Paralajmërim kundër Samarisë
1 Mjerë kurora e lavdishme
e të dehurve të Efraimit,
lulja e vyshkur
e bukurisë së tij madhështore,
që rri mbi kryet e luginës pjellore,
të marrë mendsh prej verës.
2 Ja, Zoti ka një njeri të fortë e të fuqishëm,
si stuhia e breshrit, si furtuna shkatërruese,
si vërshimi i ujit të furishëm e rrëmbyes,
me një dorë mbi tokë e përplas.
3 Me këmbë do të shkelmohet
kurora e lavdishme e të dehurve të Efraimit.
4 Lulja e vyshkur e bukurisë së tij madhështore,
që rri mbi kryet e luginës pjellore,
do të jetë porsi fiku i pjekur para vere,
që e sheh dikush, e këput me dorë
dhe e përlan.
5 Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë kurora e lavdisë,
ai do të jetë diadema plot shkëlqim
për tepricën e popullit të tij.
6 Do të jetë shpirti i drejtësisë për gjykatësin,
fuqia e atyre që e sprapsin sulmin te porta.
7 Por, edhe këta janë trullosur prej verës,
prej pijes dehëse u merren këmbët.
Prifti e profeti janë trullosur prej pijes dehëse,
janë çoroditur prej verës.
Janë të trullosur prej pijes së fortë,
të përhumbur në vegime, të lëkundur në gjykime.
8 Gjithë tryezat e tyre janë plot
me të vjella e ndyrësi;
vend më në to nuk ka.
9 «Por kujt do t'ia mësonte urtinë?», pyesin.
«Kujt do t'ia shtjellonte lajmin?
Atyre që sapo janë zvjerdhur,
atyre që sapo u është hequr gjiri?
10 Se paska urdhër pas urdhri,
urdhër pas urdhri,
e rregull pas rregulli,
rregull pas rregulli,
pak këtu e pak atje».
11 Me buzë që belbëzojnë
e me gjuhë të huaj
këtij populli do t'i flasë.
12 Ai vetë u kishte thënë:
«Ja ku do të gjeni prehje!
Vërini të lodhurit këtu të prehen,
këtu do të gjeni prehje».
Por ata s'deshën të dëgjonin.
13 Por për ta fjala e Zotit ishte
urdhër pas urdhri,
urdhër pas urdhri,
e rregull pas rregulli,
rregull pas rregulli,
pak këtu e pak atje,
që të shkonin e të binin përmbys,
që të bëheshin copë e çikë,
t'i zinte laku e të kapeshin.
14 Prandaj dëgjojeni fjalën e Zotit, o njerëz shpotitës,
ju, që mbi popullin tim sundoni në Jerusalem.
15 «Kemi bërë besëlidhje me vdekjen», thoni,
«Me skëterrën kemi bërë marrëveshje,
që kur të vijë përmbytja e madhe,
të mos na prekë aspak,
se për strehë kemi gënjeshtrën,
mashtrimin, vendstrehim».
16 Prandaj kështu thotë Zoti Perëndi:
Ja, në Sion do të vë një gur,
gur të sprovuar, gur qosheje,
gur të çmuar, gur themeli.
E kush të besojë në të,
nuk ka pse ngutet.
17 Të drejtën do ta bëj matës,
drejtësinë plumbç.
Por strehën e gënjeshtrës do ta rrënojë breshri,
vendstrehimin do ta përmbytin ujërat.
18 Besëlidhja juaj me vdekjen do të zhvlerësohet,
marrëveshja juaj me skëterrën s'do të qëndrojë.
Kur të kalojë rrebeshi përmbytës,
keni për t'u shkelur prej tij.
19 Sa të kalojë,
para do t'ju marrë,
do të kalojë çdo mëngjes,
do të kalojë ditë e natë.
Vetëm tmerri do ta përhapë lajmin.
20 Tepër i shkurtër do të jetë shtrati
për t'u shtrirë,
tepër e ngushtë mbulesa
për t'u mbuluar.
21 Zoti do të ngrihet si në malin e Peracimit,
zemërimi i tij do të ndizet si në luginën e Gibeonit,
për të kryer veprën e tij, veprën e tij të padëgjuar,
për të bërë punën e tij, punën e tij të pazakontë.
22 E tani reshtni së përqeshuri,
që të mos ua shtrëngojnë më fort prangat,
se kam dëgjuar prej Zotit, Zotit të ushtrive,
urdhrin e shkatërrimit të mbarë vendit.
23 Mbani vesh e dëgjojeni zërin tim,
dëgjojeni me kujdes fjalën time.
24 A lëron çdo ditë bujku për të mbjellë?
A e plugon dhe e prashit çdo ditë arën?
25 Pasi ia rrafshon sipërfaqen,
a nuk mbjell ai kopër,
a nuk hedh farën e kuminit?
A nuk e mbjell nëpër vija
farën e grurit e të elbit,
thekrën anëve të arës?
26 Perëndia e udhëzon atë,
ai ia mëson udhën e drejtë.
27 Kopra nuk shihet me shirëse,
kumini nuk shtypet me rrotë qerreje,
por kopra rrihet me thupër
e kumini me shkop.
28 Gruri bluhet, por jo tërë kohën,
edhe pse e shijnë mirë e mirë.
Kalon mbi të rrota e qerres,
por thundra e kalit s'e thërrmon.
29 Edhe kjo vjen prej Zotit të ushtrive,
që jep këshilla të mrekullueshme,
që ka dije madhështore.
1 Mjer kurorësë madhështisë të dejturet Efraimit, të cilëvet bukuria e lëvduarë (është) lule e fyshkurë, të cilët’ i zë vera ndë majët të grykavet majme!
2 Na Zoti tek ka një të fortë e të shëndoshë, (i cili) posi turbullim breshëri, posi erë shakulli që prish, posi përmbytëje ujërash të forta që vërshonjënë, do të hedhë ndë dhet me dorën’ e tij.
3 Kurora e madhështisë të dejturet Efraimit do të shkeletë me këmbë.
4 Edhe lulëj’ e lëvdëruarë bukuris’ atyreve, që (është) ndë majët të grykësë majme, tuke fyshkurë do të bënetë posi pem’ e lashtë përpara verësë, të cilënë kush ta shohë, e përpin atë, posa ta marrë ndë dorët të ti.
5 Atë ditë, Zoti i ushtërivet do të jetë kurorë lavdie edhe rreth bukurie mbë të mbeturit të gjëndëjesë ti,
6 edhe frymë gjyqi mb’ atë që rri për gjyq, edhe fuqi mb’ ata që shtynjënë luftënë gjer ndër portat.
7 Po edhe ata hupnë udhënë nga vera, edhe duallë udhësë nga të pirët’ e fortë; prifti edhe profiti humpnë udhënë nga të pirët’ e fortë, u përpinë nga vera, duallë udhet nga të pirët’ e fortë; gënjehenë ndë të parët, pengohenë ndë gjyqt,
8 sepse gjithë truvezatë janë plot me të viellë e me të ndyrë, asndonjë vënt (nuk’ ësht’ i pandyrë).
9 Kujt do t’i mësonjë diturinë? Edhe cilinë do të bënjë të kupëtonjë mësimnë? (Ata janë posi foshnje) të cvjerdhura, këputurë nga sisatë,
10 sepse me mësim mbi mësim, me mësim mbi mësim, me radhë pas radhe, me radhë pas radhe, pak këtu, (e) pak aty,
11 sepse me buzë tuke belbësuarë, edhe me tiatrë gluhë, do t’i flasë kësaj gjëndëje,
12 së cilës’ i tha: Këta (është) të prëjturitë, (që munt) të prëni të lodhurinë, edhe këta (është) të pushuarëtë, po ata nukë deshnë të dëgjoninë.
13 Edhe fiala e Zotit do të jetë te ata mësim mbi mësim, mësim mbi mësim, radhë pas radhe, radhë pas radhe, pak këtu, (e) pak aty, që të ecënjënë, e të pengonenë prapa, e të dërrmonenë, edhe të bienë ndë kurth, e të zihenë.
14 Përandaj dëgjoni fialën’ e Zotit, o njerës përqeshës, që i hiqni udhënë kësaj gjëndëje, që është ndë Jerusalimë.
15 Sepse thatë: Neve bëm dhiatë bashkë me vdekëjenë, edhe lidhëm fialë bashkë me varrinë; kur të shkonjë frushkulla që vërshon, nukë do të vinjë ndër ne, sepse bëm gënjeshtrënë për mpshtetëjenë t’onë, edhe do të fshihemi ndënë gënjeshtrënë,
16 përandaj kështu thotë Zoti Perëndia: Na tek po vë për themeli ndë Sionë, një gur, gur të sgjedhurë, krye-çipi të ndershim, themeli të shëndoshë; kush t’i besonjë (ati) nukë do të turpëronetë.
17 Edhe do të vë gjyqinë ndë vijëzë, edhe dreitërinë ndë ziq; edhe breshëri do të prishnjë mpshtetëjen’ e gënjeshtrësë, edhe ujëratë do të mbysënë vëndin’ e fshehurë.
18 Edhe dhiata juaj bashkë me vdekëjenë nukë do të zihetë, edhe të lidhurit’ e fialësë bashkë me varrinë nukë do të qëndronjë; kur të shkonjë frushkulla që vërshon, atëhere do të shkeli nga ajo.
19 Përnjëherë posa të shkonjë, do t’u zërë juve, sepse do të shkonjë për mëngjes, dit’ e natë; edhe vetëmë zërinë të dëgjonjë ndonjë, do të jetë frikë.
20 Sepse shtrati do të jetë më i vogëlë, se sa munt të shtrihetë njeriu, edhe mbulesa më e ngushtë, se sa munt të mpshtilletë.
21 Sepse Zoti do të ngrihetë posi ndë mal të Perazimit, do të zemëronetë posi ndë grykët të Gjibeonit, që të bënjë punën’ e ti, punën’ e ti të çudiçimenë, edhe të mbaronjë të bërët’ e ti, të bërët’ e ti të maniçimitë.
22 Tashi pra mos ini përqeshës, që të mos bënenë më të forta të lidhurat’ e tua, sepse unë dëgjova nga Zoti Perëndia i ushtërivet të mbaruarët’ e fundit, edhe të ndarët’ e fialësë mbi gjithë dhenë.
23 Mbani vesh, edhe dëgjoni zënë t’im, kini mënt, edhe dëgjoni fialënë t’ime.
24 Ay që laron, sos laron gjithë ditënë që të mbiellë, tuke çarë (dhenë) e tuke thyerë plisat’ e arësë ti?
25 Passi të sheshonjë faqen’ e asaj, a nukë përndan thierinë, edhe mbiell qiminoninë, edhe heth grurinë mbë më të mirinë (vënt), edhe elbinë ndë vënt të urdhëruarë, edhe thekrënë ndë vënt të asaj që duhetë?
26 Sepse Perëndia i ati e mëson atë të shquanjë, (edhe) i dëften ati.
27 Sepse thieri nukë shihetë me orëndi lëme, as rrotovileja e qerresë silletë mbi qiminoninë, po thieri rrihetë me shkop, edhe qiminoni me stap.
28 Po (gruri) i bukësë thërrmonetë; po nukë do t’e shinjë atë gjithënjë, as nukë do t’e thërrmonjë (atë) me rrotovilen’ e qerresë, as nukë do t’e hollonjë atë (me) thundrat’ e kuajvet ti.
29 Edhe këjo dolli nga Zoti i fuqivet, të çuditurit ndë këshillë, të madhit ndë mënt.