuarët’ e atyre, unjnë kryetë edhe iu falnë.