Kokëfortësia e Izraelit
1 Dëgjoje këtë, o shtëpi e Jakobit,
ju që mbani emrin e Izraelit,
që keni dalë prej burimeve të Judës,
që betoheni në emër të Zotit,
që përkujtoni Perëndinë e Izraelit,
por pa besnikëri e drejtësi.
2 Ata mbajnë emrin e qytetit të shenjtë
dhe mbështeten te Perëndia i Izraelit,
që e ka emrin Zoti i ushtrive.
3 Unë i shpalla që më parë gjërat e shkuara,
prej gojës sime dolën, unë i lajmërova.
Veprova menjëherë e ato ndodhën.
4 Sepse e dija se je kokëfortë,
se zverku yt është shufër hekuri
e se ballin e ke prej bronzi.
5 Që atëherë ta parathashë,
para se të ndodhte të lajmërova,
që të mos thuash: «Këtë e bëri idhulli im.
Shëmbëlltyra e gdhendur,
bashkë me shtatoren e shkrirë,
i urdhëruan këto».
6 E dëgjove këtë dhe e ke parë me sy,
përse nuk dashke ta pohosh?
E tani po të shpall gjëra të reja,
të fshehta, që s'i ke ditur më parë.
7 Këto sapo u bënë e nuk janë qëmoti,
para ditës së sotme, s'i kishe dëgjuar,
që të mos thuash: «Ja, unë i dija!».
8 Jo, as i ke dëgjuar, as i ke ditur,
veshi yt nuk ka qenë hapur asokohe.
Ja, unë e dija se me pabesi do të veproje,
se do të quheshe «kryeneç» që në bark të nënës.
9 Për hir të emrit tim do ta mbaj zemërimin,
për lavdinë time do të përmbahem ndaj teje,
që mos të të shfaros.
10 Ja, të pastrova, por jo si argjendin,
të sprovova në furrën e mjerimit.
11 Për vete, për veten time e bëra këtë,
që të mos më shajnë;
lavdinë time tjetërkujt s'ia jap.
Çlirimi i Izraelit
12 Më dëgjo, o Jakob,
dhe ti, o Izrael, i thirruri im:
Unë jam po ai, unë jam i pari
dhe unë jam i fundit.
13 Me dorën time e themelova tokën,
me të djathtën time i shtriva qiejt.
Kur unë u thërras,
paraqiten të gjithë bashkë.
14 Bashkohuni të gjithë e dëgjoni!
Cili prej tyre i ka parathënë këto?
Ai që e do Zotin,
do të bëjë dëshirën e tij,
kundër Babilonisë e kundër kaldenjve
do ta ngrejë krahun e tij.
15 Unë, unë fola dhe e thirra,
unë e solla dhe mbarë do t'i shkojë udha.
16 Afrohuni tek unë, dëgjojeni këtë:
që në fillim, kurrë nuk fola fshehtazi,
qëmoti, para se të ndodhte, unë isha aty;
e tani Zoti Perëndi
më dërgoi, bashkë me shpirtin e tij.
17 Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt,
i shenjti i Izraelit:
Unë jam Zoti, Perëndia yt,
ai që të mëson për të mirën tënde,
që të prin udhës ku duhet të shkosh.
18 Po të kishe qenë i kujdesshëm me urdhërimet e mia,
si lumi do të rridhte paqja jote,
drejtësia jote si valët e detit.
19 Fara jote do të kishte qenë si rëra,
pasardhësit e tu porsi kokrrat e saj,
emri i tij nuk do të ishte shuar,
nuk do të ishte fshirë para meje.
20 Dilni prej Babilonisë,
ikni larg kaldenjve!
Lajmëroni me zë gëzimi,
shpalleni këtë,
dërgoni lajm deri në skajet e tokës,
thoni: «E shpengoi Zoti shërbëtorin e tij, Jakobin».
21 S'patën etje kur nëpër shkretëtirë u printe,
nxori për ta ujë prej shkëmbit,
e çau shkëmbin e rrodhën ujërat.
22 Nuk ka paqe, thotë Zoti,
për të paudhët.
1 Pa dëgjoni këtë, o shtëpia e Jakovit, ju që u kluajttë me emërin’ e Israilit, edhe që keni dalë nga gurra e Judhësë; ju që bëni be mb’ emërit të Zotit, edhe zini n’gojë Perëndin’ e Israilit, (po) jo ndë të vërtetë, as ndë të dreitë.
2 Sepse marrën’ emërin’ e tyre nga qyteti i shënjtëruarë, edhe mpshtetenë mbë Perëndin’ e Israilit; emëri i ati (është) Zoti i ushtërivet.
3 Që atëherë dhashë zë për ato të së krejsë herësë, edhe duallë nga gola ime, edhe i leçita ato, i bëra (ato) pa pandehurë, edhe u bënë.
4 Sepse e di se je i ashpërë, edhe qafa jote (është) dell i hekurtë, edhe balli yt i ramtë.
5 Edhe që atëherë të dhashë zë (për këtë), përpara se të bënej ta çpalla këtë, që të mos thuash: Idhulla ime bëri këto; edhe e gëdhëndura ime, edhe e derdhura ime, urdhëroi këto.
6 Dëgjove: shih këto të gjitha, edhe nukë do të rrëfeni ju? Që tashi po të leçit ty të ra, po më fort të fshehëta, edhe ato që nuk’ i dije ti.
7 Tashi u bënë, edhe jo që moti, edhe as përpara kësaj dite nukë dëgjove për ato, që të mos thuash: Na unë tek i dinjam këto.
8 As dëgjove, as dije, as që së krejsë here t’u hapnë veshëtë, sepse e dinjam se me të vërtetë do të shpabesesh, edhe që nga barku u kluajte nom-prishës.
9 Për punë të emëritë t’im do të sgjas zemërimnë t’im, edhe për lavdurimnë t’im do të mbahem te ti, kaqë sa të mos të prish.
10 Na tek të qërova, po jo posi argjënt: të bëra të sgjedhur ndë poç të shkririt të së shtrëngatësë.
11 Për punët t’ime, për punët t’ime, do të bënj (këtë), sepse qysh do të ndyret (emëri im)? Po, nukë do t’i ap tietri lavdinë t’ime.
12 Pa dëgjo-më, Jakov, edhe Israil që të grisha unë: unë vetë jam, un’ i pari, un’ edhe i pastajmi.
13 Edhe dora ime themelosi dhenë, edhe e diathta ime mati me pëllëmbë qiejetë; (kur) i thërres ata, dalënë përpara bashkë.
14 Mbëlidhi ju të gjithë, edhe dëgjoni: cili nga këta dha zë për këto? Zoti deshi atë, (andaj) do të mbaronjë dashurimin’ e ati mbi Vavillonënë, edhe krahu i ati (do të jetë mbi) Halldhejt.
15 Unë, unë fola, po, thirra atë, prura atë, edhe unë do t’ja bënj mbarë udhën’ ati.
16 Afrohi tek unë, dëgjoni këtë: që së krejsë here nukë fola ndë të fshehëtë, që kurë se u bë këjo, un’ (ishnjam) atie; edhe tashi më dërgoi Zoti Perëndia, edhe fryma e ati.
17 Kështu thotë Zoti, Shpërblimtari yt, Shënjti i Israilit: Unë (jam) Zoti Perëndia yt, që të mësonj për të mirënë tënde, që të heq ndëpër atë udhë, që duhetë të veç.
18 Makar të dëgjonje urdhërimet’ e mi! Atëherë paqtimi yt do t’ishte posi lum, edhe dreitëria jote posi valët’ e detit;
19 edhe fara jote do t’ishte posi rëra, edhe niprit’ e barkut tënt posi zajet’ e asaj; emëri i ati nukë do të këputej, as nukë do të shuhej prej sysh mi.
20 Dilni nga Vavillona, ikni nga Halldhejtë, me zë brohorie epni zë, leçitnia këtë, çpalleni këtë gjer ndë funt të dheut, thojni: Zoti shpëtoi shërbëtorin’ e ti Jakovinë.
21 Edhe nukë patnë et, kur u hiqte udhën’ atyre ndëpër shkretëtirët, bëri për ata të rriedhën’ ujëra nga shkëmbi; edhe çau shkëmbinë, edhe ujëratë rrudhë.
22 S’ka paqtim për të pabesëtë, thotë Zoti.