Mbreti i Bashanit
1 «Pastaj u kthyem e shkuam rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin na doli para në Edrej që të ndeshej me ne. 2 Atëherë Zoti më tha: “Mos e ki frikë, sepse ta kam dorëzuar me gjithë popullin e tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon”. 3 Zoti, Perëndia ynë, na e dorëzoi edhe Ogun, mbretin e Bashanit, bashkë me popullin e tij. U ramë aq fort sa askush nuk shpëtoi. 4 Asokohe i zumë të gjitha qytetet e tij, asnjë nuk na shpëtoi. I zumë të gjashtëdhjetë qytetet dhe mbarë krahinën e Argobit, mbretërinë e Ogut në Bashan. 5 Të gjitha këto ishin qytete të fortifikuara me mure të larta, me porta e me shula. Përveç tyre, zumë edhe mjaft vendbanime të parrethuara. 6 I shfarosëm të gjitha qytetet bashkë me burrat, gratë e fëmijët, siç bëmë me Sihonin, mbretin e Heshbonit, 7 por të gjitha kafshët dhe prenë, që plaçkitëm prej qyteteve, i mbajtëm për vete.
8 Asokohe ua morëm tokën të dy mbretërve amoritë, që ishin përtej Jordanit. Ajo shtrihej nga lugina e Arnonit deri te mali i Hermonit. 9 Sidonasit e quajnë malin Sirion, ndërsa amoritët Senir. 10 Ua morëm të gjitha qytetet e rrafshit, mbarë Gileadin e mbarë Heshbonin, deri në Salkah e në Edrej. Ato ishin qytete të mbretërisë së Ogut, në Bashan. 11 Nga refaitët mbeti gjallë vetëm Ogu, mbreti i Bashanit. Shtrati i tij prej hekuri gjendet në Rabah, te amonitët. Ai ishte nëntë kute i gjatë e katër kute i gjerë, sipas njësisë së zakonshme të kutit. 12 Tokën që pushtuam asohere ia dhashë Rubenit e Gadit. Ajo fillonte nga Aroeri, që është buzë luginës së Arnonit, deri te gjysma e malit Gilead, përfshirë edhe qytetet përkatëse. 13 Gjysmën tjetër të Gileadit, mbarë Bashanin, mbretërinë e Ogut dhe mbarë krahinën e Argobit, që quhej vendi i refaitëve, ia dhashë gjysmës së fisit të Manaseut. 14 Jairi, biri i Manaseut, e pushtoi mbarë krahinën e Argobës deri në kufi me Geshurin e Makatin dhe i vuri emrin e vet. Edhe sot e kësaj dite Bashani quhet Havot Jair. 15 Makirit i dhashë Gileadin. 16 Rubenit e Gadit i dhashë vendin prej Gileadit deri buzë luginës së Arnonit, me kufi që shkojnë nga mesi i luginës së Arnonit deri te lugina e Jabokut, në kufi me amonitët. 17 U dhashë edhe Arabahun në kufi me Jordanin, nga Kinereti deri te deti i Arabahut, që është deti i Kripur, nën rrëpirën e Pisgahut në lindje.
18 Asokohe ju urdhërova: “Zoti, Perëndia juaj, jua dha këtë tokë për pronë. Të gjithë trimat tuaj të marrin armë e t'u prijnë izraelitëve, vëllezërve tuaj. 19 Gratë, fëmijët e bagëtitë, se e di që keni shumë, të rrinë në qytetet që ju dhashë. 20 Kur Zoti t'u japë prehje vëllezërve tuaj, siç ju dha juve, kur ta pushtojnë edhe ata tokën përtej Jordanit, që po u jep Zoti, Perëndia juaj, vetëm atëherë secili prej jush do të kthehet te prona e vet, që ju dhashë”. 21 Asokohe urdhërova edhe Jozuehun: “I pe me sytë e tu të gjitha ato që u bëri Zoti, Perëndia juaj, këtyre dy mbretërve. Kështu do të veprojë Zoti me të gjitha mbretëritë nëpër të cilat do të kalosh. 22 Mos i kini frikë, sepse Zoti, Perëndia juaj, ai vetë lufton për ju”.
Lutja e Moisiut
23 Asokohe iu përgjërova Zotit: 24 “O Zot, Zoti im, ti fillove t'ia dëftosh shërbëtorit tënd lavdinë dhe krahun tënd të fuqishëm. A ka perëndi tjetër në qiell apo në tokë që mund të bëjë veprat e bëmat e tua? 25 Më lër të kaloj e të shoh tokën e mirë përtej Jordanit, këto bjeshkë të bukura dhe Libanin”. 26 Por Zoti ishte i zemëruar me mua, për shkakun tuaj. Nuk më dëgjoi e më tha: “Mjaft! Mos m'u lut më për këtë gjë! 27 Ngjitu në majë të Pisgahut e vështro drejt perëndimit, veriut, jugut e lindjes. Shikoje vendin, se Jordanin nuk ke për ta kaluar. 28 Prandaj, udhëzoje Jozuehun, jepi zemër e guxim, sepse ai do t'i prijë këtij populli përtej Jordanit dhe ai do t'ua ndajë tokën që sheh”. 29 Ndërkohë ndenjëm në luginën përballë Betpeorit».
1 Atëherë u kthyem e u ngjitëm udhësë Bashanit; edhe duall Ogu, mbëreti i Bashanit, të na dilte përpara, ay edhe gjithë gjëndëj’ e atij, për të lëftuarë ndë Edrej. 2 Edhe Zoti më tha: Mos ki frikë nga ay, sepse ta kam dhënë ndë dorë atë, edhe gjithë gjëndëjen’ e atij, edhe dhen’ e atij; edhe do t’ja bënjç atij, sikundrë ja bëre Sihonit mbëretit Amorejvet, që rrinte ndë Heshbon. 3 Edhe Zoti Perëndia ynë na dha ndë dorë edhe Ogunë mbëretin’ e Bashanit, edhe gjithë gjëndëjen’ e atij; edhe e vram atë, gjersa nuk’ i lam atij të mbetej gjë. 4 Edhe pushtuam gjithë qytetet’ atij atë kohë, edhe nukë mbeti qytet, që nukë muarëm nga ata: gjashtë-dhietë qytete, gjithë dhenë rreth e rrotull’ Argobit, mbëretërin’ e Ogut ndë Bashan. 5 Gjith’ ata qytete ishinë thurë me mure të lartë, me dyer e me lloza, përveç shumë qyteteve të pathurë me mure. 6 Edhe i prishëm ata, sikundrë ja bëm Sihonit mbëretit Heshbonit, tuke prishurë ç’do qytet, burra, e gra, e djem. 7 Edhe plaçkitëm për vetëhenë t’onë gjithë bagëtitë, plaçkat’ e qytetevet.
8 Edhe atë kohë muarëm nga duart’ e të dy mbëretëret Amorejvet dhenë që (është) mbë-kët’-anë Jordhanit, që nga lumi i Arnonit, gjer ndë malt të Hermonit. 9 (Sidonasitë kluanjënë Hermoninë Sirion, edhe Amorejt’ e kluanjënë Shenir) 10 gjithë qytetet’ e fushësë, edhe gjithë Gileadinë, edhe gjithë Bashaninë, gjer ndë Sallçah e ndë Edrej, qytetet’ e mbëretëris’ Ogut ndë Bashan.
11 Sepse vetëm’ Ogu mbëreti i Bashanit kish shpëtuarë nga Gjigantëtë që mbetnë; na shtrati i atij (tek ish), shtrat i hekurtë: a nukë (gjëndet’) ay ndë Rabath të bijet Amonit? Nëntë kut i gjatë, edhe katrë kut i gjërë, pas kutit burrit.
12 Edhe atë dhe që pushtuam nd’ atë kohë, që nga Aroeri, ndaj lumin’ e Arnonit, edhe gjymësën’ e malit Gileadit, edhe qytetet’ e atij, ua dhashë Reubenitëvet e Gaditëvet. 13 Edhe ç’mbeti nga Gileadi, edhe gjithë Bashaninë, mbëretërin’ e Ogut, ja dhashë gjymësësë farësë Manasiut, gjithë dhenë rreth e rrotull’ Argobit, bashkë me gjithë Bashaninë, që kluhej dheu i Gjigantëvet. 14 Jairi i biri i Manasiut muar gjithë vëndinë përqark Argobit gjer ndë sinoret të Geshurit e të Maaçathiut, edhe i kluajti ata pas emërit atij Bashan-havoth-jair, gjer mbë këtë ditë. 15 Edhe i dhashë Gileadinë Maçirit. 16 Edhe Reubinitëvet e Gaditëvet u dhashë që nga Gileadi gjer ndë lum të Arnonit mezin’ e lumit, edhe sinorinë gjer ndë lumt të Jabokut, sinorit të bijet Amonit edhe fushënë, 17 edhe Jordhaninë, edhe sinorinë që nga Çinerethi gjer ndë det të fushësë, ndë det të kripurë, ndënë Ashboth-pisgah nga an’ e të lindurit.
18 Edhe nd’ atë kohë u urdhërova juve, (e) u thashë: Zoti Perëndia juaj u dha juve këtë dhé ta pushtoni; do të shkoni armatisurë përpara sysh t’yt-vëllezëre të bijet Israilit, gjithë burrat’ e fortë, po gratë tuaja e djemtë tuaj, e bagëtitë tuaja, 19 (e di se kini shumë bagëti,) do të mbesënë ndër qytetet tuaj, që u dhashë juve, 20 gjersa t’u apë Zoti të prëjturë vëllezëret tuaj, sikundrë edhe juve, edhe të pushtonjën’ edhe ata atë dhenë që u dha atyre Zoti Perëndia juaj, përtej Jordhanit; edhe (atëherë) do të këthehi gjithë-se-cili ndë trashëgim të tij, që u dhashë juve.
21 Edhe nd’ atë kohë urdhërova Jisunë, e i thashë: Syt’ e tu panë gjithë sa u bëri Zoti Perëndia juaj këtyre të dy mbëretëre, kështu do t’ua bënjë Zoti gjith’ atyre mbëretërivet, që shkon ndëpër ato; 22 nukë do t’u kini frikë atyre, sepse Zoti Perëndia juaj, ay do të lëftonjë për ju.
23 Edhe iu luç Zotit nd’ atë kohë, e thashë: 24 O Zot Perëndi, ti zure t’i dëftonjç shërbëtorit tënt madhërinë tënde, edhe dorënë tënde të fortënë, sepse cili perëndi është ndë qiellt a ndë dhet që munt të bënjë pas punëvet tua, edhe pas fuqisë s’ate? 25 Të lutem, le të shkonj e le të shoh atë dhen’ e mirë, që është përtej Jordhanit, atë malin’ e mirë, edhe Livaninë. 26 Po Zoti u zemërua kundrë meje për punë tuaj, edhe nukë më dëgjoi; edhe Zoti më tha: Është mjaft për ty, mos më flaç më për këtë. 27 Hip ndë majët të Pisgahut, edhe ngre syt’ e tu nga an’ e të perënduarit, e nga an’ e borësë, e nga an’ e mesditësë, e nga an’ e të lindurit, edhe vështro me syt’ e tu, sepse s’ke për kapërcyerë këtë Jordhaninë; 28 edhe porosit Jisunë, edhe ep-i zemërë atij, edhe forco-je atë, sepse ay do të shkonjë përpara kësaj gjëndëje, edhe ky do t’ua ndanjë atyre me shortë atë dhenë që do të shohç.
29 Edhe rrinim ndë grykët, kundrej Beth-peorit.