Jozuehu i prin popullit
1 Pastaj Moisiu i tha mbarë Izraelit këto fjalë: 2 «Tashmë jam njëqind e njëzet vjeç e nuk udhëtoj dot. Edhe Zoti më tha se nuk do ta kaloj Jordanin. 3 Por, vetë Zoti, Perëndia yt, do të kalojë para jush. Ai vetë do t'i shkatërrojë këto kombe para jush, që t'i pushtoni. Do t'ju prijë Jozuehu, sikurse tha Zoti. 4 Zoti do të sillet me këto kombe siç u soll me Sihonin e Ogun, mbretër të amoritëve, e me vendet e tyre. Ai i zhbiu ata. 5 Kur Zoti t'jua dorëzojë, veproni me ta siç ju urdhërova. 6 Tregohuni trima e të guximshëm, mos kini frikë e mos u dridhni para tyre, sepse vetë Zoti, Perëndia juaj, do të ecë me ju. Ai nuk do t'ju lërë e as nuk do t'ju braktisë».
7 Atëherë Moisiu thirri Jozuehun e i tha në sy të gjithë Izraelit: «Bëhu trim e guximtar, sepse ti do ta çosh këtë popull në tokën, për të cilën Zoti iu betua etërve të tyre se do t'ua jepte. Ti do t'ua japësh si trashëgimi. 8 Zoti vetë do të ecë me ty e do të jetë me ty. Ai nuk do të të lërë e as nuk do të të braktisë, prandaj mos ki frikë e mos u tremb».
Leximi i ligjit
9 Moisiu e shkroi këtë ligj e ua dha priftërinjve, bijve të Levit, që mbartin arkën e besëlidhjes së Zotit, dhe tërë pleqve të Izraelit. 10 Pastaj Moisiu i urdhëroi: «Në fund të çdo viti të shtatë, në vitin e shlyerjes së huave, gjatë festës së Kasolleve, 11 kur mbarë Izraeli të paraqitet para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë, lexoje këtë ligj para tërë Izraelit, që ta dëgjojnë. 12 Mblidhe popullin bashkë me burra, gra, fëmijë e banorë të ardhur, që ta dëgjojnë e të mësojnë ta druajnë Zotin, Perëndinë e tyre, e t'i mbajnë e zbatojnë të gjitha fjalët e këtij ligji. 13 Edhe fëmijët e tyre, që nuk e njohin, do ta dëgjojnë e do të mësojnë ta druajnë Zotin, Perëndinë tuaj, gjatë gjithë jetës, në vendin ku po shkon për ta pushtuar, përtej Jordanit».
Jozuehu caktohet prijës
14 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Ja, erdhi dita që do të vdesësh. Thirre Jozuehun e qëndroni në tendën e takimit, që t'i jap detyrën». Moisiu e Jozuehu shkuan e qëndruan në tendën e takimit. 15 Zoti u shfaq në tendë, në shtyllën e resë, e cila qëndroi në hyrje të tendës.
16 Zoti i tha Moisiut: «Ja, ti do të dergjesh me etërit e tu. Ky popull do të ngrihet e do të kurvërojë me perënditë e huaja të vendit, mes të cilit po hyn. Do ta braktisë e do ta thyejë besëlidhjen time që lidha me të. 17 Atë ditë, zemërimi im do të ndizet kundër tyre. Do t'i braktis e do ta fsheh fytyrën time prej tyre. Atëherë do të bëhen si haja që përpihet. Fatkeqësi të shumta e angështi do t'i pllakosin dhe atë ditë do të thonë: “Këto fatkeqësi na ranë, se Perëndia nuk është mes nesh!”. 18 Por, unë do ta fsheh fare fytyrën time atë ditë, për shkak të të gjitha ligësive që bënë, kur u kthyen drejt perëndive të tjerë. 19 Prandaj shkruani për vete këtë këngë e mësojuani përmendësh bijve të Izraelit, që kjo këngë të më shërbejë si dëshmi kundër tyre. 20 Do t'i sjell në vendin ku rrjedh qumësht e mjaltë, për të cilin iu betova etërve të tyre, dhe si të hanë, të ngopen e shëndoshen, do të kthehen drejt perëndive të tjerë e do t'u shërbejnë atyre. Kështu, do të më përbuzin e do ta thyejnë besëlidhjen time. 21 Kur t'i kenë pllakosur fatkeqësi të shumta e angështi, kjo këngë, që nuk do të zhduket nga buzët e pasardhësve, do të dëshmojë para tyre, sepse unë i di që sot shestimet e tyre, përpara se t'i çoj në tokën për të cilën u betova». 22 Kështu, Moisiu e shkroi këtë këngë atë ditë e ua mësoi izraelitëve.
23 Atëherë Zoti e urdhëroi Jozuehun, birin e Nunit e i tha: «Bëhu trim e guximtar, se ti do t'i çosh izraelitët në tokën që u kam premtuar. Unë do të jem me ty».
24 Si përfundoi së shkruari në libër fjalët e këtij ligji, nga fillimi deri në fund, 25 Moisiu i urdhëroi levitët, që mbartin arkën e besëlidhjes së Zotit: 26 «Merreni këtë libër të ligjit dhe vendoseni në kahun e arkës së besëlidhjes së Zotit, Perëndisë tuaj, që të qëndrojë aty si dëshmi kundër jush. 27 Unë vetë e di sa popull rebel dhe kokëfortë je. Ja, nëse ngre krye kundër Zotit tani që jam gjallë me ty, aq më tepër do të bësh kështu kur të kem vdekur. 28 Mblidhini të gjithë pleqtë e fiseve dhe krerët, që të dëgjojnë këto fjalë dhe që t'u thërras qiellin e tokën si dëshmitar, 29 sepse e di që, kur të kem vdekur, do të shthureni krejt dhe do t'ia ktheni shpinën udhës që ju urdhërova. Në të ardhmen do t'ju gjejë e keqja, sepse do të bëni ligësi para Zotit, kur ta ngucni me veprat e duarve tuaja».
Kënga e Moisiut
30 Atëherë Moisiu këndoi këtë këngë nga fillimi deri në fund që mbarë bashkësia e Izraelit ta dëgjonte:
1 Edhe Moisiu vate e foli këto fialë gjith’ Israilit, edhe u tha atyre: 2 Një qint e njëzet vieç (jam) unë sot, s’munt të hynj e të dal më. Edhe Zoti më tha: S’e ke për të kapërcyerë këtë Iordhaninë. 3 Zoti Perëndia yt, ay do të shkonjë përpara teje, ay do të prishnjë këta komba përpara teje, edhe ti do të trashëgojsh ata: Jisui, ay do të shkonjë përpara teje, sikundrë foli Zoti. 4 Edhe do t’ua bënjë atyre Zoti, si ja bëri Shihonit e Gogut, mbëretëret Amorejvet, edhe dheut atyre, të cilëtë i shoi. 5 Edhe Zoti do t’i apë ndë dorë ata përpara jush, që t’ua bëni atyre pas gjith’ urdhërimesh që u urdhërova juve. 6 Bëhi burra e mirrni zëmërë, e mos kini frikë, as mos u frikësoni prej sysh atyre, sepse Zoti Perëndia yt, ay është që shkon bashkë me ty; nukë do të të lërë, as nukë do të heqë dorë prej teje. 7 Edhe Moisiu thirri Jisunë, e i tha atij përpara gjith’ Israilit: Bëju burr e merr zëmërë, sepse ti do të fuç këtë gjëndëje nd’ atë dhe, që u u përbetua Zoti atëret atyre t’ua apë, edhe ti do t’ua ndajsh me shortë atë atyre; 8 edhe Zoti, ay (është) që shkon përpara teje; ay do të jetë bashkë me ty, nukë do të lërë, as nukë do të heqë dorë prej teje: mos druaj, as mos u frikëso. 9 Edhe Moisiu shkroi këtë nom, edhe ua dha ndë dorë priftëret të bijet Leviut, që mbanin’ arkën’ e dhiatësë Zotit, edhe gjithë pleqet Israilit. 10 Edhe Moisiu urdhëroi ata, e tha: Ndë funt (ç’do) të shtati vit, ndë kohët të vitit ndëlesësë, të kremten’ e tendë-ngulëjesë, 11 kur të mbëlidhetë gjith’ Israili që të duketë përpara Zotit Perëndisë tënt, nd’ atë vënt që të sgjethnjë, të këndojsh këtë nom përpara gjith’ Israilit për të dëgjuar’ ata. 12 Mbëlith gjëndëjenë, burrat’ e gratë, e djemtë, edhe të huajinë tënt që ke përbrënda dyeret tua, që të gjegjenë, e të xënë, e t’i kenë frikë Zotit Perëndisë tuaj, edhe që të mbanë vesh të bënjënë gjithë fjalët’ e këtij nomi. 13 Edhe që të gjegjenë djemt’ e atyreve që nukë dinë, edhe të xënë t’i kenë frikë Zotit Perëndisë tuaj gjithë dit, sa të rroni mbi atë dhe që po kapërceni Jordhaninë për të trashëguar’ atë. 14 Edhe Zoti i tha Moisiut: Na tek po afronenë dit e vdekëjesë s’ate; thirrë Jisunë, edhe dilni përpara tendësë deshmimit, që ta urdhëronj atë. Edhe vate Moisiu, edhe Jisui, e duallë përpara tendësë deshmimit. 15 Edhe Zoti u duk ndë tendët ndë shtyllë të resë, edhe shtylla e resë qëndroi mbi derët të tendësë. 16 Edhe Zoti i tha Moisiut: Na ti tek do të flësh bashkë me atërit e tu, edhe këjo gjëndëje do të ngrihetë, e do të kurvëronjë prapa perëndirash të huaj t’atij dheut që hyn nd’ atë, edhe do të heqë dorë prej meje, e do të thyenjë dhiatënë t’ime që bëra me ata; 17 atëherë do të dhizetë zëmërimi im kundrë atyre atë ditë, edhe do të heq dorë nga ata, edhe do të fsheh faqenë t’ime nga ata, edhe do të tretenë; edhe do t’i gjenjën’ ata shumë të këqia e shtrëngata, kaqë sa do të thonë atë ditë: A nukë na gjetnë këto të këqia, sepse Perëndia ynë nuk’ (është) ndë mest nesh? 18 Edhe unë me të vërtetë do të fsheh faqenë t’ime nga ata atë ditë, për gjith’ ato të këqia që bënë, sepse u kthyenë ndër perëndira të huajë. 19 Tashi pra shkruani për vetëhenë tuaj këtë kënkë, edhe ua mësoni të bijet Israilit; vineni ndë golët t’atyre, që të jetë tek unë ajo kënkë për deshmim kundrë të bijet Israilit. 20 Sepse si t’i këllas ata nd’ atë dhe që u u përbetuash’ atëret atyre, dhe që rrieth klumësht e mjaltë, edhe ata si të hanë, e të nginjenë, e të mblushenë, atëherë do të kthenenë ndër perëndira të huajë, e do të lutnjën’ ata, edhe do të më zëmëronjënë, e do të thyenjënë dhiatënë t’ime. 21 Edhe si t’i gjenjën’ ata shumë të këqia e shtrëngata, këjo kënkë do të deshmonjë kundrë atyre posi deshmitar, sepse nukë do të harronetë nga gola e farës’ atyre, sepse unë njoh të ligën’ e atyre, që po bënjën’ edhe sot, përpara se t’i këllas ata nd’ atë dhe që u përbetuashë. 22 Edhe Moisiu shkroi këtë kënkë atë ditë, edhe ua mësoi të bijet Israilit. 23 Edhe urdhëroi Jisunë të bir’ e Naviut, e tha: Bëju burr e merr zëmërë, sepse ti do të këllaç të bijt’ e Israilit nd’ atë dhe që u u përbetuash’ atyre, edhe unë do të jem bashkë me ty. 24 Edhe Moisiu si mbaroi së shkruari fjalët’ e këtij nomi ndë vivlit, gjer ndë funt, 25 atëherë Moisiu urdhëroi Levitëtë, që mbanin’ arkën’ e dhiatësë Zotit, edhe tha: 26 Merrni këtë vivlin’ e nomit, edhe vireni mbi ijët të arkësë dhiatësë Zotit Perëndisë tuaj, edhe të jet’ atie për deshmim kundrë teje, 27 sepse un’ e di të pabinduritë t’at, edhe qafënë tënde t’ashpërënë. Na, kur sot që jam gjall bashkë me ju, nuk’ i dëgjuatë Zotit, po sa më tepërë pas vdekëjesë s’ime? 28 Mbëlithmëni gjithë pleqt’ e faravet tuaja, edhe të parëtë tuaj, që të flas këto fjalë për të dëgjuar’ ata, edhe të thërres për deshmitarë qiellin’ edhe dhenë kundrë atyreve, 29 sepse e di se pas vdekëjesë s’ime do të prishi fare, edhe do të priri nga udha që u urdhërova juve; edhe do t’u gjenjënë juve të këqia mbë dit të pastajme, sepse do të bëni keq ndër sy të Zotit, kaqë sa të zëmëroni atë me punët’ e duaret tuaja. 30 Edhe Moisiu foli, për të dëgjuarë gjithë përmbëledhëja e Israilit, fjalët e kësaj kënke gjer ndë funt.