Agjërimi i drejtë
1 Bërtit fort! Mos u përmba!
Ngrije zërin porsi boria!
Shpallja popullit tim paudhësitë e veta,
shtëpisë së Jakobit mëkatet e veta.
2 Ditë për ditë më kërkojnë,
udhët e mia duan t'i njohin,
si të ishin një popull, që zbaton drejtësinë,
që nuk i braktis vendimet e Perëndisë.
Kërkojnë prej meje gjykim të drejtë,
dëshirojnë t'i afrohen Perëndisë.
3 «Përse të agjërojmë, kur ti nuk shikon?», thonë.
«Përse ta mundojmë veten, kur ti nuk do t'ia dish?».
Ja, ditën e agjërimit ju bëni si doni
e të gjithë punëtorët tuaj në punë i mbytni.
4 Ju agjëroni mes grindjesh e zënkash,
njëri-tjetrin pabesisht me grusht e gjuani.
Nëse agjëroni si sot,
zëri juaj lart nuk do të dëgjohet.
5 Përse, i tillë qenka agjërimi që unë pëlqej?
E tillë dita kur njeriu përul shpirtin e tij?
Të ulësh kokën porsi xunkthi e
të shtrihesh në grathore e në hi,
pse, këtë quan agjërim
e ditë që i pëlqen Zotit?
6 Agjërimi që më pëlqen mua, a s'është vallë
të këputësh vargonjtë e paudhësisë,
të zgjidhësh litarët e zgjedhës,
të lësh të lirë të shtypurit,
të dërrmosh çdo zgjedhë?
7 A s'është ta ndash bukën me të uriturin,
të presësh në shtëpi të varfrin e pastrehë,
ta shohësh dikë të zhveshur e ta veshësh,
dhe farefisin tënd të mos e lësh pas dore?
8 Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi,
shërimi yt do të gëlojë me vrull,
përpara do të të prijë drejtësia jote,
praparojë do të kesh lavdinë e Zotit.
9 Atëherë do të thërrasësh
e Zoti do të të dëgjojë,
do t'i kërkosh ndihmë
e do të të përgjigjet: «Ja, ku jam!».
Nëse heq dorë prej zgjedhës,
prej gishtit paditës e fjalëve të liga,
10 nëse jepesh me shpirt ndaj të pangrënit,
nëse ia ngin barkun skamnorit,
atëherë drita jote do të shndritë në errësirë
e terri yt do të jetë porsi mesdita.
11 Zoti do të të prijë përherë,
do të ta kënaqë shpirtin në shkreti,
do t'i forcojë kockat e tua,
e ti do të jesh si kopshti i ujitur,
porsi burimi i ujërave
që nuk shterojnë kurrë.
12 Njerëzit e tu do t'i ndërtojnë rrënojat e lashta,
do t'i ngresh sërish themelet e lëna brez pas brezi.
Kështu ti do të quhesh: «Rindërtuesi i rrënojave,
ndreqësi i udhëve për në vendbanim».
13 Nëse e përmban këmbën,
që të mos e shkelësh të shtunën,
nëse nuk bën ç'të duash
në ditën time të shenjtë,
por e çmon si kënaqësi të shtunën,
si ditën e nderuar e të shenjtë të Zotit,
dhe e nderon duke mos u nisur për udhë,
duke mos kryer punë e duke mos bërë marrëveshje,
14 atëherë do të gjesh kënaqësi në Zotin
e unë do të të bëj të kalërosh mbi lartësitë e tokës,
do të të ushqej prej trashëgimisë së Jakobit, atit tënd,
se kështu ka folur goja e Zotit.
1 Klith fort, mos u kurse; ngre lart zënë tënt posi trumbetë, edhe ep-i zë gjëndëjesë s’ime për panomit’ e atyreve, edhe shtëpisë Jakovit për falet’ e atyreve.
2 Po më kërkonjënë përditë, edhe dëshëronjënë të xënë udhët’ e mia, posi një komp që bëri të dreitënë, edhe nukë hoqi dorë nga gjyqi i Perëndisë ti; kërkonjënë prej meje gjyqe dreitërie, dëshëronjënë t’i afronenë Perëndisë.
3 Përse agjëruam, (thonë), edhe nukë pe? Munduam shpirtinë t’anë, edhe nuk’ e dite? Na tek gjëni gëzim ndë ditët të agjërimit tuaj, edhe shtrëngoni gjithë punëtorëtë tuaj.
4 Na tek agjëroni për gjyqe e për të zëna (me fialë), edhe bini me grusht pa udhë; mos agjëroni, sikundrë sot, që të dëgjonetë zëri juaj siprazi.
5 I këtillë ësht’ ay agjërimi që sgjodha unë? Të mundonjë njeriu shpirtin’ e ti një ditë? Të unjë kryet’ e ti posi kulmak, edhe të shtronjë ndënë vetëhe thes e hi? Agjërim do t’e kluajsh këtë, edhe ditë të pëlqyerë mbë Zonë?
6 A nuk’ është ky ay agjërimi që sgjodha unë? Të sgjithç lidhëjet’ e së keqesë, të sgjithç barrët’ e rënda, edhe të lësh të lirë të shtrënguarëtë, edhe të thyejsh ç’do sgjedhë?
7 A nuk’ është për t’i ndarë bukënë tënde ati që ka uri, edhe të këllaç ndë shtëpi të vobeqtë që janë jashtë? Kur të shohç të sveshurinë, ta veshç, edhe të mos fshehç vetëhenë tënde nga mishi yt?
8 Atëherë drita jote do të ndritnjë posi të sbardhëllyerët’ e dritësë, edhe shëndeti yt do të mbinjë shpejt, edhe dreitëria jote do të shkonjë përpara teje, edhe lavdia e Zotit do të të ruanjë prapa krahëvet.
9 Atëherë do të thërreç, edhe Zoti do të përgjigjetë; do të klëthaç, edhe ay do të thotë: Na tek jam unë. Ndë nxierrsh nga mezi yt sgjedhënë, të ndejturit’ e gishtit, edhe fialët’ e kota,
10 edhe t’i hapsh shpirtinë tënt ati që ka uri, edhe të gëzojsh shpirtin’ e helmuarë, atëherë drita jote do të lintnjë nd’ errësirët, edhe errësira jote (do të jetë) posi mes-ditë.
11 Edhe Zoti do të heqë udhënë përherë, edhe do të nginjë shpirtinë tënt ndër thatësira, edhe do të majë eshtërat’ e tua; edhe do të jesh posi kopësht i ujiturë, edhe posi gurrë uji që nuk’ i shteren’ ujëratë.
12 Edhe të tutë do të ndërtonjënë murishtat’ e vietëra; do të vësh themelit’ e shumë brezave, edhe do të kluhesh Ndreqësi i të prishuravet, Ay që ndërton udhëtë për të ndenjurë.
13 Ndë këthefsh këmbënë tënde nga savvata, për të bërë dashurimet’ e tu ndë ditët t’ime të shënjtëruarënë, edhe të kluajsh savvatënë kënaqëje, të shënjtëruarënë (ditën’) e Zotit, të ndershimenë, edhe të nderojsh atë, të mos veç pas udhëvet tua, as të mos gjejsh nd’ atë dashurimnë tënt, as mos flaç fialët’ e tua,
14 atëherë do të kënaqesh mbë Zonë, edhe unë do të hipënj mbi vënde të lartë të dheut, edhe do të të ushqenj me trashëgimin’ e Jakovit t’yt-et, sepse gol’ e Zotit foli.