Jakobi bekon bijtë e Jozefit
1 Pas këtyre ngjarjeve Jozefin e njoftuan se i ati ishte sëmurë. Atëherë Jozefi mori me vete të dy bijtë, Manaseun dhe Efraimin. 2 Kur i treguan Jakobit se po vinte biri i tij, Jozefi, mblodhi forcat dhe u ul mbi shtrat. 3 Pastaj i tha Jozefit: «Perëndia i gjithëpushtetshëm m'u shfaq në Luz, në tokën e Kanaanit, e më bekoi. 4 Ai më tha: “Ja, unë do të të shtoj, do të të shumoj e do të të bëj një shumicë popujsh. Këtë tokë do t'ua jap pasardhësve të tu si pronë të përjetshme”. 5 Tani pra, të dy bijtë e tu, Efraimi dhe Manaseu, që të lindën në tokën e Egjiptit para se unë të vija këtu, do të jenë bijtë e mi ashtu siç janë Rubeni dhe Simeoni. 6 Ndërsa bijtë e lindur pas tyre do të jenë të tutë dhe, për nga trashëgimia, do të thirren sipas emrit të Efraimit e Manaseut , 7 sepse Rakela më vdiq rrugës kur po vija nga Padani. Ajo vdiq në tokën e Kanaanit, kur ishim ende larg Efratës, dhe unë e varrosa aty, rrugës për në Efratë, ku është Betlehemi».
8 Kur Izraeli i pa bijtë e Jozefit, tha: «Kush janë këta?». 9 Jozefi iu përgjigj të atit: «Janë bijtë e mi që Perëndia m'i dha në këtë vend». Atëherë Jakobi i tha: «M'i sill pranë që t'i bekoj». 10 Izraelin e kishin lënë sytë për shkak të pleqërisë e nuk mund të shikonte më. Jozefi i afroi të bijtë dhe Jakobi i puthi e i përqafoi. 11 Izraeli i tha Jozefit: «Kurrë nuk e prisja të të shihja, por ja, Perëndia më ka lejuar të shoh edhe pasardhësit e tu!». 12 Jozefi i mori të bijtë nga prehri i të atit e u përkul me nderim gjer në tokë. 13 Pastaj i mori të dy dhe ia afroi Jakobit. Efraimin e vuri në të djathtë të vetes, që ishte në të majtë të Izraelit, ndërsa Manaseun e vuri në të majtë të vetes, që ishte në të djathtë të Izraelit. 14 Por Izraeli shtriu dorën e djathtë dhe e vuri mbi kryet e Efraimit, më të voglit. Ndërsa dorën e majtë e vuri mbi kryet e Manaseut. Kështu, ai i kryqëzoi duart, ndonëse Manaseu ishte i parëlinduri. 15 Atëherë e bekoi Jozefin e tha:
«Perëndia, në praninë e të cilit jetuan etërit e mi,
Abrahami e Isaku,
Perëndia që ka qenë bariu im
gjatë tërë jetës sime deri më sot,
16 engjëlli që më shpengoi nga çdo e keqe,
ai i bekoftë djemtë.
Në ta u përmendtë emri im
dhe emri i etërve të mi,
Abrahamit e Isakut.
U shtofshin e u shumofshin mbi tokë!».
17 Kur Jozefi pa se i ati kishte vënë dorën e djathtë mbi kryet e Efraimit, nuk i erdhi mirë. Ia kapi dorën të atit për t'ia hequr nga kryet e Efraimit e për t'ia vënë mbi krye Manaseut. 18 I tha të atit: «Jo kështu, ati im! Ky është i parëlinduri. Vëre dorën e djathtë mbi kryet e tij!». 19 Por i ati e kundërshtoi e i tha: «E di biri im, e di! Edhe ai do të bëhet një popull i madh. Megjithatë vëllai i tij i vogël do të bëhet më i madh dhe pasardhësit e tij do të bëhen mori kombesh». 20 Atë ditë Jakobi i bekoi e u tha: «Në emrin tuaj Izraeli do të bekojë duke thënë: “Të bëftë Perëndia si Efraimi e Manaseu!”». Kështu, ai e vuri Efraimin para Manaseut. 21 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: «Ja, unë po vdes, por Perëndia do të jetë me ju e do t'ju kthejë në tokën e etërve tuaj. 22 Unë po të jap një pjesë më tepër se vëllezërit e tu, pjesën që mora nga dora e amoritëve përmes shpatës dhe harkut tim».
1 Pas këtyre punëve, i thanë Josifit: Na yt atë tek është sëmurë. Edhe mori me vetëhe të dy të bijt’ e ti, Manassehunë edhe Efraiminë. 2 Edhe i dhanë zë Jakovit, e i thanë: Na yt bir Josifi tek po vien te ti. Israili mori fuqi, edhe ndenji mbi shtrat. 3 Edhe Jakovi i tha Josifit: Perëndia Fuqimadhi m’u duk ndë Lluz ndë dhe të Hanaanit, edhe më bekoi, 4 edhe më tha: Na unë tek do të shtonj ty, e do të shumonj ty, edhe do të bënj ty për shumë gjëndëje, edhe do t’i ap këtë dhé farësë sate pas teje, për gjë të saj të përjetëshime. 5 Tashi pra të dy bijt’ e tu, që të kanë lindurë ndë dhe të Egjyptërisë, pa ardhur’ unë te ti ndë Egjyptëri, janë të mitë, Efraimi edhe Manassehu do të jenë tek unë, posi Ruvini edhe Simeoni, 6 edhe djemt’ e tu që të lintnjënë pas këtyre, do të jenë të tutë, do të kluhenë ndë trashëgim të tyre pas emërit vëllezëret tyre. 7 Edhe unë kur po vinjam nga Padani, më vdiq Rahila mb’udhë ndë dhet të Hanaanit, kur na mbetej edhe pak udhë të harrinim ndë Efratha, edhe e kalla ndë varr atie ndë udhët të Efrathasë, e cila (është) Vithleema.
8 Edhe Israili kur pa të bijt’ e Josifit, tha: Cilëtë (janë) këta? 9 Edhe Josifi i tha t’et: Këta (janë) bijt’ e mi, që më dha Perëndia këtu. Edhe ay tha: Të lutem, bieri tek unë, që t’i bekonj. 10 Edhe syt’ e Israilit shihninë rëndë nga pleqëria, nukë munt të shihte. Edhe i afroi ata tek ay, edhe (ay) i puthi ata, edhe i rroku mbë qafë ata. 11 Edhe Israili i tha Josifit: Nukë shpërenjam të shihnjam syt’ e tu, edhe na Perëndia tek më dëfteu edhe farënë tënde. 12 Edhe Josifi i nxori ata nga mezi i gjunjvet ati, edhe u unj me faqe përdhe. 13 Edhe Josifi mori ata të dy, Efraimnë mbë të diathtë të ti, (e) mbë të mëngjërë të Israilit, edhe Manassehunë mbë të mëngjërë të ti, (e) mbë të diathtë të Israilit, edhe ja afroi ati. 14 Edhe Israili ndejti të diathtën’ e ti, edhe e vuri mbi kryet të Efraimit, i cili (ishte) më i vogëli, edhe të mëngjërën’ e ti, mbi kryet të Manassehut, tuke shkëmbyerë duart’ e tia, sepse Manassehu (ishte) i paralinduri.
15 Edhe bekoi Josifnë e tha: Perëndia, përpara të cilit ecnë atërit’ e mi Avraami edhe Isaaku, Perëndia i cili më kulloti që nga të linduritë tim gjer mbë këtë ditë,
16 ëngjëlli që më shpëtoi nga gjithë të ligatë, bekoftë (këta) djem, edhe u kluajtë emëri im mbi ata, edhe emëri i atëravet mi Avraamit e Isaakut, edhe u shumofshinë shumicë e madhe mbi dhet!
17 Edhe Josifi kur pa se i ati vuri dorën’ e diathtë mbi kryet të Efraimit, i erdhi rëndë, edhe rroku dorën’ e t’et, që t’ia hiqte nga kryet’ e Efraimit, e t’e vinte mbi kryet të Manassehut. 18 Edhe Josifi i tha t’et: Mos kështu ata im, sepse ky (ësht’) i paralinduri, vërë të diathtënë mbi kryet t’ati. 19 Po i ati nukë deshi, edhe tha: E di diali im, e di, edhe ky do të bënetë një gjëndëje, edhe ky do të bënet’ i math, po i vëllai ati më i vogëli do të jetë më i math se ay, edhe fara e ati do të bënetë shumicë kombesh. 20 Edhe atë ditë i bekoi e tha: Perëndia të bëftë posi Efraimnë e posi Manassehunë! Edhe vuri Efraimnë përpara Manassehut.
21 Edhe Israili i tha Josifit: Na unë tek po vdes, edhe Perëndia do të jetë bashkë me ju, edhe do t’u bierë juve përsëri ndë dhe të atëravet tuaj, 22 edhe unë po të ap ty një piesë për vëllezërit’ e tu, të cilën’ e mora nga dora e Amoritëvet me kordhënë time e me harkunë tim.