Bijtë e Izraelit në Egjipt
1 Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën me Jakobin në Egjipt bashkë me familjet e tyre: 2 Rubeni, Simeoni, Levi, Juda, 3 Isahari, Zabuloni, Benjamini, 4 Dani, Neftaliu, Gadi e Asheri. 5 Të gjithë pasardhësit e Jakobit ishin shtatëdhjetë veta. Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt. 6 Jozefi, gjithë vëllezërit e tij dhe mbarë ajo brezni vdiqën. 7 Bijtë e Izraelit u shtuan, u rritën, u shumuan e u forcuan tej mase. Kështu, vendi u mbush me ta.
Shtypja e Izraelit
8 Atëkohë në Egjipt doli një mbret i ri që nuk e njihte Jozefin. 9 Ai i tha popullit të tij: «Ja, populli i Izraelit është më i madh e më i fuqishëm se ne! 10 Ejani, të tregohemi të zgjuar me ta, përndryshe do të shtohen dhe, në rast lufte, do të bashkohen me armiqtë tanë. Do të na luftojnë e do të largohen nga ky vend». 11 Kështu, caktuan mbikëqyrës skllevërish që t'i shtypnin me punë të detyruar. Bijtë e Izraelit ndërtuan për faraonin qytetet-depo të Pitomit e të Ramsesit. 12 Por, sa më shumë që i shtypnin, aq më shumë shtoheshin e përhapeshin. Egjiptianët filluan t'i kishin frikë bijtë e Izraelit. 13 Egjiptianët i munduan si skllevër bijtë e Izraelit. 14 Ua nxinë jetën me punë të rënda duke i detyruar të bënin llaç e tulla dhe çdo lloj pune në fushë. Ua morën shpirtin në të gjitha punët që bënin.
15 Mbreti i Egjiptit foli edhe me mamitë e hebrenjve. Njëra prej tyre quhej Sifra, ndërsa tjetra Pua. 16 Ai u tha: «Kur të ndihmoni gratë hebreje gjatë lindjes, nëse shihni se foshnja është djalë, vriteni, por nëse është vajzë, lëreni të rrojë». 17 Mamitë i druheshin Perëndisë dhe nuk bënë siç u tha mbreti i Egjiptit. Ato i lanë gjallë foshnjat meshkuj. 18 Atëherë mbreti i Egjiptit i thirri mamitë e u tha: «Përse po i mbani gjallë djemtë?». 19 Ato i thanë faraonit: «Gratë hebreje nuk janë si egjiptianet. Janë të forta dhe lindin para se t'iu vijë mamia». 20 Perëndia u tregua i mirë me mamitë dhe populli u shtua e u bë shumë i fortë. 21 Meqë mamitë i druheshin Perëndisë, ai u dha trashëgimtarë. 22 Atëherë faraoni e urdhëroi tërë popullin e tij: «Hidhni në Nil çdo djalë që lind, ndërsa vajzat lërini gjallë!».
1 Edhe këta (jan’) emërat’ e të bijet Israilit, që hynë ndë Egjyptëri bashkë me Jakovinë; gjithësecili hyri bashkë me fëmijët’ e ti:
2 Ruvini, Simeoni, Leviu, e Judha,
3 Issahari, Zabulluni, e Veniamini,
4 Dani, Neftali, Gadi, e Asheri.
5 Edhe gjithë shpirtëratë që duallë nga barku i Jakovit, ishinë shtatëdhietë shpirt, edhe Josifi ishte ndë Egjyptëri.
6 Edhe Josifi vdiq, edhe gjithë të vëllezërit’ e ati, edhe gjith’ ay bres. 7 Edhe të bijt’ e Israilit u shtuan’ e shumuan’ e u bënë shumë tepërë, edhe u forcuanë fort shumë, edhe u mbush vëndi nga ata.
8 Edhe u ngre një mbëret i ri ndë Egjyptëri, që nukë njihte Josifnë. 9 Edhe i tha kombit ti: Na kombi i të bijet Israilit (tek është) një shumic’ e madhe, edhe më i fortë se neve, 10 eni, le të mëndonemi kundrë atyreve, që të mos shtonenë më shumë, edhe ndë gjaftë ndonjë luftë, të mos piqen’ edhe këta bashkë me arëmiqtë tanë, edhe të na luftonjënë, e të ikënjënë nga vëndi. 11 Vunë pra përmbi ata kujdestarë për punët, që t’i shtrëngonin’ ata me barrët e atyreve, edhe ndërtuanë për Faraonë qytete qarkuarë me mure, Pithomënë, edhe Raamsesënë. 12 Po sa më i shtrëngonin ata, kaqë më tepërë shumoneshin’ e shtoneshinë. Edhe (Egjyptianët’) u kishinë mëri të bijet Israilit. 13 Edhe Egjyptianëtë mundoninë fort të bijt’ e Israilit. 14 Edhe u hidhëroninë jetën’ atyreve me punë të rëndë, ndë baltët e ndë pëqisat, e ndë gjithë punët’ e fushavet, edhe gjithë punët’ e atyreve ishinë të rënda, me të cilat’ i mundoninë.
15 Edhe mbëreti i Egjyptianëvet u foli mamicavet Evrevet (nga ato njëra kluhej Shifrahë, e tietëra Puahë), 16 edhe tha: Kur t’u merrni foshnjetë Evrevet, edhe të shihni mbë të piellët, ndë qëntë mashkull, vriteni, po ndë qëntë femërë, atëhere le të rronjë. 17 Po mamicatë patnë frikë Perëndinë, edhe nukë bëninë si u tha atyre mbëreti i Egjyptërisë, por i lijnë gjall meshkujtë. 18 Edhe mbëreti i Egjyptërisë thirri mamicatë, e u tha: Përse bëtë këtë punë e latë meshkujtë gjall? 19 Edhe mamicat’ iu përgjeqnë Faraonit: Se Evraeshatë nukë (janë) posi grat’ e Egjyptërisë, sepse janë të shëndosha, edhe piellënë përpara se të hynjënë mamicatë ndër ato. 20 Edhe Perëndia u bënte mirë mamicavet, edhe gjëndëja shtonei e forconei fort. 21 Edhe mamicatë passi kishinë frikë Perëndinë, u bëri atyre shtëpi.
22 Edhe Faraoni urdhëroi gjithë gjëndëjen’ e ti, e (u) tha: Çdo mashkull që të lintnjë, hidheni ndë lumt, edhe çdo femërë, lireni të rronjë.