Shërbëtori i Zotit
1 Ja, shërbëtori im që unë e përkrah!
Ja, i zgjedhuri im që shpirtin ma kënaq!
Mbi të kam vënë shpirtin tim,
ai do t'u sjellë kombeve drejtësinë.
2 Nuk do të bërtasë, zërin s'do ta ngrejë,
s'do t'i dëgjohet zëri nëpër rrugë.
3 Kallamin e shkelur s'do ta thyejë,
kandilin që nxjerr tym s'do ta shuajë,
të drejtën me vërtetësi do ta shpallë.
4 S'do të meket, s'do të mposhtet,
derisa të ketë vënë drejtësi mbi tokë;
ujdhesat presin të mësojnë ligjin e tij.
5 Kështu thotë Zoti Perëndi,
ai që krijon qiejt e i ndeh,
ai që shtrin tokën me gjithçka prodhon,
që mbi tokë frymë i jep njeriut
e shpirt atyre që ecin mbi të:
6 unë, Zoti, të thirra në drejtësi
e për dore të kam kapur.
Të kam ruajtur e të kam caktuar
si besëlidhje për popullin,
si dritë për kombet,
7 për t'u hapur sytë të verbërve,
të burgosurit për t'i nxjerrë nga burgu,
prej shtëpisë së robërisë,
ata që rrinë në terr.
8 Unë jam Zoti, ky është emri im,
lavdinë time tjetërkujt s'ia jap,
as lavdërimet e mia idhujve të gdhendur.
9 Ngjarjet e mëparshme, ja, kanë ndodhur
e tani po shpall gjëra të reja.
Para se të ndodhin,
do t'jua bëj të njohura.
10 Këndojini Zotit një këngë të re,
jepini lavdi prej skajeve të dheut,
ju që lundroni në det e ju krijesat e detit,
ujdhesat me gjithë banorët e tyre.
11 Le ta ngrejë zërin shkretëtira e qytetet e saj,
bashkë me fshatrat e vendbanimeve të Kedarit,
banorët e Selaut le të brohorasin,
prej majave të maleve le të thërrasin.
12 Le t'i japin lavdi Zotit,
nëpër ujdhesa lavdërimin e tij të shpallin.
13 Si trim marshon Zoti,
porsi luftëtari e ndez zellin e tij,
me britma lëshon kushtrimin,
mbi armiqtë ngadhënjen.
14 Kam heshtur për shumë kohë,
kam mbyllur gojën, jam përmbajtur,
tani do të këlthas si gruaja kur lind,
do të gulçoj e do të turfulloj njëherësh.
15 Do të shkretoj male e kodra,
bimësinë e tyre do ta vyshk,
lumenjtë në ujdhesa do t'i kthej
e pellgjet do t'i thaj.
16 Të verbërve do t'u prij në udhë të panjohura,
shtigjeve që s'i njohin do t'i drejtoj,
errësirën para tyre në dritë do ta kthej,
udhët e shtrembra të drejta do t'i bëj.
Do t'i bëj këto gjëra për ta
e nuk do t'i braktis.
17 Do të kthehen të mbuluar me turp
ata që në idhujt besojnë,
ata që shtatoreve të derdhura u thonë:
«Ju jeni perënditë tona».
18 Dëgjoni, o të shurdhër!
O të verbër, hapni sytë e shihni!
19 Kush është i verbër, në mos shërbëtori im,
apo i shurdhër si lajmëtari që kam dërguar?
Kush është i verbër si i zgjedhuri im
apo i shurdhër si shërbëtori i Zotit?
20 Shumë gjëra pa, por s'u kushtoi vëmendje,
veshët hapur i pati, por nuk dëgjoi.
21 I pëlqeu Zotit, për hir të drejtësisë së tij,
ta madhërojë ligjin e ta bëjë të lavdishëm.
22 Një popull i plaçkitur e i vjedhur është ky,
të gjithë të prangosur nëpër gropa,
nëpër burgje i kanë mbyllur.
Janë bërë pre e askush nuk i çliron,
janë bërë plaçkë e askush s'thotë: «Ktheji!».
23 Kush prej jush po i vë vesh kësaj?
Kush prej jush do t'i kushtojë vëmendje
e do të dëgjojë për të ardhmen?
24 Kush e bëri Jakobin pre të plaçkitësve?
Kush e la Izraelin në dorë të kusarëve?
A nuk qe Zoti, kundër të cilit mëkatuam?
E, pra, udhëve të tij nuk deshën të ecnin,
ligjit të tij nuk iu bindën.
25 Furinë e zemërimit të tij mbi ta e derdhi,
bashkë me tmerrin e luftës.
I rrethoi zjarri nga të gjitha anët,
por as që e kuptuan,
i përpinë flakët,
por vesh nuk morën.
1 Na shërbëtori im, që e mbajta për krahësh, i sgjedhuri im, që pëlqeu shpirti im; vura frymënë t’ime mbi atë, do t’u tregonjë gjyq kombavet.
2 Nukë do të thërrasë, as nukë do të klëthasë, as nukë do të nxierrë zën’ e ti të dëgjonetë ndër udhët.
3 Nukë do të këputnjë kallam të thyerë, edhe nukë do të shuanjë li që tymon, do të nxierrë gjyq me të vërtetë.
4 Nukë do të mbetetë, as nukë do t’i porritetë zëmëra, gjersa të vërë gjyq ndë dhet, edhe dheujëzatë do të presënë nomin’ e ati.
5 Kështu thotë Perëndia Zoti, ay që bëri qiejetë, edhe i ndejti ata, ay që forcoi dhenë, edhe ato që lintjënë nga ay, ay që i ep erë gjëndëjesë që është mbi atë, edhe frymë atyreve që ecënjënë mbi atë.
6 Unë Zoti të thirra ndë dreitëri, edhe do të mbaj dorënë tënde, edhe do të të ruanj, edhe do të bënj dhiatë gjëndëje, dritë kombash,
7 që t’u hapsh sytë të verburet, të nxierrsh të lidhuritë nga të lidhuratë, ata që rrinë nd’ errësirë nga shtëpia e burgut.
8 Unë (jam) Zoti: ky (ësht’) emëri im, edhe nukë do t’i ap lavdinë t’ime tiatri, as lëvdurimnë t’im të gëdhenduravet.
9 Na tek erthnë ato që ishinë që ndë kryet të herësë, edhe që po ap zë për (kafsha) të ra; përpara se të mbinjënë, po u flas juve (për ato).
10 Këndoni Zotit kënkë të re, lavdin’ e ati nga anët’ e dheut, ju që sbritni ndë det, edhe të gjitha sa (janë) nd’ atë; dheujëzatë, edhe ata që rrinë ndër ato.
11 Shkretëtira, edhe qytetet’ e asaj le të ngrenë (zënë), katundetë që rri Qidari le të këndonjënë vëndësit’ e Sellasë [e Shkëmbit], le të brohorinjënë nga majat e malevet.
12 Le t’i apënë lavdi Zotit, edhe le t’apënë zë për lavdin’ e ati ndër dheujëzat.
13 Zoti do të dalë posi i fortë, do të ngrerë zëli posi luftëtar, do të klëthasë, po më fort do t’ulurinjë, do të dalë i fortë kundrë arëmiqet ti.
14 Që kurë pushova, a do të prëhem? A do të mbanj vetëhenë t’ime? (Tashi) do të klëthas, posi ajo që piell, do të përmbys e do të përpi bashkë.
15 Do të shkretonj malet’ e kodratë edhe do të thanj gjithë barin’ e atyreve, edhe do të bënj lumrat’ dheujëza, edhe do të thanj lëqenjtë.
16 Edhe do të bie të verburitë nga një udhë që nuk’ e dininë, do t’u heq udhën’ atyre ndër rruga që nuk’ i njihinë; do të bënj errësirënë dritë përpara atyreve, edhe të shtrembëtatë të drejta. Këto punë do t’u bënj atyre, edhe nukë do të heq dorë nga ata.
17 U këthyenë prapë, u turpëruanë, ata që shpëreninë mbë të gëdhendurat, ata që u thoshinë të derdhuravet: Ju (jeni) perënditë t’ona.
18 Pa dëgjoni, o të shurdhurë, edhe hapni sytë tuaj, o të verburë, që të shihni.
19 Kush (ësht’) i verburë, veçe se shërbëtori im? A i shurdhurë, veçe se zë-dhënësi im, që dërgova? Kush (ësht’) i verburë, veçe se i kulluari? Edhe (cili ësht’) i verburë, veçe se shërbëtori i Zotit?
20 Sheh shumë, po nukë vë re, hap veshëtë, po nukë dëgjon.
21 Zoti e pëlqen për punë të dreitërisë ti, do të madhonjë nomin’ (e ti), e do t’e bënjë të ndershim.
22 Po ajo (është) gjëndëje e riepur’ edhe e sveshurë; të gjithë janë zënë ndë dhokan ndëpër shpellat, edhe janë fshehurë ndëpër burgjet; janë plaçkë, edhe s’ka kush i shpërblen, (janë) gjë e rrëmbyerë, edhe s’ka se kush të thotë: Këthe-je.
23 Cili prej jush do t’i mbajë vesh kësaj? Do të ketë kujdes e do të dëgjonjë paskëndaj?
24 Cili dha ndë dorë Jakovinë për të rrëmbyerë, edhe Israilinë tek ata që plaçkitnjënë? As po jo Zoti vetë, mbë të cilinë fëlyen? Sepse nukë deshnë të ecninë ndër udhët t’ati, as i dëgjuanë nomit ati.
25 Përandaj derthte atë forcën’ e zemëratësë ti, edhe vrundullën’ e luftësë, edhe e përvëloi atë mbë gjith’ anët, po ay nuk’ e kupëtoi; edhe e dogji atë, po ay nuk’ e vuri (atë) ndë zëmërët.